Shenasi Rama i përgjigjet Bislim Ahmetajt
Ka disa ditë që ka nisur një debat lidhur me Medaljen “Nderi i Kombit” dhënë nga Presidenti Bamir Topi që e mban në raftin e rrobave të familjes së vet, Dr. Bislim Ahmetaj, Kryetar i Grupimit “Dhjetor ‘90”. Debati mori shkas nga akti fisnik i dorëzimit të Dekoratës më të lartë që jep shteti shqiptar, Dekorata e Flamurit Kombëtar akorduar nga Presidenti i shtetit shqiptar Lëvizjes Studentore Shqiptare, 1990-1991, Muzeut Kombëtar. Studentët që e morën nga Presidenti ishin ata që e dorëzuan në Muze: Akli Fundo, Arben Sulo, Edvin Shvarc dhe Myftar Gjana. Këta ishin edhe ish-studentët që si një Komision Organizues, organizuan aktivitetet e shumta përkujtimore me rastin e 25 vjetorit të fillimit të Lëvizjes në Tiranë. Dhe akti i tyre fisnik tregon se Lëvizja i përket historisë. Tregon se nuk ka njeri që mund të mburret se ai është Lëvizja Studentore…Tregon edhe se Lëvizja nuk mund të përdoret për interesa politike të ditës dhe në shërbim të partive të caktuara. Vlerat e saj vinin nga ana më e mirë e kombit shqiptar, dhe kontributi i saj i përket të gjithë kombit shqiptar. Duke marrë shkas nga ky gjest fisnik, në një intervistë i rekomandova edhe Dr. Bislim Ahmetaj që Medaljen “Nderi i Kombit” ta dorëzojë edhe ai me shokët e tjerë në Muzeun Kombëtar, sepse nuk i takon ta mbajë ku e mban. Arsyeja është se si Dekorata e Flamurit Kombëtar edhe Medalja “Nderi i Kombit” iu takon të gjithë studentëve pjesëmarrës në Lëvizjen Studentore dhe është dhënë për kontributet e saj. Lëvizja nuk ekziston më, nuk ka një objekt që ta përkujtojë as si ngjarje historike dhe Medalja duhet të shkojë në Muzeun Kombëtar ku duhet të ruhen të gjithë reliket e tilla që duhet t’i përkasin historisë.
Për çështjen e medaljes
Në përgjigjen e tij, Dr. Bislim Ahmetaj refuzon të adresojë problemin kyç dhe thotë se medaljen presidenti Bamir Topi ia ka dhënë Grupimit “Dhjetor 90”. Tani, këtu duhet sqaruar kjo punë. Me sa kam lexuar në fjalimin e Presidentit Topi, dhe në motivacionin e Medaljes, ajo i është dhënë Lëvizjes Studentore. Për ta tërhequr e ka tërhequr Bislimi dhe Grupimi. Mirëpo, motivacioni për dekorimin më 21.12.2010, me dekret Nr. 6812 nuk lë asnjë vend për të dyshuar…“Për kontribut madhor e vetmohim të jashtëzakonshëm në vendosjen e pluralizmit dhe të demokracisë në Shqipëri, për shembjen e sistemit diktatorial e rrëzimin e simboleve të komunizmit si dhe për ruajtjen me besnikëri e përçimi0n e vlerave demokratike e atdhetare”. Problemi, pra, sqarohet lehtë. Me që është problem protokolli e logjike, sepse medalja nuk i jepet një ngjarjeje historike, apo një Lëvizjeje drejtuesit e së cilës, ndër ta edhe unë, nuk pranuan të shkojnë ta marrin. Bamir Topi duhej t’ia jepte këtë medalje dikujt dhe kështu zgjodhi Grupimin dhe Bislimin. Me ta kishte punuar në PD, historinë nuk e njihte fare, ishte një gjest dashamirës ndaj këtyre që nuk i kushtonte gjë dhe e bënte të dukej se identifikohej me Lëvizjen Studentore çka i duhej edhe për partinë që po përgatitej të formonte nën rrogoz si burim legjitimiteti dhe identifikimi. Me një spërdredhje logjike institucionale, Medalja “Nderi i Kombit” për arritjet e Lëvizjes Studentore, iu dha një grupimi me ish-studentë që përdoret thjesht si vegël politike e Sali Berishës dhe e PD-së. Tani, motivacioni e thotë qartë se medalja i jepet vetëm Lëvizjes Studentore. Nëse Bamir Topi do t’ia jepte medaljen Grupimit dhe Bislimit, motivacioni duhej të ishte ndryshe. Dhe Medalja jepet në harkun e 20-vjetorit të veprimtarisë së saj. T’ia jepte medaljen Shoqatës Studentore apo Shoqatës Studentore “Fan S. Noli” që ka luajtur rol kyç ne këto veprimtari do të ishte me kuptim. Dhe do të mund të justifikohej si dekorim, por jo si mbajtje e dekoratës.
Në lojë Sali Berisha dhe Pandeli Majko
Por, më e keqja Grupimi “Dhjetor 90” është formuar në vitin 1998 pas vrasjes së Azem Hajdarit, gjë për të cilën inspiruesi i Grupimit, dhe përdoruesi i pamëshirshëm i pjesëtarëve të tij, Sali Berisha, ishte në dijeni të plotë. Në parantezë, askush nuk ia mohon veprimtarinë dhe kontributin Grupimit që në momente kritike bëri bashkë Sali Berishën dhe Pandeli Majkon. Në Grupim ka pasur e ka djem e vajza të spikatura që meritojnë respekt për çka kanë bërë dikur, Mirëpo, dy gjëra: Një, që meritat e tyre si individë në Lëvizje nuk janë të tilla që këta të mund të mbajnë këtë Medalje e këtë përgjegjësi. Dhe e dyta, ky Grupim nuk ka asnjë tagër me marrë medalje për merita që i takojnë dikujt tjetër! Thjesht, Grupimi nuk ka ekzistuar deri më 1998. Veprimtaria e mëpastajme e Grupimit në shërbim të PD-së nuk ka asgjë të bëjë me Lëvizjen Studentore. Pluralizmi ishte vendosur, monumentet e mitet e sistemit kishin rënë, sistemi diktatorial ishte shembur etj., nja shtatë vjet më parë. Nëse disa pjesëmarrësit në Lëvizjen Studentore janë mbledhur në Grupimin “Dhjetori 90”, kjo gjë nuk ia kalon meritat e Lëvizjes Studentore Grupimit dhe Bislimit. A bën me e pyet Bislimin se kush e mban në gjoks atë medalje dhe thotë se ka qënë ai që i ka bërë ato që thuhen në motivacion??? Gjendja është njëlloj sikur një medalje që i jepet klubit të futbollit Tirana, ta marrë njëri nga lojtarët rezervë dhe ta mbajë në dhomën e gjumit dhe ta përdorë kur mblidhen në klubin e katundit. Ajo medalje e ka vendin ose në Stadium, ose në objektin ku stërviten lojtarët e skuadrës që e ka fituar.
Kush po i përvetëson medaljet
Prandaj, edhe ia sugjerova Dr. Bislimit që të dorëzojë atë Medalje siç bënë edhe shokët e vet me Dekoratën e Flamurit Kombëtar. Kjo do të na bënte nder edhe neve, sepse nuk do të shihnim keqpërdorimin e Lëvizjes Studentore. Kjo do t’i bënte nder edhe Bislimit, që do të bënte një gjest fisnik duke e ndarë veprimtarinë e Grupimit “Dhjetori 90” nga e shkuara e
Lëvizjes Studentore. Nëse Bislimi dhe Grupimi mendon se e meritojnë atë Medalje për atë motivacion që është dhënë, atëherë le të dalin e të na thonë se çfarë kanë bërë, si kanë kontribuar në këto arritje për të cilat është dhënë ajo medalje, dhe pse kanë më shumë merita se ne të tjerët. Më duhet të them se ky sugjerim i imi, pak i fortë, por shumë dashamirës, nuk ka asnjë prapavijë politike. Unë jam shumë mirënjohës për kontributin që ka dhënë gjithsecili në Lëvizjen Studentore, përfshirë këtu edhe ty, kushëririn e Azemit, por edhe shokun tim të Grevës së Urisë e më shumë. Mirëpo, nuk bën të sillemi si ata që dikur thonin se shtatë vetë kanë ngrënë një kokërr ulliri katër ditë. Çdo gjë që kemi bërë e kemi bërë bashkë, të gjithë bashkë. Prandaj, merita i takon të gjithë Lëvizjes Studentore e jo njërit e tjetrit. Kur të vijë puna të themi se kush bëri çka, them se kam më shumë për të treguar.
Në lidhje me Sigurimin e Shtetit
Në përfundim, do të thoja se nuk kemi asnjë lloj dashakeqësie me shokët tanë, as ata që kanë qënë me ne gjatë Lëvizjes Studentore, e as me ata që kanë qënë në Kamëz, Korçë, Elbasan apo Shkodër. Njëri nga studentët që u zgjodh që të nderohej prej Komisionit Organizues Për Përkujtimin e 25-vjetorit të Lëvizjes Studentore për kontributin e tij të spikatur ishte edhe vëllai i Bislimit, Arbër Ahmetaj. Ai nuk erdhi ta marrë mirënjohjen, për arsye që unë i marr me mend, por kjo nuk i heq asnjë presje respektit tonë për kontributet e shokëve dhe të shoqeve tona dhe për të vërtetën. Unë e dua Malësinë e Gjakovës dhe e dua shumë, se ka dhanë shumë për komb e Atdhe, por anën më të keqe këtë Trustin e Gështenjave të Tropojës, nuk mund e duroj se ka bërë shumë dëm. Në nivel personal, ato që ke thënë më bëjnë të qesh. Një ditë në Mars të vitit 1991, në shkallët e hyrjes së Institutit të Lartë Bujqësor, keni diskutuar dy orë bashkë se si e qysh ishin punët. Të kam folë hapur dhe besoj më ke kuptuar. Unë punoj për kombin tim e vetëm e vetëm për atë punë. Po të isha informator si shefat e tanishëm të PD-së, do të isha bërë nja 10 herë ministër me të gjithë qeveritë. Por mendoj se duke e ruajtur nderin tim, me shumë sakrifica, kam kontribuar të ruajë edhe nderin e Lëvizjes Studentore.
Për Trustin e Gështenjave
Kështu, Bislim, pa hatërmbetje, vazhdo të punosh për PD-në, sepse është e drejta e jote. Adhuroje e mbroje figurën e Azem Hajdarit, sepse është zgjidhja e jote! Asnjë problem nuk kam me besnikërinë që ke për Saliun, Trustin e Gështenjave, e me radhë. Por, të lutem me njerëzisht dorëzoje me shokët e tjerë atë Medalje në Muzeun Kombëtar, se do ndiheni njerëz më të lirë e më të mirë. Po ashtu, PD nuk ka gisht në arritjen e Grevës së Urisë, por të gjithë ne, pjesëmarrës në Lëvizjen Studentore, edhe ti, edhe unë, kemi rol. Pra, nuk ka se si PD të organizojë përkujtimin e diçkaje që ka dashur ta mbysë që pa nisur. Ejani, pra, me gjithë shokët në përkujtimin e 25-vjetorit të Grevës së Urisë që do të bëhet në Shkurt. Bëhuni pjesë e organizimit sepse kjo është vepra monumentale e jona, që pa derdhë një pikë gjaku kemi çliruar një komb nga mitet e rreme. Ajo që na ka bashkuar atëherë, është shumë më e fortë se interesat e ditës. Dikur ti je nisur me vdekë për Komb e Atdhe, tash në se nuk bën atë që duhet po e bën fytyrën shollë për një copë bukë!! Le të bashkohemi në emër të vlerave e të kontributeve të Lëvizjes Studentore, të mos hedhim poshtë njeri, dhe të mos lejojmë politikën të na përçajë. Kur të vijë puna tek fërkimet tona, të shkuara e të harruara. Unë e kuptoj se e bën prej hallit, se nuk ke zgjidhje tjetër dhe më vjen keq! Kur të vijë puna tek kombi, të shkuara e të paharruara sepse ashtu iu bëhet keq të gjithë shqiptarëve.
Komentet