Filmi “Ramy”, i rrjetit Hulu, ka në epiqendër një mysliman arabo-amerikan të brezit të këtij mijëvjeçari. Personazhi nxjerr në pah dallimet mes brezave të arabëve myslimanë më tradicionalë që emigruan në Amerikë, si dhe atyre që lindën dhe u rritën në Shtetet e Bashkuara.
“Unë isha brezi i parë që u përpoq të bashkojë të dyja botët. Doja të shikoja se si do ta përjetonin këtë komedi njerëzit e grupit tim kulturor. Si do të reagonin ndaj interpretimit tim të të qenit mysliman amerikan dhe dilemave të mia si person i brezit të këtij mijëvjeçari”, thotë komediani Ramy Youssef, i cili shkruajti vetë skenarin dhe është personazhi kryesor në komedinë që bazohet kryesisht tek vetë jeta e tij.
Komediani e përshkruan spektaklin e tij si të mbushur me humor, satirë të mprehtë, por me këmbë në tokë, ndërsa përpiqet të rrëzojë stereotipet e krijuara për myslimanët në Amerikë.
“Ramy” ka dhjetë episode që pasqyrojnë përpjekjet e një arabo-amerikani mysliman për të përkufizuar busullën e tij morale, ndërsa i duhet të manovrojë me marrëdhëniet me të afërmit, marrëdhëniet intime dhe sigurinë e vendit të punës – ose më saktë pasigurinë e punës.
Në film, prindërit e Ramit janë emigrantë myslimanë besimtarë, të ardhur nga Egjipti. Të ngulitur në traditat e tyre, ata shpesh kritikojnë Ramin dhe motrën e tij për idetë e tyre liberale dhe stilin laik të jetesës. Por Rami gjithashtu zbulon se ndjeshmëritë e prindërve të tij emigrantë gjenden edhe thellë në brendësinë e tij.
Spektakli fillon me personazhin kryesor që vë në pikëpyetje mënyrën e vjetër të jetesës së prindërve të tij. Ndërsa shtjellohet skenari, ai përqafon traditat arabe myslimane, si pjesë e përkufizimit të tij si arabo-amerikan.
Ramy Youssef thotë se ai donte t’i bënte personazhet arabe myslimane të përshtatshme për shikuesit amerikanë, pavarësisht nga kultura, mosha apo feja. Ai thotë se “një numër shumë i madh njerëzish më kanë thënë që kjo ngjason shumë me ato që kam kaluar unë“.
Në Amerikën e sotshme, ku çështja e emigracionit është ndër temat më të nxehta, zoti Youssef thotë se ai dëshiroi të përqëndrohej tek një familje arabe myslimane dhe të tregonte problemet reale që ata kanë, si dhe të nxirrte në pah humanizmin e tyre. Ai thotë se objektivi i tij ishte të sfidonte stereotipet për myslimanët arabë, në një stil humoristik, por edhe shpotitës.
Ramazani
Seriali paraqet edhe muajin e shenjtë të Ramazanit. Personazhi kryesor agjëron, ashtu si familja e tij, nga agimi dhe deri në perëndim të diellit. Ndërsa përpiqet të gjejë dlirësinë e brendshme, ai përballet me realitetin e rregullave të Ramazanit që shkojnë përtej vetëm agjërimit.
Në Qendrën Islamike “Dar Al-Hijrah”, një xhami në shtetin Virxhinia, shumë myslimanë që vijnë të falen, reflektojnë mendimet dhe eksperiencat e personazhit televiziv.
Saif Rahman thotë se: “Jetojmë në një shoqëri shumë materialiste dhe kapitaliste. Përpjekja për të ndërthurur botëkuptimin tënd si besimtar për t’i ardhur fqinjit në ndihmë, apo për të patur një jetë shpirtërore, është bërë disi e vështirë në një jetë që motivohet nga mediat sociale dhe nga materializmi, dhe ku të gjithë konkurrojnë për vende pune”.
Për 16-vjeçarin Maroa, një amerikan i brezit të parë me prejardhje arabe, agjërimi është një mënyrë pastrimi shpirtëror.
“Mendoj se agjërimi ka të bëjë më tepër me botëkuptimin. Nëse agjëron sepse je i detyruar, bëhet shumë më e vështirë. Por, nëse agjëron për motive që i dëshiron, atëherë ke një perspektivë më optimiste dhe është vërtet më e lehtë. Sa më shumë agjëron, aq më e lehtë bëhet”, thotë ai.
Për vajzat myslimane arabo-amerikane, si Fatima, nxënëse e shkollës së mesme, ushtrimi i besimit është pjesë e identitetit të tyre.
Ajo thotë se: “Ndonjëherë është e vështirë. Duhet të vishem në mënyra modeste dhe njerëzit më shohin dhe më thonë se është paksa nxehtë jashtë. Nuk e marr këtë personalisht, pasi jam mësuar tashmë. Pra, do të thoja se kjo është vërtet sfiduese – të rritesh duke mos u dukur si vajzat e tjera normale”.
Rrëzimi i stereotipeve
Zoti Youssef thotë se komedia e tij synon të trajtojë temat e parehatshme, si mosbesimi në rritje ndaj emigrantëve në Amerikë, në veçanti emigrantët arabë myslimanë, që shpesh shihen si terroristë të mundshëm. Komediani thotë se ushtrimi i besimit mysliman është një zgjedhje personale dhe pjesë e identitetit të tij amerikan.
Rahmani, i Qendrës Islamike “Dar Al-Hijrah”, reflekton të njëjtën ndjesi.
“Jam në fakt i lodhur nga detyrimi për të kërkuar ndjesë që jam mysliman, pasi nuk kam arsye për ta bërë këtë gjë. Unë jam një amerikan. Jam një mysliman dhe nuk ndjej ndonjë sfidë për të ndërthurur në harmoni besimin tim dhe amerikanizmin tim”, thotë ai.
Komentet