Administrata e presidentit amerikan, Joe Biden, tha se do t’i dërgojë Ukrainës një numër të vogël të sistemeve të raketave të teknologjisë së lartë me rreze të mesme veprimi, armë kritike që liderët ukrainas kanë kërkuar që t’iu dërgohen, teksa po hasin në vështirësi që të pengojnë përparimin e Rusisë në rajonin e Donbasit.
Sistemet e raketave janë pjesë e pakos së re të ndihmës ushtarake në vlerë prej 700 milionë dollarësh që SHBA-ja ka ndarë për Ukrainën. Në këtë pako do të përfshihen edhe helikopterë, sisteme kundërtanke Javelin, makina taktike, pjesë rezervë për armë të tjera, thanë zyrtarët amerikanë, të cilët shtuan se zyrtarisht kjo pako e ndihmës do të bëhet publike të mërkurën.
Vendimi i SHBA-së për të dërguar këto sisteme të raketave ka për qëllim që të krijojë një balancë midis dëshirës për të ndihmuar Ukrainën që të luftojë sulmet me artileri të Rusisë, teksa sigurohet që të mos i dërgojë armë Kievit që mund të godasin objektiva thellë brenda territorit të Rusisë, pasi një gjë e tillë besohet se do të përbënte një përshkallëzim të luftës.
Në një shkrim të publikuar në The New York Times, presidenti Biden konfirmoi se ai ka vendosur që t’i “ofroj ukrainasve sisteme më të avancuara të raketave dhe municioneve që do t’iu mundësojnë atyre të kryejnë sulme më precize ndaj caqeve kyçe në fushëbetejën në Ukrainë”.
Në fillim të javës, presidenti Biden tha se SHBA-ja nuk do të dërgojë në Ukrainë “sisteme të raketave që mund të godasin brenda Rusisë”. Çdo sistem i armëve mund të godasë caqet në Rusi, nëse të njëjtat janë pranë kufirit. Në pakon e re të ndihmës amerikane, Uashingtoni pritet të përfshijë raketa me rreze gjysmë veprimi, që në përgjithësi mund të fluturojnë rreth 70 kilometra.
Ukrainasit e kanë siguruar SHBA-në se ata nuk do të hedhin raketa brenda territorit të Rusisë, thanë disa zyrtarë të lartë të administratës amerikane, raporton Associated Press. Një zyrtar theksoi se sistemet e avancuara të raketave do t’iu mundësojnë forcave ukrainase që të kryejnë sulme më precize ndaj objektivave ruse brenda Ukrainës.
Ukraina mund të përdorë raketat në rajonin lindor të Donbasit, edhe për të penguar sulmet me artileri të Rusisë apo për të larguar forcat e Moskës nga pozicione ku ka luftime të ashpra, sikurse është qyteti Severodonjeck.
Severodnjecku është i rëndësishëm në përpjekjet e Rusisë për të marrë Donbasin para se të arrijnë armët perëndimore që do të forconin mbrojtjen ukrainase. Ky qytetit gjendet 140 kilometra në jug të kufirit rus dhe është qyteti më i madh nën kontrollin ukrainas në rajonin Luhansk.
Biden tha në shkrimin e tij për New York Times se “ne nuk po e inkurajojmë apo lejojmë Ukrainën që të godasë përtej kufijve të saj. Ne nuk duam ta zgjasim luftën vetëm për t’i shkaktuar dhimbje Rusisë”.
Kjo është pakoja e njëmbëdhjetë e ndihmës e miratuar deri më tani në SHBA dhe është ndihma e parë nga pakoja prej 40 miliardë dollarësh që Kongresi ka ndarë për ndihmë ekonomike dhe të sigurisë për Ukrainën.
Armët do të merren nga inventari i ushtrisë amerikane dhe ushtarët ukrainas duhet të trajnohen të paktën një ose dy javë për të përdorur këto sisteme të reja raketash.
Zyrtarët amerikanë thanë se plani është që të dërgojnë në Ukrainë Sistemin e armëve të Artilerisë me Lëvizshmëri të Lartë apo HIMARS, i cili mund të vendoset në një kamion dhe mund të mbajë deri në gjashtë raketa. Ky sistem mund të godasë me raketa me rreze të mesme veprimi, por është i aftë edhe të operojë me raketa me rreze të gjatë veprimi, por modeli për sulme në distanca më të largëta nuk është pjesë e planit të SHBA-së.
Qëkur Rusia nisi pushtimin e Ukrainës më 24 shkurt, SHBA-ja dhe aleatët e saj kanë ndihmuar Ukrainën me armë për të luftuar forcat ruse.
Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, së fundmi ka shtuar thirrjet që Perëndimi të dërgojë në shtetin e tij sisteme raketash, në mënyrë që forcat e Kievin të ndalin ofensivën ruse në Donbas.
Komentet