“Revolucioni” grek i Aleksis Ciprasit mori fund më shpejt edhe nga ç’mendonte vetë kryeministri grek në 25 janar 2015, kur fitoi zgjedhjet e parakohshme parlamentare. Sepse as ai vetë ndoshta nuk kishte parashikuar se revolucioni i tij do të kthehej jo vetëm në pikën nga nisi, por do të shndërrohej në një “kundërrevolucion” kundër vetë objektivave të platformës së tij ultramajtiste dhe antieuropiane, me të cilën fitoi zgjedhjet parlamentare.
Shpallja e dorëheqjes nga ai në 20 gusht, sado që të emërtohet taktikë e shkathët elektorale nga disa analistë apo manovër e shkathët politike nga disa të tjerë, është në fakt pranim dhe shpallje e dështimit të “revolucionit” të tij. Në datën 21 gusht, Cipras mblodhi me urgjencë sekretariatin e partisë së tij “Syriza” dhe tentoi që të mbante lart frymën dhe aspiratën revolucionare të partisë dhe të militantëve me një devizë tipike revolucionare: “Nuk është revolucionare të zgjedhësh të ikësh nga realiteti ose të krijosh një realitet virtual. Revolucionare është të hapësh rrugë, atje ku ato nuk ekzistojnë”. Por në shtatë muaj të qeverisjes së tij, Aleksis Cipras e pa se rrugët e reja revolucionare nuk janë aq të lehta të gjenden apo të krijohen, siç mund të lexohet në manualet klasike të Leninit, të Mao Ce Dunit apo Çe Guevarës. Kohërat janë të tjera dhe sidomos Europa nuk është më ajo e gjysmës së dytë të shekullit të kaluar. Përfundimi i luftës së ftohtë dhe shembja e komunizmit shënuan mbylljen e epokës së revolucioneve majtiste në shoqëritë europiane. Krizat sot kërkojnë zgjidhje, jo revolucione, dhe kjo me sa duket duhet të jetë thelbi i sentencës prej sfinksi, që formuloi Kancelarja gjermane Angela Merkel, kur deklaroi në 21 gusht: “Dorëheqja e Ciprasit është pjesë e zgjidhjes, jo pjesë e problemit”. Me dorëheqjen e tij, Cipras tregoi se rrugët e reja revolucionare janë mision i pamundur për Greqinë dhe ai po detyrohet të kthehet në rrugët e arsyes dhe të realizmit, ku ecin të gjitha partitë politike të majta dhe të djathta në shtetet më të përparuara të Europës.
Të gjithë bashkohen në mendimin se të organizosh zgjedhje të reja parlamentare brenda tetë muajsh, në një shtet që ka zhvilluar pesë zgjedhje parlamentare në gjashtë vjet, dëshmon një krizë të rëndë dhe të zgjatur politike dhe një dështim të platformës politike, ideologjike, financiare dhe ekonomike, të qeverisjes së partisë së kryeministrit të dorëhequr. Kryeministri afishon një krizë të rëndë politike dhe institucionale në Greqi. Është krizë politike, sepse Cipras nuk arriti të ruajë më gjatë se shtatë muaj shumicën parlamentare të koalicionit qeveritar. 45 deputetë të partisë së tij dhe të partive të koalicionit qeverisës votuan një javë më parë kundër ligjit të parlamentit grek për marrëveshjen me kreditorët europianë për paketën e tretë shpëtimtare të huave europiane për financat e boshatisura të shtetit grek. Kjo do të thotë se kryeministri dhe platforma e tij nuk do të arrinin të miratonin asnjë ligj me votat e deputetëve të tyre në parlamentin grek, dhe kishte nevojë për votat e së djathtës konservatore të opozitës “kundërrevolucionare”. Nevoja politike dhe parlamentare për votat e partisë së djathtë konservatore “Nea Demokratia” të opozitës është aleancë me të kundërtën e platformës ideologjike dhe politike të partisë së Ciprasit.
Kryeministri nuk arriti as të krijojë unitetin dhe kohezionin politik të partisë së tij “Syriza”. Menjëherë pas shpalljes së dorëheqjes nga Cipras, 25 deputetë të partisë së tij shpallën shkëputjen dhe krijuan partinë e re politike “Uniteti Popullor”, të kryesuar nga ish-ministri i energjisë i qeverisë së Ciprasit, Panajotis Llafazanis. Partia e re bëhet në fakt jo vetëm kundërshtarja e partisë “Syriza”, por edhe partia e tretë politike në parlamentin aktual të Greqisë.
Më kryesorja në dështimin e “revolucionit” të Aleksis Ciprasit është kthesa e tij e madhe politike dhe ideologjike muajin e fundit, ku ai hodhi poshtë gjithë platformën ideologjike dhe politike ultramajtiste dhe frazeologjinë revolucionare, mbi të cilën ndërtoi fushatën elektorale dhe fitoi zgjedhjet e janarit 2015. E gjithë platforma e tij ultrarevolucionare konsistonte në vijën antieuropiane të refuzimit të marrëveshjeve financiare të qeverive të mëparshme me kreditorët europianë dhe hedhjen poshtë të masave të shtrëngimit të rripit për ringjalljen e ekonomisë dhe financave. Në këtë kuadër, platforma e tij nxiste mëritë dhe urrejtjen proletare, fshatare dhe kombëtare, kundër “borgjezisë së madhe dhe imperialiste europiane”, e cila i kërkonte shtetit grek që të punonte për të larë borxhet e mëdha që kishte marrë. Në këtë linjë intransigjente, kryeministri Cipras zhvilloi bisedimet e tij me kreditorët europianë në pesë muajt e parë, duke refuzuar reformat financiare të këshilluara nga BE. Si revolucionar i vërtetë, ai iu vu ndesh gjithë Bashkimit Europian dhe organizmave financiarë ndërkombëtarë dhe në 5 korrik organizoi referendumin popullor për t’u thënë “jo” ilaçeve të hidhura të BE-së për shërimin e financave të sëmura greke. Por kryeministri grek pa se vetëm refuzimi nuk ishte alternativë, pa se ai nuk kishte realisht asnjë plan “B” shpëtimi, dhe sipas informacioneve diplomatike greke, qeveria “Cipras” nuk kishte burime që të rifuste dhrahminë greke në qarkullim, po të dilte nga eurozona. I vënë me shpatulla për muri nga dobësia e shtetit dhe e financave greke, Cipras ndërmori kthesën “kundërrevolucionare” në 12 korrik, duke nënshkruar marrëveshjen financiare me kreditorët europianë dhe duke pranuar reformat e pakësimit të shpenzimeve shtetërore dhe ngritjen e taksave në Greqi, duke pranuar ato qëndrime dhe politika, kundër të cilave ishte ngritur gjatë fushatës elektorale të janarit.
Në këtë mënyrë Aleksis Cipras iu kundërvu vullnetit të referendumit dhe veproi kundër asaj, për të cilën kishte dërguar Greqinë në referendum.
Janë pikërisht këta faktorë, që e detyruan të shpallë dorëheqjen në 20 gusht, duke sanksionuar dy lëshime të mëdha ideologjike dhe politike: së pari, heqjen dorë nga platforma e bujshme revolucionare e refuzimit të marrëveshjeve dhe reformave të kërkuara nga BE, dhe së dyti, sanksionimin e një bashkëpunimi dhe koalicioni politik me partitë dhe forcat e së djathtës konservatore kundër të cilëve ishte ngritur gjatë pesë vjetëve.
Vlen për t’u theksuar se, edhe me aktin e dorëheqjes dhe të dërgimit të Greqisë në zgjedhje të reja të parakohshme, rrugëzgjedhja apo rrugëjetesa e vetme politike, që i ka mbetur Ciprasit dhe partisë së tij nuk është më ajo rruga revolucionare, por ajo “kundërrevolucionare”, në të dyja drejtimet që përmenda më sipër. Edhe nëse arrin të fitojë vendin e parë në zgjedhjet e ardhshme parlamentare, për të cilat shumica e vëzhguesve grekë mendojnë se do t’i fitojë, sepse nuk ka përballë rivalë politikë me staturë të fortë, as tek e majta dhe as tek e djathta greke, Cipras nuk do të jetë në gjendje të sigurojë një shumicë parlamentare që t’i japë mundësinë e një qeverie të tij njëngjyrëshe. Ashtu si në rastin e miratimit në parlament të ligjit për paketën e tretë të shpëtimit të financave greke, kur ai u detyrua të mbështetej te votat e partisë konservatore opozitare “Nea Demokratia” dhe të partive të tjera të opozitës, edhe në një fitore të re elektorale ai do të jetë i detyruar të vendosë bashkëpunimin me ta. Kjo pritet të bëhet edhe më e detyrueshme, sepse partia “Syriza” do të ketë një firo të konsiderueshme elektorale, me largimin e 25 deputetëve të saj në një parti të re politike dhe e cila në fushatën e ardhshme elektorale do të dalë me platformën “revolucionare” që “Syriza” kishte në zgjedhjet e janarit.
Cipras ka humbur terren edhe në planin politik, edhe në rejtingun e vet personal, ndonëse mbetet ende politikani më popullor në Greqi. Shumë përkrahës të tij të së majtës ekstreme janë të deziluzionuar nga kthesa e tij kundërrevolucionare ideologjike, dhe nga pranimi që ai i bëri paketës së reformave shtrënguese të BE. Sensi nacionalist i “krenarisë kombëtare”, aq shumë i instiguar dhe aq shumë i përdorur nga platforma revolucionare e Ciprasit dhe nga ai personalisht, duke nxitur emocionet negative dhe madje urrejtjen nacionale kundër Europës dhe kundër Gjermanisë, nuk duket se do të ruajë të njëjtat kuota në zgjedhjet e ardhshme parlamentare. Këtë mangësi e kupton edhe rrethi zyrtar i kryeministrit të dorëhequr dhe këtë mangësi nuk mund ta zëvendësojnë ethet e reja nacionaliste të acarimit të marrëdhënieve me fqinjët, siç veproi në 21 gusht Ministria e Jashtme greke për të provokuar tensione në marrëdhëniet me Shqipërinë, duke sajuar raste virtuale si ai i kishës së Dhërmiut, për ndërhyrje flagrante në punët e brendshme të Shqipërisë.
Shfaqja revolucionare e kryeministrit Aleksis Cipras mori fund shumë shpejt dhe Cipras, pavarësisht se ende nuk ka vënë kollare, po vesh kostumin zyrtar europian të politikës financiare. Natyrisht, për Greqinë është një zhvillim pozitiv që partia kryesore politike, e cila drejtonte qeverinë, dhe sipas shumë gjasave do ta drejtojë edhe në të ardhmen, po futet në rrugën e hedhjes së hapit të drejtë me reformat financiare të kërkuara nga BE. Partia kryesore politike e Greqisë, me sa duket po bëhet e ndërgjegjshme se nuk mund ta stabilizojë ekonominë dhe financat greke me aventura ideologjike ekstremiste majtiste dhe revolucionare. Mësimi më i madh, që del nga dështimi i shfaqjes revolucionare të Aleksis Ciprasit, është se revolucionet janë kombëtare dhe nuk janë ndërkombëtare. Nuk mund të quhet realisht revolucion programi dhe fakti, që Cipras dhe partia e tij u hodhën kundër Europës në zgjedhjet e kaluara. Revolucioni është veprim dhe program kombëtar dhe si rregull drejtohet kundër forcave qeveritare dhe politike vendase, që janë fajtore për krizën ekonomike, financiare dhe politike të vendit dhe për rrënimin e standardeve të jetesës së masave të popullit. Çdo devijim apo përpjekje për ndërmarrjen e një revolucioni me platforma ndërkombëtare kundër fuqive të huaja, ka sjellë dështimin e revolucionit. Greqia, me dështimin e eksperimentit revolucionar “Cipras”, e rikonfirmoi këtë të vërtetë historike. Ky është një zhvillim pozitiv për Greqinë, është pozitiv për Ballkanin dhe vendet fqinje të Greqisë, dhe natyrisht është pozitiv për vetë BE-në dhe Europën, e cila ka ecur përpara me arsye, me realizëm dhe me evolucion, dhe jo me revolucione anarkiste të njërit apo tjetrit anëtar. Progres do të thotë të ecësh me të njëjtin hap me Europën, dhe jo t’i largohesh apo t’i kundërvihesh asaj.
Komentet