Për të tretën herë me radhë, delegacionit të përfaqësueses së Kosovës në boks, i është ndaluar hyrja në territorin e Serbisë.
Ata ishin nisur drejt Beogradit për të marrë pjesë në Kampionatin Botëror të Boksit, në kategorinë e meshkujve, që zhvillohet në kryeqytetin serb nga 24 tetori deri më 6 nëntor.
Besim Brahimi, selektor i Federatës së Boksit të Kosovës, tha për Radion Evropa e Lirë, se të dielën, më 24 tetor, autoritetet kufitare serbe, në pikëkalimin kufitar në Merdare, ua ndaluan përfaqësuesve të Kosovës.
Ai tha se autoritetet serbe u thanë se kjo po bëhet me urdhër të Qeverisë së Serbisë, pasi siç u shpreh ai, u është thënë se Serbia nuk e njeh shtetin e Kosovës, respektivisht simbolet e saj.
“AIBA ka kërkuar nga Federata serbe e Boksit që të lejojnë pjesëmarrjen. Ata po u thonë se do të na lejojnë, e në anën tjetër po na kthejnë në kufi. Ne besojmë se Komiteti Olimpik Botëror nuk do lejojë më të organizojë kampionate të tilla në Serbi, për shkak të maltretimeve që po i bënë sportistëve”, thekson ai.
Delegacioni i Kosovës, i përbërë nga pesë anëtarësh, tre boksierë, selektori dhe sekretari i Federatës së Boksit, tentuan dy herë gjatë të shtunës të shkonin në Serbi, por u ndaluan për shkak se ata kishin fanella me simbole shtetërore si dhe dokumente të Kosovës.
Federata Ndërkombëtare e Boksit (AIBA) deklaroi të shtunën se Kosova duhet të trajtohet njësojë si të gjitha shtetet tjera, duke thënë se po punon që të mundësohet pjesëmarrja e sportistëve nga Kosova.
“Ne besojmë që të gjithë atletët duhet të kenë shanse të njëjta për të garuar dhe për të treguar aftësitë e tyre më të mira në ring. Sporti ka për qëllim të bashkojë njerëzit dhe duhet të jetë i lirë nga politikat kombëtare”, tha AIBA.
Federata e Boksit e Kosovës që nga viti 2014 është anëtare me të drejta të plota në Federatën Botërore të Boksit.
Kampionati Botëror i Boksit zhvillohet në Beograd nga data 24 tetor deri më 6 nëntor 2021.
Në këtë kampionat do të marrin pjesë rreth 650 garues nga 105 shtete. Kosovën në këtë kampionat ishte paraparë që ta përfaqësonin tre boksierë: Bashkim Bajoku, Shpëtim Bajoku dhe Patriot Behrami.
Komentet