Kryekuzhinieri” i Vladimir Putinit i shndërruar në “kasap” lëshon akuza për tradhti ndaj shtetit rus, teksa gjendet në frontin e parë të luftës në Ukrainë. Yevgeny Prigozhin, që udhëheq grupin privat të mercenarëve, Wagner, thotë se nuk po merr armatimet që i nevojiten për të marrë kontrollin e plotë të qytetit Bakhmut.
“Luftëtarët vijnë tek unë dhe më thonë: drejtor, vonesa në furnizime mund të jetë e qëllimshme nga disa në Ministrinë e Mbrojtjes, ose edhe më lart, për t’iu shpjeguar të gjithëve në Rusi se pse po ndodhin këto kohë të vështira? Po sikur ata të duan të na e punojnë pas krahëve dhe të thonë se ne jemi të këqijtë dhe prandaj nuk na japin municione, armë dhe mundësi për të rekrutuar anëtarë të rinj, përfshirë ata nga burgjet?”, tregoi Yevgeny Prigozhin, themelues i grupit të mercenarëve Wagner.
Ai shtoi më tej se mercenarët e tij kanë rrethuar qytetin Bakhmut, teksa paralajmëron se nëse tërhiqen për mungesë municionesh do të hyjnë në histori si luftëtarët që ndërmorën hapin kryesor drejt humbjes së luftës. Aktualisht, raportet mes shtetit rus dhe grupit Wagner janë të tensionuar, ndërsa Prigozhin, një muaj më parë, akuzoi drejtpërdrejtë ministrin e Mbrojtjes, Sergei Shoigu, për tradhti, për vonesën në furnizime me armë.
Përplasje ka edhe në kampin tjetër. Sipas asaj që raporton media gjermane, Bild, presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, është grindur me gjeneralin e tij të luftës, Valery Zaluzhny, pasi kërkoi një tërheqje taktike nga qyteti Bakhmut në Donjeck, ku prej muajsh zhvillohen beteja të përgjakshme.
Ushtria e Kievit ka të angazhuar 10 mijë trupa, sipas mediave ruse që citojnë zyrtarë lokalë. Sakaq, luftë ka edhe në rajone të tjera, me sirenat e alarmit që kanë rënë në të gjithë Ukrainën. Forcat e Kievit njoftuan rrëzimin e 13 dronëve nga 15 të lëshuara gjatë natës, si dhe shkatërrimin e 3 bazave ruse në Zaporizhia dhe në rajonin rus të Bryansk. Moska ka bërë të ditur se sulme të tjera janë kryer nga Ukraina edhe në Kursk dhe Belgorod.drita