“Kosova në NATO”, një thurje që bën thirrje për anëtarësim sa më të shpejtë të Kosovës në Aleancën Veri-Atlantike, është përhapur në rrjete sociale, që nga fillimi i agresionit të Rusisë ndaj Ukrainës, që ka nxitur edhe shqetësimet për mundësinë e destabilizimit të rajonit të Ballkanit Perëndimor.
Autoritetet më të larta të Kosovës dhe partitë politike po kërkojnë nga faktorët ndërkombëtarë që të mbështesin Kosovën në përshpejtimin e anëtarësimit të saj në NATO.
Të martën, presidenti turk Recep Tayip Erdogan, pas një takimi me presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani, tha se Turqia do të ndërmarrë hapa, sikurse në rastin e njohjes edhe për procesin e anëtarësimit të Kosovës në NATO.
Presidenti serb Aleksandër Vuçiç tha mbrëmë se ministria e Jashtme e Serbisë ka përgatitur një notë proteste, pas komenteve të presidentit turk.
Rreth 3 mijë e 800 trupa të KFOR-it kujdesen aktualisht për sigurinë në Kosovë.
Por cilat janë kriteret për anëtarësim në NATO?
Në një përgjigje për Zërin e Amerikës, zëdhënësja e NATO-s, Daniele Riggio, tha se kriteret për anëtarësimin në NATO janë të përfshira në Nenin 10 të Traktatit të Uashingtonit, ku theksohet se “palët, me marrëveshje të njëzëshme, mund të ftojnë çdo shtet tjetër evropian që është në gjendje të çojë përpara parimet e këtij Traktati dhe të kontribuojë në sigurinë e zonës së Atlantikut të Veriut për t’anëtarsuar në këtë Traktat”.
Por cilat janë pengesat e Kosovës për anëtarësim në NATO?
“Pengesa më e madhe është fakti që NATO-ja edhe më tutje ka një qasje neutrale nëse jo edhe pasive në raporte formale sa i përket bashkëpunimit me Kosovën, për faktin që katër shtete të NATO-s edhe më tutje nuk e njohin Kosovën dhe për të qenë anëtare e NATO-s duhet domosdo me pas konsensus të plotë, të paktën mos të ketë vota kundër”, thotë për Zërin e Amerikës, drejtori i Qendrës së Kosovës për studime të sigurisë, Mentor Vrajolli.
Zoti Vrajolli thotë se kohët e fundit ka tendenca që Rusia përmes aleatëve të saj në Ballkanin Perëndimor të nxise destabilizim.
“NATO duhet të jetë syhapur dhe t’u hap rrugën këtyre vendeve tjera të cilat nuk janë anëtare të NATO-s, që të jenë pjesë e NATO-s me qëllim që të sigurohet që këto tendenca me domosdoshmëri kanë me rezultu me tendenca të dështume”, tha ai.
Qeveria e Kosovës themeloi të martën “Fondin e Sigurisë”, për pranimin e donacioneve dhe kontributeve të diasporës dhe qytetarëve të Kosovës, që do të përdoren në fushën e mbrojtjes dhe sigurisë shtetërore, infrastrukturën e sigurisë dhe menaxhimin e katastrofave natyrore.
Zoti Vrajolli thotë se kjo nismë është e mirë por sipas tij një formë më e mirë për forcimin e sektorit të mbrojtjes është përmes bashkëpunimit me partnerët ndërkombëtarë.
“Ka partner të cilët janë të interesuar që forcojnë strukturat vendore për shkak se Ukraina po tregon që është më ekonomike për intervenim ndërkombëtar në qoftë se i jep mbështetje forcave vendore se sa që të pritet që komuniteti ndërkombëtar të intervenojë”, tha ai.
Autoritetet në Kosovë thonë se janë duke bashkëpunuar me aleatët perëndimorë për të kundërshtuar agresionin e Rusisë në Ukrainë dhe për t’u përballur me ndikimet e mundshme në rajonin e Ballkanit.
Komentet