Presidenti i Koresë së Jugut, Moon Jae-in, tha se SHBA, Kina dhe Koreja e Veriut janë pajtuar “parimisht” që zyrtarisht t’i japin fund Luftës Koreane, transmeton Anadolu Agency (AA).
Koreja e Jugut do të insistojë që të arrihet kjo marrëveshje, tha Moon gjatë konferencës së përbashkët për media me kryeministrin australian Scott Morrison pas takimit të mbajtur në Canberra.
Agjencia Yonhap citon presidentin Moon të ketë thënë se përfundimi zyrtar i luftës do të ishte i dobishëm për bisedimet e ngecura midis Koresë së Jugut dhe Veriut, si dhe midis Koresë së Veriut dhe SHBA-së.
Lufta Koreane u zhvillua në vitet 1950-1953 midis Koresë së Veriut, të mbështetur nga Kina dhe Bashkimi Sovjetik, dhe Koresë së Jugut, të mbështetur nga disa shtete, duke përfshirë SHBA-në, Britaninë dhe Turqinë.
Lufta filloi më 25 qershor të vitit 1950 kur Koreja e Veriut filloi pushtimin ndaj Koresë së Jugut përgjatë kufirit që ishte vendosur në paralelen e 38-të e cila kalon në gadishull. Lufta përfundoi më 27 korrik, 1953.
Megjithatë, nuk është nënshkruar marrëveshje e paqes mes dy palëve përkundër përpjekjeve të shumta dhe kështu, teknikisht, konflikti vazhdon.
Komentet