Medvegjë, 30 dhjetor 2015
Shoqata Humanitare Bamirëse “Medvegja”, në vazhdën e aktiviteteve të veta humanitare, vendosi që në prag të festave të fundvitit t’i gëzojë shkollarët në dy shkollat amë në Medvegjë, përkatësisht në atë “Zenel Hajdini” në Tupallë dhe “Banja e Siarinës” në Banjë të Siarinës.
Dhe nuk ka dyshim se nxënësit e këtyre shkollave në vendlindje u ndien tepër të gëzuar me këto dhurata, meqë ata e kuptuan se dikush mendon për ta edhe në këtë kohë kur Medvegja nuk është në gjendje të mirë në asnjë segment, aq më tepër kur ata janë të privuar nga shumë përjetime të bashkëmoshatarëve të tyre gjetiu. Ata u gëzuan aq më tepër kur e kuptuan se këtë kënaqësi atyre ua përcollën bashkëvendësit mërgimtarë.
Emocione prekëse dhe domethënëse
Emocionet ishin të theksuara dhe ato është vështirë të përshkruhen me fjalë. Ata tani e kanë kaluar fazën e moshës kur i besonin legjendës se ato ua sjell më sajë Babadimri. Disa nga më kureshtarët, pas pyetjeve të tyre, e kuptuan se ky organizim është bërë nga Shoqata Humanitare Bamirëse “Medvegja” me seli në Fully të Zvicrës, nën udhëheqjen e kryetarit të saj, z. Zenel Neziri.

Aktivitet për motivim shtesë
Falënderues dhe mirënjohës për këtë aktivitet humanitar u shpreh edhe personeli edukativo-arsimor i këtyre shkollave, duke nënvizuar faktin se kjo i bën ata edhe më stoikë në punën e tyre dhe njëkohësisht të vendosur që të kontribuojnë në vetëdijesimin e brezave të rinj për dashurinë ndaj vendlindjes, mbi të gjitha. Këtë e shprehën drejtoritë aktuale, të cilat me këtë rast e uruan shoqatën për punë të suksesshme edhe në të ardhmen dhe për shumë suksese në vitin e ri, në të cilin po hyjmë.
Përndryshe, nuk ka dyshim se kjo shoqatë aktivitete, jo vetëm të kësaj natyre, ka organizuar dhe organizon vazhdimisht, sa herë që ndihet nevoja për këtë dhe me rastin e festave e përvjetorëve të ndryshëm. Për më tepër, tani gati afro dy dekada me radhë prioritet të aktivitetit të vet e ka bërë pikërisht ndihmën në formë stimulimi shkollarëve dhe të rinjve entuziastë.

Zanafilla e aksionit në Wallisellen të Cyrihut
Organizuar nga Komisioni Humanitar i Shoqatës, me përgjegjës prof. Hamdi Halimin, ndarjen e dhuratave e bëri z. Zenë Namani, anëtar i Kryesisë së shoqatës së përmendur. Me këtë rast ai u dëshiroi shëndet, fat dhe mbarësi nxënësve, mësimdhënësve dhe stafit të këtyre shkollave. Mjetet për blerjen e dhuratave u siguruan në një gala-mbrëmje të mbajtur më 29 qershor 2015 në Wallisellen të Cyrihut. Atë e organizuan Shoqata Kulturore “Prishtina” me seli në Bremgarten të Cyrihut dhe Shoqata Humanitare “Medvegja” me seli në Fully. Dy shoqatat i shoqëroi ansambli i Shoqatës Kulturore “Shkëndija” nga Zagrebi. Kontribut në organizimin e kësaj mbrëmjeje dhanë dy aktivistët e Kosovës Lindore që punojnë dhe veprojnë në Zvicër, dr. Llukman Halili dhe msc. Dashnim Hebibi. /j. f./
Komentet