Në vend të hyrjes
Fillimisht një saktësim për Kryeministrin që sheh komplote kudo dhe kujton se kritikët ndaj tij urojnë ta shohin turizmin të shndërrohet në një histori dështimi dhe jo suksesi. Të jetë i sigurt, nuk mund të ekzistojë një shqiptar brenda apo jashtë vendit që mos të kënaqet me sukseset ekonomike të vendit. Kur ekonomia ecën, gjithçka ecën. Ndërsa sa për sukseset “politike” apo “gjeopolitike” të Shqipërisë ato janë nocione subjektive ku është normale që debati të ekzistojë.
Por ekonomia në vetvete nuk gënjen. Nëse turizmi i sjell prosperitet ekonomik vendit askush nuk do te hidhte balte mbi pushtetin. Edhe vete sistemi i kaluar komunist, që nga Brezhnjevi tek Enver Hoxha duke kaluar nga Cauçesku nuk do të kishte rënë nëse do të kishte treguar epërsi ekonomike. Pra, Edi Rama të rrijë i qetë. E ka dhe do ta ketë opinionin publik mbështetësin më të madh për turizmin por me kushtin që përtej fjalëve të ketë vepra, që turizmi nga shifra personash me shumë zero mbrapa, të shndërrohet në shifra në euro edhe me shumë zero mbrapa.
A po ndodh kjo me politikat e turizmit të kësaj qeverie në Shqipëri?
Për ta kuptuar, nuk duhet që në emër të euforisë së turizmit të bëjmë kompromis me statistikat që po servir apo nuk po servir kjo qeveri.
Kryeministri në vend të tallet me ata që guxojnë dhe “ia diskutojnë” statistikat duhet të tregohet mirënjohës për çdo vërejtje apo sugjerim që merr meqenëse qëllimi i të gjithëve bashkërisht është që të funksionojë ekonomia e turizmit dhe jo dogma e turizmit.
Rritja e numrit të turistëve nuk është një veçanti shqiptare
Po e nisim analizën me statistikat e fundit të publikuara nga Edi Rama. Kryeministri shkruan me krenari dhe plot qesëndi për “qaramanët” te cilët i përqesh me një “smile” se Shqipëria është në krye te statistikave te aviacionit europian me një rritje marramendëse të numrit të pasagjerëve të huaj që vijnë shumë herë më i lartë se në vendet e tjera:
“JA TABELA E KËSHILLIT TË Aeroporteve NDËRKOMBËTARE PËR KORRIKUN, ku kryeson sërish SHQIPËRIA me rritjen e jashtëzakonshme mbi 200% të numrit të pasagjerëve, që është një pasqyrim shumë i qartë i “zbrazjes” së Shqipërisë nga turistët këtë vit.😅 ”
Por siç thonë anglezët, djalli fshihet në detaje. Kjo rritje mbi 200% nuk është “këtë vit”, këtë muaj vere krahasuar me një vit më parë. Tabela e Ramës marre nga Organizmi europian i Aviacionit (ACI Europe) bën pjesë në kapitullin e analizave të rimëkëmbjes së trafikut ajror europian që prej vitit “Zero trafik” që ishte momenti i kovidit më 2020.
Të gjitha këto statistika që publikohen rregullisht nga europianët kane vetëm një synim: a po e rigjen sot trafiku ajror në Europë atë numër pasagjerësh që kishte fill para kovidit në vitin 2019? Titulli i tabelës së ripostuar nga Rama është i qartë: Performanca e trafikut ajror në krahasim me vitin 2019”.
Në vitin 2019 me të cilin bëhet krahasimi, trafiku ajror kudo në Europë që shumë i lartë, përveçse Shqipërisë dhe disa vendeve të tjera periferike ku niveli qe jashtëzakonisht i ulët me pak turistë të huaj, dhe aspak kompani ajrore low cost si Rayanair apo Wizzair që sjellin turistë në masë. 5 vjet me vone shifrat e sotme duhen interpretuar siç duhet.
Le të marrim Francën, vendi më i vizituar në botë nga turistët, vendi normalisht me trafikun me te larte ne bote këtë stinë vere falë Lojërave Olimpike, por vend qe rezulton megjithatë ne tabelën e Ramës si një nga nxënësit me te dobët te klasës, me rënie 4% te numrit te pasagjereve te trafikut ajror ! Kush mund ta besoje këtë fabul se Franca qenka në krizë turistike me minus 4% pasagjere dhe Shqipëria ne majën e Olimpit me +200%? E megjithatë, shifrat janë të sakta: trafiku ajror sot ne France ndonëse po rritet vazhdimisht që nga kovidi, ndonëse ne 2024 është më i lartë se në 2023, Franca vazhdon te jete ende nen nivelin qe kishte para kovidit. Gjermania po ashtu, regjistron sot një rezultat që është minus 16% në krahasim me vitin 2019. Edhe Monako, perla e Mesdheut, regjistron një rënie prej më shume se 30%, por gjithnjë krahasuar me nivelin më të lartë që ishte viti 2019, kur turizmi funksiononte normalisht dhe më pas u “rrënua” nga kovidi.
Pra, ashtu si nuk duhet të habitemi që Monako në klasifikimin që publikon Rama është minus 30% turistë në raport me 2019, po ashtu nuk duhet të habitemi që në raport me atë vit Shqipëria rezulton me + 200% rritje sepse vendi ynë vjen nga një nivel reference shumë i ulët.
Ndaj shifrat e Shqipërisë në krahasim me 2019 nuk kanë ndonjë interes të veçantë sepse në krahasim me vende të tjera që kishin nivel të lartë turizmi në atë vit,
Shqipëria e cila në të kundërt nuk ekzistonte fare në hartën e turizmit ne 2019 para kovidit vetëm rritje fenomenale mund te njihte ne vitet pas kovidit. Është ekzakt si rritja ekonomike e Kinës qe ishte bere bajate me 8% para kovidit (5% sot) dhe qe nuk na hapit më ndërkohë kur vendet perëndimore mezi arrijnë një rritje prej 1%, Kjo sepse Kina zhvillimin ne ekonomi e ka nisur nga nivele shumë më të ulëta se Perëndimi dhe çdo rritje, sado e vogël krahasuar me një bazë fillestare minimale, duket gjigande.
Për ta kuptuar më mirë, le të marrim një shembull të thjeshtë matematik: nëse në Francë ku vijnë 100 milionë turistë në një vit, ka një shtim vitin pasardhës me një milion turistë me shume te drejte do te themi se rritja është e papërfillshme , +1%. Por nëse këta 1 milion turiste me shume, shkojnë jo ne France por në një vend që pret zakonisht vetëm 100 mije turiste ne vit, rritja per këtë vend nuk është aspak e papërfillshme por plot + 1000% ! Kjo po ndodh me Shqipërinë. Ky fakt që një vend që e nis rritjen nga një nivel shumë i vogël dhe duket se bën mrekullira krahasuar me vende qe i kane nivelet “normale” të larta, konfirmohet nga fakti tjetër se treshja e “podiumit olimpik” të turizmit ne 2024 ne krahasim me periudhën para kovidit, është e përbërë ekskluzivisht nga vendet me periferike e te pazhvilluara në Europë. Ato janë Shqipëria, Uzbekistani dhe Kazakistani, ndjekur nga Armenia. Të gjitha këto vende e kalojë me mbi 100% rritjen e numrit të pasagjereve te huaj me avion ne 2024 ne krahasim me vitin 2019. Biles Uzbekistani radhitej para Shqipërisë dhe gjithë vendeve në Europë në mars 2024 krahasuar me 2019 me plot + 210% rritje, duke lënë në vend të dytë Shqipërinë me + 182% dhe Kazakistanin medalje e bronzte + 103% rritje. Tani në gusht 2024 krahasuar me 2019 rezulton se është Shqipëria që ia paska kaluar Uzbekistanit (206% kundrejt 160%) dhe biles Shqipëria e paska poshtëruar siç i pa dhe Francën e cila është minus 4% … Dhe njëherë këto shifra në raport me 2019 nuk thonë gjë të madhe.
Shqipëria jo e para në krahasimin vjetor
Por, po te bazohemi jo tek krahasimi me vitin 2019, por me një vit më parë, pra 2024 me 2023 Shqipëria nuk është më e para në këtë tip klasifikimi, të cilin Rama çuditërisht nuk e publikon. Kështu, sipas raportit te ACI Europe te qershorit 2024 ne krahasim me një vit më parë, qershor 2023, aeroporti i Tiranës në Shqipëri realizon “vetëm” +67% rritje, por Kazakhistani +150% rritje te trafikut ajror krahasuar me 2023. Aeroporti i Zadarit ne Kroaci vjen ne vend te dyte me +105% rritje ne raport me 2023, ai i Spanjës “Gerona-Costa Brava” + 90% rritje ne krahasim me 2023. Këto shifra janë qartazi më të larta se +67% i rritjes së numrit të pasagjerëve në një vit në aeroportin e Tiranës. Mos të harrojmë se Spanja mban vendin e dytë në botë pas Francës për nga numri i turistëve dhe megjithatë ajo ka ende marxhe për rritje vjetore të jashtëzakonshme. Edhe Bosnja që s’mund të shquhet si vend me reputacion të lartë turistik, ka njohur një rritje vjetore+ 50% në aeroportin e Sarajevos, Uzbekistani + 54%, Antalya në Turqi +58%. Pra po t’i referohemi rritjes vjetore, 2024-2023 dhe jo rritjes ne raport me periudhën para kovidit, Shqipëria nuk po realizon ndonjë revolucion të jashtëzakonshëm në krahasim me vende të tjera në Europë. Rritja e trafikut ajror në gjithë Evropën jo vetëm në Shqipëri vjen nga politikat agresive tarifore të kompanive low-cost që megjithë rritjen e inflacionit nuk i rritën çmimet e biletave, por përkundrazi i ulën ato.
Shpenzimet e turistëve si tregues më domethënës se numri i turistëve
As treguesi i trafikut ajror dhe as ai i numrit global te turistëve (Shqipëria po i kalon 10 milionët) nuk është kryesori ne analizat e eksperteve mbi performancën reale te turizmit. “Suksesi” i vërtetë në turizëm matet në disa të dhëna të tjera, tek shpenzimet e turistëve dhe tek bilanci i pagesave te turizmit (raporti midis valutës që hyn me turistët e huaj dhe asaj që del me vendasit që shkojnë për turizëm jashtë shtetit).
Nëse shihet statistika e shpenzimeve të turistëve, Spanja për shembull del mbi Francën ndonëse kjo e fundit pret më shumë turiste në vit se çdo vend tjetër në botë.
Klasifikimi i fundit botëror i vendeve qe kane me shume te ardhura nga turizmi e nxjerr biles Francën dhe nga treshja e podiumit ku figurojnë këto shtete : ne vend te pare SHBA-te me 176 miliard de dollarë që shpenzojnë turistët e huaj (për gjithsej 66.5 milion turiste te huaj ne vit) ; Spanja ne vend te dyte me 92 miliard dollarë shpenzime nga turistet e huaj (gjithsej 85 milion turiste ne vit); Britania e Madhe në vend të tretë me 74 miliard dollarë shpenzime qe kryejnë turistet (por “vetëm” 32 milionë turistë në vit); Franca ndonëse me numrin me te madh te turisteve, 100 milionë në vit, radhitet në vend të katërt për nga shuma që shpenzojnë, me 69 miliard dollarë ndjekur nga Italia me 56 miliard dollarë dhe 57 milionë turistë në vit.
Po Shqipëria e cila po kërkon të rivalizojë me vendet e rajonit të saj të fasadës detare adriatiko – joniane (Kroaci, Greqi) si shfaqet në dritën e statistikës kryesore, të ardhurat nga turizmi?
Në pritje të statistikave turistike financiare për vitin 2024, ato te vitit 2023 tregojnë këto shifra:
INSTAT: Shqipërinë e vizituan rreth 10.2 milionë shtetas të huaj në 2023.
Banka e Shqipërisë: Turistët e huaj shpenzuan 4.2 miliardë euro në Shqipëri në 2023.
Banka e Shqipërisë: Shpenzimet e turistëve shqiptarë jashtë, 2.3 miliardë euro në 2023.
Bilanci i Pagesave të turizmit (shpenzimet e të huajve në Shqipëri minus ato të shqiptarëve jashtë) sipas Bankës së Shqipërisë kapi vlerën e 1.84 miliardë eurove vitin e kaluar që është shuma e “fitimit” të Shqipërisë nga turizmi.
Si qëndrojnë këto shifra në raport me vende me të cilat mund të krahasohemi?
Po marrim për krahasim 4 vende domethënëse për Shqipërinë: një vend balltik, Letoninë meqenëse ka popullsi pak a shumë sa Shqipëria por nuk ka bregdet mesdhetar që të tërheqë turistë në masë si Shqipëria. Sllovenia, vend me popullsi pak a shumë si Shqipëria por që ka shumë pak bregdet. Greqia dhe Kroacia dy fuqitë ballkanike turistike.
Analiza krahasuese me Shqipërinë, rezulton në këto shifra:
Greqia, 10 milionë banorë, 36 milionë turistë; 20,4 miliard euro shpenzime të turistëve të huaj në Greqi, 3,4 miliard shpenzime të turistëve grekë jashtë: bilanci i pagesave të turizmit për ekonominë greke: +17 miliardë euro.
Koment: Në Greqi ka vetëm 3 herë më shumë turistë se në Shqipëri, por bilanci përfundimtar i pagesave të turizmit është 10 herë më i lartë se në Shqipëri ose +17 miliardë për Greqinë kundrejt vetëm 1,8 miliard euro për ekonominë shqiptare. Kjo pasi turistët në Greqi shpenzojnë 5 herë më shumë se në Shqipëri.
Letonia, vend me rreth 2 milionë banore, vetëm 500 mije turiste vitin e kaluar; 3,6 miliard euro shpenzime te turistëve te huaj, 1,6 miliard shpenzime të turistëve letonezë jashtë: bilanci i pagesave të turizmit: +2 miliard euro për ekonominë letoneze.
Koment: Letonia me 20 herë më pak turiste se Shqipëria (500 mijë kundrejt 10 milionë) arrin me detin e saj të ftohtë balltik të fitojë më shumë të ardhura nga turizmi sesa ç’fiton Shqipëria (2 miliardë euro për Letoninë kundrejt 1,8 miliard euro për Shqipërinë)!
Sllovenia, rreth 2 milionë banore: 4 milionë turistë; 3,1 miliard euro shpenzime të turistëve të huaj, 1,7 miliard shpenzime të turistëve sllovenë jashtë: bilanci i pagesave te turizmit ne Slloveni: + 1,4 miliard euro.
Koment: Sllovenia ndonëse ka shumë më pak turistë se Shqipëria, me 2 herë e gjysmë më pak (4 milionë turistë në Slloveni kundrejt 10 milionë turistë në Shqipëri) fiton nga turizmi pothuajse po aq sa Shqipëria (1,4 miliard kundrejt 1,8 miliard). Çdo të ndodhte sikur Sllovenia të kishte 10 milionë turistë aq sa Shqipëria?
Kroacia, 3.8 milionë banorë: 20 milionë turistë, 13,4 miliard euro shpenzime të turistëve të huaj, 1,4 miliard shpenzime të turistëve kroatë jashtë: bilanci i pagesave të turizmit: + 12 miliard euro!
Koment: Kroacia me popullatë pak më të madhe se Shqipëria, dhe vetëm me 2 herë më shumë turistë se Shqipëria (20 milionë turistë në Kroaci kundrejt 10 milionë në Shqipëri) fiton nga turizmi 6 herë më shumë se Shqipëria (12 miliard euro kundrejt 1,8 miliard euro)!
Midis fjalëve të bukura të kryeministrit Rama sesa milionë turistë e vizitojnë Shqipërinë dhe veprave se sa fiton realisht ekonomia shqiptare, hendeku është i konsiderueshëm
Prodhimi më i rëndësishëm se turizmi
Mënyra e vetme për Shqipërinë për të përmirësuar “fitueshmërinë” nga turizmi është të bëjë atë që bëjnë shumë vende të tjera. Të nxiten turistët jo vetëm të shpenzojnë më shumë, por mbi të gjitha të konsumojnë prodhime lokale për të krijuar një rreth ekonomik virtuoz që do të beje qe nëpërmjet turizmit te zhvillohen dhe bujqësia dhe industria. Por që i huaji (apo dhe vendasi) te konsumojnë prodhime vendase, duhet te jesh i afte si vend te prodhosh. Në vendet që fitojnë mire nga turizmi konstatohet gjithmonë prania e një ekosistemi qe prodhon pjesën me te madhe te produkteve që konsumojnë turistet. Janë zinxhirë te pafund prodhuesish dhe furnitorësh agro-ushqimore që veprojnë në vendet me te ardhura te larta nga turizmi. Krijimi i vlerës së shtuar dhe i vendeve te punës matet jo vetëm me shërbimet turistike por dhe ne sektorët e ndërlidhur te bujqësisë dhe agro-industrisë për t’iu përgjigjur me oferte ekskluzivisht vendase kërkesës se konsumatorëve të huaj.
Në Shqipëri me mënyrën sesi është konceptuar turizmi, janë vënë buajt para qerres. Janë ndërtuar hotele, pa menduar se nga do vijë “tulla dhe llaçi”, hapen dhoma pa menduar nga do vijnë krevatet, tryezat dhe kolltuqet, dyert apo dritaret; banjot bëhen luksoze me vaska me hidro-masazh pa menduar nga do vijnë gjërat me elementare peshqirët, shampoja e deri tek letra higjenike. Në hotele dhe jashtë hoteleve janë ndërtuar restorante shume joshëse pa menduar nga do vijë qumështi, mishi, domatja, pijet me gaz apo pa gaz, me alkool dhe pa alkool.
Në Shqipëri konsumohet shume po nuk prodhohet thuajse asgjë. Dhe në malet e Leskovikut ku kalova personalisht disa ditë vere, vaji i ullirit apo kanoçja Coca-Cola vinin nga Greqia fqinje me etiketa ende në greqisht. Tek bilanci i pagesave të turizmit sikur të zbriteshin jo vetëm shpenzimet në valutë të turistëve shqiptarë jashtë por e gjithë valuta e importeve për blerjet jashtë për t’u shërbyer turistëve në Shqipëri, në fund fare ekonomisë së vendit s’do t’i mbetej ndonjë shumë e përfillshme.
Kryeministri dhe dy ministret e tija ajo e Infrastrukturës dhe ajo e Turizmit në vend të rreken së shfletuari regjistrat kompjuterike të doganave në kërkim të shifrave shumë milionëshe të turistëve, të numërojnë më mirë sa ndërmarrje industriale dhe bujqësore disponon Shqipëria për t’i bërë ballë me prodhim vendas fluksit në rritje të turistëve të huaj. Në çdo muze të botës, turisti e përfundon vizitën te “shoppingu” i muzeut ku dhe aty i krijohen mundësi ekonomisë vendase të fitojë dhe diçka më shumë duke shitur suvenire standarde që prodhohen në vend. Shqipëria as “kokën e Dea-s” nuk është e afte ta prodhojë në seri dhe t’ua shesë vizitorëve në Butrint…
Gjithçka ose pothuajse gjithçka që konsumojnë turistët në Shqipëri vendi ynë është i detyruar ta importoje. Valuta siç hyn ashtu del.
Ja fillimi i një programi partie që synon të drejtoje Shqipërinë me 2025: çfarë do të bëjë politika në favor të prodhimit vendas i cili ka nevojë për promovim dhe mbrojtje nga organet shtetërore si sektori më strategjik jo vetëm ekonomik por dhe i sigurisë kombëtare. Shteti shqiptar që ka mbetur liberal si nën të djathtën ashtu dhe nën të majtën, me idenë e rreme se vetëm tregu e orienton ekonominë, duhet të fokusohet me prioritet tek prodhimi si atributi numër një i pavarësisë së një vendi. Amerikanet për të mbrojtur prodhimin e tyre vendas po bëhen armiq me Kinën, europianët nga ana e tyre i nxorën mirë mësimet e kapitalizmit liberal totalisht i paaftë për t’i bërë ballë kovidit me maska dhe ilaçe. Perëndimi sot prodhimin e ka kryefjalë, Shqipëria e ka kthyer në fjalë boshe. Ndaj ky kryeministër dhe ministrat e tij të merren më pak me turistët e huaj të cilët nuk kanë nevojë t’ua tregosh rrugën, por të preokupohen më shumë për fermerët dhe industrialistët e pambrojtur shqiptarë. Janë ata që do t’i shndërrojnë milionat e turistëve në miliarda euro…