TURKOVIÇËT E KUÇIT NË PLAVË
1.
Krahina atdhetare e Plavë-Gucisë (me fiset Hot, Kelmend, etj.) i ka lidhjet e saj të kahershme etno-historike me fisin e vjetër e luftarak të Kuçit etnik shqiptar, fis i ndarë në disa grupime të mëdha: Kuçi i Vjetër, Kuçi i Ri (Drekalët), Triepshi (Trieshët).
Treva etno-historike e Kuçit, sipas akademikut Mark Krasniqit, kishte shtrirje territoriale në juglindje të bjeshkëve Bërda deri në veri tek Bjeshkët e Komit, në perëndim nga lumi Moraça dhe dega e tij Malla Rijeka, nga jugu tek rrafshina Dolani (në veri të Podgoricës) dhe bjeshkët e anës së djathtë të lumit Cem, nga lindja deri në pellgun e epërm të lumit Vermosh.[1]
Kuçasit e njohin veten të fisit Berisha, të shkëputur prej tij. Kjo dëshmohet edhe nga albanologët Franz Baron Nopça, Karl Palç, Edith Durham, etj. Dikur, viset e tyre, si emërtim gjeo-fizik e bashkësi ekonomiko-shoqërore mesjetare, thirreshin “Malet Bertishi”(Berisha). Kuçi ishte “shtëpi e përbashkët e berishajve”, prej nga u shpërngulën bregdetit deri në Kotorr, po kryesisht në Shqipërinë e Veriut përgjatë brigjeve të Drinit, Tarës, Limit, Sitnicës. I mbajtën mbiemrat Berisha, po edhe Kuçi, etj.
Hoti skej liqenit të Plavës (Malet e Hotit), vendlindja e Shar Ibrës i Mustaf Mujaj (Haxhaj), del në dokumente të Manastirit të Deçanit në vitin 1330, sipas albanologut kroat Milan Shuflaj.
Në shek. XIV, kumton “Historia e Popullit Shqiptar”, Dioklea-Genta (Zeta), veçanërisht ana e sipërme e saj, u shfaqej të huajve si një vend “me popuj e fe të ndryshme”. Gjithësesi, gjatë gjithë mesjetës krahina e bashkësi të tëra si Kuçi, Markajt (Markoviçët), Pastroviçët, Piprët, Gjurashët (Cërnojeviçët), etj. njihen si shqiptare”.[2] Kuçi për herë të parë figuron tek emri i ndërtimtarit të Manastirit të Deçanit (1327-1335) françeskani Vita Kuçi, i ardhun nga Kotorri (degëzim i Medunit) dhe i njërit nga pronarët e truallit të saj, Haka Kuçit, si dhe brenda rrethojave të manastirit është varri i një qytetari kuçiot, ndërsa në Tuz (1335) përmendet Pjetër Kuçi, etj.
Nga Kuçi shqiptar kanë ardh’ në truallin e Plavë-Gucisë disa dyer (vllazni, barqe) si Ferrajt e Shahmanjt e Plavës, Nikoçajt, Radoniçët e Bekteshët e Gucisë, Pepajt (berishas) në Ultinën e Epërme të Limit, apo Haxhialiajt, Llonçarët, Mulajt (Mulliqët), Delajt, Dervishajt, Çekaj të Gucisë, si dhe Haxhimushajt, Kerciqët, Kuçët, Medunajt, Shabajt, Toskët, e Plavës, etj.[3] Ngulimi i parë kuças ishte në Guci në shek. XV, viti 1495, kur Bekteshët erdhën nga ultina bjeshktare e Bërdës. Tevona, më 1636, vijnë edhe Radoniçët,[4] etj.
Nga Kuçi janë edhe Turkoviqët e Plavës. Këta kanë ndrrue fe e etni, janë kthye në malazezë të përjetshëm. Në memorien historike njihen për urrejtje bio-politike e etnike dhe për veprime e krime deri genocidiale ndaj shqiptarëve në Plavë-Guci e përrreth saj.
2.
Vojvoda Dre Kali (Drekali) [5] i Kuçit të Ri, të cilin gojëdhanat e lidhin edhe me dinastinë e Skënderbeut, la pasaradhës genetik e fronësor Lalë Drekalin (me 1.500 luftëtarë nën armë), kont, hero i madh i kombit shqiptar. Ky, Drekali i dytë, ishte një nga (krye)organizatorët i Kuvendit tek Manastiri i Moraçës (1608) në afri të Liqenit të Shkodrës, në trollin e Hotit, me krerë shqiptarë, serbë, malazezë e maqedonas; i Kuvendit të Kuçit (në dy seanca, 15 korrik e 3 shtator 1614), i mbledhur në kullën e tij, si i pari kuvend me përmasa të përgjithshme ballkanike; i Kuvendit të Prokuples (1616) e i Kuvendit të Belgradit (1620), me përfaqësues të shumtë nga trevat etnike shqiptare dhe nga vendet fqinjë.
Konti i Kuçit, Lalë Drekali, u martue dy herë e pati pesë djemë: Vujoshin, Ilkon, Çejon, Mijën, Vukun. Kur u ndanë ndërveti banë hile cinike, ia lanë Vukut pjesën ma të keqe të pasurisë së përbashkët, pasi ai ishte me një nanë tjetër. Ky u çartaqejf deri në rebelim me drekalët e atyshëm dhe iku pakthim prej truallit amë, tue ra në Podgoricë, në mëhallën e Durrësit (Draçka mahalla). Kuçasi antishqiptar Mark Milani në një nga veprat e tij rrëfen se këta, Vukët, e ndrruan fenë, u banë mysliman. Ndaj, prej atëherit, u thirrën Turkoviq. U vnuen në shërbim të Perandorisë Otomane. Njëherash, në (prapa)skenë njiheshin e kontributonin si miq të afërt me krajl Nikollën e Malit të Zi.
Nga ky degëzim i Podgoricës ban çoje një rrem genetik i Turkoviçëve e, për interesa sllave e për arsye të veta, u vendngulën në Plavë. Aty, skej liqenit, në një vend mjaft të mirë, me pamje të veçantë. Ata kanë ngrit aty kulla e lokale të dukshme. Ndihen mjaft të privilegjuar nga pushteti malazez, pasi gjithata Turkoviç në shekujt e fundit janë pjesë elitare, aktive e besnike e strukturave të shtetit të derisotëm cerrnagoras me dy kryeqytete: Çetina e Podgorica. Shpesh herë, veçmas në elektoriada, kanë qënë mikëpritës të kryeministrit të sotëm me shtatë mandate, Milo Gjukanoviç, “gospodar” real i Malit të Zi.
KUR SHQIPTARËT VRITEN ME GISHTIN E MADH
1.
Kuçasi Mark Milani është i vllaznisë të Popoviçëve, i Popovit, një nga shtatë djemtë e Ilia Lalë Drekalit, udhëheqësi shqiptar i Kuçit, i cili në vitin 1756 deklaronte se fisi i tij është ortodoks dhe bën pjesë në Malet e Shkodrës.[6]
Ai është kushëri i ndamë prej një zjermi me Turkoviçët e Podgoricës, pasardhësit e Vuk Lalë Drekalit, të cilët, të dy palët, janë nyje lidhur në gene e veprime si antishqiptar.
2.
Plavë-guciasit kenë lodh së tepërmi me Turkoviqët e atyshëm, të cilët në brezni iu shërbenin otomanëve, malazezëve, boshnjakëve e serbëve kundër shqiptarëve etnikë që në shekuj dhanë gjithçka për lirinë e pavarësinë kombëtare shqiptare.
Turkoviçët hyjnë në atë kategorinë si fat i keq i Plavë-Gucisë aqsa edhe historianët ne botimet e tyre për kit’ trevë historike i klasifikojnë si “armiq të betuar të shqiptarëve”, etj.
Kur filluan me ua nxanë edhe diellin e me ua nxi’ jetën shqiptarëve etnik, kur filluan me i prangos e përgjak me shtet, etj. atëherë u ngritën krejt revoltë e plot forcë plavë-guciasit e i mësynë tre kullat e tyne në Plavë. Deshtën me i kallë flakë ato…Me ua shue jetën. Me ua ba hi trollin. Me ua ndal turravrapin atë ditë. Me iu harrue emni përtej të nesërmes.
Turkoviçët e pabesë lypen besë shqiptare tek Curranajt, të cilët kanë kontribute e derdh gjak për kombin shqiptar, në luftë me otomanët e me sllavët. Rastësisht, disa curranaj të Plavës, i kam njoft si njerëz të mirë e në punën e vet përditësore.
Curranaj e Turkoviç ishin të lidhur ndërveti: nip e dajë.
Besa shqiptare e lidhja e gjakut i shpëtoi Turkoviçët prej vdekjes të shkrumtë, po shqiptarët etnik plavë-gucias nuk shpëton kurrnjiherë nga zjarri antishqiptar i Turkoviçëve breg liqenit të Plavës e në kupola të shtetit malazez.
3.
Mark Milani (1883-1901) me dy prindërit shqiptar, baba ortodoks e nana katolike, fliste edhe shqip, ishte një djalë i zgjuar e me fizik të fuqishëm, një i ri atentator (i)legal, një ndër cubat e hajdutët e rrezikshëm të karvajeve përgjatë luginave të Moraçës, Cemit, etj. Gjithandej i doli nami si “i forti i vendit”.
Princi Danilo I (1826-1860), i bekuari e begatuari nga perandori rus Nikolla I si princ i Principatës të Malit të Zi me vetëm 1.500 km2 territor gjeo-politik, e mori Mark Milanin 23 vjeçar në oborrin e tij. Ai u rrit aty me urrejtje kundër shqiptarëve, u aftësue si ushtarak pushtues e kriminel, u sprovua në rrahje publike e vrasje enigmatike, u fut në labirinthe të politikës ballkanike. Ishte mbi 8 vjet ma i madh se princi i ri në fron, Nikolla I, po pansllavizmi i lidhi fort të dy sëbashku, aqsa krijuan në Principatën e Serbisë Organizatën “Rinia e Bashkuar Serbe”(1866-1871) e, pasi ua ndaluen ligjërisht atje, e ringritën tjetrën në Çetinë, Organizatën “Bashkimi Serb për Çlirim”. Qyshse në moshën 29 vjeçare nisën tue i dhanë çmime, dekorata, tituj. E banë vojvodë, kont, dukë. Për kontributet e tij antishqiptare në bashkimin e përgjakshëm të Kuçit me Malin e Zi në vitin 1874 e zgjodhën në Senatin e Malit të Zi. Në të madhen “Betejë e Fundinave” në luginën e Kuçit më 2 gusht 1877 i udhëhoqi me fitore forcat malazeze në luftën kundër otomanëve.
Antari i Këshillit të Shtetit të Malit të Zi,[7] Mark Milani, ishte komandant i forcave ushtarake malazeze në dy betejat e mëdha historike të Nokshiqit (4 dhjetor 1879–11 janar 1880). Aty, krah tij, në luftë, iu vra nga shqiptarët edhe një nga kushërinjtë e vet popoviç, një nga ushtarakët prijtar, mixha i “internacionalistit” malazez, i Miladin Popoviçit, ma i pari eksponent i Titos si i deleguar i PKJ në Shqipëri, i cili gjeti raste e vend dhe u hakmor me shpagime për çveshjen e LANÇSH nga nacionalizmi tradicional shqiptar, nga përpjekjet nacionaliste për një Shqipëri Etnike, Natyrale, të Bashkuar.
Në “Luftën e Nokshiqit”, që pushkën e parë ia nisi Hoti i Plavës e të fundit Rugova e Kosovës, iu duhet dijenue historisë e brezave se përballë Mark Milanit e ushtrisë së tij malazeze luftuan edhe kuçiotët e Plavë-Gucisë si Jakup Ferri me të vetët, Nuh (Nuc) Shahmanaj, Avdyl Pepaj, Adem Bajraktari (Radoniçi) sëbashku me Husën, Halilin e Sylën, Ferhat Nikoçi, Abdulla Bekteshaj e dhjetra të tjerë. Populli e përjetoi në kangët e tij luftën e kuçiotëve plavë-gucias: “Padishah me t’tregue nji seri / Tridhet krena i preu nji njeri / E i thonë për emën Jakup Ferri”/.
4.
Para Luftës së Nokshiqit kuçioti Mark Milani (Popoviç) që e njihte mirë kodin e fuqinë e Besës Shqiptare provoi pa sukses të kryente një akt të tillë dredhie, pabesie, me shqiptarët e Plavë-Gucisë, forcat e armatosura të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit të Ali Pashë Gucisë, Haxhi Zekë Byberit, etj. Ai dështoi dhe e dështuan në tentativat e tij deri ditën e 4 dhjetorit 1879. Disa ditë para fillimit të kësaj lufte historike i larguan nga Plavë-Gucia për në Pejë, në izolim (internim) disa familje malazeze të atyshme të përfshira në veprimtari spiunazhi për Çetinën e krajl Nikollës të Malit të Zi.
Pas Luftës të humbur të Nokshiqit (Ultinës së Epërme të Limit) filloi plasaritja e Mark Milanit me krajl Nikollën, debatimet me popoviçin tjetër, vojvodë Todor Milanin që i mësyni ushtarakisht Gucisë, u rrgall karriera e tij politike gjersa më 1882 u tërhjek në jetën private, u kthye në vendlindjen e vet në Medun (Podgoricë) dhe pas një viti, në moshën 50 vjeçare, nisi të mësoj shkrim e këndim, t’i shkruajë veprat e tij dhe ato që i shpëtuan unkuiziocionit iu botuan në Beograd pas vdekjes.
Kuçioti Mark Milani, hero i Malit të Zi, me shtëpi muze në Podgoricë, në veprat e veta, tue pas parasysh traditën e praktikën, thekson se shqiptarin më lehtë mund ta pushtosh me të mirë se sa me të keq, se duhet t’i kërkosh besën, fjalën e nderit, ta bësh për vete me ndonjë dhuratë apo pozitë të vogël sidomos parinë e fisit dhe të fesë, pastaj ai do të shërbejë sipas qejfit tënd, madje edhe kundër interesave të tij kombëtare, do të futen në ujë e zjarr për ty. Ai tregon se disa herë i dhanë besën shqiptarët e Moraçës, Cemit, Limit dhe e mbajtën si orën e parë e të fundit në disa beteja me otomanët. Shqiptarët në besë ia “mbrojtën shpinën”, si thotë ai, se po ta sulmonin do ta shpartallonin ushtrinë e tij, po ndodhi e kundërta: fituan malazezët e Çetinës. Nëse nuk do të shfrytëzohej kaq pabesisht besa shqiptare në shek. XXI do të ishte krejt ndryshe historia e realiteti i Malit të Zi, këtij protektoriati rus. Shumçka do të ishte në interes për mirë për kombin etnik shqiptar.
Princi Danillo për ta bashkue të voglin Mali i Zi me Bjeshkët alpine shqiptare (Kuç, Plavë-Guci, Rozhajë, etj.). e dinte se kuçasit nuk i binden, madje kishin refuzue me i pague edhe tagrën atij, lypnin ma tepër autonomi lokale. Ai e caktoi vllain e tij të madh, vojvodën Mirko Petroviç-Njegoshi (1820-1867), Duka i Madh i Grahovës, poet, ushtarak, diplomat, njeri karizmatik, babën e krajl Nikolla I, për ta pushtue e nënshtrue Kuçin. Ai iu lypi Besë. Ata ia dhanë. Atëherë, rrëfen Mark Milani, “kuçët u mashtruan dhe e lëshuan ushtrinë e princit të hynte në Medun”. Në atë vit tragjik 1856 ndodhi një nga masakrat e madhe të Kuçit: u vranë 17 burra luftëtarë të aftë për pushkë dhe 230 të moshuar, fëmijë në djepe, njerëz invalid, etj.
Mbi keqpërdorimin e Besës Shqiptare nga malazezët flet edhe themeluesi i Partisë Social-Demokrate Serbe, teoricieni, gazetari Dimitrije Tucoviç (1881-1914), kapiten në Luftën e Parë Botërore, autor i veprës “Shqipëria dhe Serbia”.
Besa me malazezët, lidhjet me martesa, tue i ba probatima, kumbarë, etj. shpesh herë iu kanë kthye shqiptarëve në të kundërten, në pabesi, në vetvrasje gjakatare politike, etnike. Shqiptarët plavë-gucias (e në krejt Malin e Zi), kësisoj e jo rrallë në historinë e tyre, e kanë vrarë vetëvehten me gishtin e madh…(!)
PABESIA NË OSOJA
1.
Në kohën kur Mali i Zi u kthye Mbretni, veçmas pas tetorit 1912 të Luftës së Parë Ballkanike si dhe në kohën tjetër, atë të Jugosllavisë së Parë Versajiste të pas 1918-tës, Turkoviqët, si djajë të sllavizmit, morën turr e flatrime në (krye)detyra të larta e të ndryshme shtetërore në struktura administrative në Plavë-Guci-Murinë, Andrijevicë, etj.
Krajlitë sllave e përzgjodhën njanin prej tyre, Stanisha Turkoviçin, si ma të besuarin për interesat e tyre shovene dhe si një nga antishqiptarët ma të sprovuar. Ky bani presion të madh mbi shqiptarët, i burgosi ata e shumë prej tyne nuk e panë tokën e Plavë-Gucisë, kullat e brezave, dritën e diellit. I dëboi ata nga trojet e veta etnike. Ua zaptoi tokat shqiptarëve. Kreu masakra të shpeshta dhe u ba pjesë e masakrave të shumta ndaj shqiptarëve.
Këso kohe, Hoti i Plavë-Gucisë i pushtuar e aneksuar padrejtësisht nga Mali i Zi u kthye sikur të ishte Hoti i Shqipërisë. Hotjanët nuk donin me ia ditë për kufi të 1913-tës e të 1919-tës. Nga Çeremi, Valbona e Kukajt vinin tek hotjanët, në troje e kulla të tyre, kelmendasit vuthjanë të mbetun matanë kufinit shqiptaro-shqiptar, të cilët e hidhnin ndonjë hap edhe deri në Vuthaj, e lëshonin një sy deri në qytetet Plavë e Guci me rrethina. Kjo e shqetësonte zyrtarin e lartë malazez, Stanisha Turkoviçin. Ai donte, kërkonte e luftonte për nënshtrimin e Hotit të Vendit. Me çdo kusht, me çdo mjet, në kohën më ta mundshme.
Hoti nuk e donte Stanisha Turkoviçin dhe, dihet, as ky nuk e donte Hotin.
Sipas adetit praktik të kohës hotjanët shkuan argat tek Demi i Murat Agës, i cili nuk ishte i fisit të Hotit, po i ardhun aty, banor i atij vendi gjeostrategjik, jo si vlla i gjakut e i tamlit, po si vlla toke. Pas argatisë e hangrën darkën e u çuen po luejnë kapuça, po ia marrin kangës edhe në kambë si në kor, edhe ulur me lahutë e çifteli në odën e burrave.
Fjala mori kambë e u ba erë. Stanisha prej vitesh rrinte çuet në pritje të kësaj dite. Orakulli i tij ia thoshte se i erdhi oroku i hakmarrjes. E rrethoi Hotin tinzisht, si në unazë. I pabesi donte me i pre në besë hotjanët, kur burrat e trollit të ishin bashkë tek Demi i Murat Agës.
Një natë e zezë si vet Stanisha kishte ra mbi Hot.
2.
Stanisha Turkoviç ishte i pafytyrë me shqiptarët, po ai e ruante lëkurën e vet. Iu tutej, i dhimbsej jeta. Nuk mujke me shkue vet tek hotjanët. Në atë lypje e dinte çka e gja, në atë trokitje dere e dinte çka e priste: krisma e armës, hija e vdekjes.
Ai e kishte marrë me ushtri Nezir Ukën e Hakajve për me iu pri para e përballë, se ky e njihte dhe e donte Hotin e Hoti e njihte e vlerësonte atë për të mirë. Ishte nga ata burra që mujke me kërsit pa droje e pa kohë në derë të Hotit.
Demi i Murat Agës ia hapi derën e shtëpisë së tij. Aty nuk ishte kurrkush tjetër vetëm Ali Ibra i Ibër Mustafës të Mujajve, pasardhës i Haxhë Gjokës (Haxhaj) i Hotit.. Të tjerët kishin ikë nëpër shtëpiat e veta. Atë natë të keqe, me pusi e pabesi turkoviçiane, ky ishte një fat i mirë për hotjanët, të cilët ishin të armatosur e nuk ia pritonin pushkës, po nuk dihej ku i ndalej krisma, deri ku shkonte gjakderdhja.
Ali Ibra, pas zotit të shtëpisë, e ndrroi kutinë e duhanit me Nezir Ukën. Të tre po kuvendojnë miqësisht. Shqiptarisht.
– Pate keq që të gjeta këtu o Ali Ibra se Hoti asht i rrethuem me ushtri. Me ta
asht edhe Stanisha Turkoviqi – po iu thot’ Nezir Meta, tue ua ba të ditun edhe shkakun e ardhjes në atë natë të vonë.
Demi i Murat Agës ia bani i lutje burrnore mysafirit të tij të sapo ardhun:
– O Nezir Uka, pash’ Tokë e Qiell mos kallxo se sonte është këtu Ali Ibra…!
Asaj nate Nezir Uka ishte një burrë i nxanun ngusht. I lutej Zotit mos me iu ndodh asgja e keqe asaj shtëpie prej të cilës doli si mikpritës i saj, si njeri i futun në be, si bestar i saj. Ai e kishte nda herët mendjen mos me e korit veten, po e kishte merakun tjetër ku: në koft se Turkoviçi urdhnonte me u sulmue shtëpia e Demit të Murat Agës me mysafirin e saj Ali Ibra Mujaj a thue mund ta besonin të gjallët e të dekunit, të sotmit e të nesërmit, drurët e zogjtë e malit se Nezir Uka nuk ka pre kerrkand në besë.
– Hoti ka shkue i gjithinë shtëpia të veta e nuk është kush aty…-iu tha Nezir Meta atyne të ushtrisë, e Stanisha Turkoviçit që nuk i nxanke vendi vend.
Ali Ibër Mustafaj (Mujaj-Haxhaj) i vendosun deri në dhanien e jetës i ngjeshi armët e u fut tek një dhomë e vogël e shtëpisë, aty ku mbaheshin bylmetnat, e i tha të zotit të shtëpisë: Ky është varri im kush ta hapin derën!
Atë natë Hoti ka mbetë i rrethuem në tana anët. Hotjanët e kishin fishekun në gojë të pushkës. Si gjithmonë.
3.
Cen Ibra i Mustafajve (Mujaj-Haxhaj) atë natë të rrethimit të Hotit ndejti në Sinanaj, tek shtëpia e Zek Arifit, ku u prit’ me tana të mirat. Si ma i miri burrë i vaktit. Siç e meritonte. Si përherë, pabesisë Turkoviçiane të asaj nate nuk i dihej, prandaj i ndejtën gati çdo të papritune. Në koft se kush ua sulmonte kullën me luftue deri në pikën e fundit të gjakut. Në koft se lëshohej kushtrimin Hoti me u ngrit’ në kambë e me shkue të parët në ballë të luftës.
Në natje, kur drita po i kap malet, çohet Cen Ibra e shkon tek kulla e tij me i lëshue dhitë për kullotë. Ushtria po nejke maleve. Ende nuk kishte ikë tek kazerma e vet. Hotit hala nuk iu kishte lëshue rrethimi malazez.
Në Osojna, tek Ura e Bekës mbi lumë të Hotit apo si i thërrasinshkijet “Rijeka e Gjyriqit” e kapin çobanin e dhive Cen Ibrën e Hotit. Turkoviçi me të tijët e vrasin mizorisht. Pabesisht. E panë zogjtë e lulet. Krismat i ndjenë malet e lumenjtë. Dhimbja kapi Hotin e 12 fiset e mëdha të Maleve Shqiptare të Shqipërisë së Veriut.
4.
Stanisha Turkoviçi u korit shumfish: edhe veten e breznitë e tij, edhe si shtet.
Rrethoi një fshat të madh si Hotin, një fis luftarak si Hotin, e vrau Cen Hotin, një çoban të njohur të Hotit, një mashkull të mirë të Hotit.
E vetmja vrasje e shtetrrethimit të tij të pashembullt. Një vrasje që nuk i dha aspak nder. Një vrasje që e bani me turp.
Një vrasje e Stanisha Turkoviçit që e futi shumëfish në gjak si me shtëpinë e Shar Ibrës me vllazni të tij dhe me Hotin nga liqeni i Plavës tek liqeni i Shkodrës, me krejt Plavë-Gucinë, me Malësinë e Madhe, me Malësinë e Gjakovës, me Rrafshin e Dukagjinit, me Sanxhakun Shqiptar.
Ajo pushkë ishte faqja e zezë e Stanisha Turkoviçit e prapë marria e tij e lypte faqen e zezë. Ky zyrtar i lartë malazez i shkoi tek shtëpia Ibër Mustafës të Mujaj (Haxhaj) e i thotë: Ta vramë djalin…! E, ai nuk ua ktheu pushkën tek kulla e vet, në dekën e djalit. Tradita shqiptare nuk i lejon të tilla hakmarrje. Po kreu i kullës, Ibra i Mustafajve, burrë i fortë e me urti të madhe, ia lëshoi një za për me ia ndie edhe pas veshi:
“… Dhimbten për djalin jam ka e kaloj me vllazni e fis, me Hot e Plavë-Guci… Ke vra një çoban…!”
I ligu njeri Stanisha Turkoviç iku me të vetët, duke lanë në Hot ligësitë e veta të shtetrrethimit, në pritje me marrë shpagim të drejtë e të shpejtë nga hotjanët trima e të fismë për ligësitë e tij.
Në të Drejtën Zakonore Shqiptare, nga lashtësia deri më sot, nga Veriu në Jugun e Shqipërisë, në Kanunin e Lekë Dukgjinit, në Kanunin e Maleve, në Kanunin e Labërisë, nga Plavë-Gucia në Shkup, etj. dënohej vrasja e çobanit (bariut) e, ndaj vrasësit, kushdo qoftë e kudo qoftë, merreshin masa tejet të rrepta. Gjithësesi nuk ka të bajnë fakti se kush shenjon e qet’ pushkë mbi çobanin. Nuk falet as individi e as shteti për vrasjen e tij. Ai ishte gjak për t’u marrë, në mos nga shtëpia e çobanit të vrarë nga vet fisi i tij, nga krahina me fiset e saj apo nga të gjithë sëbashku, sipas një pleqnimi e plani, me kanun, me kuvend, me nismë fisnore.
TRI PUSHKË ME NJË KRISMË
1.
Shtëpia e Ibër Mustafës, i Mujaj (Haxhaj), është një nga shtëpitë e forta të Hotit e të Shqiptarisë. Atë e kanë mbajtë të tillë trolli i vet, brezat e vet, fisi i vet i Hotit. E ka njohur Historia. E kanë mbajt’ fort tokën e vet, e kanë çue lart emnin e vet: me punë, me dije, me pushkë.
I riu trim, Shar Ibra i Hotit, po i thotë babës së vet e fisit të vet, se ka ardhë ora e historisë shqiptare, e të Drejtës Zakonore Shqiptare, për me e pague Stanisha Turkoviçi me jetën e vet, me kryet e vet pabesinë e ligësinë e tij antishqiptare, për vrasjen e Cen Ibrës, vllait të tij, si dhe qindra shqiptarëve të tjerë të persekutuar e ekzekutuar prej tij.
Krejt djemtë e Hotit janë Shar Ibra po i thirri koha në skenën e saj lokale e kombëtare. Secili atdhetar prej tyre, çdo derë e brezni nacionaliste, janë faqe e hapur dhe e pa mbyllur e historisë shqiptare në shekuj. Po vet Shar Ibra i zgjodhi dy prej tyre: Nasin e Sejdit, i Hysenaj (Haxhaj), sivllai i tij në vijën genetike të gjakut dhe Mujën e Alit të Mustaf Aliajt, sivllai i tij në vijën e tamlit, nip bije në Hotin e Plavës, banor i saj i prejkohshëm.
2.
Lajmi u ngjit në Hotin e Plavës.
Stanisha Turkoviç paska dalë në bjeshkën e Treskavacit, bjeshkë e kapun me Hot. Ai ishte zyrtari ma i lartë i prefekturës (qarkut) Andrejavicë, Plavë-Guci me rrethina. Ai mbrohej shumë se i duhej fort shtetit malazez. Në çdo hap ecte me eskortë me roje në formacion mbrojtjeje, në gadishmëri për kundërpërgjigje sulmi ndaj çdo atentati ndaj tij. Ai ushtronte politika raciste, genocidiale ndaj shqiptarëve etnikë, ndaj komunitetit boshnjak të atyshëm, si rrahje publike skandaloze, burgosje edhe pa kthim, tortura nga ma ekstremet, etj. Ai ishte terrorist, aqsa shumë mirë mund t’i thuhej edhe kriminelit serb Aleksandër Rankoviçit si “Stanisha Turkoviç i Kosovës”.
Dy djemtë trima të Hotit, Shar Ibra i Mujaj dhe Nasi Sejdi i Hysenaj, sëbashku me nipin e Hotit, Mujë Alinë e Mustafaliajve i dolën në pritë në një rrugë bjeshke, Stanisha Turkoviçit.
Të tre gjuajtën përnjëherit në shenjë drejt Stanishës antishqiptar, këtij Turkoviçi i konvertuar në malazez shoven, gjakatar, barbar.
Plani ishte i qartë: Në mos e vraftë i pari, Shari, do e vriste i dyti, Nasi. Në mos e vraftë i dyti do ta vriste i treti, Muja. Tri pushkë me një krismë.
Diku e kam has’ kit’ fakt: Stanisha Turkoviç paska lind në bjeshkë, prandaj ia ngjitën emnin Stanisha. E, si i erdhi e mbramja atij: me e lanë kryet aty ku e lindi kryet?!
Stanisha Turkoviçit i pushoi fryma përjetë. Malet, luginat, njerëzit morën frymë ma lirisht. Një antishqiptar ma pak. Një Turkoviç ma pak. Rregjimi malazez mbeti po i njëjti si pardje, dje e sot. Një regjim turkoviçian, që ende edhe sot hakmerret ndaj Hotit skej liqenit të Plavës. E duan pa shqiptarë. Pa Shar Ibra. Pa histori shqiptare.
3.
Çetinën e fronit malazez (serb) e mbuloi zia për vrasjen e eksponentit të tyre të lartë: Stanisha Turkoviç. Familja mbretërore malazeze, pasardhësit e mbretit Nikolla I, me banim mërgimtar në Francë u tronditën nga ky lajm. Princi Paul Karagjorgjeviç, në emër të mbretit të ri serb, Pjetri II i Jugosllavisë së Parë, u interesua direkt për vrasjen e tij. Turkoviçët e Plavës e të Podgoricës hapën T’pame, të cilët e kishin dhimbjen në prag po edhe si kuçiotë të asimiluar pro sllav ndoshta e dinin fort mirë se Stanisha e kishte hak një çmim të tillë me jetën e vet.
Shteti jugosllav u vnue në kërkim të kapjes të tre djemve nga Hoti i Plavës. Malet e shqiptarët e tyre i ruajtën ata. Pabesia nuk harrojke me i ndjek ata. I arrestuan, i prangosen, i futën në burg. I torturuan, veçse sa i lanë të gjallë me frymë e në jetë.
Drejtësia jugosllave iu dha dënimet: Shar Ibra i Mujaj me 20 vjet burg. Nasi Sejdi i Hysenaj dhe Mujë Ali i Mustafaliaj me nga 17 vjet.
Të tre e vuajtën dënimin në burgun e vjetër e famëkeq të Kotorrit.
Edhe pas vrasjes të Stanisha Turkoviç, edhe pas burgosjes të tre djemëve të Hotit, shteti jugosllavo-malazez e pati të vështirë me e shtri’ pushtetin e vet real në Hotin e Plavës. Kjo ngjau vërtet vetëm në vitet e komunizmit, si i thonë në “kohën e Titos”, kur PKJ e shteti jugosllav e mbyllën kufinin me Shqipërinë dhe hotjanët e atyshëm nuk kishin tjetër rrugëdalje, nuk gjenin tjetër rrugëzgjidhje. Shteti vendosi posta e pika dhe kontrolle kufitare në territorin vrri e bjeshkë të Hotit të Vendit, Hotit të Kunjit, Hotit të Historisë.
TURKOVIÇËT – STAN I MADH ME STANISHA ANTISHQIPTAR
1.
Turkoviçët nuk janë vetëm një Stanishë, po ata janë një” stan” i madh me Stanisha Turkoviçë. Në disa brezni kohore kanë nxjerrë nga një apo disa “Stanisha” të këtillë antishqiptar.
Brezi ma i vjetër plavë-gucias e ka njoft sadopak e shumëkush edhe tevona ia ka ndie namin antishqiptar një farë Lluka Turkoviçit. Ai, veçmas në kohën e Luftës së Dytë Botërore, ishte antar i shtabit propogandistik e luftarak të Drazha Mihajlloviç, i partisë së tij çetnike, një farë zëdhënësi i tij, kryesisht në Plavë-Guci-Murinë me rrethina.
Ky Drazha Mihajllovic, një “Çubrilloviç i ri” apo “Dobrica Qosiç”, që ka ushtrue veprimtari të madhe në kambë e me armë edhe në Malin e Zi, i cili e hartoi në vitin 1942 një platformë spastrimi etnik të shqiptarëve nga trojet e veta në emër “të largimit të të gjithë myslimanëve nga Ballkani”, etj.
Kush ishte antishqiptari Lubomir Tadiç nga Plluzhine në Malin e Zi të sotëm, që në moshë krejt të re u lidh aktivisht me lëvizjen çetnike të Drazhe Mihajlloviçit, u përzgjodh antar i Akademisë së Shkencave të Serbisë, e vdiq 88 vjeçar (2013) në Beograd me ëndrrën për ta parë Kosovën “de facto” nën Serbi, si rajon të varur prej saj? Ky ishte baba i presidentit të Serbisë, Boris Tadiç (2004-2010). Dhe një fakt tjtër: gjyshi i këtij presidenti serb, Pavle Tadiç, ishte toger i ushtrisë të Malit të Zi në Luftën e Parë Ballkanike 1912-1913, i cili luftoi edhe në viset shqiptare dhe një nga ushtarakët e mësuesit që punonte për asimilimin e shqiptarëve.
Kush ishte Bllazho Gjukanoviçi (1883-1943), i lindur në Nikshiq të Malit të Zi, gjeneral brigade çetnik, prej vitit 1942 pas një marrëveshje me italianët “de facto” lider politik e ushtarak i Luftës së Dytë Botërore në Mal të Zi, komandant i të gjitha forcave çetnike në Malin e Zi (1941-1943), të cilin e vranë partizanët jugosllavë në Manastirin e Ostrogut? Ai është një nga të afërmit e kryeministrit të sotëm Milo Gjukanoviç, i lindur në Nikshiq më 15 shkurt 1962, i cili u pranue qysh në shkollë të mesme në PKJ, pasi i ati, Radovani ishte një komunist i hershëm e me mjaft ndikim në PKJ të Malit të Zi, etj.
Ndër sllavët kontribues në luftëra për asimilimin e zhdukjen e shqiptarëve hyjnë edhe Turkoviqët e Plavës, me në krye Stanisha Turkoviçin apo Lluka Turkoviçin, Veshi Turkoviqin kapiten i klasit të parë, etj., krahas Nikolla Pashiqit, Jovan Cvijiqit, Vlladan Gjeorgjeviçit, Vaso Çubrolloviçit, Drazha Mihajlloviçit, Bllazho Gjukanoviçit, Stefan Moleviçit, Ivan Vukotiçit, Lubomir Tadiçit, etj.
Këto fakte dëshmojnë se pushka e Shar Ibrër Hotit vet i tretë kundër antishqiptarit të madh Stanisha Turkoviç ishte një pushkë e madhe për historinë, për çështjen kombëtare shqiptare.
2.
Shar Ibra i Hotit i plotësoi njëzet vite burg në Kotorr e tue ardhë një pjesë rruge në kambë ndali në Andrijavicë. Iu kishin lodh gjunjtë e sytë. Nuk ishte larg Hoti i tij po atij i dukej sikur nuk do të mbrrinte kurrë atje. Ai po mendonte se kurrgja tjetër nuk i bante ma mirë se një kafe për qejf, i ulur tek një lokal përballë.
Ai hyri brenda. E porositi kafen. U ul me e pi çlodhshëm.
Aty ish kanë edhe kapiteni Veshi Turkoviç i “stanit” të Stanisha Turkoviçit. Ua ban me shenjë rojeve të veta. U thirrën edhe nga policia e Andrijavicës. Po rrinë brenda e përjashta në gadishmëri.
Veshi i Turkoviçëve me mustaqe vesh më vesh e me kapuç të bardhë kthye mbi vetull, po ecë drejt tavolinës së Shar Ibër Hotit. E vnoi dorën mbi sy e po e kqyr nga afër:
– A je ti Shar Ibra? – po e dvet.
– Po. Shar Ibra i Hotit jam – i bani njoftje.
– Ku je ka shkon për rrugë?
– Po shkoj tek shtëpia ime në Hot. E kam krye burgun e po due me jetue në
tokën teme, në kullën teme, në punën teme.
– Te shtëpia jote ti kurrë ma nuk kie me shkue o Shar Ibra – iu ngërthuc
idhtas kapiteni Veshi Turkoviq.
Shar Ibra i Hotit e hurpi edhe një herë kafen, si me i dhanë fuqi vetes, e tu çue në kambë. Gati me ecë kah shtëpia e vet.
Kafja u mbush me policë. Iu vërsulën Shar Ibrës sikur të ishte një kriminel lufte, sikur të ishin në një front lufte. Atij i mbeti edhe pak kafja pa mbarue. Edhe pak kilometra udhë i mbetën pa shkue tek shtëpia e tij në Hot.
Hakmarrja e Turkoviçëve nuk njihte as ligje, as kanun, asnjë normë morali njerëzor. Ai e kishte krye burgun e po e rikthenin prapë në të vjetrin burg famëkeq të Kotorrit.
PIRAMIDA
1.
Hotianët shkuan në burgun e Kotorrit në bregdetin e Malit të Zi për me e u takue me Shar Ibrën po nuk e gjetën aty. Vdiq apo e vdiqën?! Te dyja bashkë. Askush nuk tregoi atë ditë e sot se ku është varri i tij.
Një kuti duhani plot bujari e një xhaketë e vjetër krejt fisnikëri ua dhanë ata të burgut të Kotorrit. Ato i ka pasë djali i tij, Salihi, atje në Amerikë. Tashti i ruan nipi i tij, Cen Sali Shari i Hotit. Ato mund ta kenë vendin edhe në Muzeun Historik Kombëtar.
Trimi i rrallë e martiri shqiptar Shar Ibra i Hotit i ban nder kombit të jetë “Dëshmor i Atdheut”. I ban nder Tiranës, Prishtinës, Shqiptarisë.
2.
Një burrë i fjalës e i pushkës, Ibër Hoti, kur i lindi djali e kishte mendue prej kohësh emrin e tij. Ia vnoi Shari, që i përkthyem në shqip ka domethanien: “dituri”. Kjo ishte një dëshirë e brezave të Hotit për me i pasë djemtë me shkollë të madhe.
Dhe vjen një ditë kur dëshira e amaneti i brezave hotjanë del në dritë. Sali Shari (Mujaj-Haxhaj) bahet mësues i kimisë në Plavë-Guci e një inxhinier kimist në Amerikë.
E kam parasysh një foto të Sali Sharit dalë me pushkë në dorë. Ai tashmë ka ndrrue jetë po pushkën ia ka lanë djalit, Cenës, ish luftëtar i Batalionit “Atlantiku” të shqiptarëve të Amerikës që shkoi më 1999 të luftonte për çlirimin e Kosovës. Ai ka dalë në një foto pranë një piramide, asokohe kur UÇK e theu kufinin shqiptaro-shqiptar.
Luftëtari Shar Ibra i Hotit më ngjan në përjetësi si një piramidë e vlerave, qëndresës e sakrificave shqiptare, si një piramidë krye maleve të Hotit e në ballë të historisë së Kombit.
—
[1] Mark Krasniqi. Gjurmë e Gjurmime. Prishtinë, 1979. fq. 266.
[2] HPSH. Akademia e Shkencave e Shqipërisë. Tiranë, 2002, fq.2008.
[3] Rexhep Dedushaj. Krahina e Plavë-Gucisë nëpër shekuj.
[4] Pete Pjetri i Hamo Micit nga Gucia / Pak histori rreth prejardhjes së fiseve të Plavës e Gucisë. Kumtim.Gazeta Atlantik. Tetor, 2010 / Përgatit në bashkëpunim me Skënder Ç. Hasangjekaj i derës së Bajraktarit të Martinajt. / Këto të dhëna dhe dëshmi janë marrë nga libri “Gjeografi e Vilajetit të Kosovës”, kapitujt “Karad ve Ordu” (Mali i Zi dhe popullata e saj), publikuar në Stamboll – Turqi, më 1852, fq. 78–83 /.
[5] Prof. dr. Kahreman Ulqini. FESH /Drekali / Vol. i. Tiranë, 2008. fq. 524-’25.
[6] K.Ulqini. Po aty.
[7] Kit’ detyrë e mori në vitin 1879 deri më 1882.
Komentet