“Njeriu është e vetmja krijesë, që refuzon të jetë ai që është”.
Albert Kamy.
Kurthi i ëndrrës…
Kur mora dorëshkrimin e këtij libri – të them të drejtën – isha skeptik dhe i pavendosur; jo thjesht për arsye tematike, por ndoshta për shkak të idesë sime të fiksuar prej kohësh, që të mos shprehem për libra të shkruar kryesisht nga persona të besimit, ndihesha objektivisht i pa aftë të jap konsideratën e duhur.
Librin nuk munda ta refuzoj, kisha një histori të gjatë njohje dhe respekti me autorin, biles që në fillim nuk e quajta libër, mendoja të ishte thjeshtë një përsiatje filozofike, një traktat i mendimeve duale, mes besimit dhe të panjohurës, një prirje e dukshme e kohëve të fundit, që të shkruajmë shumëçka rreth vehtes dhe fenomeneve njerëzore të ditëve jo fort’ të zakonshme që kalojmë.
Kur e fillova leximin, kisha ndjesinë se po lexoja kujtime të trishta, faqet e një ditari të vjetër, të harruar qëllimisht në kohë, të pa censuruar në gjykime, spontan dhe të guximshëm, ku zbuloja çast pas çasti dhëmbjen e mbijetesës njerëzore dhe intelektuale, kah triumfi i të qenurit dhe sfidës së fatit, ngërthyer me nota të thella dhe të rënda nostalgjie dhe krenarie, fshehur pas një rrëfimi magjepës, që ndonjë moment më ngatërronte me stilin e një shkrimtari të njohur të realizmit magjik.
Libri nis me endrrën, funksionin e saj – jo thjesht estetik tek njeriu – por si provë e mënyrës sesi jeton dhe vlerësohet ai, në ç’farë stadi qëndron raporti i realitetit me mendimin, ecja me fluturimin, qenia me thelbin dhe formën, e shkuara me të ardhmen, subkoshienca jonë me natyrën dhe ritmin e saj të pandalshëm të ndryshimit…
Vetë autori e shpall kredon e kësaj lidhje – apo të këtij raporti – kur shprehet: Edhe i vogël më kanë munduar andrrat, bile edhe sonte kam pa andrra nga ato me sy hapur. Andrra është burim i jetëgjatësisë së popullit tim. Pastaj e lidh endrrën aq natyrshëm me familjen, me brezat, përshkruan ngjarjet e jetës së vet me një fill të padukshëm si prej andrre dhe pret ta kuptojnë – ose më mirë të them – ta mirëkuptojnë udhëtimin e tij në stacionet e ndryshme të jetës.
Dhe bash këtu, zhytem në ritmin e rrëfimit dhe në mënyrë figurative mbes’ në kurthin e kësaj andrre të gjatë, që si filozofi ndërton hap pas hapi kuptimin dhe motivimin e ngritjes së librit, përmbi theqafjet individuale filozofike dhe dyshimet tona të përjetimit shpirtëror, që jo pak na kaplojnë ditënetëve tona.
Veçanërisht, më intrigon kushtimi i librit, si një gjurmë krenarie dhe amaneti ndaj prindërve të vet, që kurrë nuk arritën të njohin, shohin dhe provojnë fatin e të birit, identitetin e tij kulturor, formimin intelektual – dhe ç’ka është më kryesorja, pavarësisht varfërisë dhe kufizimeve të tjera të kohës – respektin dhe përkushtimin ndaj veprës së tyre si prindër.
Modestisht i shkoj deri në fund leximit, ndikoj në konturimin tematik dhe letrar, me besimin se duke e lexuar këtë libër përjetojmë fatin e një njeriu, përpjekjen e tij aspak të lehtë të realizimit të vetvetes, të një karakteri të fortë, të sundimit të parimeve të besimit shpirtëror mbi devijancat dhe prapaskenat, të paraqitjes së qartë të nismës së prirjes individuale – si identitet përcaktues në mesin e shoqërisë.
Në fund të fundit, të gjithë kemi të drejtë të rrëfehemi shpirtërisht, të dialogojmë më mirë përmes shkrimit, sesa nga biseda të gjata dhe monotone, ku shpesh nuk e kuptojmë njëri – tjetrin ose nuk e përfillim trendin apo gjetjen e tij jetësore, të mbërthyer nga egoizmi provincial dhe gjykimi i mangët, mbështetur në biografi dhe histori të dala boje të së kaluarës…
Njeriu – si qenie, ndryshon çdo çast dhe s’mund të jetë kurrësesi si çaku i fiksuar i një shiriti filmi, pamja dhe thelbi i brendshëm të afrojnë gjykime të ndryshme në kohë, ateisti i thekshëm, befas është shndrruar në njeriun ekzigjent të lutjeve; papritur, besimtari i zhgënjyer skajohet diku dhe s’shprehet si dikur, ai – njeriu i zakonshëm, që ke njohur dikur, ndoshta tash është një filozof apo shkrimtar…
Kjo është më e veçanta e qenies njerëzore, asaj aktive, të shkëputur nga apatia, dhimbja e kahershme e një sëmundje, nga fati i trishtë, të hedhur kah përpjekja për t’i kërkuar gjithçka të mundshme të mirë jetës në çdo moment. Duke besuar, duke kërkuar modestisht brenda fjalës, besimit dhe mendimit të ditës, duke dashur të dialogojnë ndryshe me të tjerët.
Sikurse në këtë rast, Hasan Selimi…
Në këtë libër ka shumçka, përsiatje, ligjërime, dilema shpirtërore, sugjerime dhe debate filozofike dhe religjioze, por mbi të gjitha ka dashni, një dashni e patjetërsueshme dhe aq unike për familjen dhe prindërit e tij, për rrënjët e veta. Mjaftojnë dy tre pasazhe apo deklarime të sinqerta dashnie që çdo lexues të bindet sadopak se përtej temës apo hullive të mendimit ku të përfshin autori, me një stil të çuditshëm dhe sa tërheqës, bash kryesori dhe ajo fija lidhëse që e udhëheq në shfledimin e duhur ditor të librit është ndjenja e rrallë dhe fine e mirënjohjes për babën dhe nanën, dy qëniet e mrekullueshme, për të cilat përjetë ka vetëm adhurim dhe mirënjohje:
“Babë!
Nuk e di, a jam histori apo një tregim, ndoshta më vonë do më thonë legjendë, mit apo edhe dështim. Me thanë drejtë, kurrë nuk të kam gënjye, sakrifikova edhe ndjenjën për të qëndruar stoik i virtyteve të tua, kam kalue hidhërime dhe dëshpërime, sa më ka djeg fyti e më është mpi koka. Por, idealen e kërkimit për adresën tënde nuk e kam ndërpre kurrë.” Letër Babës Muzli Ram Selimi.
Ky dedikim, sikurse dedikimet kushtuar nanës Shutë, shkrirë si lajtmotiv shpirtëror dhe thellësisht emocional e prijnë autorin të sigurtë në prirjet e tij të pandalshme kah kërkimi impulsiv shpirtëror, skajojnë vrullin dhe energjinë e tij të furishme kah dialogu përmanent me njeriun dhe vetëm me njeriun, që nga bashkëfshatari i vendlindjes në Kasaj, Itakën e tij të vendlindjes deri tek të ngjashmit e tij të mendimit filozofik dhe reliogjoz, kudo ku janë ata, pa ndjenjë inferioriteti apo ndrydhje provinciale, fundja nga rrënjët e tij ka të garantuar dhe beson në shenjtërinë e normave morale, shpirtërore dhe kodet e besimit.
“Marrëdhënia me nanën është e përjetshme. Me nanën jam njoftë në ditë të vështërsive të mëdha. Eh nana, e kush nuk e njef nanën!…”
Nga vij, ku shkoj.
Kjo është dhe mbetet sfida e njeriut që nga origjina e njeriut, sikurse sfida dhe thellësia ku zhytet autori në kërkimin dhe përsiatjen e tij , në debatin e joshur mes tij dhe bashkëkohësve të tij shpeshherë të dyzuar mes besimit të nëpërkëmbur në kohra dhe hezitimit ndaj tij, gjithçka të tronditur nga dallgët e egra të zhvillimit ekonomik dhe teknologjik, por edhe të bjerrjes së frikshme shpirtërore të njerëzve dhe njëfarë çoroditje të përgjithshme në kapërcyell të shekullit ’21 dhe në vazhdim.
Autori nuk është njeriu i afrimit të recetave false, as kronikani i dështuar, as pesimisti i pandreqshëm, por jo dhe optimisti naiv, ai thjesht debaton seriozisht dhe me nerv, sikurse me me fakte, dokumente të një leximi dhe kerkimi intensiv, duke përcaktuar njëfarsoj pozicionin e tij aktual në momentin zhvillimor të botës, me pamjen dhe stilin tërheqës sa të një mendimtari të urtë, por edhe të ligjëruesit të thekshëm apo predikuesit bindës, me qëllimin e vetëm të qasjes së njeriut sa më pranë të vertetës fizike, por më së shumti asaj shpirtërore.
Duke i dhënë kuptim dilemës së mësipërme, jo aq drejt zgjidhjes përfundimtare sesa drejt vendosjes së njeriut si qënie aktive në limitin e tij jetësor, udhëtar i kahbotshëm dhe kërkues i qëllimit të tij dhe kontributit të domosdoshëm nga qënia deri tek shpirti, nga pakkohësia tek përjetësia, nga terri në dritën e besimit, nga vuajtja tek triumfi mbi errësirën, mbështetur kryesisht në misionin e diturisë.
Pikërisht kjo qasje i jep madhështi dhe vlerë të spikatur librit, e bën atë një traktat dinjitoz, një manual tërheqës, një guidë kërkimi të përditshëm, ndërsa autorin një institucion rreth të cilit secili prej nesh ka se çfarë të kërkojë, besojë apo të të dialogojë shpirtërisht dhe moralisht.
“Detyra e parë është të hulumtuarit për diturinë, e cila forcon dhe rrit pastërtinë shpirtërore…” theksin diku në libër Hasan Selimi.
Dhe i ka mbetur plotësisht besnik bindjes dhe kerkimit të tij interesant mbi fatin e njeriut dhe kahut të udhëtimit të tij shpirtëror dhe jo vetëm…
Lulzim Logu, Shkrimtar, Studiues