Ka një foto të rrallë që i përket 31 gushtit 1938. Është fiksuar në “Molon e Re” të Durrësit, siç ishte emërtuar gjatë zhvillimit të Kampionatit Kombëtar të Notit. Në foto duket Mbreti Zog dhe motra e tij, princesha Myzejen. I pari në cilësinë e Mbretit të shqiptarëve, e dyta, motra e tij, në cilësinë e Patroneshës së sportit. Po guxoj ta quaj këtë pamje përmes kësaj fotoje, si tribuna e parë VIP, siç i quajnë sot. Një tribunë VIP zyrtare me personalitete të shtetit, asokohe Mbretëri, me synimin për t’i dhënë një rëndësi të madhe zhvillimit të sporteve. Nuk ka dyshim se në atë prani mbretërore në një tribunë tejet modeste prej dërrase, para korsive të Kampionatit Kombëtar të Notit të vitit 1938, Mbreti Zog nuk ka ardhur aty si një tifoz i notit, ndonëse ai e ushtronte bukur e mirë atë, por ka ardhur me një mision nxitës autoritorial. Nuk ka marrë me vete nipin e tij, princ Tatin e vogël, çka do t’ia thellonte praninë familjare në tribunë.
Ndonëse kjo do të ishte normale kur dihej se kështu ndodhte në mbretëritë, ceremonialiteti i të cilave mbërrinte deri në këtë status. Kësodore, Ahmet Zogu, i cili për këto punë njihte fort mirë shkollën mbretërore të Vjenës e të Stambollit, megjithatë asnjëherë daljet e tij publike në ngjarjet sportive nuk i shfrytëzoi për shitmendje të një sundimi vetjak. Ky Mbret kishte pritur gjithnjë së bashku me Patroneshën e sporteve, princeshën Myzejen, edhe Sportklub “Tiranën” në kurorëzimin e titullit të Kampionatit të parë Kombëtar të Shqipërisë në futboll më 20 korrik 1930, po për këto synime shtytëse atdhetare për zhvillimin e sporteve. Edhe pse pa një tribunë VIP. Kisha për të thënë se përdorimi i tribunës së ashtuquajtur VIP me tone familjare të drejtuesve të shtetit a qeverisë së një republike demokratike, nuk shkon dhe përmban tonet e një prepotence sfiduese të papranueshme.
Tash po më duket se me kësisoj “qëndrimi VIP” të sotëm, del më qartë tema e këtij shkrimi: “Rreziku i shfrytëzimit nacional-politik i Kombëtares së futbollit të Shqipërisë”. Dhe shkoj kështu, te tribuna qendrore e stadiumit “Air Albania” gjatë ndeshjes me Gjeorgjinë, ku ky shfrytëzimi mbetet shembullor. Kombëtarja e sotme e Shqipërisë, e cila është ndër më të fuqishmet që kemi pasur, po duket se po shfrytëzohet pikërisht për qëllime nacional-politike, kur me këtë përcaktim nënkuptoj një lloj vetëmadhështie nacionaliste e thirrur dhe e shfrytëzuar prej politikës, çka mëton, që përmes fitoreve të çojë popullin peshë. Siç shpërtheu kjo nacional-politikë qeveritare sidomos mbas fitimit të medaljeve të bronzta olimpike të herës së parë për Shqipërinë me dy sportistë “të rrëmbyer” nga Rusia. Dihet ndërkaq, se sukseset sportive i thërrasin fort ndjenjës kombëtare të një populli.
Valëviten flamujt e ushtojnë thirrjet, deri me këngë të ashtuquajtura atdhetare e britma që ndërsa të duket se lindin prej suksesit sportiv, në të vërtetë ato lindin prej një vetëmadhështie eprore aspak bindëse, e nxitur pikërisht prej qeveritarëve a funksionarëve të lartë sundues të tribunës të ashtuquajtur VIP. Kemi të bëjmë me një nacionalizëm politik, që mëkon të shfrytëzohet nga drejtuesit më të lartë qeveritarë, ministra, deputetë a funksionarë po të lartë, të cilët nuk vijnë gati kurrë në stadium, por vijnë vetëm kur luan Kombëtarja. Kërkojnë ta shfrytëzojnë kësisoj edhe tribunën VIP, duke nxitur një gëzim të madh popullor e gjoja një ndjenjë të lartë kombëtare. Sigurisht ne nuk mbërrijmë si në modelin e Slobodan Miloseviçit me të cilin identifikoheshin deri dhe tifozët e shfrenuar nacionalistë të Crvena Zvezdës, tribuna e të cilëve buçiste me këtë slogan: “Slobo, Srbine, Srbija je uz tebe” – “Slobo, Serb, Serbia është me ty”!
E pra, rezultatet e bukura të Kombëtares së Shqipërisë, e cila në tri edicionet e fundit dy herë ka shkuar në finalet e Kampionatit Europian, nuk ia kanë përmirësuar aspak jetën e tyre të vështirë shqiptarëve. Në të vërtetë, ky “stil VIP”, me dinakëri kërkon që t’i bëjë shqiptarët që ta harrojnë jetën e tyre problematike. Për çka anëtarët e atij që po e quaj “Klubi VIP”, kanë vërtetuar se nuk duan t’ia dinë. Bie fjala, assesi nuk ia kanë mundësuar vlerën e duhur jetike të nja gati 700.000 pensionistëve (një e treta e popullsisë) për të jetuar normalisht. Nuk kanë ndikuar madje as në ndalimin e krimit e korrupsionit. E, ndërkaq, duke shkuar te synimet sportive, për çudi këta anëtarë të “Klubit VIP”, të cilëve votat e gjysmës së popullit të Shqipërisë ua kanë siguruar të gjitha kompetencat, nuk kanë ndikuar aspak as dhe në fuqizimin e futbollit kombëtar brenda tokës së Republikës së Shqipërisë.
Më qartë, nuk kanë ndikuar aspak për të fuqizuar sado pak garën më të rëndësishme sportive kombëtare, që është Kampionati Kombëtar i Futbollit, sot i stadiumeve thuajse të boshatisura të vendit. Doemos edhe i boshatisjes së tribunës VIP në ndeshjet kampionale prej qeveritarëve, të cilët nuk denjojnë të humbasin kohë e t’i hedhin një sy, një sy të vetëm, ndeshjeve të Kampionatit Kombëtar të rënë tejet. Shpërtheu euforia e pakuptimtë nacionaliste mbas fitores në Pragë me Ukrainën. Çka i kaloi të gjitha përmasat.
Dhe u përshkuam kështu në tri dit të mirëfillta “nacional-politiko-futbollistike” të pandalshme. Gëzim, hare, deklarata plot buzagaze, sjellje fitimtarësh më të sigurt se kurrënjiherë, deri me guximin marramendës të vetësigurisë për fitoren e radhës me Gjeorgjinë. Dhe me pamjen deri në ngushtime vendesh të tribunës VIP, të pranisë tejet populluese të anëtarëve qeveritarë të “Klubit VIP”. Mirëpo, ja që nuk mbërritëm te fitorja tjetër. Çka është mëse normale në futboll. Shqipëria u mposht nga një skuadër më e mirë se ajo, që në këtë rast ishte Gjeorgjia, e cila në Kampionatin e Europës u rendit e 15-ta, para Shqipërisë, e cila u rendit e 21-ta. Një Gjeorgji që futbollin e ka pasur përherë sport kombëtar, e që thuajse e pat mbushur Kombëtaren e Bashkimit Sovjetik me titullarë të rangut botëror, të tillë si Paichadze, Gogoberidze, Meskhi, Metreveli, Khurtsilava, Machaidze, Kipiani, Gutsaev, Chivadze, Daraselia, Shengelia e plot të tjerë.
Çka do të thotë se kjo e jona ishte një humbje që nuk e mërzit aspak atë që e njeh këtë traditë. Ose mërzit anëtarët qeveritarë të “Klubit VIP”, sepse ua heq mundësinë që në mbarim të ndeshjes “fitimtare” të ngrihen e të qëndrojnë në këmbë e të duartrokasin fitoren, duke përfituar kështu, një kohë e dukje disi më të gjatë në tribunë nën shikimet, që ata mund t’i përjetojnë si “adhuruese” të anëtarëve të tjerë servilë të “Klubit VIP” aty afër. Ndërsa humbja në fjalë, përkundrazi, të fton të nxjerrësh mësime. Nuk dua që në këtë rast të përdor sloganin e konsumuar të shkrimeve tona, që thotë: “Në fund të fundit cila është Shqipëria e vogël, kaq janë mundësitë e saj”.
E pra, me këtë Kombëtare, sot kjo nuk shkon më. Nuk shkon sepse kjo Kombëtare nuk ka asnjë lojtar të kësaj Shqipërie të vogël. Ajo ka lojtarë të shteteve të tjera të Europës, por të kombësisë së prejardhur shqiptare, të cilët kanë zgjedhur të përfaqësojnë Shqipërinë. Ata nuk kanë punë me “vogëlsinë” e Shqipërisë. Nuk po shkoj larg, por po ndalvetëm te lojtarët, të cilët luajtën këto dy ndeshje të fundit. Ata vinin nga klube të rangut më të lartë europian, të tillë si Inter, Benfica, Lazio, Rangers, Grashoppers, Spartë e Pragës, Dinamo e Zagrebit e Lokomotiv e Moskës, sa për të përmendur disa. Dhe deri me plot 5 lojtarë të Serie A të Italisë, që është një prej kampionateve të më të fortë të botës. Pikërisht edhe me këtë moral të fabulës, kësaj Kombëtareje me etni europiane nuk i shkon përshtat as shfrytëzimi nacionalist, as ai politik, as ai qeveritar, as ai federalist dhe as ai publik. Publiku pra, populli, tifozët e marramendun, të cilët për çudi, si padashur, shpesh po i shërbejnë këtij shfrytëzimi nacionalpolitik, që na ka mbërritur falë sukseseve të Kombëtares. Papritmas, të duket se rreth mjedisit tonë Kombëtares po dëgjohet të tingëllojë thënia e famshme e gazetarit dhe shkrimtarit të madh polak Ryszard Kapuscinski (1932-2007): “Futbolli kontribuon për të ndezë edhe histerinë patriotike dhe për të fuqizuar pushtetin oligarkik”.
Dhe gëzimi që shpërthen i pamatë, me këngë e valëvitje, me qeleshe e shqiponjë (a thua se vetëm Shqipëria ka shqiponjën stemë) e me “O sa mirë me qenë shqiptar”. Për fat nuk ka mbërritur deri aty, siç mbërrinim në kohën e festimeve të regjimit, kur ngjitja e tij në tribunën qendrore (sot VIP) të stadiumit kombëtar “Qemal Stafa” e Enver Hoxhës, e bënte stadiumin të buçiste prej “pasionit” histerik të nënshtrimit ndaj udhëheqësit. Nuk kemi mbërritur deri këtu sot dhe qeveritari i lartë, ndonëse mund të përshëndesë ministra, deputetë e funksionarë aty pranë, nuk ka fatin t’i marrë ato brohoritje. Po t’i merrte kushedi se sa fort do t’i shfrytëzonte. Tash, papritmas, mbas humbjes, ka rënë qetësia e zhgënjimi. E edhe kjo është gabim. Humbja me Gjeorgjinë nuk është fundi i botës. E për fat, edhe falë saj, e patëm një përfitim.
Ndaloi përfitimin e shfrytëzimit nacional-politik të mundshëm, që falë fitores së mundshme të Shqipërisë, mund ta shpalosnin anëtarët e “Klubit VIP”. Morali na thotë që ndeshjet të mbesin ndeshje, që futbolli të mbesë futboll, që gëzimi i fitoreve apo hidhërimi i humbjeve, të mos shfrytëzohen për nacional-politikë. Që i emëruari për qeveritar apo funksionari i tribunës VIP të mos guxojë e të vijë në stadium për nacional-politikë, por të vijë pa pompozitet, brenda rregullave, etikës e protokollit zyrtar të pranisë në tribunën të ashtuquajtur VIP. Që mandej, javën tjetër, nëse qenka kaq fort atdhetar, ky qeveritar a funksionar i lartë, të ketë sinqeritetin e ndjenjës kombëtare e të marrë rrugën “e labirinteve” për te stadiumi i ri i ndeshjes Partizani–Dinamo. E të ulet aty, madje kryeulë prej ndjesisë së turpit kur sheh se në këtë ndeshje historike të futbollit kombëtar denjojnë të vijnë vetëm nja 900 shqiptarë. Dhe të mos guxojë të vijë te Kombëtarja për sa kohë Kampionati Kombëtar i Shqipërisë, për shkak të nivelit të tij të ulët – kjo edhe prej “fajeve” qeveritare – thuajse është braktisur prej shqiptarëve.
/Gazeta Panorama