Nga Agim Musta
Në përvjetorin e katërt të ikjes nga jeta të historianit, studiuesit, shkrimtarit dhe publicistit të njohur Agim Musta, (24 Korrik 2019), ish – i burgosur politik, vajzat e tij Elizabeta dhe Suela, i dhanë të drejtën e ekskluzivitetin për botim, medias online Memorie.al, të një prej botimeve më të spikatura të autorit, siç është ‘Libri i zi i Komunizmit Shqiptar’. Kjo vepër, mban të dhëna, dëshmi, fakte, statistika dhe argumente të shumta e të panjohura për publikun e gjerë, mbi krimet dhe terrorin komunist në Shqipëri, veçanërisht ndaj intelektualëve, në periudhën 1945-1991.
Botimi për herët të parë të pjesëve të këtij libri, është dhe realizimi i një prej amaneteve të historianit Agim Musta, i cili, që nga fillimi i vitit 1991 e deri sa ndërroi jetë, për afro tre dekada u angazhua me të gjitha fuqitë e tij, duke punuar për ngritjen e kujtesës kolektive, përmes botimeve me libra dhe publikimeve në shtypin e përditshëm.
E gjithë ajo punë voluminoze e z. Agim Musta, e konkretizuar në disa libra, është një kontribut me vlera të mëdha, për zbardhjen e krimeve të regjimit komunistë të Enver Hoxhës dhe pasardhësit të tij, Ramiz Alia. Një pjesë e mirë e botimeve të z. Agim Musta, është e përkthyer dhe në anglisht. Duke falenderuar dy vajzat e të ndjerit Musta, që zgjodhën Memorie.al, për të përkujtuar babanë e tyre, nga sot po fillojmë publikimin pjesë pjesë, të ‘Libri i zi i Komunizmit Shqiptar’.
-Portrete bashkëvuajtësish-
(1945-1991)
Dr. Kalivopulli, vdes në burg…!
Kush nuk e ka dëgjuar emrin e doktor Kalivopullit në ish-qarkun e Gjirokastrës? Sa qindra e mijëra fëmijë, gra e burra, ka shpëtuar ai nga kthetrat e vdekjes! Fjala e tij ishte më balsam se ilaçet që jepte. Pesëdhjetë vet mjek, me bluzë të bardhë. Figura e tij qysh së gjalli ishte shndërruar në legjendë. Puna dhe respekti i njerëzve, e gjallëronin 75-vjeçarin Aleksandër Kalivopulli. Dhe ai vazhdoi të luftonte kundër vdekjes të njerëzve.
Luftoi për t’u bërë më i dobishëm. E kishte filluar që nga bankat e shkollës. Në të gjitha ciklet, deri në Fakultetin e Mjekësisë të Universitetit të Athinës, ku doli shkëlqyeshëm. Në studimet pasuniversitare, mbrojti gradën shkencore Doktor. Oferta për të qëndruar në Athinë apo qytete të tjera të Evropës, nuk e joshi këtë intelektual. Ai kthehet të punojë në Gjirokastër, pranë vendlindjes së tij, Dropullit, ku punon 50 vjet, me një devotshmëri shembullor edhe shëroi mijëra minoritarë shqiptarë.
Në qershor të vitit 1959, Kalivopulli u bë i njohur në të gjithë Shqipërinë dhe jashtë saj. Kinostudioja “Shqipëria e Re” i kushtoi një dokumentar, ku prezantoi para gjithë opinionit publik, punën e tij të palodhur, kurse “Zëri i Popullit”, i kushtoi një shkrim të veçantë. Paskëtaj Kuvendi Popullor, e dekoroi për 50 vjet shërbim në Mjekësi. Në këtë përvjetor, u ngritën dolli për shëndetin dhe ndihmesën e tij të çmuar dhe i uruan të vazhdonte punën. Doktori u emocionua dhe me lot në sy tha: “Do vazhdoj të punoj me të gjitha forcat, derisa të më punojë zemra”! Dhe ç’ndodhi?!
Doktor Kalivopullit, më 3 korrik 1960, i hidhen prangat në duart e fishkura, në duart që i dridheshin nga puna dhe pleqëria, në ato duar që kishin ekzaminuar me mijëra të sëmurë. E lidhën me hekura si kriminel dhe e rrasën në burg, në një qeli të errët të burgut të Tiranës. Kë arrestuan? Doktorin demokrat, që Zogu e kishte ndjekur e persekutuar, kurse Italia, pas Luftës Italo-Greke, e kishte burgosur dhe internuar në Itali, mbi një vit.
Pas arrestimit të doktorit në shtëpinë e tij, ra tërmet e mbi tërmet. Nga kontrollet e njëpasnjëshme, shtëpia u kthye disa herë përmbys. E shoqja me gjithë fëmijët u bënë grusht. Të dy djemtë dhe të dyja vajzat, me sytë të zgurdulluar, dridheshin në gjirin e nënës. I rrëmbyen 2000 napolona floriri.….! (O Zot, a ka regjistër ku janë shkruar këto para?!)
Po kështu edhe 200.000 lekë, në arkën e kursimit, si dhe gjithë pasurinë e tundshme e të patundshme. Dy vjet në hetuesi. Dy vjet tortura e izolim hermetik. Dhe 75-vjeçari Kalivopulli, sfidon vdekjen. Me gjakftohtësinë dhe logjikën e tij të palëkundshme, me karakterin e pastër e human, u thoshte hetuesve:
“Si është e mundur, zoti hetues, të dal kundra fëmijëve të mi, si është e mundur, që unë të jem agjent? Ku i keni faktet”? Po fanatikët e regjimit, ata që dinin të merrnin jetë, nuk e dëgjonin zërin e tij. Ata vazhdonin ta rrihnin e ta torturonin si tradhtar. Ai mbeti gjallë si akt-akuzë ndaj diktaturës. E dënuan me 18 vjet burg, për tradhti, pa dëshmitar. E sollën në burgun e Burrelit “kriminelin” rrezikshëm, 75-vjeçar.
Të burgosurit e pritën si Eskulapin. Atyre u shërbeu si baba për dy vjet rresht, derisa dha shpirt. Si njeri i papërkulur, megjithëse dridhej nga vuajtjet dhe pleqëria, u shërbente njerëzve në nevojë. I sfilitur ecte korridoreve të errëta të burgut, mbajtur prej krahëve nga bashkëvuajtësit. Gradualisht, shëndeti i tij, binte e keqësohej.
Ishte shndërruar në një fantazmë, në një fantazmë që nuk të frikësonte, por të bënte ta adhuroje. Të gjithë e deshën, i shërbenin dhe e ndihmonin me sa mundnin. Edhe pse në agoni, s’pushonte duke u dhënë këshilla të sëmurëve. Ata të mjerët dëgjonin me veshët ngritur. Doktor Kalivopulli u ndizte një fije shprese, në ato labirinte të errëta të burgut.
Doktorit si vullkan i shpërtheu një vendim që tronditi burgun. Ai shpalli grevën e urisë. Kështu ai vendosi ti jepte edhe një goditje, goditjen e fundit regjimit diktatorial të Hoxhës. Ai ndërpreu ushqimin. Të burgosurit e shikonin me admirim, krenari edhe me dhimbje. Dalëngadalë po e linin forcat, e ndiente mjaft vetminë dhe ndarjen nga familja.
Hapte sytë dhe shihte në errësirën e qelisë siluetat e fëmijëve, kujtonte fytyrat e tyre, zërin e tyre dhe buzëqeshte si në ëndërr. Në qelinë e errët, filloi të fliste me vete, të përmendte emrat e fëmijëve: Sokrat, Kristo, Niqi…! Po në birucën e errët e të ftohtë të Burrelit, nuk dëgjonte njeri!
Megjithëse bashkëvuajtësit mundoheshin t’ia lehtësonin vuajtjet, i qëndronin afër, ai filloi të ndiente dhimbje dhe frikë në shpirt. Ditët kalonin dhe doktor Kalivopulli, vazhdonte i vendosur e i palëkundur grevën e urisë. Sytë po i perëndonin, gardianët, që deri atë çast e shikonin me përbuzje, u habitën me vendosmërinë e doktorit.
Me armën e urisë, ai qëllonte dhe çarmatoste. Kundërshtarët e alarmuar, filluan telefonatat për rrezikun e doktorit, 12 ditë rezistoi, duke luftuar me vdekjen. Në ditën e 13 dhe pikërisht më 18 shkurt 1964, pushoi së rrahuri zemra e tij, zemra e burrit fisnik, zemra e profesorit, zemra e atij që dha shpirt në kaushin nr.10, të burgut të Burrelit.
Bashkëvuajtësit i mbyllën sytë, e veshën me rrobat e tij të reja dhe me pika loti në faqe, mbajtën një minutë heshtje. E varrosën te “Qershia”, ku ishin varrosur me qindra fatzinj të tjerë dhe ku sot e kësaj dite nuk i gjenden eshtrat.
I nderuar dhe i respektuar nga të gjithë
Patër Meshkallën, e kam njohur në kampin me punë të detyruar të Skrofotinës, gjatë viteve 1970-1972, ku disa qindra të burgosur politikë, punonin si skllevërit e Egjiptit, për tharjen e kënetës së Nartës. Për moshën e tij të thyer, Patër Meshkalla, nuk punonte. Me shpirt dhe me mendje ishte me shokët e tij bashkëvuajtës, duke i përcjellë dhe duke i pritur çdo ditë, me fjalë ngushëlluese dhe shpresëdhënëse.
Patër Meshkalla, një nga “Mandelët” e Shqipërisë, shquhej si njeri me cilësi të larta njerëzore. Ai ishte kthyer në simbol të durimit, të dhembjes dhe stoicizmit, i vëllazërimit të të burgosurve politikë, pa dallim feje, ideologjie dhe krahine. I lindur në Shkodër, në një familje të varfër qytetare, më 1901, u diplomua shkëlqyeshëm në Teologji dhe Filozofi dhe jetoi në shumë vende të Evropës si ushtar i denjë i Jezu Krishtit. Ai ishte një enciklopedi e gjallë dhe një mësues i papërtuar, për bashkëvuajtësit e tij.
Kur të burgosurit diskutonin për ndonjë term gjuhësor, qoftë dhe në gjuhë të huaj, ose për ndonjë subjekt politik, historik, filozofik, sociologjik e tjera dhe s’binin dakord me njëri-tjetrin, fjalën e fundit e kishte Patër Meshkalla, që me kënaqësi dhe pa pikën e përtesës, jepte shpjegimin e duhur dhe të përpiktë.
Patri ishte kthyer në një mësues shpirtëror, për të gjithë bashkëvuajtësit. Atë e respektonin të rinjtë dhe pleqtë dhe e adhuronin për forcën e tij të madhe shpirtërore. Ai ishte mjeshtër i bisedës dhe e bënte atë me një shkathtësi mahnitëse. Me fshatarët, bisedonte me dashuri për punët e fshatit, me intelektualët, plot zjarr e për çdo problem, me një kompetencë shkencore.
Truri i tij ishte një makinë e përsosur elektronike, paçka se diktatura komuniste, e kishte dënuar dy herë dhe ai kishte vuajtur në burgjet e skëterrës së kuqe, 25 vjet dënim. Asnjëherë nuk u dëgjua nga goja e tij një fjalë hakmarrëse, kundër atyre që i kishin shkaktuar gjithë ato vuajtje dhe privacione, pa asnjë të drejtë. Edhe kur ndonjë bashkëvuajtës i shprehte urrejtje ndaj veglave të diktaturës, Patër Meshkalla, me zërin e tij lutës, shprehej: “Fali, o Zot, se nuk dinë çfarë bëjnë”!
Të paharruara do të mbeten replikat e tij me Mehmet Shehun, gjeneral Gjin Markun, kur këta ishin në majën e piramidës komuniste dhe me prokurorë, gjykatës, vegla qorre të diktaturës së Enver Hoxhës. Patër Meshkalla, me fjalët e tij plot urtësi dhe logjikë të hekurt, i vinte te shtylla e turpit. Ata mundoheshin ta ngacmonin Patrin si klerik, por shkonin “për lesh” dhe “ktheheshin te qethur”.
Kur një prokuror, mbasi i lexoi akt-akuzën dhe u krekos me numrin e madh të dëshmitarëve që dëshmonin kundër Patër Meshkallës, mori këtë përgjigje: “Nuk dëshmojnë këta mjeranë, zoti prokuror! Flet buka e gojës, që ju ua pritni”. Nuk i harroj sytë e tij plot jetë e mallëngjim, kur në qershor të vitit 1972, më transferuan së bashku me shumë shokë bashkëvuajtës, nga kampi me punë të detyruar i Ballshit, për në minierën-ferr të Spaçit.
Patër Mëshkalla na përqafoi me lot në sy dhe na jepte shpresë dhe guxim. Nuk na u nda për asnjë çast, derisa ne, të lidhur me pranga dhe zinxhirë në këmbë dhe në duar, u larguam të shoqëruar me roja të armatosura gjer në dhëmbë. Fytyra e tij e imët dhe shprehëse, nuk më është ndarë për asnjë çast nga mendja. Ai ka mbetur në kujtesën e mijëra ish-të dënuarve politikë, si ushtar i denjë i Krishtit dhe bir besnik i Shqipërisë. Emri i tij duhet të zënë një vend nderi në historinë e kombit tonë.
I interesuar për Patër Meshkallën, pranë ish-nxënësve të tij, Zef Perollit dhe Matei Guralumit, njëkohësisht shokë dhe bashkëvuajtësit e mi, mësova se Patër Meshkalla, ka drejtuar me sukses rrethin e Shën Pjetrit, të Rinisë Katolike të Tiranës prej viteve 1937-1945. Ai ishte edukator i shkëlqyeshëm, sa i dashur, aq dhe i rreptë e këmbëngulës i palodhur, me nxënësit e tij.
Ai u mësonte nxënësve të tij, përveç mësimeve mbi katekizmin kishtar, edhe etikën, estetikën dhe pjesë të ndryshme të filozofisë. Patri ishte i pasionuar mbas natyrës dhe organizonte shpesh ekskursione në gjirin e saj. Patri në rrethin e tij të “Shën Pjetrit”, vinte në skenë pjesë të shkurtra teatrale të adaptuara nga letërsia kombëtare dhe e huaj. Ai ishte njëkohësisht skenarist, regjisor dhe aktor me mjeshtëri të rrallë. Patri ishte publicist i mprehtë dhe ka shkruar shumë artikuj, skica dhe poezi, te revistat “Leka”, “Hylli i Dritës” dhe në të tjera organe të shtypit të asaj kohë.
Me guximin që e karakterizonte, ai ka shkruar edhe në gazetën “Bashkimi”, gjatë viteve 1945-1946, para se të arrestohej nga diktatura komuniste, duke mbrojtur me dinjitet Kishën Katolike Shqiptare. Mbas daljes nga burgimi i parë, në fillim të viteve gjashtëdhjetë, Patri, pa u trembur nga kërcënimet e Sigurimit dhe të instruktorëve të Partisë, fillonte predikimet para besimtarëve të druajtur me fjalët: “Mos kini frikë”.
Patër Meshkalla, ishte dhe një antifashist i vendosur dhe këtë e shprehte haptazi në kohën e pushtimit italian. Grindet keq me kapelanin Italian, Patër Selca dhe për këtë, internohet në Itali. Kjo gjë shkaktoi protesta të ashpra të të rinjve katolikë shqiptar, të cilët dërguan dhe një përfaqësi në Romë, duke kërkuar lirimin e menjëhershëm të Patër Meshkallës. Autoritetet italiane, u detyruan ta lironin mbas disa muajve Patër Meshkallën, duke mos e ashpërsuar më tepër gjendjen e krijuar. Me këtë rast, poeti Mark Ndoja, i kushton një poezi Patrit, prej së cilës është marrë kjo strofë:
“Pret Shqipnija punë t’madhja prej teje!
Pra, o i Najeshëm tejet, atë Meshkalla.
Për punë t’madhja fetare e Atdheje
A tui t’pritë me dëshirat ma t’gjalla
Zgjidh, pra lundrën, vrapo, kalo detin,
Të do shqipja nën flatra, zog t’vetin”!
Kur u lirua nga burgimi i dytë, në fund të viteve shtatëdhjetë, megjithëse në moshë të thyer dhe pa asnjë të ardhur financiare, ai qëndroi i papërkulur para presioneve kërcënuese, për asgjësimin e tij fizik, nga ana e Sigurimit të Shtetit. Shumë besimtarë katolikë, shkonin fshehtas te Patër Meshkalla, si Nikodemi te Krishti dhe Patri i papërtuar, u gjendej afër në çdo vdekje dhe pagëzim. Vdes më 28 korrik 1988 dhe funerali i tij, kthehet në mënyrë krejt të pavetëdijshme, në një manifestim të heshtur proteste, kundër diktaturës komuniste.
Varri i tij u shndërrua në një vend pelegrinazhi për besimtarët katolikë. Mbas vendosjes së demokracisë, me 28 qershor 1992, Patër Meshkallës i bëhen nderimet në varrezat e Shkodrës me rastin e përurimit të banesës së fundit, ku flasin shumë klerikë dhe bashkëvuajtës të tij, në prani të qindra besimtarëve shkodranë dhe të ardhur nga Tirana. /Memorie.al