E kam humbur fillin e numërimit të sondazheve.
Përqindjet ndryshojnë nga java në javë. Në fillim dukej sikur do të fitonte partia ime. Një javë më vonë doli në krye partia jote.
Për t’u ndjekur më pas nga një parti që i takonte atij/asaj. Na çoroditën këto sondazhe të uruara. Deri më 25 prill do të rifreskohen llogaritë dhe numrat prapë do të ndryshojnë. Unë, ti, ai/ajo, ne ju ata/ato, do të mbajmë frymën pezull.
Gjithmonë ka një arsye: numrat lëvizin. E kam fjalën për sondazhet. Se ato na interesojnë në këtë pragzgjedhje…
Numrat. E kam fjalën për shifrat që mbetën në gojën e analistëve që ranë telef të shpjegojnë pse do të fitoje partia ime dhe do të humbasë partia jote.
Ose anasjelltas, ç’rëndësi ka? Si të fitojë partia ime, si të fitoje partia jote, furxhiu i lagjes, njësoj do ta pjekë bukën, si për mua dhe për ty. Se me çfarë do t’i lyejmë copat të nesërmen, ajo është tjetër histori.
Tani jemi te shifrat. Sa ishte partia ime? 51 %? Po partia jote? 72%?.
Dëgjo, matematika nuk ka qenë prirja ime, por këto llogari ngjajnë si të dala nga afshi i rakisë. Mbase këto kohë më mirë të mos jesh shumë i kthjellët. Të ndihmon për të bërë edhe ndonjë sy gjumë kur moderatorët që paraqitin sondazhet e partive, na urojnë natën e mirë. Të mirë e bëfshi edhe ju moderatorë, por mua më mundon një pyetje. Që lidhet me shifrat. Por jo të sondazheve. Dua t’i pyes për shifrat e buletinit të luftës.
Çdo mbrëmje 21 viktima. Ka shumë kohë që ky numër s’po na ndahet.
Çdo natë me dhjetëra familje shqiptare vajtojnë të dashurit e tyre, që nuk ia dolën në betejën me virusin që ka gjunjëzuar planetin. Thonë se kjo shifër mund të jetë më e lartë. Por nuk mungojnë edhe dyshimet për numrin e të shëruarve. Mund të jetë më i ulët. Le ti marrim shifrat të mirëqena ashtu si na serviren. Dhe të qëndrojmë fort këtu. Janë shumë, 21 viktima, çdo natë, për një kohë kaq të gjatë. Mbase diçka duhet të ndryshojë.
Si fillim protokolli. Një grup mjekësh italianë ngritën zërin këto ditë, duke e konsideruar të gabuar protokollin e mjekimit në familje. Të gabuar, në atë nivel, që ka rrezikuar jetën e të sëmurëve.
Javën e kaluar mjeku Pipero, deklaroi se të sëmurët, mbërrijnë në spital në gjendje të rëndë. Pra logjika e këtij mjeku kërkon që ata të shtrohen pa u përkeqësuar situata. Mbase po të bëhej kjo, ajo shifra 21 do të fillonte të zbriste, bashkë me ankthin tonë.
Një gjë nuk na tha mjeku Pipero. Si ta dijë një i sëmurë se kur duhet t’i drejtohet spitalit, kur askush nga bluzat e bardha nuk e sheh me sy?
Kush do ta orientojë në institucionet shëndetësore? Mjeku i familjes me telefon? Apo shërbimi i 127-ës, që pas pyetjeve rutinë të këshillon të bësh tamponin? Si mund të kesh siguri që po bën gjënë e duhur dhe po merr një mjekim të saktë, në një kohë që po ngrenë alarmin për përdorimin pa kriter të antibiotikëve dhe kortizonikëve? Po bëhet një vit, që jemi në mes të kësaj beteje, me kaq shumë të vdekur! Nuk mund të vazhdohet me supozime dhe këshillime në distancë.
Kjo qasje duhet të ndryshojë. Por mund të bëhet kur ne të ndryshojmë qasjen tonë ndaj shifrave. Kur them ne, nuk kam parasysh dëgjuesin, por folësin. D.m.th. moderatorin. Lërini shifrat e sondazheve në trokun e tyre, që do të ndalojë më 25 prill. Loja e sondazheve është argëtuese në kohë paqeje. Tani, në këtë kohë të zymtë, ndërmerrni një tjetër mision. Mos e hiqni nga dora buletinin e luftës. Mbushni studiot me mjekë dhe specialistë, që janë vërtet të tillë.
Që syrin e mbajnë në Shqipëri dhe veshin nga bota. Për të mësuar të rejat. Për të përmirësuar protokollet, për t’i unifikuar ato.
Kjo është thirrja e kohës. Zgjedhjet bëhen gjithmonë se janë sanksionuar në Kushtetutë.
Luftërat jo. Janë një rastësi tragjike. Ju jeni me fat. Në axhendën tuaj telefonike keni rreshtuar numrat e “gjeneralëve” të luftës. Ju mund të flisni lirshëm me ta, në rast nevoje. Nga kjo pikëpamje, ju ndiheni më të sigurt se njerëzit e thjeshtë. Ju keni mundësinë të fluturoni edhe matanë kufijve për t’u mjekuar, njerëzit e thjeshtë, jo. Por ju, besoj e dini, jeni aty edhe për t’u bërë zëri i publikut. Ndaj është në nderin tuaj që midis shifrave të sondazheve dhe buletinit të luftës, të zgjidhni këtë të dytin.
Komentet