Ambasadori i përgjithshëm për Zyrën e Drejtësisë Penale Globale, Morse H. Tan dhe ambasadori në Prishtinë, Philip Kosnett, shprehën zotimin e Shteteve të Bashkuara për të vënë para drejtësisë të gjithë kriminelët e luftës, pavarësisht përkatësisë së tyre kombëtare.
Të dy ambasadorët, thuhet në një njoftim të ambasadës amerikane, i bënë këto komente gjatë një takimi me kryeprokurorin e shtetit Aleksandër Lumezi dhe prokurorët nga Departamenti i Krimeve të Luftës në Zyrën e Prokurorisë së Posaçme të Kosovës.
Ambasadori Kosnett, thuhet në komunikatë, tha se “përgjigja ndaj padrejtësisë është më shumë drejtësi”.
Kryeprokurori Lumezi i informoi ambasadorët se Prokuroria e Posaçme trashëgoi më shumë se 900 raste të papërfunduara nga Misioni i Bashkimit Evropian për sundimin e ligjit (EULEX) dhe u deshën më shumë burime për të lëvizur para.
Ndërsa shefi i departamentit për krime lufte, Blerim Isufaj, citohet të ketë thënë se mungesa e bashkërendimit me Serbinë dhe pamundësia për t’u anëtarësuar në Policinë Ndërkombëtare (INTERPOL) dhe organizatave tjera ndërkombëtare paraqesin pengesa për punën e departamentit.
Zëvendësshefi i departamentit, Valdet Gashi, u tha ambasadorëve se zyra e tij ka ngritur 19 aktakuza për krime lufte që nga viti 2018.
Diplomatët amerikanë thuhet në njoftim, u zotuan për mbështetje shtesë për Departamentin e Krimeve të Luftës.
Krimet e luftës në Kosovë që nga vitit 1999 janë trajtuar fillimisht nga Misioni i Kombeve të Bashkuara ndërsa pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës në shkurt të vitit 2008, lëndët kaluan tek EULEX-i.
Që nga viti 2018, me shkurtimin e përgjegjësive të këtij misioni, çështjet e krimeve të luftës trajtohen nga Prokuroria e Posaçme e Kosovës.
Në Hagë ndërkaq funksionon Gjykata e Posaçme e e njohur me emrin Dhomat e Specializuara, e cila trajton pretendimet për përfshirjen e ish pjesëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në krime të luftës dhe të pasluftës, duke bërë që në Kosovë të shtohen kritikat për siç thuhet karakterin njeetnik të saj.
Kundërshtarët e Gjykatës së Posaçëm thonë se në këtë mënyrë po bëhet barazimi me mizoritë e kryera nga forcat serbe gjatë luftës së viteve 1998 – 1999, që mori fund me ndërhyrjen e NATO-s dhe e cila la pas vetes mbi 10 mijë të vrarë dhe mijëra të zhdukur.
Komentet