Ministri i Punëve të Jashtme të Spanjës, Jose Manuel Albares, më 12 prill, filloi në Beograd turneun në Serbi, Bosnje e Hercegovinë, Shqipëri dhe Maqedoninë e Veriut, me mesazhin se Spanja, pas marrjes së presidencës së Bashkimit Evropian (BE) më 1 korrik, do të mbështesë përpjekjet e këtyre vendeve për anëtarësim në BE.
Gjatë turneut të tij në Evropën Juglindore, Albares do të nënshkruajë memorandum mirëkuptimi, me secilin nga katër vendet, për të forcuar bashkëpunimin në procesin e integrimit evropian – raporton portali spanjoll La Cerca.
Në Beograd, të mërkurën, Albarez me Ministren e Integrimeve Evropiane të Serbisë, Tanja Mishçeviq, nënshkruan Memorandum mirëkuptimi ndërmjet dy ministrive, njoftoi Qeveria e Serbisë.
Portali La Cerca shkruan se shefi i diplomacisë spanjolle planifikon që gjatë udhëtimit të informohet për dialogun mes Beogradit dhe Prishtinës, por ky informacion nuk është konfirmuar zyrtarisht.
Spanja është një nga pesë vendet e BE-së që nuk e kanë njohur pavarësinë e Kosovës.
Më 13 prill, Albarez do të udhëtojë nga Beogradi për në Sarajevë, kryeqytetin e Bosnje e Hercegovinës, ku do të vizitojë bibliotekën e ndërtuar me ndihmën e Spanjës.
Të premten, ai do të takohet në Tiranë me ministren e Punëve të Jashtme të Shqipërisë, Olta Xhaçka, ndërsa më pas në Shkup do të takohet me ministrin e Punëve të Jashtme të Maqedonisë, Bujar Osmani.