Voal – Në një intervistë për emisionin «Drejtësia në Kosovë» diplomati italian Gabriele Meucci është ankuar mbi presionet që i bëhen sistemit të drejtësisë nga ana e politikanëve të Kosovës. Meucci ka kritikuar sidomos ministrin e Drejtësisë Hajredin Kuçi, për të cilin ka thënë se nuk mund të japë opinione personale në raste gjyqësore, siç ka vepruar ditë më parë, duke i bërë presion Gjykatës së Apelit që në rastin e Sami Lushtakut dhe shokëve të tij të marrë vendim korrekt, siç është shprehur Kuçi.
Meucci në këtë intervistë ka sulmuar ashpër portalet dezinformative në Kosovë, të cilat pandërprerë plasojnë informata të rrejshme për interesa të parapolitikës. Shefi i EULEX-it foli edhe për një seri shkrimesh ndaj dëshmitarit të mbrojtur të EULEX-it, Nazim Bllaca. Ai tha se është shqetësuese që gjëra të tilla ndodhin në Kosovë, por nuk ndihet i befasuar. Meucci shtoi se gjyqtarët e EULEX-it nuk ndihen të kërcënuar, «ngase ata e dinë që gjëra të tilla ndodhin».
«Dhe nëse këta njerëz që zhvillojnë fushata të tilla kërcënuese ndaj dëshmitarëve të mbrojtur mendojnë që janë duke bërë diçka të re apo revolucionare, e kanë shumë gabim, ngase kjo ndodh në çdo vend ku ka krim të organizuar dhe Kosova nuk është vendi i vetëm në botë ku vërehet ky fenomen si çështje e përditshme», deklaroi Meucci.
Ajo që për shefin e EULEX-it është shqetësuese është ajo që ai e quan ndërmjetësim i mediave.
«Kjo është e çuditshme. Ajo që shohim sot janë portalet me burime anonime, ku nuk mund të kuptohet se kush i publikon këto portale, nuk mund të gjesh emrin e gazetarit, ata krijojnë lajme që pastaj ripublikohen nga portalet e tjera dhe pastaj krijohet diçka. Ky është një sistem klasik i krijimit të baltës», thotë ai. «Nga ky këndvështrim, ju duhet të keni përvojë këtu, ngase është sistem tipik i përdorur nga UDB-a e Jugosllavisë dhe nga Sigurimi në Shqipëri. Këto besoj që nuk janë shembuj të mirë që duhet t’i ndjekim në të ardhmen», tha ai.
Meucci ka siguruar se dëshmitarët e mbrojtur nga EULEX «janë të mbrojtur mirë», ndërsa sa u përket dëshmitarëve të mbrojtur nga institucionet vendore thotë se ekziston programi i mbrojtjes së tyre, por funksionalizimi i tij nuk është testuar.
(Lajmi i plotë: http://kallxo.com/disa-portale-krijojne-balte-sikur-ne-kohen-e-udb-se-dhe-sigurimit/)
Komentet