Së fundi, u legalizua Draft Statuti për Asociacionin, i hartuar nga BE-ja. Shumë reklamë u bë, u konsiderua si risi dhe fort i “avancuar” në krahasim me Draftet paraprake. Për çudë, edhe kryeministri Kurti ishte shumë entuziast! Por, siç thotë urtësia: “Fshati që duket, nuk ka nevojë për kallauz”, guidë.
Asociacioni ka organet, si Kuvendi, Presidenti dhe zv.presidenti, bordi, këshilli këshillëdhënës, administrata, zyra e ankesave, qeveria që miraton rregullore, vendime, deklarata, udhëzime e tjera, të gjitha me kompetenca ekzekutive. Pastaj ministra, flamur, stemë, kufinj administrativ dhe elemente të tjera, janë terma të frikshme, që derivojnë autonomi territoriale, duke lënë hapur mundësinë për shkallëzime tjera. Fillimisht, e bënë Serbinë hisedare në Kosovë dhe, në perspektivë, për pretendime tjera, të ngjashme me “Republika Srpska” të Dodikut, në Bosnje e deri në shkëputjen e veriut të Kosovës dhe bashkangjitjen Serbisë.
Komisioni i Arbitrazhit është risi tjetër e këtij Draft-statuti, që zgjidhë kontestet në mes të Qeverisë dhe Asociacionit, të përbërë nga një anëtar qeveria, Asociacioni, kurse kryetari do të jetë nga BE-ja. Vendimet në bazë të shumicës, pra, të dy të tretave, neni 42, i cili nuk i nënshtrohet Gjykatës Kushtetuese të Kosovës. Edhe nene të tjera janë mbi kushtetuesen. Vendimet janë të plotëfuqishme, duke anashkaluar Gjykatën Kushtetuese!
Qeveria e Serbisë, përmes Asociacionit mund të ofrojë shërbime shëndetësore dhe arsimore. Madje rrezikshmëri direkte janë ndërtimet e shtëpive, banesave për serbët, të cilat, me kalimin e kohës, mund ta ndryshojë strukturën e popullsisë në Kosovë, duke pasur parasysh liberalizimin e dhënies të shtetësisë të Serbisë rusëve, kinezëve dhe botërorëve të tjerë. Asistenca direkte e Serbisë, pa doganë e detyrime tjera ligjore. E gjithë kjo cenon sovranitetin e Kosovës. Dhe, rrjedhimisht, “Zajednica” nuk ka brirë!
Tashmë, gjithçka është qartësisht e lexueshme: Stërkeqjen politike të Kosovës, e bëri Sherbimi sekret francez – DGSE, me agjentin e tyre rrast të shantazhuar, me dosjen e begatë kriminale, Hashim Thaçin. Edhe Draft-statuti aktual për Asociacionin e komunave me shumicë serbe, i reklamuar si propozim i BE-së, realisht, është prodhim i binomit serbo-freng.
Një qasje profesionale ndaj Asociacionit ka pasur dhe ka Prof. Dr. Mazllum Baraliu, ish anëtar i Gjykatës Kushtetuese. Ai mendon se “ky Draft-statut nuk është zgjidhje, përkundrazi është më shumë se sa Asociacion, më shumë se autonomi territoriale e substanciale. Është shtet në shtet, strukturë morbide, kancerogjene, e cila është paralelisht me Kushtetutën, jashtë kushtetutës dhe e cila e cenon substancialisht edhe sovranitetin dhe perspektivën e tij”. Çuditërisht, edhe pse Profesor Baraliu është konsideruar si i afërt me Vetëvendosjen, nuk e kemi parë të jetë konsultuar, thjeshtë është anashkaluar!
Ky Draft-statut, tashmë, llogaritet të jetë zyrtar, i propozuar nga BE-ja, i cili, qysh tani ndjellë dhe kundërmon gjakderdhje, në kohë të pritshme, të afërt ose, në perspektivë, të largët. Brezat shqiptarë do t´i vuajnë pasojat. Dhe, i gjithë burimi i kësaj stërkeqje të Kosovës, është nga Shërbimi sekret francez, i cili ia imponoi popullit të Kosovës agjentin e tyre, Hashim Thaçin, për të parë, Zot të Kosovës, njeriun e shantazhuar me dosjet faktike të krimeve numerike.
Ngutia dhe përvoja e hidhur e ratifikimit të Demarkacionit me Malin i Zi, është dëshmi mjaftuese që Qeveria e Kosovës të bëjë kujdes dhe vendosmëri, për të mos rënë përsëri në batakun e tradhtisë. Për një post të kryeministrit, u harruan të gjitha premtimet e betimet, se “Demarkacioni humbës të tej 1.800 hektarëve territor të Kosovës, nuk kalon!” Ishte skajmërisht e turpshme se ish-krerët pushtetarë të atëhershëm, të aprovonin, madje lehtësisht, këmbimin e një pjese të territorit, me fitimin e liberalizimit të vizave! Mendësi e poshtër, idioteske, krimiale dhe tërësisht kundra-kombëtare. Edhe tani rrezikon të përsëritet ajo marrëzi historike.
Pavarësisht sanksioneve të padrejta, cinike dhe hapur diskriminuese e raciste, masave tjera dhe kërkesave, tërësisht, alogjike të ekipit ndërmjetësues ndërkombëtar, Draft-statutit, në formën dhe përmbajtjen, të propozuar nga BE-ja, përmes Lajçakut, duhet thënë një – jo- e prerë. Realisht, populli i Kosovës është në një pozicion të sikletshëm, por jo edhe me “bythë në prush”, sa për të pranuar një gjëmë të radhës, shtesë fatale edhe për brezat e sotëm dhe të nesërm shqiptarë. Mjaft më me tkurrjen territoriale të Kosovës. Kujtoni datimet historike të shekullit 19-të, 20-të, 21-të, të cilat prekin dhe trishtojnë zemrat e shqiptarëve të përbotshëm.
Takimi i fundit Lajçak-Vuçiq, i bërë në një atmosferë gazmore, ishte domëthënës. “Draft Statuti i Asociacionit aktual, i ka elementet ekzekutive të Marrëveshjes të vitit 2013 dhe 2015”, – i tha Lajçak bashkëbiseduesit Vuçiq, pa zënë në gojë asnjë nga Draftet tjera. Dhe, Vuçiq ishte shumë i disponuar, pa manifestuar asnjë kundërshti. Në 14 faqet e Draft-Statutit, të BE-së, tashmë, të botuar nga eksponenti i AAK-së, gjenë elemente të bollshme të vetëqeverisjes, vetëmenaxhimit dhe të autonomisë territoriale, që tejkalon Marrëveshjen e 2013 dhe të korrigjimeve të vitit 2015.
Ndërkombëtarët, dhunshëm” e shpallën Kosovën “shtet multi-etnik”, edhe pse 94 % e popullatës janë shqiptarë, që nënkupton se është shtet mono-etnik. Por, kur vendosen të japin të drejta enorme minoriteteve, krejt të veçanta në botë, vendosen të bëjnë -Asociacion një-etnik serb-, në kundërshtim me Kushtetutën e Kosovës, e cila nuk parashikon diçka të tillë! Për këtë populli ka një shprehje: “Me çfarë kuti matë Dauti!”
Kryeministri Albin Kurti bëri propozimin praktik, një Asociacion të tipit kroat, për komunitetin serb në Kroaci, të pranuar edhe nga Serbia. Por, ky propozim, si një zgjidhje funksionale, u harrua dhe nuk po i referohet askush këtij varianti. Pse ndodhë kjo, pse heshtet dhe nuk ngulmohet edhe mëtej në modelin kroat?!
Dhe, nëse kjo nuk pranohet, atëherë, duhet referuar teorisë juridike:
“Klausula Sic Stantibus Rebus”
Arsyetimi i ndërkombëtarëve se është nënshkruar një marrëveshje dhe duhet zbatuar, pavarësisht kohës dhe rrethanave, në të cilat është bërë ajo marrëveshje fatale, e devalvon një teori juridike, e njohur me emërtesën: “Klausula Sic Stantibus Rebus”, si normë juridike ndërkombëtare, për prishjen një kontrate apo marrëveshje ndërkombëtare, kur rrethanat kanë ndryshuar rrënjësisht dhe dëmi që sjellë zbatimi i një marrëveshje të tillë, është fatal për vendin, shtetin, siç është Asociacioni njëetnik për Kosovën! Qëllimet janë të errëta, me prapavijë bërjen hisedare të Serbisë në Kosovë, duke krijuar një “Republika Srpska”, e cila paralizon funksionimin normal të shtetit të Kosovës, deri në shkëputjen e një pjese të saj.
Rrethanat e ndryshuara, madje rrënjësisht, nga koha e nënshkrimit të Marrëveshjës të Asociacionit, fatale për Kosovën, janë evidente, të dukshme dhe bindshëm të arsyetushme:
1) Dialoguesit dhe nënshkruesit e Marrëveshjes për Asociacionin, në vitin 2013, në Bruksel, janë Hashim Thaçi dhe Isa Mustafa. I pari ishte dhe mbetet i shantazhuar, tashmë, edhe i penalizuar me dosjen e krimeve, nga Gjykata Speciale e Kosovës, me seli në Hagë, për vrasjet faktike të kundërshtarëve politikë shqiptarë. Ndërsa i dyti, ishte i shantazhuar nga SHIK-u i Hashimi Thaçit dhe Kadri Veselit.
Nënshkrimi i kësaj Marrëveshje, më vonë, edhe ratifikim në Kuvend, u bë në këmbim të lirisë të Hashim Thaçit, me bashkëpunëtorët, për krimet e luftës dhe të pas luftës, kryesisht, vrasjen e oficërëve luftëbërës të FARK-ut të Ibrahim Rugovës; veprimtarëve të LDK-së; gazetarëve me integritet të luftës. Por, edhe ekzekutimet brenda llojit, kuadrot të hershëm të LPK-së, për ta eliminuar, paraprakisht, konkurrencën brenda partiake, në të ardhmen.
2) Ndërkombëtarët, BE dhe SHBA, bënë mëkatin e madh, kur aprovuan kërkesën e Serbisë, për themelimin e -Asociacionit-, duke filluar edhe presionin e vrazhdët dhe kërcënues ndaj Qeverisë së Kosovës. Kësaj ideje iu bashkua kryeministri shqiptar Edvin Rama, i cili, në marrëveshje me Vuçiqin, nismoi kërkesën për zhbërjen e Gjykatës Speciale, lirimin dhe kthimin e Thaçit në pushtet, për ta realizuar “Zajednicën” dhe ndarjen e Kosovës. Ndërkohë, opozita destruktive u premtoi ndërkombëtarëve se “vetëm hiqna qafe Albin Kurtin, se ne e bëjmë -Asociacionin-, pa Albinin dhe qeverinë e tij!” Intrigimet e opozitës, i denoncoi ndërmjetësuesi amerikan!
3) Sihariqin për bërjen e Asociacionit, e festuan serbët e Kosovës; Beogradi zyrtar; “Dodiku me Republikën e tij dhe Moska! Kjo trimëroi Serbinë dhe në koordinim me Moskën, me qëllimin perspektiv, për krijimin e “botës serbe”, nën shembullin e “botës ruse”, që dëshmon me agresionin e saj, për ta bashkuar Ukrainën dhe disa nga ish-Republikat Sovjetike. Dhe, njëkohshëm, afishuan slloganin në veriun e Kosovës, në Serbi, në Mal të Zi (nga serbët vendorë), në “Republika Srpska” në Bosnje e deri në Moskën ruse: “Kur ushtria serbe do të kthehet në Kosovë”?!
4) Tashmë, konfirmimi edhe nga shefi i Sigurimit shtetëror të Francës, Pierre Seramy, në TV “CANAL +” se “Hashimi Thaçi është agjent i ynë, agjent i Francës”, rrjedhimisht, edhe agjent i Serbisë, i shantazhuar, njëherësh, nga Serbia dhe ndërkombëtarët, me dosje faktike të krimeve, gjatë dhe pasluftës, kryesisht, shantazhimin, kërcënimin, arrestimin, burgosjen, maltretimin dhe vrasjen e kundërshtarëve politikë shqiptarë, dëshmon, madje, bindshëm, se nënshkrimi i “Zajednicës” në vitin 2013, është bërë nën shantazhimin e tmerrshëm ndaj Hashim Thaçit.
Për të shpëtuar nga një dënim i merituar, i gjatë, ndoshta, edhe të përjetshëm, Hashim Thaçi bëri nënshkrimin e Marrëveshjes për -Asociacionin- (“Zajednicës”), e komunave me shumicë serbe, fatale për Kosovën! Dhe, ky fakt e zhvlerëson, madje në plotni, Marrëveshjen e vitit 2013, ai bëri krimin ndaj Kosovës, në vetëmbrojtje për dënimin e rëndë të pritshëm, respektivisht, në këmbim të lirisë personale!
Nga 4 (katër) faktet e cituara më lartë, është e mjaftueshme për shqiptarët dhe ndërkombëtarët, për të kuptuar qëllimet errëtake të Beogradit, se nëpërmjet Asociacionit, në perspektivë, ta realizojë ndarjen e veriut të Kosovës dhe bashkangjitjen Serbisë. Për këtë pnunoi shumë dhe me përkushtim të çuditshëm Hashim Thaçi, me PAN-in e tij, si një -Ndërmarrje e Përbashkët Kriminale-!
Andaj, heqja nga agjenda e dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, të – Asociacionit -, i konsideruar si “kancer i Kosovës”, nga vet nënshkruesi i tij, Hashim Thaçi, madje harrimi i tij, si një ëndërr e keqe, e trishtë, është domosdo e kohës, për të vazhduar në normalitet funksionimi i shtetit të ri dhe të brishtë të Kosovës.
Prandaj, ngulmimi i mëtejmë i ndërkombëtarëve, për krijimin e çfarëdo niveli të Asociacionit, është provokim i rëndë dhe lëndim shpirtëror i shqiptarëve të përbotshëm, pas përgjakjes tej një shekullore, që përjetuan brezat shqiptarë, nga hordhitë pushtuese serbo-sllave.