Pa përfunduar procesi gjyqësor lidhur në rastin “Veteranët”, pastrimi i listës së veteranëve nuk mund të bëhet, vlerësojnë nga Instituti i Kosovës për Drejtësi dhe nga Organizata për Demokraci, Anti-korrupsion dhe Dinjitet, “Çohu”.
Rasti i “Veteranëve”, në të cilin dyshohet se nga rreth 53 mijë, 20 mijë veteranë janë të jashtëligjshëm, në prill të këtij viti është kthyer në rigjykim.
Çështja e pastrimit të listës së veteranëve u aktualizua pas protestës së tyre në fillim të javës, në shenjë pakënaqësie për mospërfshirjen e veteranëve në rritjen e pagës minimale.
Rritja e pagës minimale nga 170 në 264 euro bruto (250 neto), është paraparë me disa ndryshime ligjore të sponsorizuara nga Qeveria e Kosovës.
Deri më 2017, pensioni i veteranëve nuk ka mundur të jetë më pak se paga minimale në Kosovë, që është 170 euro, dhe kjo është sa aktualisht marrin.
Por, sipas zëdhënësit të Qeverisë së Kosovës, Përparim Kryeziut, nga 2017, kur është bërë një plotësim-ndryshim i Ligjit për veteranët e luftës, një ndërlidhje e tillë më nuk parashihet.
Ministri i Punës, Financave dhe Transfereve në Kosovë, Hekuran Murati, gjatë raportimit në Komisionin parlamentar për shëndetësi dhe mirëqenie sociale më 7 qershor, ka theksuar se “nuk është se shteti jep pak për veteranin,”por veteranit i kanë hyrë në hise disa të tjerë që ndoshta mund të mos jenë veteranë”.
“Ky është problemi që kemi ngritur si Qeveri. Edhe kryeministri (Kurti) ka thënë që duhet të bëhet një pastrim i listave”, ka thënë Murati.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, më 26 mars të vitit 2022, në një intervistë për televizionin KTV, ka deklaruar se veteranët “meritojnë shumë më shumë se pagën minimale”, por se “duhet të bëhen evidencat e sakta”, sepse “nuk janë 60 mijë veteranë të UÇK-së. Janë maksimalisht 20 mijë”.
Aktualisht, sipas të dhënave zyrtare nga Qeveria e Kosovës, statusin e Veteranit Luftëtar e kanë 53.188 persona, kurse, sipas të dhënave të Agjencisë së Statistikave të Kosovës, 37.006 janë përfitues nga skema për veteranët e luftës.
Ku ka mbetur rasti “Veteranët”?
Më 26 prill të vitit 2022, Gjykata e Apelit e ka kthyer në rigjykim rastin e njohur si “Veteranët”, ndërkaq në fillim të qershorit, për kryetar të trupit gjykues është caktuar gjykatësi Gazmend Bahtiri.
Kthimi i rastit për rigjykim nga Gjykata e Apelit ka ndodhur pasi që Gjykata Themelore në Prishtinë kishte marrë aktgjykim lirues më 19 janar 2021, ndaj të akuzuarve që ishin të dyshuar për keqpërdorim të detyrës zyrtare, në këtë rast, miratimin e listave të veteranëve nga Komisioni qeveritar për njohjen dhe verifikimin e statusit të veteranëve.
Të akuzuar ishin ish-ministri i Mbrojtjes, Agim Çeku, Rrustem Berisha, ish-deputeti Shkumbin Demalijaj, Nuredin Lushtaku, Sadik Halitjaha, Qelë Gashi, Shukri Buja, Ahmet Daku, Faik Fazliu, Smajl Elezaj, Fadil Shurdhaj dhe Xhavit Jashari.
Në akuzën e ngritur nga Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës, e cila ishte konfirmuar nga Gjykata Themelore në Prishtinë, më 19 qershor të vitit 2019, u ngrit dyshimi se për 19.500 persona është dhënë statusi i veteranit në mënyrë të paligjshme.
Si do të bëhet “pastrimi i listës”?
Ehat Miftaraj nga Instituti i Kosovës për Drejtësi, thekson se cilitdo qytetar që e ka fituar statusin e Veteranit të luftës nga Komisioni qeveritar për këtë çështje, nuk mund t’i kufizohet kjo e drejtë përveç me vendim të gjykatës.
Me përjashtim, kur flasim për rastet kur janë të akuzuar krerët e Komisionit qeveritar, nëse do të kishim (eventualisht) një aktgjykim dënues dhe nëse do të kishim një aktgjykim final, atëherë i gjithë procesi do të mund të kthehej në pikën zero”, shpreh mendimin Miftaraj.
Por, Arton Demhasaj nga organizata “Çohu”, vlerëson se me Ligjin aktual për veteranët e luftës, Qeveria nuk mund të bëjë “pastrim të listave”.
“Nëse Qeveria do që të fillojë një proces të ri, atëherë duhet ta bëjë një ligj të ri ose ta ndryshojë ligjin aktual dhe të fillojë prapë një proces të rishikimit të veteranëve. Me kënd bëhet kjo? Normalisht, kjo bëhet prapë me njerëzit e njëjtë, sepse askush nuk mund ta verifikojë dikë se a ka qenë ose jo pjesëtar i UÇK-së, nëse ky verifikim nuk shkon përmes komandantëve që i ka pasur”, vlerëson Demhasaj, duke shtuar se rruga më e drejtë është që kjo çështje t’u lihet gjykatave.
Ushtruesi i detyrës së kryetarit të Organizatës së Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (OVL të UÇK-së), Faton Klinaku, thotë se i ashtuquajturi “pastrim i listës së veteranëve” nuk varet nga Qeveria. Për më shumë, ai shprehet i gatshëm për çdo bashkëpunim ose nismë të Qeverisë në këtë drejtim.
“Gjykata vazhdon punën e saj për të shikuar çdo gjë që është bërë ose ndonjë shkelje ligjore. Gjykata nuk ka të bëjë me verifikim. Verifikimi ka përfunduar. Por, edhe nëse kjo Qeveri do që të bëjë tjetër komision, ne nuk e kundërshtojmë, por prapëseprapë verifikimin duhet ta bëjë përmes përgjegjësve të njësive apo komandantëve të luftës, të cilët i kanë verifikuar secilin prej veteranëve”, thotë Klinaku.
Çka ka ndodhur me kategorizimin përfundimtar të veteranëve?
Veteranët dhe organizata që i përfaqëson, megjithatë, janë duke insistuar që deri në kategorizimin përfundimtar të listës së veteranit të UÇK-së, Qeveria të përfshijë nivelin e pensioneve krahas nivelit të rritur të pagës minimale.
Kur më 2017 është shfuqizuar neni i Ligjit për veteranët e luftës, i cili parashihte që pensioni i veteranit mos të jetë më i ulët se paga minimale, i njëjti është plotësuar me nenin që parashihte kategorizimin e veteranëve – varësisht nga vitet e angazhuara në UÇK.
Pensioni është paraparë të jetë nga 120 deri 250 euro, varësisht nga vitet e angazhuara në UÇK. Që një gjë e tillë të hyjë në fuqi, është paraparë të bëhet kategorizimi përfundimtar i listës së veteranit – gjë që deri më tani nuk ka ndodhur. Deri atëherë, Ligji parasheh skemën pensionale të paraparë me ligjin bazik e që është 170 euro.
Radio Evropa e Lirë i është drejtuar Zyrës së kryeministrit të Kosovës me pyetjen se pse nuk ka nisur kategorizimi përfundimtar i listës së veteranit luftëtar dhe se a ka në plan formimin e një komisioni për këtë çështje. Por, nga kjo zyrë nuk i janë përgjigjur kësaj pyetjeje deri në publikimin e këtij teksti.
Klinaku nga OVL e UÇK-së thotë për Radion Evropa e Lirë se bazuar në Ligjin aktual për veteranët e luftës së UÇK-së, që nga viti 2017, qeveritë është dashur të kryejnë kategorizimin përfundimtar të listës së Veteranit Luftëtar të UÇK-së.
“Kategorizimi s’ka filluar qe pesë vjet, fare. Qeveritë e kanë pasur obligim që të formojnë komision për kategorizim dhe ta bëjnë kategorizimin e veteranëve. Nuk e kanë kryer as qeveritë e kaluara, por nuk e ka kryer as kjo qeveri (aktuale)”, thotë Klinaku.
Ehat Miftaraj, drejtor ekzekutiv i IKD-së, thotë për Radion Evropa e Lirë se vlerëson se moskategorizimi përfundimtar i listës së veteranëve është pasojë e mungesës së vullnetit politik të qeverive të deritashme, përfshirë edhe aktualen.
“Me vetë faktin që kjo Qeveri tashmë ka hyrë në vitin e dytë apo është në pushtet për më shumë se një vit e dy muaj, më shumë e shohim si mungesë të vullnetit politik për ta adresuar këtë çështje se sa mungesë të kohës. Kështu që në këtë drejtim, të gjitha kritikat duhet të shkojnë te Zyra e kryeministrit Kurti”, thekson Miftaraj.
Por, drejtori i organizatës Çohu”, Arton Demhasaj, në një bisedë me Radion Evropa e Lirë, thekson që kategorizimi përfundimtar i listës së veteranëve, për momentin nuk mund të bëhet, sepse, siç thotë ai, “nuk ka kush ta bëjë”.
“Do të thotë, duhet ta kesh një trup që e krijon për ta bërë kategorizimin. Ai trup nuk ekziston. Komisioni qeveritar, i formuar në atë kohë, nën udhëheqjen e Agim Çekut, është duke u përballur me gjykatën, kështu që nuk mund të merret tash me këtë pjesë. Andaj mendoj se është i pamundshëm kategorizimi i veteranëve, momentalisht”.
“Çka duhet të bëjë tash Qeveria, është që të gjejë një zgjidhje, qoftë të përkohshme, për këtë kategori, deri sa të kemi vendimet finale të gjykatave për krejt rastet e dyshimta dhe pastaj të shikohet mundësia edhe e kategorizimit të tyre, në bazë të kontributit që e kanë dhënë në luftë”, shpjegon Demhasaj.
Ndryshe, Kuvendi i Kosovës më 6 qershor nuk ka arritur ta kalojë në votim projektligjin që synon rritjen e pagës minimale, për shkak të mungesës së kuorumit.
Për shkak të protestës së veteranëve, deputetët e opozitës – Partisë Demokratike të Kosovës dhe Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës – kanë kërkuar të mos votohen ndryshime “në këtë pikë”, dhe kanë paraqit mocionet për shtyrje të votimit.
Pasi mocionet nuk kaluan, ata lëshuan sallën duke e pamundësuar votimin e ndryshimeve ligjore.
Veteranët kanë paralajmruar protestë të sërishme, në rast se këto ndryshime prapë dalin në votim.
Komentet