Para pak ditësh në internet ishte botuar informacioni në vijim:
“Në një intervistë për Zërin e Amerikës, presidentja e Kosovës Vjosa Osmani thotë se vendi i saj kërkon garanci nga partnerët ndërkombëtarë për zbatimin e detyrimeve që dalin nga marrëveshja e Ohrit. Osmani iu referua kryesisht çështjes së Asociacionit, pikës më të nxehtë në mosmarrëveshjet mes Prishtinës dhe Beogradit” (Citohet sipas: “Osmani: Kërkojmë garanci ndërkombëtare për Asociacionin”. Faqja e internetit e gazetës “Shqiptarja.com”. 10 korrik 2024).
U befasova tej mase nga ky informacion fort shkurajues. I kapluar keqë nga një dëshpërim i thellë, iu drejtova me letrën në vijim një mikut tim, nacionalist i njohur në Republikën e Dardanisë:
“I dashur miku im,
Sapo lexova në internet informacionin me titull “Osmani: Kërkojmë garanci ndërkombëtare për Asociacionin”.
Vajmedet, ore miku im i nderuar!
Kryeqytetarja e Republikës së Dardanisë nuk e kuptuaka që jo pak ndërkombëtarë kanë vite të tëra që janë radhitur në mbështetje të Serbisë kriminale?
Madje vetë ish-shefi i UNMIK-ut në Republikën e Dardanisë, Lamberto Zanieri, dikur pati deklaruar:
“Pas ndërhyrjes ushtarake një pjesë e bashkësisë ndërkombëtare mori anën e Serbisë” (Citohet sipas faqes së internetit “Voal”. 16 prill 2011).
Kjo deklaratë e presidentes Osmani na mbush me “shpresë” se së shpejti Serbia fashiste do të ketë në territorin e Republikës së Dardanisë republikën serbska 2, me në krye Dodikun 2.
Deklarata e presidentes Osmani duhet vlerësuar absurde, me pasojë braktisjen e interesave kombëtare. Në vënd të kësaj deklarate, presidentja duhej të kishte dalë burrërisht me një tjetër deklaratë publike:
“Republika e Dardanisë nuk do të lejojë kurrën e kurrës krijimin e asociacionit. Këtë deklaratë ndërkombëtarët le ta mbajnë vath në vesh!”.
Me shumë respekt vëllazëror.
Eshref Ymeri
Kaliforni, 15 korrik 2024”
Miku dardan më ktheu përgjigjen e mëposhtme:
“I nderuar mik,
Keni shumë të drejtë në gjykimin tuaj të mprehtë dhe të saktë. Nuk është për t’i beuar asnjë shqiptari, sepse fytyrën e vërtetë po e zbulojnë sapo marrin pushtetin. Tradhtia paska qenë bashkëshoqëruesja në historinë e shqiptarëve. Të kërkosh garanci për një minishtet serb brenda Kosovës! Kjo Vjosa Osmani, me sa duket, po ia kalon edhe Hashimit, edhe Edi Ramës.
Me respekt dhe të uroj gjithë të mirat”.
Presidentja Vjosa Osmani do të bënte mirë të kishte parasysh një analizë, të botuar në internet, ku thuhet:
“Shkëmbimi i territoreve ndërmjet Serbisë gjenocidale dhe Kosovës viktimë është një absurditet i paparë diplomatik dhe logjikisht i papranueshëm. Territoret ku jeton pakica serbe në Kosovë janë territore shqiptare, të okupuara nga serbët. Edhe territoret në Luginën e Preshevës, që aktualisht administrohen nga Serbia, janë territore shqiptare, të okupuara nga serbët, që logjikisht duhet t’i kthehen Kosovës” (Citohet sipas: Rexhep Torte. “James O’Brien mesazh Serbisë gjenocidale, mos e prek Kosovën se do ta thyesh kokën”. Faqja e internetit e gazetës ”Bota Sot”. 14 korrik 2024).
Me sa duket, deklarata e mësipërme e Presidentes Vjosa Osmani, është frymëzuar gjatë vizitës së saj të fundit në Shtetet e Bashkuara, ku sorosistët në Departamentin e Shtetit, si Blinkeni, Eskobari dhe të tjerë, janë radhitur vendosmërisht në anën e Serbisë kriminale. Është e çuditshme se nga cilët ndërkombëtarë i kërkuaka “garancitë” Presidentja Vjosa Osmani për Asociacionin, kur dihet që Brukseli dhe Vashingtoni janë tërësisht në anën e kryetradhtarit Rama, shërbëtorit të Vuçiçit? Prandaj jo rastësisht, Sekretari i Shtetit, Blinken, gjatë vizitës disaorëshe në Tiranë, deklaroi:
“Zoti kryeministër është jo vetëm udhëheqës i shkëlqyer, por kryeministër i mirë” (Citohet sipas: “Blinken propagandë Ramës: Udhëheqës i shkëlqyer dhe kryeministër i mirë! U ka dhënë drita të bukura”. Faqja e internetit “Bold News”. 15 shkurt 2024).
Me deklaratën e saj, Presidentja Vjosa Osmani të kujton qëndrimin e Ismail Qemalit, kur, pas shpalljes së Pavarësisë, në vend që të lëshonte kushtrimin për ngritjen e popullit më këmbë, që nga Arta e Preveza deri në Tivar dhe Nish, të shoqëruar me krijimin e forcave të armatosura për mbrojtjen e trojeve tona etnike, u ngrit e shkoi në Londër të kërkonte garanci nga ndërkombëtarët për trojet tona, sepse 40 firmëtarët e Pavarësisë që ai kryesonte, ishin të paaftë t’i dilnin zot vendit. Pra, sipas Presidentes Vjosa Osmani, zjarrin në vatrën e shtëpisë duhet ta ndezë dhe ta mbajë të ndezur jo i zoti i saj, por ndërkombëtarët!!! Vajmedet!
Deklarata e Presidentes Vjosa Osmani të kujton përgjithësisht mbarë politikanët shqiptarë, të cilët në qëndrimin e tyre vlersojnë ndërkombëtarët deri në përmasat e një servilizmi të pështirë dhe nuk çmojnë popullin e vet, i cili ka aftësi të bëjë mrekullira po ta duan, po ta respektojnë dhe po të mbështeten fuqimisht në aftësitë e tij krijuese.
Gazetari dhe shkrimtari Shefqet Meko, gjatë një bisede telefonike që kam pasur me të dy vjet më parë, më pati rrëfyer nga Minnesota ngjarjen në vijim, e cila është me të vërtetë tronditëse:
Gazetari italian Frencesco Picolo (1954) pati ardhur për një vizitë në Shqipëri në vitin 1992. Lidhja e gazetarëve pati caktuar si shoqërues të tij pikërisht gazetarin Shefqet Meko. Një ditë, kur ishin duke ngrënë drekë, gazetari Frencesco Picolo ja si i qe shprehur shoqëruesit të vet:
“Para se të vendosja të vija për vizitë këtu, pata lexuar shumë për të kaluarën historike të vendit tuaj. Nga gjithçka që pata mundësi të lexoj, arrita në përfundimin se e kaluara juaj, me përjashtim të periudhës së Pirros së Epirit dhe të Skënderbeut, është një histori e turpshme”.
Qëndrimet e politikanëve shqiptarë pa bosht kombëtar, të sjellin në kujtesë librin e shqiptarit të njohur të mërgatës sonë, Kol Bib Mirakaj (1899-1968), me titull ”Vetvrasja e një kombi”. Botimet Fiorentina. Shkodër 2014.
Kaliforni, 17 korrik 2024