Kryetari demokrat, Sali Berisha, reagoi sot ndaj deklaratës skandaloze të kryeministrit Edi Rama në Athinë se serbët dhe shqiptarët janë kushërinj.
“Sot, unë këtu dënoj me forcën më të madhe, deklaratën antishqiptare në Athinë të Edi Ramës. Për herë të parë në tërë historinë e Shqipërisë, në tërë historinë e Ballkanit dhe botës, një njeri i papërgjegjshëm deklaron se shqiptarët dhe serbët janë kushërinj.
Për të justifikuar tradhtinë e tij ndaj kombit shqiptar, ai arrin të shkelmojë mbi qindra mijëra të vrarë nga barbaritë serbë, të quajë gjenocidet serbe si gjenocide të kryera mes kushërinjve. Një mendje njerëzore më antishqiptare se kjo nuk mund të bëhet.
Me kushërirllëkun që njeh Edi Rama, kërkon të legjitimojë çdo pretendim serb në territoret shqiptare.
Kërkon të vendosë në harresë të gjitha barbaritë serbe, shkelmon historinë, shkelmon të vërtetën, shkelmon çdo gjë me një formulë të dhënë nga Beogradi, për ta thënë në Athinë.
Ku e bazon? E bazon vetëm në vasalitetin, në asgjë tjetër shqiptarët dhe serbët nuk janë kushërinj.
Shqiptarët janë këtu që kur është krijuar kjo tokë. Serbët, sipas historisë së tyre, kanë ardhur këtu nga stepat në shekullin e gjashtë.
Se ku e gjen lidhjen e gjakut Edi Rama, e gjen në tradhtinë e tij, në vasalitetin e tij ndaj Beogradit.
Ky është një akt i dënueshëm, sikundër dënoj implikimin e tij në fushatë elektorale në vende të tjera.
Dënoj me ashpërsinë më të madhe, por garantoj shqiptarët se 14 maji është dita e vendimit pa kthim për largimin e Edi Ramës nga skena politike si hajduti, si qeveritari që vodhi më shumë shqiptarët në historinë e tyre. Njëkohësisht edhe si qeveritari që shkelmoi si tradhtar, interesat e tyre kombëtare, interesat e tyre qytetare,” tha Berisha. syri.net