Partitë opozitare në Kosovë kritikuan të hënën pushtetin për siç thanë sjellje të papërgjegjshme kundrejt detyrimeve ndërkombëtare të marra përsipër në procesin e bisedimeve për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë, përfshirë Asociacionin e komunave me shumicë serbe.
Kritikat pasuan deklaratat e javëve të fundit të zyrtarëve të pushtetit të cilët hodhën mëdyshje nëse do të themelojnë Asociacionin, një detyrim në rrugën evropiane të Kosovës.
Shefi i grupit parlamentar të Lidhjes Demokratike të Kosovës Arben Gashi, tha se vendi po dëmtohet nga veprimet e qeverisë.
“Njëherë thonë e pranojmë, njëherë tjetër nuk e pranojmë, herën tjetër thonë vendoseni ta nënshkruajmë pastaj thonë t’i nënshkruaj dyjat, pastaj bëhet obligim i Bashkimit Evropian dhe tash thonë se nuk e pranojnë. Pra po bëjnë lojëra të cilat po e dëmtojnë vazhdimisht Kosovën si rezultat i papjekurisë politike, si rezultat i paaftësisë dilplomatike dhe si rezultat i mendjemadhësisë në sjellje”, tha ai.
Shefi i grupit parlamentar të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës Besnik Tahiri, tha se qeveria ka marr përgjegjësi për të themeluar Asociacionin.
“Ka një letër të nënshkruar nga kryeministri, kryeparlamentari dhe presidentja dhe ekziston poashtu një letër tjetër nga qeveria nga ministrja e punëve të jashtme që e ka në pranuar Asociacionin. Mund të thonë është “non paper” apo jo, mirëpo është pranuar nga qeveria dhe po ju them me përgjegjësi të plotë na e kanë lan te dera, do të thotë kushdo që vjen, kjo qeveri e ka lan te dera marrëveshjen e Brukselit, marrëveshjen e Ohrit edhe draft statutin e Asociacionit”, tha ai.
Zyrtarë të Bashkimit Evropian thonë se marrëveshja për të cilën Kosova dhe Serbia ranë dakord vitin e kaluar është ligjërisht e detyrueshme, përfshirë këtu edhe çështjen e Asociacionit.
Edhe në raportin vjetor të Komisionit Evropian për procesin e zgjerimit të bllokut, që u publikua javën e kaluar i kërkohet Kosovës që të fillojë procesin që çon në themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe bazuar në propozimin evropian të paraqitur më 21 tetor 2023.
Tetorin e vitit të kaluar zyrtarët më të lartë evropianë i kërkuan Kosovës themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe dhe i dorëzuan një projekt statut për të, ndërsa Serbisë përmbushjen e pjesëve të marrëveshjes që çojnë në njohjen ‘de facto’ të Kosovës, sipas marrëveshjes së arritur mes palëve në Bruksel dhe në Ohër.
Kryeministri i Kosovës Albin Kurti në atë kohë tha se ishte i gatshëm të nënshkruante propozimin për Asociacionin i cili parasheh që Gjykata Kushtetuese të jap vlerësimin e kushtetutshmërisë dhe sipas tij projekti është shkruar me kujdes “ndaj shkronjës dhe strukturës kushtetuese të vendit”.
Kryeministri Kurti tha javën e kaluar se si shef i qeverisë së vendit nuk mund të formojë Asociacionin e komunave serbe gjë që sipas tij, është përgjegjësi e vet komunave.
Kryetari i parlamentit të Kosovës Glauk Konjufca tha ndërkaq se Bashkimi Evropian nuk mund t’i imponojë Kosovës një projekt statut për Asociacionin. Ai tha se Kosova e ka pranuar projekt statutin për shqyrtim ndërsa theksoi se do të ngulë këmbë për të drejtën e saj që të propozojë vet një projekt statut.
Vëzhgues të proceseve politike në Kosovë thonë se deklaratat e fundit të zyrtarëve të partisë në pushtet lidhen edhe me çështjen e zgjedhjeve parlamentare që pritet të mbahen në shkurt të vitit 2025 në Kosovë.
Bashkimi Evropian thotë se përparimi në zbatimin e marrëveshjes është i lidhur ngushtë me përparimin e Kosovës dhe Serbisë në proceset integruese.
Komentet