Shtetet e Bashkuara kanë njoftuar mbrëmë se e kanë dyfishuar shpërblimin për informacionet që çojnë në arrestimin dhe dënimin e liderit të grupit, Shteti Islamik, Abu Bakr al-Baghdadi.
Programi i Shpërblimit për Drejtësi i Departamentit amerikan të Shtetit ofron 25 milionë dollarë për informacionet që do të ndihmonin në identifikimin e lokacionit të Baghdadit. Shifra e parë ka qenë 10 milionë dollarë e ofruar në tetor të vitit 2011.
Baghdadi, shtetas irakian emri i vërtetë i të cilit është Ibrahim al Samarrai, është vetdeklaruar udhëheqës i një shteti me territore të okupuara të Irakut dhe Sirisë, para dy vjetësh.
Përkrahësit e quajnë atë “Kalifi Ibrahim”.
Lokacioni i tij i sakt nuk dihet. Raportohet se ai mund të jetë në Mosul të Irakut apo në territorin sirian që ende kontrollohet nga Shteti islamik.
Zyrtarët irakianë besojnë që presioni në rritje si rezultat i sulmeve të shtuara të koalicionit në Mosul po e detyrojnë Baghdadin dhe pjesëtarë të tjerë të IS-it që të jenë rregullisht në lëvizje në përpjekje për tu fshehur.
“Nën udhëheqjen e Baghdadit, ISIL (Shteti Islamik) ka qenë përgjegjës për vrasjen e mijëra civilëve në Lindje të Mesme, përfshirë edhe vrasjen brutale të shumë pengjeve civile nga Japonia, Mbretëria e Bashkuar dhe Shtetet e Bashkuara”, ka thënë Departamenti amerikan i Shtetit në njoftimin për rritjen e shpërblimit për kapjen e Baghdadit.
Komentet