Një pjesë e deputetëve shprehën shqetësimin e tyre për sulmin që po u bëjnë krerët e degëve, deputetëve, të cilët i kanë fajësuar për humbjen e thellë në zgjedhjet e fundit lokale. Pikërisht gjatë mbledhjes së djeshme me dyer të mbyllura, disa deputetë kërkuan penalitete për kryetarët e degëve humbëse, por kryetari Lulzim Basha mësohet të ketë kërkuar më parë një analizë të hollësishme në çdo degë. Genc Ruli, Arben Imami dhe Majlinda Bregu kanë ngritur zërin kundër kritikave të drejtuesve lokalë, të cilët kanë akuzuar ish-ministrat se nuk u angazhuan ashtu siç duhet në fushatën elektorale të 21 qershorit.
Burime brenda mbledhjes bënë me dije për “Gazeta Shqiptare” se deputeti Genc Ruli ka mbajtur peshën e fortë të debatit për këtë çështje, pas të cilit ai është nervozuar duke braktisur mbledhjen, për shkak të termave të butë të kryedemokratit Basha lidhur me shkarkimin e kryetarëve të degëve. Ruli nuk ishte dakord me relativizimin që kryetari Basha po i bënte përgjegjësisë së kryetarëve të degëve të PD-së në rrethe për humbjen e 21 qershorit.
Komentet