Lëvizin makinat nëntokësore. Pa u parë, mbi kulla
ndërkontinentale jehona elektrike.
Nga shtëpitë antenat prekin hapësirat
me të tjera zemra dhe me të tjera lajme.
Ndër rrugë kryqëzohen rrugë të kaltra.
Ndër teatro thërrasin dritat, lartësohen liritë e njeriut.
Profetizohen gremisjet, fjalët përfundojnë të gjakosura.
Diku hiqet në short këmisha e të mundurit.
Engjëjt që erdhën për të ndëshkuar qytetin
kanë humbur nëpër pijetore me pendët e djegura.
Valltarja e bardhë u kalon përmes gjakut, ndaloi duke qeshur
mbi majën e gishtërinjve, si mbi një shishe të përmbyur.
Por lart, në një mijë metra, drejt lindjes
yjet tregojnë përralla mes degëve të pishave
dhe në mesnatë gulçima e derrave të egër
i hap burimet.
(Përktheu Dionis Bubani)
Komentet