Xherdan Shaqiri nuk ka dhënë një përgjigje të qartë nëse do t’i mbetet besnik Përfaqësueses së Zvicrës pas pranimit të Kosovës në UEFA dhe FIFA.
Ai është treguar diplomat në përgjigjen e tij, me të cilën në Zvicër janë ndarë goxha të dëshpëruar, raportojnë të premten mediat zvicerane.
Shaqiri, 24-vjeçar, në vitin 2010 ka debutuar me ekipin A të Zvicrës kurse deri tani ka zhvilluar 51 ndeshje dhe ka shënuar 17 gola. Ai do të jetë pjesë e Zvicrës në “Euro 2016”.
Kosova gjatë këtij muaji është pranuar në UEFA (3 maj) dhe në FIFA (13 maj). Përfaqësuesja e Kosovës deri në fund të këtij muaji pritet të mësojë se pjesë e cilit grup eliminator për botërorin “Rusia 2018” do të jetë, I apo H. Më pas pritet të nisë beteja për të kthyer yjtë e saj që luajnë me përfaqësueset evropiane. Shaqiri është shënjestra kryesore.
“Është ende herët të flitet për një gjë të tillë. Unë tashmë kam treguar dhe kam dhënë shumë për Zvicrën. Luaj me zemër dhe jap gjithçka për Zvicrën”, ka thënë Shaqiri.
Komentet