Më 4 korrik 1776, Kongresi Kontinental miratoi zyrtarisht Deklaratën e Pavarësisë. Festimet filluan brenda pak ditësh: parada dhe lexime publike, zjarre dhe qirinj dhe shkrepja e 13 fishekëve, një për secilin prej shteteve origjinale.
U desh të kalonte pothuajse një shekull para se vendi ta shpallte zyrtarisht si festëthemelimin e tij.
Me miratimin së fundmi të 19 qeshorit, ose Juneteenth që përkujton fundin e skllavërisë në Shtetet e Bashkuara, si festë federale, vendi ka tani 12 festa të tilla. Shumë prej tyre janë të fiksuara prej kohësh në kalendarin amerikan, por prania e tyre nuk është vetëm një histori vazhdimësie. Ato pasqyrojnë mënyrën sesi kanë evoluar Shtetet e Bashkuara – nga një bashkim shtetesh me një qeveri relativisht të vogël federale në një vend më të centralizuar.
Tubimet në të gjithë vendin për Ditën e Pavarësisë dhe festat e tjera janë po aq të vjetra sa vetë vendi. Por raundi i parë i pushimeve federale, i identifikuar si i tillë sepse punonjësve federalë (fillimisht vetëm punonjësve federalë në Uashington, DC) u jepej një ditë pushimi, u nënshkrua në ligj vetëm në vitin 1870, nga Presidenti Ulysses S. Grant, pesë vjet pasi mbaroi Lufta Civile.
“Lufta Civile konsolidoi fuqinë kombëtare në të gjitha llojet e mënyrave dhe festat kombëtare janë një ilustrim i këtij fakti,” thotë historiani fitues i Çmimit Pulitzer Eric Foner.
Juneteenth dhe festa të tjera federale janë miratuar me shumicë të konsiderueshme në Kongres, duke sugjeruar një konsensus të gjerë dypartiak. Festat e para, vë në dukje biografi i presidentit Grant, Ron Chernow, ishin ato që nuk ngjallnin debat – Dita e Vitit të Ri, Dita e Pavarësisë, Dita e Falënderimeve, Krishtlindjet dhe ditëlindja e Xhorxh Uashingtonit (e miratuar në 1879).
“Ato u shpallën pas Luftës Civile, por jo rastësisht nuk kishin asnjë lidhje me Luftën Civile. Plagët e luftës ishin ende të thella dhe çdo përkujtim i vetë luftës do të shihej si përçarës,” thote zoti Chernow. Ai vë në dukje se Dita e të Rënëve, nderimi i atyre që vdiqën në luftë, u bë festë federale deri në vitin 1888.
“Pesë festat e para federale u përpoqën të gjenin një emërues të përbashkët midis Veriut dhe Jugut,” thotë studiuesi Chernow.
“Të dyja palët e Luftës Civile pretenduan se kishin luftuar në frymën e Revolucionit Amerikan. Prandaj ishte e lehtë për të dyja palët të nderonin ditëlindjen e Uashingtonit dhe Ditën e Pavarësisë.”
Qofshin deklarime të atdhedashurisë apo drejtësisë sociale, festat federale pasqyrojnë një pjesë të ndjesisë së vendit për vetveten dhe si ndryshon ajo.
Mbështetja publike për ta bërë ditëlindjen e Rev. Martin Luther Kingut festë ishte aq e fortë saqë u nënshkrua në ligj në 1983 nga Presidenti Ronald Reagan, i cili kishte kundërshtuar Ligjin e të Drejtave Civile dhe Ligjin e të Drejtave të Votimit në vitet 1960 dhe privatisht besonte se reputacioni i drejtuesit të të drejtave civile ishte “bazuar në imazh, jo në realitet”. Madje edhe atëherë, Arizona, Nju Hemshër dhe Karolina e Jugut rezistuan ta bënin një festë shtetërore dhe Karolina e Jugut priti deri në vitin 2000 për ta bërë një gjë të tillë. Alabama dhe Misisipi ende e festojnë ditëlindjen e Kingut së bashku me ditëlindjen e Gjeneralit të Konfederatës Robert E. Lee.
Dita e Kolombit u bë festë kombëtare në vitin 1968, e miratuar nga Kongresi dhe Presidenti Lyndon Johnson si një nderim për emigrantët dhe si një “shprehje e gatishmërisë për të përballuar me vetëbesim të ardhment e panjohur”, sipas një raporti të Senatit në atë kohë . Por gjatë 40 viteve të fundit, ndërsa imazhi i Kolombi është shndërruar nga ai i “zbuluesit të Amerikës” në atë të një racisti dhe imperialisti, qytetet dhe shtetet ose kanë ndryshuar emrin e festës (Havai e quan atë “Dita e Zbulimit”) ose e kanë përdorur atë ditë për të nderuar të tjerët; që nga viti 1989, South Dakoka e ka quajtur atë “Dita e Indigjenëve të Amerikës”.
“Mund t’i shikosh festat federale si monumentet e ngritura në parqe”, thotë Matthew Dennis, autor i “Ditët e Letrave të Kuqe, të Bardha dhe të Kaltra “, një libër i vitit 2002 mbi festat Amerikane. “Me një monument, përpiqesh ta përjetësosh kuptimin e së kaluarës në gur. Por kjo mund të ndryshojë, dhe njerëzit mund të thonë: ‘Prit, kush është ky njeri?’”
Ndër festat kombëtare, 4 korriku është më kompleksja dhe e debatuara, një pasqyrim i pyetjeve dhe kontradiktave rreth origjinës së vendit dhe vetë Deklaratës së Pavarësisë.
Dita e Pavarësisë është përfshirë në ndasitë e vendit pothuajse që nga fillimi. Në vitet 1780 dhe 1790, mbështetësit e një qeverie qendrore më të fortë (Federalistët) dhe ata që shqetësoheshin për mundësinë e një kthimi në monarkinë e stilit britanik (ndonjëherë të quajtur Republikanët Xhefersonianë), debatuan mbi autorësinë e Deklaratës së Pavarësisë. Republikanët thoshin se merita i duhej njohur vetëm Tomas Xhefersonit, ndërsa Federalistët ishin kundër, duke argumentuar saktë se shumë të tjerë kishin punuar për të.
Në dekadat para Luftës Civile, afrikano-amerikanët shpesh përjashtoheshin nga ngjarjet zyrtare të 4 korrikut dhe festonin më 5 korrik, duke njohur njëkohësisht 4 korrikun dhe distancën e tyre prej asaj dite. Frederick Douglass e mbajti fjalimin e tij të famshëm të vitit 1852, “Çfarë është 4 korriku për skllavin”, më 5 korrik.
Lufta Civile në vetvete ishte një periudhë që ka ngjalluar interpretime kontradiktore. Jugorët përqafuan mesazhin e Deklaratës së Pavarësisë të sfidës kundër tiranisë. Veriu e shikonte atë si një skicë. Në një letër dërguar Kongresit më 4 korrik 1861, vetëm disa muaj pasi filloi Lufta Civile, Presidenti Abraham Linkoln foli për Ditën e Pavarësisë si frymëzim për një shoqëri të re dhe më njerëzore.
“Kundërshtarët tanë kanë miratuar disa deklarata të pavarësisë në të cilat, ndryshe nga ajo e shkruar nga Xhefersoni, i heqin fjalët ” të gjithë njerëzit janë krijuar të barabartë “,” shkruante Linkoln, duke shtuar se Unioni po mbështeste “që qeveri objekti i së cilës është të lartësojë pozicionin e njeriut; të heqë barrat artificiale nga shpatullat e të gjithëve; të hapë rrugën e suksesit për të gjithë; t’u mundësojë të gjithëve një fillim të pakufizuar dhe një shans të drejtë në garën e jetës. “
Kuptimi i 4 korrikut ka vazhduar të zhvillohet, nga presidenti në president. Franklin D. Roosevelt dhe George W. Bush janë ndër ata që ia kushtuan fjalimet e Ditës së Pavarësisë ushtrisë, qoftë gjatë Luftës së Dytë Botërore apo pas sulmeve të 11 Shtatorit. Fjalimi i John F. Kennedy në 1962, në mes të Luftës së Ftohtë, e quajti pavarësinë “çështjen e vetme që ndan botën sot” dhe foli “për dëshirën për pavarësi pas Perdes së Hekurt”. Në vitin 2014, Presidenti Barack Obama përmendi premtimin për “jetën, lirinë dhe kërkimin e lumturisë” si një arsye që “emigrantët nga e gjithë bota ëndërrojnë të vijnë në brigjet tona.”
Për Ditën e Pavarësisë në vitin 2020, më pak se dy muaj pas vrasjes së afrikano-amerikanit George Floyd, Presidenti Donald Trump denoncoi protestuesit e lëvizjes Black Lives Matters dhe atë që ai e quajti “një fushatë të pamëshirshme për të fshirë historinë tonë, për t’i poshtëruar heronjtë tanë, për të zhdukur vlerat tona dhe indoktrinuar fëmijët tanë “. Pasardhësi i tij, presidenti aktual Joe Biden, lëshoi një video të shkurtër duke thënë se vendi ende nuk e kishte përmbushur premtimin për barazi, duke vënë në dukje se edhe Xhefersoni ishte një pronar skllevërish.
“Por pasi u propozua, ajo (barazia) ishte një ide të cilës nuk mund t’i vihej kufi,” tha ai. “Ajo i mbijetoi Luftës Civile, qenve të Bull Connorit, vrasjes së Martin Luther Kingut dhe më shumë 200 vjetëve racizëm sistematik.”
“Amerika nuk është përrallë”, shtoi zoti Biden. “Ka qenë një betejë e vazhdueshme midis dy pjesëve të karakterit tonë: ideja që të gjithë burrat dhe gratë – të gjithë njerëzit – janë krijuar të barabartë dhe racizmit që na ka përçarë.”