Copëza nga debati
Rama-Lubonja më 31 maj 2002
Xhunga – Do të doja të dëgjonim opinionin e z. Minarolli dhe z. Lubonja. Duke qenë se nga Partia Demokratike kanë ardhur jo pak akuza për Kryetarin e Bashkisë së Tiranës dhe media bën të ditur krijimin pak nga pak të një dosje të quajtur “Dosja R”.
Vili Minarolli: Ju e dini fare mirë që pas largimit të kosovarëve është dhënë një donacion nga Ambasada Amerikane prej 200 mijë dollarësh dhe me dëshirën tuaj për ta marrë edhe pishinën, si ministër i Kulturës, e morët dhe e shitët një javë pasi e morët në administrim me 100 lekë të reja metrin katror, të pishinave dhe të gjithë ambienteve dhe dihet që më pas morët në administrim Bashkinë dhe si qiramarrës e merrni përsëri si kryetar bashkie.
Rama: O Vili, të mos flasim kodra pas bregut tani. Një sekretar i lodhur partie, i kohës së Enverit që është i ricikluar si të gjithë sekretarët e partisë që kaluan në krahun tjetër dhe që, siç e thashë, është shumë i vështirë për t’u dëgjuar në mono e jo më në stereo.
Minarolli: Gaboheni z. Rama, nuk jam sekretar partie.
Rama: Po ke qenë pra, lëri ato.
Vili Minarolli: I keni të gabuara informacionet z. Rama.
Xhunga: Dua të kaloj tek z. Lubonja. Do të doja të kisha opinionin tuaj, jo për çfarë u tha më sipër, por për një pyetje më direkt për të cilën keni shkruar rregullisht në shtyp. Për “marrëdhëniet korruptive të Edi Ramës”. Me kë mendoni se i ka krijuar këto marrëdhënie korruptive Rama dhe çfarë përfiton prej tyre?
Lubonja: Problemi nuk është se unë kam hapur ndonjë dosje të zezë për të hetuar se cilat janë marrëdhëniet korruptive të z. Rama me ‘x’ biznesmen ndërtimi, me ‘x’ pronar medie, me ‘x’ drejtor gazete e ‘y’ person tjetër. Kjo nuk është as detyra ime madje, që të bëj diçka të tillë. Detyra ime është që të mbroj qytetin tim me aq fuqi sa kam dhe vizionin për qytetin tim. Kur vij tek çështja e korrupsionit të z.Rama, unë mund të vij në mënyrë indirekte…
Rama: Nuk vjen dot në asnjë mënyrë ti, në asnjë mënyrë..
Lubonja: Në qoftë se doni ta degjeneroni emisionin atëherë më thoni që të iki. Unë dua të flas e të mos ndërpritem. Edhe unë kam sjellë disa materiale këtu që të mos na thotë z. Rama që kam qenë i burgosur apo i rrjedhur. Po ju tregoj këtë libër, “Albania’s Heritage in Danger” në shqip “Trashëgimia kulturore e Shqipërisë në rrezik” i hartuar nga Lubonja dhe Artan Shkreli me parathënie të vetë z. Rama, një libër i cili merret me problemet, me vizionet e monumenteve të kulturës në Shqipëri. Kujtoj gjithashtu që kam qenë këshilltar i jashtëm i z. Rama në Ministrinë e Kulturës. Pra, jam një njeri që nga z. Rama, bashkë me disa persona të tjerë, jam reklamuar në krye të herës, kur u bë Ministër i Kulturës, si një intelektual i shquar që mund të jepte mendime të shquara për z. Rama. Unë hyra në konflikt me z. Rama për shkak sepse shikoj që ato vizione që janë në këtë libër, ato vizione që janë në këtë revistë janë vizione të tradhtuara. Në radhë të parë kam hyrë në konflikt me z. Rama për dy gjëra: lidhur me trajtimin e monumenteve të kulturës, të Tiranës historike dhe me vizionin e transformuar të Edi Ramës lidhur me mbytjen e qytetit me shumëkatëshe dhe me vizione që shkatërrojnë qendrën e Tiranës.
Këtu kam një artikull të shkruar nga Artan Shkreli dhe Daniel Gjoni. Z. Rama, mbi bazën e këtyre vizioneve në vitin 2000 ka nxjerrë këtë vendim e cila është pjesë e një vendimi të firmosur nga z. Rama që e shpall qendrën e Tiranës ansambël monument-kulture, vendimi është i vitit 2000 me numër 180 dhe ia lë kompetencë këtë zonë kryeministrisë pra, disa institucioneve dhe jo vetëm një institucioni të vetëm. Zona të tëra po eliminohen dhe ky është një skandal. Po priten pemë të vjetra dhe dekorative dhe ky është një tjetër skandal. Po prishen godina që transmetojnë një kujtesë të çmuar të së kaluarës dhe ky është një skandal. Po komprometohet gati në mënyrë të parikuperueshme peizazhi urban dhe ky është një nga skandalet e mëdha.
Rama: Në çfarë viti është shkruar kjo?
Lubonja: Kjo është shkruar në vitin 1997.
Rama: Po ju nuk mund të lexoni këtu në studio të gjithë artikullin se kjo është mungesë respekti për publikun.
Lubonja: Ju lutem z. Rama, nuk jemi në KRRT këtu, nuk jeni me arkitektët e KRRT-së këtu. Pra, z. Shkreli dhe z. Daniel Gjoni…
Rama: Më falni, unë nuk kam ardhur këtu as të humbas kohën time dhe as të tallem. Unë kam ardhur këtu i ftuar në studio dhe z. Minarolli dhe z. Lubonja do të ndërhynin nga zyrat e tyre. Këtu nuk është fjala për të ndarë kohë në tresh, nëse mendoni kështu unë nuk kam asnjë interes të vazhdoj dhe po ia lë z. Lubonja fjalën dhe le të ngatërrojë po të dojë Fitnete Rexhën me Xhenis Xhoplin.
Xhunga- Z.Rama, kur ju folët vetë nuk e ndjetë se koha ikte ndërkohë e ndjeni se ikën kur flet z. Lubonja, i cili do t’i përgjigjet pyetjes së vet.
Lubonja: Unë e di që z. Rama i thyen ato pasqyrat ku nuk duket i bukur, por të më lejojë mua tani sepse unë u akuzova nga z. Rama dhe nuk fola.
Këto që lexova unë ishin vizione që i ndante në këtë revistë me Artan Shkrelin i cili thotë, kur flet për planin rregullues, që plani rregullues është për një qytet ashtu si kushtetuta për një vend.
Korrupsioni dhe Tirana
Xhunga: Z. Lubonja, një moment. Në fakt ne do të flasim më pas për vizionin tuaj për Tiranën. Pyetja ime ishte më konkrete.
Lubonja: Po, po, ju më pyetët për korrupsionin apo jo?
Xhunga:Po, pikërisht për korrupsionin.
Rama: Po ky debat nuk bëhet kështu me fjalët apo jo… po, po… Kishe kohën për të folur Fatos, unë nuk mund të rri të dëgjoj katër orë historitë e Lubonjës.
Lubonja: Ju lutem znj. Xhunga, a mund të komunikojmë si njerëz? Në qoftë se z. Rama është i nervozuar, le të ruajë nervat.
Rama: Unë nuk jam fare i nervozuar, mua më vjen keq për ty. Më vjen shumë keq për ty.
Lubonja: Tani z. Rama do ta lëmë publikun të gjykojë se cili është bërë më shumë për t’u ardhur keq. Për këtë kemi dal në publik se ndryshe nuk do të kishte kuptim.
Rama: Po nuk mund të vazhdojë historia me përralla, ju lutem tani.
Xhunga: Një sekondë z. Rama, lëreni z. Lubonja të përfundojë atë që ka nisur të thotë.
Rama: Po mirë pra, vazhdoni ju bisedën. Unë nuk mund të vazhdoj të dëgjoj një orë Fatos Lubonjën. Kjo është dhunë. (ngrihet në këmbë për t’u larguar nga studio)
Xhunga:Z. Rama, nëse ikni nga kjo studio atëherë është problemi juaj. Z. Lubonja do të mbarojë fjalën e tij dhe ju mund të flisni menjëherë. Ajo është ndërhyrje, nuk është dhunë.
Lubonja: Z. Rama tha në fillim që nuk është ndjerë si politikan. Në qoftë se nuk është ndjerë si politikan atëherë të mos bëjë politikë, të dalë nga politika sepse një nga detyrat e politikanit është të durojë shumë më tepër sesa një qytetar i thjesht edhe kur akuzohet për korrupsion, pasi kjo është një nga përgjegjësitë e politikanit. Detyra e politikanit është te jete më i ekspozuar në publik, ka privilegjet e veta nga kjo, por ka edhe detyrimet që është të dëgjojë atë çfarë kanë për të thënë qytetarët e tij.
Rama: Më vjen shumë keq sepse nuk mund të bëhet emisioni kështu dhe nuk mund të drejtohet në këtë mënyrë. Nuk është emision dhe po humbasim balancën…
Xhunga: Z. Rama, jemi thjesht duke humbur kohë duke u marrë me kohën. Po z. Lubonja.
Lubonja : Pyetja që ngre unë është se pse kanë ndryshuar këto vizione pra, pse kanë ndryshuar ato që ishin prioritetet e prioriteteve për z. Rama. Domethënë, nga nëntë prioritete që shpalosi z. Rama në fushatën elektorale ku e kam votuar edhe unë, prioriteti i parë ishte ajo që edhe z. Shkreli e ka quajtur kushtetuta e një qyteti pra, plani rregullues. Ajo çfarë pashë unë në KRRT dhe që më tronditi shumë…
Rama: Po ç’lidhje ka kjo tani?
Lubonja: Avash, avash. Unë ju këshilloj të hiqni dorë nga politika z. Rama në qoftë se nuk dëgjoni dot një njeri që ju bën kritika madje këto nuk janë kritika, por argumente.
Rama: Ky është jerm i gjithi. … Tirana nuk është ajo që duket tek bar “Piazza” dhe as ajo që duket nga Rinasi kur vjen në shtëpinë që e ke në qendër të Tiranës. Tirana është tjetër. Ti nuk mund ta dhunosh emisionin dhe telespektatorin duke folur kështu. Ti thua se kam thënë që do bëj planin rregullues. Plani rregullues ta kam shpjeguar, sepse unë dhe Fatosi kemi një miqësi, dhe të kam thënë Fatos që plani rregullues është një projekt i cili bëhet dhe kërkon vite.
Lubonja: Znj. Xhunga, unë shoh se kemi të bëjmë me një njeri shumë të lodhur, por unë nuk kam ndër mend të lodhem sepse kam bërë shumë më tepër në burg sesa ky. Në qoftë se ky njeri nuk ka nerva për çfarë kemi ardhur këtu. Ju lutem, na lejoni të shtjellojmë argumentet përndryshe nuk ka kuptim.
Xhunga: Le të vazhdojmë me pyetje të tjera. Z.Lubonja, çfarë kuptoni ju me marrëdhëniet korruptive të z.Rama?
Rama: Atë që kupton ti dhe që po e thua, pse bën sikur nuk kupton.
Lubonja : Znj.Xhunga, në qoftë se ju nuk e disiplinoni dot emisionin atëherë ndërpriteni.
Xhunga: Në fakt, të drejtosh emisionin me ju të dy është e vështirë, nuk mund ta mohoj.
Lubonja: Jo me ne të dy sepse 25 minuta që foli z. Rama unë nuk ndërhyra asnjë sekondë. Tani ju lutem të më jepet sa minuta më takojnë akoma të flas dhe të mos ndërpritem.
Rama: Akoma do kohë ky?! Po bëhet estradë fare.
Lubonja: Estradën e bëtë ju z. Rama.
Xhunga: Problemi është të mos merremi duke folur për kohën sepse do e humbasim kohën.
Lubonja: Z. Rama, mos jeni konsultuar gjë me ndonjë njeri sesi mund të shkatërroni një emision? Mos keni konsultuar gjë ndonjë ekspert shkatërruesish emisionesh që të flisni vetëm ju dhe të tjerëve t’u shkatërrohen idetë? Juve z. Rama na paraqitët disa grataçela për të cilat thatë që nuk janë tuajat…
Rama: Ato nuk janë grataçela, por pallate të larta ndërtimi.
Lubonja : Ti i mblodhe arkitektët atje dhe i vure në rresht dhe u fole siç u fliste Enver Hoxha naftëtarëve për naftën dhe u thoshte se ku ka puse.
Lubonja: Kjo është fatkeqësia, që ty të është dhënë dorë të abuzosh me pronën publike për interesa personale.
Rama: Fatkeqësia është se ti merr përsipër të marrësh nëpër gojë gjithë miletin, po flet si urbanist, po flet si jurist, po flet si shkrimtar, si prokuror, si gjykatës. Ti po merr përsipër sot t’i bësh të gjitha.
Lubonja : Jo, po flas si këshilltari yt i dikurshëm, me të cilin ke ndarë idetë në këto revista, të cilat i ke tradhtuar të gjitha për t’u bërë instrument i një sistemi të korruptuar që në Shqipëri po
shkatërron edhe atë pak që ka mbetur.
Rama: Unë jam instrument i votuesve të mi, unë flas me fakte Fatos dhe faktet janë kokëforta. Po të them, dil nga “Piazza” dhe shiko Parkun Rinia Fatos, shiko Lanën, shiko rrugët, shiko dritat.
Lubonja: Nuk kam nevojë të shoh asgjë. Unë shoh sesi e ke shpenzuar buxhetin e institucionit. Sepse ti je njeri i sëmurë që duhet larguar menjëherë nga Bashkia pasi nuk duron dot kritika. E përsëris, je njeri i sëmurë që duhesh larguar menjëherë nga Bashkia.
AKUZA DHE FYERJE
Lubonja: Ju vetëm bërtisni dhe nuk i lini njerëzit të flasin sepse e keni ndërgjegjen të lyer z. Rama, e ke të pistë z. Rama prandaj nuk lejon njeri të flasë.
Rama: Unë e kam ndërgjegjen e pastër dhe ty të të vijë turp që flet kështu. Ta kam thënë dhe do ta përsëris, nuk ka as burrë nëne dhe as bir k… që të më thotë mua që e kam ndërgjegjen e pistë. Dakord?
Lubonja: Se u bë muhabeti banal këtu. Por ti e ke më shumë sesa të pistë ndërgjegjen.
Rama: Këto që thua janë të gjitha shpifje dhe thashetheme të “Piazza”-s, ku ti zhvillon jetën tënde të varfër intelektuale. Hajde me mua në periferi të Tiranës…
Lubonja: … ti nuk shkon në periferi sepse ti të gjitha fundjavat i kalon në Evropë me paratë e biznesmenëve që të paguajnë udhëtimet.
Rama: Ty të të vijë turp për këto që thua.
Lubonja: Unë do të dal me ato dokumente bashkë me biletat që të kanë blerë biznesmenët e ndryshëm, mos ki merak.
Rama: Unë e mbyll bisedën këtu sepse ti përfundimisht je njeri që nuk dëshiron të thuash të vërtetën, je bërë tamam si Gazmend Malaj që fliste për fantazmat dhe shpirtrat që shpëtonte.
Lubonja : Sigurisht që e degradove se të dëgjuam pa të ndërprerë dhe fillove vetëm me fyerje dhe arrogancë ashtu siç sillesh edhe me ata në Bashki duke i quajtur pula dhe gjela…
Rama: Absolutisht nuk është e vërtetë. Ku e di ti…
Lubonja : I dimë ne këto z. Rama se jetojmë në qytet.
Rama: Ti merresh me thashetheme. Ti je mbartës dhe shpërndarës i thashethemeve. Ti nuk ke absolutisht asnjë provë për këto që flet. Ti je në një pozicion të deklaruar hakmarrës ndaj meje qysh ditën kur ne jemi ndarë bashkërisht dhe ti e di shumë mirë këtë punë. E gjitha kjo është një luftë personale, një luftë e cila ty të ka bërë qesharak në Tiranë.
Xhunga: Ju lutem, pa komente. Z. Lubonja, meqenëse ju bëtë herë pas here rolin e gazetarit ashtu si edhe z. Rama, a keni ju një koment apo një pyetje për z. Rama, për Kryetarin e Bashkisë që e keni votuar dhe për njeriun që nuk do votoni më?
Lubonja: Po, kam një pyetje. A ka kohë që nuk ka shkuar tek psiko-analisti?
Rama: Unë shpreh një tjetër keqardhje për gjithë këtë debat i cili degjeneroi në një lum irracional akuzash, degjeneroi në histori dokumentesh që falsifikohen natën, degjeneroi në histori biletash dhe në gjëra shumë të shëmtuara të cilat janë pjesë të botës së thashethemeve të qytetit tonë. Por mua më vjen dhe i kërkoj ndjesë telespektatorëve. Në qoftë se unë ngre zërin, kur akuzohem ose kur akuzohet Bashkia e Tiranës për gjëra të tilla, e bëj sepse kam një nënë dhe kam një djalë. Kam një nënë, të cilës ky njeri këtu (drejtuar z. Lubonja) dhe shumë të tjerë i kanë një borxh shumë të madh, shëndetin e saj. Kam edhe një djalë, të cilit ky njeri dhe njerëz si ky i kanë prapë një borxh. Mbi të gjitha, e ngre zërin sepse Bashkia e Tiranës nuk është Rama. Bashkia e Tiranës është një grup të rinjsh të cilët njerëz si ky këtu dhe të tjerë arrijnë t’i denigrojnë gazetave duke i quajtur gardistë të kuq, e pula dhe gjela ndërkohë që ata janë të gjithë të rinj të ardhur në Bashkinë e Tiranës, sepse besojnë në një projekt, të gjithë të angazhuar, njerëz që punojnë me orar dhe pa orar.
Lubonja: Të kam votuar edhe unë për atë punë, por ja që na zhgënjeve zotëri, ja që u shite, ja që u bleve, ja që na gënjeve, ja që na mashtrove.
Rama: Herës tjetër të jesh i sigurt që do më votojnë shumë më tepër nga ana që nuk më votuan më parë sepse nuk besonin që do ndodhte kjo që ndodhi dhe që nuk besonin që do bëhej Bashkia e Tiranës ajo që u bë.
Komentet