FATION BINJAKU/ Gjykata e të Drejtave të Njeriut në Strasburg është duke shqyrtuar 103 çështje pronësie të qytetarëve shqiptarë dhe në rast se ato do të pranohen, atëherë qeveria shqiptare do duhet të paguajë një faturë të hidhur prej rreth 822 milion eurosh. Këtë të dhënë e ka bërë të ditur dje deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku, gjatë një debati me ministren e Drejtësisë, Etilda Gjonaj, e cila ka konfirmuar shifrën.
Më herët, Tabaku tha se kishte marrë një përgjigje zyrtare nga ministrja Gjonaj dhe se shteti shqiptar do të përballej me një shifër të jashtëzakonshme për të paguar. “Kam një përgjigje, që ju zonja ministre më keni nisur në cilësinë e deputetes, se cila është kostoja që qeveria shqiptare do të ketë për çështjen e pronave në Gjykatën e të Drejtave të Njeriut në Strasburg dhe në gjymtën e Arbitrazhit dhe përgjigja juaj është: vlera financiare nga kërkuesit për 103 çështje është 822 milion euro.
Shteti shqiptar me të gjitha këto çështje, që janë në radhë në GJND ka një detyrim të jashtëzakonshëm’, ka thënë dje Tabaku. Por ministrja e Drejtësisë tha se shuma prej 822 milion eurosh është pretendimi që kanë qytetarët që janë ankimuar në Strasburg, por ende Gjykata Europiane nuk ka dhënë vendime.
“Nuk mund të shkojmë me aludime, që Gjykata Europiane do të japë të njëjtin vendim ashtu siç ka dhënë për gjykimin pilot të Manushaqe Putos kundër Shqipërisë. Kjo është arsyeja pse Gjykata e Europiane ka kërkuar zbatimin e vendimit të Gjykatës Kushtetuese dhe ndryshimin e vendimit nëpërmjet vendimit të Këshillit të Ministrave”, tha dje Gjonaj. Ministrja, gjatë debatit tha se në 5 vite Agjencia e Trajtimit të Pronave ka përpunuar 10 mijë dosje nga 26 mijë kërkesa në total.
DEBATI PËR PRONAT
Jorida Tabaku: Kam një përgjigje, që ju zonja ministre më keni nisur në cilësinë e deputetes, se cila është kostoja që qeveria shqiptare do të ketë për çështjen e pronave në Gjykatën e të Drejtave të Njeriut në Strasburg dhe në gjymtën e Arbitrazhit dhe përgjigja juaj është: vlera financiare nga kërkuesit për 103 çështje është 822 milion euro. Me të drejtë kërkuesi mund të kërkojë një shifër çfarëdo dhe duhet të vendosë Gjykata, por ajo që është e rëndë- sishme në përgjigjen që më keni dhënë ju, është që kjo është e bazuar dhe vlerësuar mbi çështjen pilot të Manushaqe Putos. Që do të thotë që, me qenë se Gjykata e Strasburgut ka dhënë një çështje pilot me një vlerë të caktuar, atëherë të gjitha çështjet që do të trajtohen pas kësaj do t’i referohen kësaj çështjeje. Shqetësimi që ne ngremë është se Qeveria ka vepruar në mënyrë antikushtetuese me ligjin e pronave që dhe ai në vetvete është antikushtetues. Dhe në vendimin e Gjykatës Kushtetuese ju keni shkelur me të dyja këmbët vendimin për një vit të plotë sepse nuk keni miratuar VKM-të. Shteti shqiptar, me të gjitha këto çështje që janë në radhë në GJND, ka një detyrim të jashtëzakonshëm…
Etilda Gjonaj: Jam treguar shumë e kujdesshme në përgjigjen që i kam kthyer, duke iu referuar materialeve të Avokaturës së Shtetit, ku behet fjalë për një shumë të kërkuar. Është e vërtetë që të gjitha këto kërkesa kanë shkuar në kuadër të gjykimit pilot Manushaqe Putos, ku ka dhe një plan veprimi se si do të zbatohet rasti i Manushaqe Putos. Është një shifër e kërkuar dhe është ajo që unë kam dhënë përgjigje në shkresën drejtuar zonjës Tabaku. Nuk kemi ende vendime gjykate të dhëna. Nuk mund të shkojmë me aludime, që Gjykata Europiane do të japë të njëjtin vendim ashtu siç ka dhënë për gjykimin pilot të Manushaqe Putos kundër Shqipërisë. Kjo është arsyeja pse Gjykata Europiane ka kërkuar zbatimin e vendimit të Gjykatës Kushtetuese dhe ndryshimin e vendimit nëpërmjet vendimit të Këshillit të Ministrave…
Aldo Bumçi: Lidhur me ligjin e pronave, ne e dërguam në Gjykatën Kushtetuese dhe kjo gjykatë e dërgoi për të marrë opinion në Komisionin e Venecias. Rezulton se përkthimi i kryer i relacionit dhe i ligjit që është bërë nga Avokatura e Shtetit, rezulton të jetë me gabime. Kjo çështje është ngritur publikisht dhe me shkresa drejtuar nga Presidenti i Republikës Bujar Nishani, sekretarit të KIE dhe Komisionit të Venecias, ku i kërkohet se, ligji mbi të cilin ata kanë dhënë opinion nuk është versioni zyrtar, por një përkthim jo i saktë i ligjit. Çfarë keni për të më thënë për këtë çështje?!
Etilda Gjonaj: Unë nuk e kam dëgjuar kurrë këtë pretendim. Vendimi i Gjykatës, edhe nëse ka qenë, është përgjegjësi totale e Gjykatës Kushtetuese dhe është një gjë që s’më përket.
Aldo Bumçi: Nëse vendimi është marrë mbi një material jo të saktë…
Etilda Gjonaj: Unë, siç thashë edhe në cilësinë e ministres së Drejtësisë, nuk mund të vë kurrë në diskutim një vendim të Gjykatës Kushtetuese. Që do të thotë, unë zbatoj në mënyrë rigoroze vendimin e Gjykatës Kushtetuese. Si është bërë procesi, le ta hetojë Prokuroria dhe ta shikojë Gjykata në mënyrë administrative.
Aldo Bumçi: Sa është detyrimi që ka shteti shqiptar ndaj vendimeve të dhëna nga Gjykata e Strasburgut, kam dy shifra 4.4 milion euro dhe 70 milion euro. Cila është shifra e saktë?
Etilda Gjonaj: Kur flasim që është një vlerë e kërkuar, çdo individ ka gjithë të drejtën e tij të kërkojë sa i merr mendja që është dëmi i tij. Por kjo nuk përkthehet në një kosto reale për sa kohë që GJND nuk është shprehur me vendim. Të shprehen ata dhe pastaj kalkulojmë kostot. Le t’ia lëmë Gjykatës Europiane të shprehet dhe të shohim si do jetë ecuria, Gjykata Europiane dhe Komiteti i Ministrave ka marrë edhe vendimet e Këshillit të Ministrave, që kanë dalë në zbatim të vendimit të Gjykatës Kushtetuese, të cilët do të shprehen në qershor dhe shtator 2018…
Genc Pollo: Ju nuk e keni shumën totale në euro të vendimeve me fuqi ekzekutive të marra nga Gjykata e Europiane për të Drejtat e Njeriut për çështjet pronësore të Shqipërisë dhe për pasojë, detyrimin për të shlyer këto shuma në ekzekutim të këtyre vendimeve. Nëse ju nuk e keni këtë, mund të na e dërgoni. Kemi shumën e akumuluar të pretendimeve që është një gjë, por shumën e vendimeve pa përfshirë vendimet në pritje…
Aldo Bumçi: Sa vendime ka trajtuar Agjencia e Trajtimit të Pronave në 5 vite, pjesë e Ministrisë së Drejtësisë. Perceptimi është që agjencia ka ndaluar në këto 27 vite. Kjo është periudha ku nuk ka punuar dhe s’ka trajtuar kërkesat e qytetarëve shqiptarë.
Etilda Gjonaj: Në total janë 26 mijë vendime për kompensim, ku 10,904 prej të cilëve rezultojnë të vlerësuara në këto 5 vitet e fundit..
Aldo Bumçi: Sa ka trajtuar në 5 vitet e fundit?
Etilda Gjonaj: 5 vitet e fundit ka trajtuar 10 mijë vendime.
PANORAMA
Komentet