Ana më e ngrysur (dmth. nga nuancat e grisë)… nëse flitet “poetikisht”, situata të tilla mbase mund të përshkruhen si ana më e errët e “50 nuancave të grisë” (the shadiest side… “poetically” speaking, such situations perhaps could be described as the shadiest side of “50 shades of grey” – s. guraziu – ap, sht 2020).
Pata bërë shaka (ashtu në anglisht, ishte postim në Fb), duke e postuar grafikën e dhomës së ndarë, dhe duke aluduar atëbotë në filmin e Hollivudit “50 Shades of Grey”, në të cilin film madje dhe Rita Ora e luan një rol të “vogël” (si motra e kryeprotagonistit Christian Grey – Rita është gjoja Mia Grey). Kuptohet se “Grey” (grija e titullit filmik) është thjesht mbiemër, por që figurativisht është lozur pakëz me termin “gray”, duke i përdorur “shades” si figuracion rreth psiko-karakterit të kryepersonazhit.
Shpesh fjala mund t’jetë për psersonazhet kryesore të një filmi, po kur, apo nëse në ndonjë film duhet inkuadruar një karakter (personazh) përjashta “normales” së zakonshme, psh. një kriminel (qoftë dhe sociopat, por që është “simpatik”, është i hijshëm), apo një bisnismen i pasur, një miliarder, mirëpo i cili personazh ka probleme psikike, është i “sëmurë” psiko-mendërisht, sepse ka patur të kaluar abuzive (dmth. ka “mbrapa” detaje të skenografisë që audienca filmike ende nuk i di) atëherë skenaristët thjesht e përdorin trukun e “arsyetimit, ose të justifikimit frojdian”.
Ky truk narrativ i shkrimtarëve (i skenaristëve të Hollivudit sidomos), i ashtuquajturi “arsyetim frojdian” ndihmon që një personazh me probleme të psiko-natyrës të “akseptohet” nga audienca pakashumë si person normal (i shëndetshëm, pa psiko-probleme). Bie fjala në filmin “50 Shades…” (anise i kishte 3-4 vazhdime, ne s’e dimë por në fund personazhi dhe mund t’jetë “shëruar” : ) kryeprotagonisti Christian Grey është thjesht një abuzues, një mazohist-narcisist seksual. Por ai nuk është psikopat, duhet qartësuar dhe kjo.
Dihet se karakteri i personazhit filmik “Christian Grey” kishte devijim serioz sadistik-seksualistik (si çrregullim). Natyrisht, devijimi ishte i lidhur me gjëra sadistike nga përvoja e tij traumatike e së dikurshmes. Ai gjithashtu kishte psiko-probleme shtesë, tashmë si ndikim i vetë devijimit të tij seksualistik. Në përgjithësi, ashtu “mbyllur brenda gëzhojës së vet” ai funksiononte normalisht dhe ishte një biznismen i zoti. Por realisht vuante nga tre çrregullime të personalitetit, nga çrregullimi histrionik, nga çrregullimi obsesiv-kompulsiv dhe nga çrregullimi narcisist i personalitetit.
Mirëpo s’ka gjë, le t’jetë sepse audienca do t’i “kuptojë” tashmë vështirësitë psikologjike të tij. Personazhi bukurosh ishte një fëmijë i adoptuar, i abuzuar seksualisht në fëmijërinë e edhe gjatë adoleshencës së tij – nuk e dinim por ja që tani e dimë (herëdokur gjatë minutazhit filmik do “shpaloset” e vërteta). Kështu që “no problemos”, për sa kohë t’jetë i hijshëm, i edukuar, super i pasur, i sjellshëm… të gjitha vajzat e planetit do ta “falin”. Do u dhimbset madje për të kaluarën, tani do solidarizohen me vuajtjen e tij të dikurshme (pasojat e të cilit abuzim nga aspekti psikologjik reflektohen tashmë ndaj të dashurës Anastasia).
Vajzat e audiencës (si grupnajë kryesore, që u dedikohet filmi) bukuroshin miliarder madje dhe do ta adhurojnë. Kushedi sa miliona fansa do i kenë krye-protagonistët, kuptohet Anastasia do i ketë ata që i takojnë asaj (supozuar që pjesa dërrmuese do jenë nga audienca mashkullore, anise jo vetëm, meqë bota moderne tashmë e ngopur dhe me tjera opsione, kuptohet dhe kjo).
E tillë është psikologjia, tekefundit ashtu bëhen filmat, duke thurur e ndërthurur emocione, ndodhi, spektakolaritete, skena, prapaskena, duke thurur ëndrra dhe lloj-lloj çorapesh të ngrohta vizuale. Kuptohet, gjithçka duhet “maskuar” dhe gjërat duhet t’i tendosesh sadoapak, përndryshe s’do besonte kush. E sidomos filmat do ishin të “pabesueshëm”, s’do kishin as audiencë, 3-4 vazhdime s’do kishin fare kuptim. Sikur dhe, njësoj edhe ato telenovelat shtëpiake duhet t’jenë sadopak të “besueshme”, gjithçka : )
Detaji i abuzimit, e vërteta e hidhur (e dikurshmja si fatkeqësi e personazhit) e ngjeshë storien filmike me ngarkesën emocionale të nevoshjme. Pastaj si truk psiko-shfajësues (meqë audienca ende nuk e dinin) “arsyetimi frojdian” audiencës ia qartëson se personazhi në fjalë e kishte përjetuar dikur një histori abuzive dhe veçanërisht të dhunshme.
Psh. mund t’ketë patur prindër alkoholistë, narko-maniakë, prindër toksikë, abuzues, apo mund t’ketë qenë i ngacmuar, i përbuzur nga shokët e klasës në shkollë. Ose mund t’ketë qenë i përdhunuar psiko-fizikisht nga ndokush i panjohur në të kaluarën etj. Trajtimi i tillë, vrazhdësia e botës ndaj personazhit mund ta ketë shtrembëruar perceptimin e tij për botën, ose ta ketë çoroditur sadopak – kështu që tani bukuroshi ynë është siç është, vërtet ka probleme psikike, por dhe i ëmbël në pafajësinë e vet.
Arsyetimi, ose “shfajësimi frojdian” nuk e përfshin zhvillimin dhe as ndryshimin e karakterit gjatë rrjedhës filmike (apo dhe romaneske, kudo që t’jetë fjala si përdorim i trukut, meqë dhe në romanet vlen absolutisht e njëjta). Truku narrativ shërben vetëm si mekanizëm psikologjik për ta arsyetuar psiko-gjendjen aktuale të personazhit. Në vartësi të momentit kur gjërat shpalosen, dhe tutje dmth. audienca e ka mundësinë ta sheh personazhin nën dritën e re, dhe ta “gjykojë” eventualisht lidhur me mangësitë e karakterit. Qofshin gjëra më të vogla… jo aq serioze, a qofshin tejet serioze.
Ndonjëherë, anise prapë varësisht nga tekat e skenaristëve, por pas 3-4 vazhdimeve filmike, në atë të fundit ndodhë personazhi dhe mund të “shërohet”, herë plotësisht e herë pothuaj plotësisht, shërim i mjaftueshëm. Përralla filmografike mbyllet sipas idealizmave të dëshirueshëm, princesha e lumtur me princin e vet, dhe tutje së bashku të lumtur përgjithmonë…