TIRANE- Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimi Europian kanë reaguar në lidhje me vendimin e Gjykatës Kushtetuese për ngrirjen e ligjit të ‘Vetingut’ e për ta rikthyer sërish atë në Komisionin e Venecias. Me anë të një deklarate drejtuar mediave, SHBA dhe BE kanë theksuar se respektojnë autoritetin e Kushtetueses, ndërsa pohuan se referimi për në ‘Venecia’ të ndodh sa më shpejt.
DEKLARATA
Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Europian respektojnë autoritetin e Gjykatës Kushtetuese për të shqyrtuar Ligjin e Vetingut dhe pezulluar zbatimin e tij. Gjykata Kushtetuese ka thënë se do t’ia referojë ligjin Komisionit të Venecias. Nxisim që ky referim të ndodhë sa më shpejt që të jetë e mundur për të parandaluar vonesa. Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Europian mbeten të përkushtuar ndaj zbatimit të plotë të reformës së gjyqësorit.
PEZULLIMI
Gjykata Kushtetuese vendosi të pezulloje sot zbatimin e ligjit për rivlerësimin e gjykatësve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë ose sic njihet ndryshe si ligji i Vetingut.
Vendimi u mor nga tetë gjykatësit e Kushtetueses, të cilët morën në shqyrtim ankimimin e Partisë Demokratike, e cila deri në shpalljen si antikushtetes të vetingut, kërkonte pezullimin e zbatimit të tij. Kushtetuesja gjithashtu vendosi t’i drejtohet Komisionit të Venecias, për mendim, nëse është kompetencë e saj shqyrtimi i kësaj cështjeje, për shkak se edhe vetë gjykatësit e Kushtetueses janë subjekt i këtij ligji.
Komentet