VOAL

VOAL

‘Shënjestra ka qenë shoferi, të rinjtë janë vrarë aksidentalisht’: Eksperti analizon vrasjen e nxënësve

December 8, 2021

Komentet

Kurti përsërit kërkesat ndaj Serbisë, kërkon dorëzimin e Milan Radoiçiç dhe tërheqjen e letrës nga Bërnabiç

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ripërsëriti kërkesat ndaj Serbisë për sukses në dialog, duke përmendur nënshkrimin e marrëveshjes bazike, dorëzimin e Milan Radoiçiçit dhe të grupit të tij kriminal dhe tërheqjen e letrës të ish-kryeministres Bërnabiç

Kryeministri Kurti tha se po pret që të njoftohet nga vartësi i tij, Besnik Bislimi, se çka është diskutuar në sot Bruksel.

“Duhet të presim se çka do të na njoftojë prej atje Besnik Bislimi, zëvendësi im i cili është njëkohësisht edhe kryenegociator. Për ne më e rëndësishme është siguria legale dhe mirëbesimi në bisedime që nënkupton nënshkrimin e marrëveshjes bazike me aneks të zbatimit, që nënkupton dorëzimin e Milan Radoiçiç dhe të grupit të tij kriminal dhe që nënkupton tërheqjen e asaj letrës të ish-kryeministres Bërnabiç kur para BE e 27 shteteve anëtare në Samitin e Brukselit në mesë dhjetorit të viti të kaluar tha që nuk e zbaton integritetin territorial të Kosovës. Kjo është e pa pranueshme që integriteti territorial të mos respektohet”, ka thënë Kurti. sn

E drejta e diasporës për përfaqësim përballë peshës së votuesve rezidentë në zgjedhjet e Kosovës

Pjesëmarrja e shtetasve jorezidentë në zgjedhje ka nxitur debat mes vëzhguesve, posaçërisht për shkak të rolit të tyre në formësimin e rezultatit elektoral. Por, përderisa disa kërkojnë ndryshime në sistemin aktual të votimit, disa të tjerë e cilësojnë të panevojshme sepse numri i votuesve nga diaspora vazhdon të mbetet i ulët.

Agon Maliqi, aktivist i shoqërisë civile, konsideron se është e nevojshme që Kosova të bëjë njëfarë riekuilibrimi midis të drejtave të shtetasve jorezidentë dhe të drejtave të shtetasve rezidentë, të cilët, në bazë të vështrimit të tij, duhet të kenë “peshë më të madhe” votuese për shkak se i përjetojnë drejtpërdrejt pasojat e vendimmarrjes.

Duhet të ketë njëlloj ribalancimi midis të drejtës së diasporës për përfaqësim dhe të drejtës së rezidentëve për të vendosur rreth shpenzimit të taksave të tyre dhe orientimit të shtetit apo të ardhmes së fëmijëve të tyre që kanë vendosur t’i rrisin në Kosovë. Prandaj, pesha votuese e këtyre të fundit duhet të jetë më e madhe”, deklaron ai.

Maliqi propozon një “model të përzier” që përfshin një “zonë të veçantë zgjedhore” me një numër të caktuar ulësesh në Kuvendin e Kosovës – pesë ulëse të garantuara u janë premtuar përfaqësuesve të diasporës para më shumë se një dekade, por duke qenë se kjo kërkon ndryshime në Kushtetutën e Kosovës, nuk është iniciuar asnjëherë.

Megjithatë, ai thekson nevojën që të ketë kritere në përcaktimin e kësaj njësie zgjedhore, veçanërisht për qytetarët me shtetësi të dyfishtë që nuk kanë banuar në Kosovë për mbi pesë vjet.

“Kjo nuk nënkupton humbjen e të drejtës për të votuar; kushdo që kthehet në Kosovë si rezident, automatikisht rikthehet në listën e votuesve”.

Në kuadër të rutinës përgatitore për betejën e radhës zgjedhore në Kosovë, krerët e partive politike kanë shkuar përtej kufijve kombëtarë për të kërkuar mbështetje, duke qenë se rreth 600 mijë qytetarë të Kosovës jetojnë në vende të ndryshme të botës, në bazë të rezultateve të Agjencisë së Statistikave të Kosovës në korrik të këtij viti. Por, pavarësisht diasporës së gjerë kosovare, numri i votuesve nga ky grupacion shoqëror vazhdon të mbetet i ulët, vëren hulumtuesi në organizatën “Germin” që merret me çështjet e diasporës, Lirim Krasniqi, i cili potencon se votimi i diasporës është rregulluar tashmë me ndryshimet në Ligjin për Zgjedhjet e Përgjithshme.

“Ai kufizohet në shtetasit e Kosovës, pavarësisht ku jetojnë. Votimi i qytetarëve nga jashtë nuk duhet parë me frikë. Përkundrazi, siguron gjithëpërfshirje dhe është mjet për angazhim të mëtejmë të diasporës në Kosovë”, kujton Krasniqi, ndërsa analizon pjesëmarrjen e votuesve nga diaspora në zgjedhjet e fundit parlamentare.

“Nëse i analizojmë rezultatet e zgjedhjeve të kaluara, niveli më i lartë i pjesëmarrjes në votime nga diaspora nuk e kalon 7 për qind të totalit të votave të përgjithshme. Në të gjitha vitet tjera kjo shifër është nën 5 për qind. Nga ky fakt mund te konkludojmë se nuk bëhet fjalë për ndikim të lartë të votave nga diaspora në rezultatin zgjedhor”.sn

Elbert Krasniqi: Të gjitha strukturat paralele serbe në Kosovë do të mbyllen

Ministri i Administrimit të Pushtetit Lokal në Kosovë, Elbert Krasniqi, ka thënë se të gjitha strukturat paralele serbe në Kosovë do të mbyllen. Ai tha se të njëjtat janë antiligjore dhe antikushtetuese dhe si të tilla nuk do të gjejnë vend në asnjë pjesë të territorit të Kosovës.

Krasniqi në konferencën për medie pas mbledhjes së qeverisë, theksoi se Qeveria e Kosovës është e gatshme për hapjen e urës së Ibrit, mirëpo po presin edhe aleatët ndërkombëtarë që të jenë gati, shkruan KosovaPress.

Sipas ministrit Krasniqi, s’ka asnjë arsye që ura të vazhdojë të jetë e mbyllur, pasi situata është e qetë në veri dhe hapja e urës së Ibrit nuk do të ndikonte në ngritjen e tensioneve.

Ministri i MAPL-së u pyet edhe për kërkesën e ShBA-së për dërgimin në Kushtetuese të draft-statutit të Asociacionit të komunave me shumicë serbe, mirëpo tha se s’ka një përgjigje të re, për siç tha pyetje që janë të vjetra.

Asociacioni pritet t’i mbetet detyrë kryeministrit të ardhshëm

Pamje nga Mitrovica e Veriut.

 

Sandra Cvetkoviq

Analisti politik nga Prishtina, Artan Muhaxhiri, nuk e përjashton mundësinë që kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, është duke i pritur qëllimisht zgjedhjet parlamentare – të planifikuara për 9 shkurt të vitit të ardhshëm – për ta dërguar draft-statutin për themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë për shqyrtim në Gjykatën Kushtetuese të vendit.

“Kombinimet e reja pragmatike të autoriteteve mund të ofrojnë opsione për zgjidhje të suksesshme”, thotë ai për Radion Evropa e Lirë.

Por, shton se Kurti nuk do të mund ta shmangë këtë çështje pafundësisht, nëse i fiton zgjedhjet e ardhshme, sepse trysnia e bashkësisë ndërkombëtare do të jetë më e fortë.

Ai pret që, në muajt e ardhshëm, Kurti ta intensifikojë diskursin e tij kundër Asociacionit, “duke shpresuar të ketë një efekt pozitiv zgjedhor populist”.

Në fillim të kësaj jave, më 21 tetor, u bë një vit prej se përfaqësuesit e Pesëshes së Madhe – Bashkimi Evropian, Shtetet e Bashkuara, Franca, Gjermania dhe Italia – u prezantuan Kosovës dhe Serbisë draft-statutin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe, i cili duhet ta zgjidhë çështjen e pozitës së komunitetit serb në Kosovë dhe t’i mbrojë të drejtat e tyre.

Në atë kohë, BE-ja tha se është një “model modern” për mbrojtjen e komuniteteve pakicë dhe dokumenti u pranua në parim nga kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq.

Por, kryeministri Kurti refuzoi ta bënte hapin e parë drejt krijimit të Asociacionit, përkatësisht ta dërgonte draft-statutin për shqyrtim në Gjykatën Kushtetuese, edhe pse bashkësia ndërkombëtare ia kërkoi gjatë gjithë vitit.

Herën e fundit, një thirrje të tillë e bëri ndihmësi i sekretarit amerikan të Shtetit për Evropën dhe Azinë, James O’Brien, gjatë qëndrimit të tij në Prishtinë më 21 tetor.

Radio Evropa e Lirë pyeti Qeverinë e Kosovës nëse është duke e konsideruar dërgimin e draft-statutit në Gjykatën Kushtetuese përpara zgjedhjeve të 9 shkurtit të vitit të ardhshëm, por nuk mori përgjigje.

Duke folur për Radion Evropa e Lirë, politologu serb, Ognjen Gogiq, thotë se nga Qeveria e Kurtit nuk mund të pritet ndonjë hap drejt krijimit të Asociacionit përpara zgjedhjeve, por as pas tyre, nëse ato i fiton partia e tij, Lëvizja Vetëvendosje.

Si argument për këtë, ai kujton se, në maj të këtij viti, Qeveria e Kurtit refuzoi ta dërgonte draft-statutin për shqyrtim në Gjykatën Kushtetuese, edhe pse një gjë e tillë ishte kusht për pranimin e Kosovës në Këshillin e Evropës.

“Kosova, me vetëdije, zgjodhi të mbetet pa u anëtarësuar në Këshillin e Evropës. Nuk është reale që ai ta dërgojë draftin për shqyrtim tani kur nuk ka asgjë para vetes”, thotë Gogiq.

Franca dhe Gjermania kërkuan nga Kosova që të ndërmarrë hapa drejt formimit të Asociacionit të komunave me shumicë serbe, menjëherë pasi Asambleja Parlamentare e Këshillit të Evropës miratoi në prill rekomandimin që Kosova të pranohej në këtë organizatë.

Kurti, megjithatë, e refuzoi një gjë të tillë, me arsyetimin se normalizimi i marrëdhënieve me Serbinë diskutohet në Bruksel, e jo në Strasburg – ku e ka selinë Këshilli i Evropës.

A mund ta bindë Perëndimi Kurtin që ta formojë Asociacionin?

Muhaxhiri, profesor në Universitetin e Prishtinës, thotë se Kurti është i vetëdijshëm se nuk do të ketë marrëdhënie të mira me SHBA-në dhe BE-në, pa e trajtuar në mënyrë konstruktive këtë temë.

Sipas tij, ai nuk mund t’i humbasë pafundësisht mundësitë e rëndësishme për përparimin e Kosovës drejt integrimeve evropiane.

“Në këtë kontekst, obligimi kryesor i kryeministrit të ardhshëm të Kosovës do të jetë që të punojë në një plan të detajuar, të bazuar në realitet, në progres të madh ndërkombëtar të Kosovës dhe në shanse më të mëdha për pranim të përgjithshëm nga të gjithë aktorët. Gjithçka tjetër do të thotë vazhdim i status quo-së aktuale negative”, thotë Muhaxhiri.

Gogiq nga Beogradi kujton se Kurti vazhdimisht e kushtëzon formimin e Asociacionit me zbatimin e marrëveshjeve të tjera, që janë arritur në kuadër të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë, dhe thotë se ai do të ndërmerrte hapa konkretë vetëm nëse Serbia do ta pranonte njohjen e pavarësisë së Kosovës – de jure ose de facto.

“Autoritetet në Prishtinë e refuzojnë Asociacionin si të tillë, por janë të gatshme ta konsiderojnë atë në këmbim të ndonjë lloj njohjeje nga Serbia, të cilën Serbia nuk është e gatshme ta ofrojë”, thotë Gogiq.

Sa është i rëndësishëm Asociacioni për Perëndimin?

Gogiq beson se edhe pas zgjedhjeve parlamentare, Kosova do të vazhdojë t’i shmanget detyrimit për formimin e Asociacionit, sepse, siç thotë, shtetet perëndimore nuk janë të interesuara t’i vendosin Kosovës kushte më serioze për këtë çështje.

Sipas tij, vendet perëndimore e mbështesin formimin e Asociacionit, por jo me çdo kusht.

Megjithatë, shton se, në periudhën e fundit, ka interesim më të madh për të arritur një marrëveshje përfundimtare për normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë dhe se Asociacioni është një shtyllë e pashmangshme e këtij procesi.

“Është e qartë se kryeministri Kurti nuk ka ende një zgjidhje kreative për të kapërcyer hendekun e madh midis refuzimit absolut të Asociacionit – derisa ka qenë në opozitë – dhe presionit të ashpër për pranimin e tij – tani që është në pushtet”, thotë Muhaxhiri.

Ambasadori i Britanisë së Madhe në Kosovë, Jonathan Hargreaves, tha në një intervistë për televizionin kosovar, Klan Kosova, më 22 tetor, se dërgimi i draft-statutit të Asociacionit për shqyrtim në Gjykatën Kushtetuese do të mundësonte përparimin e Kosovës drejt anëtarësimit në Këshill të Evropës.

Në fillim të tetorit, ambasadori gjerman në Kosovë, Jorn Rohde, tha se Kosovës nuk i kërkohet të marrë vendim përfundimtar për formimin e Asociacionit, por se për të siguruar mbështetje për anëtarësimin në Këshill të Evropës, i mjafton ta dërgojë draft-statutin në Gjykatën Kushtetuese për shqyrtim.

Drejtori i Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviq, tha se një deklaratë e tillë e bën të pakuptimtë dialogun dhe marrëveshjet e arritura në Bruksel.

Zyrtarët e lartë në Serbi e përshkruajnë Asociacionin si “mekanizmin e vetëm për mbijetesën e popullit serb në Kosovë”.

Kosova dhe Serbia ranë dakord për formimin e tij në vitin 2013, ndërsa më 2015 u pajtuan për parimet mbi bazën e të cilave do të duhej të themelohej.

Gjykata Kushtetuese e Kosovës konstatoi po atë vit se këto parime nuk janë plotësisht në përputhje me ligjet e Kosovës, por se ato mund të harmonizohen.

Ndërkohë, vitin e kaluar, Kosova dhe Serbia e pranuan Marrëveshjen drejt normalizimit të marrëdhënieve, një nga pikat e së cilës kërkon që komunitetit serb në Kosovë t’i ofrohet një nivel i caktuar i vetëmenaxhimit, përkatësisht Asociacioni.

Radio Evropa e Lirë

Përgatiti: Valona Tela

Kurti: Kosova do të blejë objekte për ambasada në pesë shtete kyçe

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha se shteti do të blejë objekte të ambasadave në pesë shtete të ndryshme të botës.

Gjatë mbledhjes së Qeverisë së Kosovës, Kurti tha se ka nisur procesi i blerjes së objekteve të ambasadave të Kosovës në Itali, Turqi, Francë, Gjermani dhe Kanada.

“Dje përuruam objektin e ri të Konsullatës tonë në Strasburg, që tashmë është pronë e shtetit dhe shtëpi e përhershme e Republikë sonë”, tha Kurti.

“Pra, po vazhdojmë me blerjen e objekteve të ambasadave tona në shtetet kyçe për shërbimin tonë diplomatik, shtoi ai.

Deri më tani, përveç objektit të Konsullatës në Strasburg të Francës, Kosova ka blerë edhe objektet e ambasadave në Shtetet e Bashkuara, Mbretëri të Bashkuar, Kroaci dhe Senegal.

Kosova ka gjithsej 42 misione diplomatike në mbarë botën, përfshirë ambasada dhe konsullata. Këtu po ashtu përfshihet edhe Zyra Ndërlidhëse në Serbi dhe Zyra për Interesa Ekonomike në Greqi.

Sipas ueb-faqes të Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Diasporës, pavarësinë e Kosovës e njohin më shumë se 110 shtete, ndër të cilat shumica nga Bashkimi Evropian si dhe SHBA-ja.

USAID-i shënon 25-vjetorin e ekzistencës në Kosovë

Ambasadori amerikan, Jeffrey Hovenier në ceremoninë e 22 tetorit.

 

Drejtoresha e degës së Agjencisë së Shteteve të Bashkuara për Zhvillim Ndërkombëtar (USAID) në Kosovë, Mary Eileen Devitt, ka thënë të martën se prej vitit 1999, kjo agjenci amerikane ka investuar më shumë se 1 miliard dollarë në zhvillimin e Kosovës.

Ajo i ka bërë këto deklarata në ceremoninë e shënimit të 25-vjetorit të ekzistencës së USAID-it në Kosovë, duke përmendur se USAID-i ka ndihmuar në rindërtimin e shumë institucioneve dhe infrastrukturës së shkatërruar gjatë luftës së fundit në Kosovë.

Sipas saj, në 25 vjetët e fundit, Kosova është bërë vend modern, dhe i cili duhet të qëndrojë konsistent me vlerat e veta, në ndërtimin e një shoqërie demokratike multietnike.

Ambasadori amerikan në Kosovë, Jeffrey Hovenier, ka thënë se vendi i tij është krenar për gjithçka që ka arritur Kosova në periudhën e pasluftës, edhe pse në vitin 1999 nuk kishte shumë optimizëm.

“Ne nuk kemi mundur, dhe nuk kemi dashur që populli i Kosovës të mbetet vetëm. USAID-i ishte një domosdoshmëri në atë kohë, për të ndihmuar popullin e Kosovës që të shërohet nga ngjarjet e luftës dhe të fillojë të shikojë drejt një të ardhmeje më të mirë dhe më të ndritshme”, ka thënë ai.

Megjithatë, ai e ka përmendur që krahas zhvillimit aktual, vendi ka nevojë për zhvillim të vazhdueshëm.

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, e ka nisur një video-mesazh, duke thënë se SHBA-ja ka investuar në ëndrrën e qytetarëve të Kosovës, në liri dhe përparim.

“Na u dha një dorë gjatë regjimit të [liderit serb, Sllobodan] Millosheviqit, një dorë ndihme nga SHBA-ja, me mesazhin ‘nuk do të jeni vetëm’. Tullë mbi tullë, shkollë më shkollë, projekt pas projekti, ju na ndihmuat të ndërtonim një të ardhme më të mirë”, ka thënë ajo.

Edhe ajo e ka përmendur nevojën që Kosova të vazhdojë rrugën drejt një të ardhmeje më të mirë.

“Nuk ia dalim dot vetëm, ne kemi nevojë për një mik dhe një partner, dhe SHBA-ja është ajo”.

Në 25 vjetët e fundit, programet e USAID-it janë fokusuar në luftën kundër korrupsionit, sundimin e ligjit dhe qeverisjen e mirë, luftën kundër dezinformimit dhe avokimin e mediave të pavarura, forcimin e shoqërisë civile dhe demokracisë, zhvillimin ekonomik dhe tërheqjen e investimeve të huaja.

Në gusht të këtij viti, presidentja Osmani e ka nënshkruar një grant me USAID-in, i cili ofron ndihmë shtesë për institucionet e Kosovës në vlerë prej 34.5 milionë dollarësh.

Ai grant është pjesë e marrëveshjes së arritur më parë në vlerë prej rreth 146 milionë dollarësh, që synon ofrimin e shërbimeve më të mira për qytetarët, rritjen e përgjegjësisë së institucioneve dhe menaxhimin më efikas.

Ambasadori Hovenier ka theksuar më herët se mbështetja e Qeverisë amerikane për popullin e Kosovës është më e fortë se kurrë, dhe se nuk do të ndalet përkundër disa mosmarrëveshjeve me Qeverinë e kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti.

Me mosmarrëveshje kryesisht u referohet hapave të ndërmarrë nga Qeveria që kanë ndikim në komunitetin serb në Kosovë, si heqja nga përdorimi e dinarit serb, shpronësimi në veri të Kosovës për ndërtimin e bazave policore, mbyllja e institucioneve paralele, që funksionojnë sipas sistemit serb, e tjera.

SHBA-ja ka paralajmëruar disa herë se lëvizjet e “pakoordinuara” të Qeverisë së Kurtit mund të ndikojnë negativisht në cilësinë e partneritetit mes dy vendeve. REL

Marrëveshja e emigrantëve mes Shqipërisë dhe Italisë, Kurti shpreh shqetësim për respektimin e të drejtave të njeriut

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, është shprehur se nuk e konsideron zgjidhje përsëritjen e marrëveshjes për emigrantët mes Italisë dhe Shqipërisë në Ballkan, në mënyrë që të luftohet emigracioni i paligjshëm.

Në një intervistë për Euractiv, kryeministri i Kosovës pohon se kjo mund të ngrejë shqetësime për të drejtat e njeriut.

“Nëse qendra riatdhesimi të ngjashme me ato në Shqipëri mund të ndërtohen në vende të tjera të Ballkanit Perëndimor, si mund të sigurojmë që të respektohen të drejtat e individëve të burgosur? , tha ai, duke shtuar se qendra të tilla do të rëndojnë ndërgjegjen e qytetarëve të Ballkanit dhe atyre të Bashkimit Evropian.

Kurti pranon se nëse e dikton një situatë emergjente, mund të konsiderohet edhe pranim i përkohshëm i emigrantëve.

“Këtu po flasim për qenie njerëzore, të cilët duhet të trajtohen me kujdes”, u shpreh Kurti.

Artikulli kujton se si pas tërheqjes së SHBA-së nga Afganistani dhe rënies së Kabulit nga talebanët në gusht 2021, Kosova – si Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut – priti disa qindra afganë të evakuuar nga ushtria amerikane, duke i strehuar në bazat e NATO-s.

Presidentja e Komisionit Europian, Ursula von Der Leyen, pak ditë më parë la të kuptohej se e sheh si shembull suksesi marrëveshjen mes Shqipërisë dhe Italisë, madje në një letër dërguar krerëve të vendeve anëtare u bën thirrje për ta përdorur atë si model për zgjidhjen e krizave të shkaktuara nga fluksi i emigrantëve të paligjshëm.

Interesim të veçantë për marrëveshjen në shtator shfaqi edhe kryeministri britanik Keir Starmer, i cili gjatë takimit me homologen italiane, Giorgia Meloni, tha se marrëveshja që do të shqyrtojë disa nga kërkesat për azil të emigrantëve të shpëtuar në det duke u përpjekur të arrijnë në tokë italiane. ka marrë vëmendjen e Londrës zyrtare, e cila do të presë të shohë rezultatet e saj. bw

Dorëzimi i Radoiçiqit dhe dialogu Kosovë-Serbi, ndër temat e diskutimit mes O’Brienit dhe Kurtit

Pamje nga takimi mes ndihmëssekretarit amerikan të Shtetit për Evropën dhe Euroazinë, James O’Brien dhe kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, më 21 tetor në Prishtinë.

 

Raportet e Kosovës me Serbinë, përparimi në dialogun mes dy vendeve, dhe nevoja për dorëzim të Millan Radoçiqit në Kosovë, kanë qenë disa prej çështjeve që kanë diskutuar ndihmëssekretari amerikan i Shtetit për Evropën dhe Euroazinë, James O’Brien, me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, të hënën në Prishtinë, sipas Qeverisë së Kosovës.

Në një komunikatë të lëshuar për media, Qeveria e ka përmendur nevojën e nënshkrimit të Marrëveshjes Bazë, të arritur mes Kosovës dhe Serbisë një vit më parë, në mënyrë që ajo të respektohet dhe zbatohet.

Marrëveshja për normalizim marrëdhëniesh është arritur mes dy vendeve në shkurt të 2023-ës në Bruksel, dhe më pas palët janë pajtuar për një aneks në Ohër të Maqedonisë së Veriut, por nuk është bërë drejtim drejt zbatimit.

Sa i përket ekstradimit të Radoiçiqit, Qeveria ka vlerësuar se dorëzimi i tij i shërben ligjshmërisë, drejtësisë, paqes dhe sigurisë.

Radoiçiq e ka marrë përgjegjësinë për organizim dhe kryerje të sulmit në Banjskë të Zveçanit, në shtator të vitit të kaluar, në të cilin është vrarë rreshteri, Afrim Bunjaku.

Në shkëmbim e sipër të zjarrit janë vrarë edhe tre sulmues serbë.

Kosova e fajëson shtetin serb për organizim të sulmit, por Beogradi zyrtar mohon gjithçka.

Autoritetet drejtësisë kanë ngritur aktakuzë për këtë rast kundër Radoiçiqit dhe dhjetëra personave tjerë, tre prej të cilëve janë të arrestuar në Kosovë.

Radoiçiq dhe të tjerët besohet se janë të lirë në Serbi.

O’Brien: Zbatimi i Marrëveshjes Bazë është rruga përpara

O’Brien ka thënë se Qeveria e Kosovës duhet të zhvillojë më shumë diskutime para se të marrë një vendim dhe se për këtë arsye lindin, me raste, mospajtimet mes Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara.

Në një intervistë për televizionin lokal, Kanal 10, O’Brien ka thënë se Kosova duhet të shfrytëzojë tregun e përbashkët rajonal, dhe mundësitë tjera që ka përpara, për t’u zhvilluar sa më shumë në të mirë të qytetarëve.

Sipas tij, rruga përpara për Kosovën dhe Serbinë, drejt integrimeve evropiane, është vetëm duke zbatuar Marrëveshjen Bazë, të arritur mes vendeve vitin e kaluar.

I pyetur nëse vendet do të sanksionohen nga SHBA-ja për moszbatim të Marrëveshjes, ai ka thënë se sanksioni kryesor për to është që humbin mundësi të mëdha për qytetarët e tyre nga moszbatimi.

Në linjë me zbatim të Marrëveshjes Bazë, O’Brien ka thënë se është edhe çështja e dërgimit të draftit të Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Gjykatën Kushtetuese të Kosovës.

Zyrtari amerikan ka thënë se qytetarëve duhet t’iu sqarohet se Asociacioni është vetëm një platformë që komunat të shkëmbejnë përvoja, që në Evropë ekzistojnë rreth 400 asociacione të tilla, dhe që në rastin e Kosovës nuk nënkupton një nivel të ri të qeverisjes.

Që nga viti 2013, Kosova dhe Serbia janë pajtuar për themelimin e Asociacionit. Më 2015, është arritur edhe Marrëveshja mbi parimet për themelimin e këtij asociacioni. Por, marrëveshjet nuk janë zbatuar kurrë. Kosova ka shprehur drojën se një asociacion i tillë njëetnik mund të ndikojë në funksionimin e shtetit.

Lidhur me sulmin në Banjskë, O’Brien ka thënë pret që Radoiçiq të ndihet penalisht, dhe që SHBA-ja vëren se Serbia ka ndërmarre veprime për të parandaluar akte të dhunës, në periudhën pas sulmit.

Një ditë më parë, në Beograd O’Brien është takuar me presidentin serb, Aleksandar Vuçiq.

Pas këtij takimi, lideri serb ka thënë se takimi me zyrtarin amerikan është fokusuar në “zgjidhjen politike në rajon, në situatën aktuale në Kosovë dhe forcimin e bashkëpunimit në shumë fusha”. REL

Kurti publikon marrëveshjet e nënshkruara: Kosova anëtare proaktive në Procesin e Berlinit

Kryeministri Albin Kurti, ka publikuar pesë marrëveshjet e nënshkruara në samitin e dhjetë të Procesit të Berlinit, i cili u mbajt të hënën e kaluar.

Në një postim në rrjetin social X, Kurti ka shkruar se Procesi i Berlinit, për një dekadë e ka afruar rajonin me Bashkimin Evropian dhe e ka çuar përpara në rrugën drejt integrimit.

“Kosova ka qenë dhe do të jetë një anëtare proaktive dhe prijëse në Procesin e Berlinit, duke avokuar për përparim më të madh me rregullat dhe vlerat e Bashkimit Evropian në thelb të tij”, ka shkruar Kurti.

Marrëveshja për qasje në arsimin e lartë dhe pranim për studime në Ballkanin Perëndimor, Deklarata e gjashtë liderëve të Ballkanit Perëndimor për tregun e përbashkët rajonal 2025-2028, Deklarata për rikonfirmimin e marrëdhënieve të fqinjësisë së mirë dhe bashkëpunimit rajonal, Deklarata mbi standardet rajonale të ekzaminimit të IHD-ve të gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor dhe Deklarata mbi aksesin dhe bashkëpunimin në infrastrukturën e kërkimit dhe inovacionit, janë marrëveshjet që i ka listuar Kurti. sn

Shukri Buja thotë se është ftuar “pa dëshirën” e tij nga Specialja në Hagë

Ish-kryetari i Lipjanit, Shukri Buja, njoftoi të dielën se ka udhëtuar për në Holandë për t’u paraqitur “pa dëshirën” e tij para Dhomave të Specializuara të Kosovës në Hagë.

“Me ftesë nga Dhomat e Specializuara të Kosovës me seli në Hagë, sot pa dëshirën time, me ftesë të detyruar të paraqitjes, udhëtova për në Hagë”, shkroi Buja në Facebook.

Buja, ish-pjesëtar i Ushtrisë së atëhershme Çlirimtare të Kosovës (UÇK), nuk tregoi se në çfarë cilësie u thirr nga Gjykata Speciale.

“UÇK ishte e shenjtë, ishte kundër pushtuesit, falë luftës së saj të armatosur dhe falë përkrahjes së aleateve në veçanti nga SHBA-të ne e gëzojmë lirinë sot. Lufta çlirimtare solli lirinë dhe pavarësinë që shumë po e gëzojnë sot, ndërsa bijtë më të mirë të këtij vendi u akuzuan dhe po mbahen padrejtësisht në burg”, shkroi ai.

Kjo nuk është hera e parë që Buja thirret për t’u paraqitur para Gjykatës Speciale në Hagë – e cila funksionon sipas ligjeve të Kosovës – pasi në korrik të vitit 2019 ai ishte intervistuar si i dyshuar.

Shukri Buja përmendet në aktakuzën e ndryshuar më 2022 të Dhomave të Specializuara të Kosovës në rastin kundër katër ish-krerëve të UÇK-së, ish-presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ish-kryeparlamentarët Kadri Veseli, dhe Jakup Krasniqi, dhe ish-deputeti Rexhep Selimi, të dyshuar për krime lufte gjatë viteve 1998-200.

Aktakuza pretendon se Shukri Buja ka qenë pjesë e “ndërmarrjes së përbashkët kriminale” sikurse “Azem Syla, Lahi Brahimaj, Fatmir Limaj, Sylejman Selimi, Rrustem Mustafa, Latif Gashi dhe udhëheqës të tjerë politikë dhe ushtarakë të UÇK-së”.

Në aktakuzë thuhet se Buja, ish-komandant i UÇK-së për zonën e Nerodimës, “mori pjesë së bashku me Fatmir Limajn dhe me shumë pjesëtarë të UÇK-së në arrestimin dhe mbajtjen e njerëzve në Llapushnik” mes prillit dhe korrikut të vitit 1998.

Ndërkohë, në Dhomat e Specializuara është duke u zhvilluar rasti gjyqësor kundër ish-krerëve të UÇK-së – Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi – të cilët akuzohen për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.

Të gjithë janë deklaruar si të pafajshëm.

Deri tani Dhomat e Specializuara kanë shqiptuar dënim për pengim të drejtësisë ndaj ish-krerëve të Organizatës së Veteranëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Nasim Haradinaj dhe Hysni Gucati, të cilët vitin e kaluar u liruan me kusht.

Dhomat e Specializuara dhe Zyra e Prokurorit të Specializuar hetojnë krimet e pretenduara të pjesëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të kryera kundër pakicave etnike dhe rivalëve politikë që nga janari i vitit 1998 deri në dhjetor të vitit 2000. REL

Osmani: Nuk do të ndalet lufta për drejtësi për viktimat e dhunës seksuale

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, është zotuar se nuk do të ndalet lufta për drejtësi, për viktimat e dhunës seksuale gjatë luftës së fundit në Kosovë.

Numri i saktë i grave të dhunuara gjatë luftës në Kosovë nuk dihet, por përgjatë viteve të pasluftës organizata të ndryshme vendëse e ndërkombëtare kanë thënë se numri mund të arrijë deri në 20 mijë.

Osmani ka thënë të mërkurën se dhunuesit menduan që përmes dhunës seksuale mund ta çnderojnë Kosovën, por “në fakt asnjëherë nuk kanë arritur dhe nuk do të arrijnë të bëjnë një gjë të tillë”.

“Ju jeni heroinat, ju jeni krenaria dhe ju jeni vetë nderi i Kosovës”, ka thënë Osmani, duke iu drejtuar viktimave.

Ajo i ka bërë këto deklarata në konferencën ndërkombëtare mbi dhunën seksuale në konflikt, të organizuar për 25-vjetorin e Qendrës Kosovës për Rehabilitimin e të Mbijetuarve të Torturës (QKRMT).

Presidentja Osmani e ka falënderuar Qendrën për punën e bërë, dhe ka thënë se ajo ka shërbyer ndër vite si shtëpi e sigurt dhe vendstrehim për viktima të panumërta, që kanë gjetur mbështetjen dhe janë siguruar që mund të flasin para popullit të Kosovës dhe para botës, për atë që u ka ndodhur.

“Duhet të luftojmë që historia mos të përsëritet. Padrejtësitë asnjëherë nuk duhet të kalojnë në heshtje, dhe drejtësia, e dimë të gjithë, nuk arrihet, pa i mbajtur autorët përgjegjës për krimet e bëra. Fokusi ynë i përbashkët duhet të jetë të lufta për drejtësi”.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, i ka vlerësuar lart viktimat e dhunës seksuale gjatë luftës, duke thënë se përkundur traumave të pashlyeshme, “të mbijetuarat kanë treguar forcë të jashtëzakonshme për të nisur jetë të re”.

Feride Rushiti, udhëheqëse e Qendrës, e ka përmendur periudhën e pas luftës dhe vështirësitë e mëdha.

“Periudha pas luftës ka qenë shumë e vështirë. Stigma që përjetonin gratë e mbijetuara të dhunës seksuale, heshtja, turpi në familje, ishte shume e vështirë për t’u ballafaquar”, ka thënë ajo.

Vasfije Krasniqi – Goodman, gruaja e parë që ka treguar publikisht se ka qenë viktimë e dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë, ka thënë se duhet bërë më shumë për të mbijetuarat dhe ka kritikuar autoritetet e Kosovës për procedurat që kanë hartuar për të konfirmuar statusin e një viktime.

Ajo ka thënë se është e vështirë për viktimat që të dëshmojnë diçka që ka ndodhur 25 vjet më parë.

“Dikush të të thotë në fytyrë që ‘nuk je e mbijetuar’, edhe ai është një lloj përdhunimi, kur të mohohet”, ka thënë Krasniqi, e dërguar e posaçme e presidentes Osmani për të adresuar çështjet e dhunës seksuale gjatë luftës.

Pjesë e konferencës ka qenë edhe, Denis Mukwege, laureat i Çmimit Nobel për Paqe.

Edhe ai ka thënë se duhet të ndalet mospranimi dhe përjashtimi i viktimave të dhunës seksuale prej shoqërisë, pasi diçka e tillë ritraumatizon viktimat.

“Viktimat nuk janë kurrë fajtore për krimet që kanë përjetuar” ka thënë Mukwege.

Ai i ka bërë thirrje shtetit të Kosovës që të përkujdeset për këtë kategori të personave, t’iu ofrojë mbrojtjen që dikur nuk ka mundur t’ua ofrojë, dhe që aty të përfshihet e drejta për drejtësi, për të vërtetën, dëmshpërblimet dhe garancitë për mospërsëritje të rasteve.

Marrja e statusit u siguron përfituesve një pension prej 230 eurosh në muaj dhe disa përfitime, si: lirimi nga tatimi në pronë, përparësi në punësim, shërbime shëndetësore, etj.

Në shenjë mbështetjeje për të mbijetuarit, Kosova ka shpallur 14 prillin si Ditë kombëtare të të mbijetuarve të dhunës seksuale nga koha e luftës.

Por, sipas të dhënave nga nëntori i vitit të kaluar, vetëm gati 2.000 persona kanë aplikuar për ta marrë statusin e personit të dhunuar gjatë luftës në Kosovë. Prej tyre, statusi u është aprovuar rreth 1.600 personave.

Verifikimi i dëshmive të personave që duan ta marrin këtë status – gjatë periudhës nga 27 shkurti i vitit 1998 e deri më 20 qershor të vitit 1999 – bëhet nga Komisioni qeveritar për njohjen dhe verifikimin e statusit të personave të dhunuar gjatë luftës në Kosovë.

Fillimisht, aplikuesve u kërkohet ta plotësojnë një formular dhe të grumbullojnë disa dokumente: raport mjekësor, raport psikologjik, raport juridik, deklaratë e dëshmitarit, fotografi që dëshmojnë lëndimet trupore, artikuj të gazetave…

Në rast se Komisioni dëshiron sqarime shtesë për aprovimin e kërkesës, atëherë aplikuesit i kërkohet të paraqitet personalisht para Komisionit.REL

Kurti: Republika Serbe është shndërruar në një Bjellorusi të vogël në Ballkan

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti pas përfundimit të Samitit të Procesit të Berlinit në një deklaratë për media ka folur për çështjet e arritura në këtë samit, teksa ka folur sërish rreth pamundësisë së lëvizjes së lirë ndërmjet qytetarëve të Kosovës dhe Bosnjë Hercegovinës.

Ai ka thënë se shteti boshnjak, për shkak të Republikës Serbe, është shndërruar në Bjellorusi të vogël në Ballkan.

“Ne e kemi liberalizimin e vizave në Kosovë nga 1 janari dhe ndodhemi në një situatë paradoksale që nëse unë me pasaportë diplomatike të Kosovës nëse dua të shkoj në Sarajevë më duhet të shkoj në Shkup të marr vizë disaditore dhe kjo është një absurditet i mundimshëm.Andaj në kushtet kur ne e kemi ratifikuar të parët marrëveshjen për lëvizje të lirë me karta identiteti dhe kur kjo gjë nuk është bërë në Parlamentin e Bosnjë dhe Hercegovinës unë kam ofruar që nga 1 janari qytetarët e Bosnjës të vijnë në Kosovë me karta identiteti ndonëse ata nuk do të mund të bëjnë të njëjtën gjë për shkak të Republikës Serbe atje, e cila është shndërruar në Bjellorusi të vogël në Ballkanin tonë Perëndimor”, u shpreh Kurti.

Kryeministri shtoi se ndërsa kroatët e Bosnjës kanë pasaporta kroate, serbët kanë ato të Serbisë, boshnjakët janë ata që ndëshkohen më së shumti dhe nuk është në rregull që edhe më tutje Prishtina e Sarajeva të mos mund të udhëtojnë lirshëm.

“Nëse ndërkohë nuk bëhen ratifikimi në Parlamentin e Bosnjë dhe Hercegovinës qytetarët e Bosnjës me karta identiteti do të kujdesimi që me vendim të Republikës së Kosovës të mund të vijnë lirshëm”, tha ai. sn


Send this to a friend