Një urë e madhe në qytetin lindor amerikan, Baltimor, u shemb të martën pasi një anije mallrash u përplas me të. Ekipet e shpëtimit janë vënë kërkim të 20 personave të zhdukur pas shembjes së urës.
Një video e regjistruar me telefon celular shfaqi disa pjesë të urës “Francis Scott Key” duke rënë në ujërat e lumit Patapsco, pasi një anije mallrash qe lundronte me flamurin e Singaporit, me emrin Dali, u përplas me një shtyllë mbështetëse mëngjesin e së martës.
Autoritetet thonë se disa automjete ishin në urë kur ndodhi përplasja dhe zyrtarët e emergjencës në Baltimor thanë se ekipet e shpëtimit janë duke kërkuar për të paktën 20 persona që besohet të kenë rënë në ujë.
Askush nga pjesëtarët e ekuipazhit të anijes nuk ka pësuar dëmtime.
Ura 47-vjeçare, e gjatë 2,5 kilometra, është një lidhje kryesore në autostradën ndërshtetërore që rrethon qytetin e Baltimorit, një nga portet më të mëdha në Shtetet e Bashkuara. Ajo mori emrin e Francis Scott Key, autorit të tekstit të himnit kombëtar të Shteteve të Bashkuara.
Shkrimtari Key u frymëzua për të shkruar poezinë pasi ishte dëshmuar i bombardimit britanik të një fortese të madhe ushtarake amerikane në Baltimor, në vitin 1814.