Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, dhe ambasadori i SHBA-së në Kosovë, Greg Delawie, sot kanë nënshkruar amendamentimin e marrëveshjes mbi grantin e objektivave zhvillimore në mes Kosovës dhe USAID-it në vlerë prej 30 milionë dollarësh
PRISHTINË – Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, dhe ambasadori i SHBA-së në Kosovë, Greg Delawie, sot kanë nënshkruar amendamentimin e marrëveshjes mbi grantin e objektivave zhvillimore në mes të Republikës së Kosovës dhe Agjencionit për Zhvillim Ndërkombëtar të SHBA-ve (USAID) në vlerë prej 30 milionë dollarësh.
Granti parasheh mbështetjen në fushën e sundimit të ligjit, qeverisjes së mirë, nxitjen e investimeve në sektorin privat dhe në ngritjen e kapaciteteve njerëzore në Kosovë.
Në këtë ceremoni të nënshkrimit i pranishëm ishte edhe Drejtor i Misionit të Agjencionit për Zhvillim Ndërkombëtar të SHBA-ve (USAID) në Kosovë. James Hope.
Presidenti Thaci pas nënshkrimit të marrëveshjes shprehu mirënjohje për mbështetjen që SHBA-të i kanë dhënë Kosovës duke thënë se këto ditë të fundit të vitit janë shumë pozitive për Kosovën.
Ai njoftoi edhe për një marrëveshje e cila do të nënshkruhet nesër në sektorin energjetik për “Kosovën e Re” në vlerë prej 1 miliard e 300 milionë euro i cili është një tjetër investim i investitorëve amerikanë.
Presidenti Thaci tha se ky është mesazhi më i mirë që mund të buron nga Kosova në prag të 10 vjetorit të pavarësisë dhe për atmosferën e mirë të investimeve në Kosovë.
“Marrëveshja e sotme është edhe një hap përpara e mbështetjes së fuqishme që Shtetet e Bashkuara të Amerikës (SHBA) i kanë dhënë konsolidimit të shtetit të Kosovës në rrafshin e sundimit të ligjit, në zhvillimin ekonomik dhe progresit të gjithanshëm”, deklaroi Thaçi.
Ndërsa, ambasadori I SHBA-ve, Greg Delawie tha se gjatë këtij viti Kosova ka patur zgjedhje të qeta dhe demokratike, është zgjedhur qeveria e re dhe vendi është radhitur në listën e dhjetë shteteve në raportin e Bankës Botërore që kanë patur progres në investimet private.
Sipas tij, të gjitha këto janë rezultate pozitive drejt integrimeve euroatlantike.
“Ceremonia e sotme na tregon se cfarë punë të përbashkëta mund të bëjmë në vitin 2018 sepse kjo ndihmë do të shtohet edhe mbi 30 milionë dollarë për aktivitetet e USAID-it të cilat do të ndihmojnë për sfidat kryesore të zhvillimit të Kosovës”, tha Delawie.
Komentet