TIRANE– Historia e divorcit të Juela Meçanit me bashkëshortin e saj, e ndodhur në shkurt të vitit 2012, duket se nuk ka fund, për nga problematikat që e shoqëruan dhe kohëzgjatjen nëpër dyer gjykatash, me padi nga të dyja palët.
“Panorama Plus” shkruan se kohët e fundit kemi një kallëzim të ri, kësaj here nga ana e Haxhirajt. Por ky rrugëtim për çiftin nuk ka qenë gjithë kohës pozitiv, nga një jetë e qetë në Itali, ata shkuan në një kalvar gjyqesh.
Padinë në Gjykatë e ngriti Juela, e cila ngjalli kuriozitet të madh për arsyet e kësaj ngjarje.
Ish-missi i viteve ’90, e cila kishte provuar edhe karrierën në televizion, u largua drejt Italisë së bashku me bashkëshortin Dritan Haxhiraj, duke ndërtuar një jetë atje.
Por Juela u kthye në Tiranë në 2008, pasi mori një ftesë për të bërë zëdhënësen e Kryeministrit të asaj kohe.
Por gjërat nuk shkuan ashtu, dhe në fakt ajo kërkoi divorc nga bashkëshorti, pikërisht në kohën kur nuk ishte më pjesë e stafit të Kryeministrisë.
Gjykata vendosi që vajzën e vetme të çiftit ta mbante e ëma, dhe pikërisht pas asaj dite për çiftin nuk ka patur ditë të qeta.
Në 2014, Meçani paditi bashkëshortin e saj për dhunë fizike dhe ushtrim psikologjik, por më pas e tërhoqi këtë padi, dhe çështja u pushua.
Në janar 2015, ka qenë Haxhiraj ai i cili hapi një çështje gjyqësore, ku kërkonte që të takohej më shpesh me të bijën. Në këtë moment Juela Meçani padit ish-bashkëshortin për dhunë psikologjike.
Por pak ditë më parë Haxhiraj ka bërë një kallëzim në Komisariatin nr2 të policisë, më datë 19 tetor. Sipas kallëzimit, dyshohet se në prill të 2015, Juela Meçani, me vetëgjyqësi i ka marrë orenditë shtëpiake ish-bashkëshortit 42-vjeçar. Kjo tregon se pas divorcit, konflikti mes çiftit tashmë ndarë ka vijuar për ndarjen e pasurisë.
Gjykata i dha një shtëpi banimi dhe një dyqan Haxhirajt, ndërsa Meçanit llogarinë bankare të çiftit. Derisa i janë dorëzuar çelësat e objekteve ato janë përdorur nga Meçani.
Por ish-bashkëshorti thotë se Meçani i ka lënë pa paguar një faturë energjie prej 50 mijë lekësh të rinj, si dhe i ka shkaktuar dëme në banesë. Ai thotë se ish-gruaja i ka zhdukur sendet e tij personale.
E thirrur në polici për këtë kallëzimin, Meçani ka mohuar gjithçka.
Komentet