Serbët lokalë në veri të Kosovës kanë bllokuar me kamionë, dhe me mjete tjera, rrugët që çojnë drejt dy pikëkalimeve kufitare që lidhin Kosovën dhe Serbinë – Jarinjë dhe Bërnjak.
Të dielën, rrugët janë bllokuar edhe në pjesë të tjera në veri të Kosovës.
Bllokadat vijnë një ditë para se të hyjnë në fuqi dy vendime të Qeverisë së Kosovës që kanë të bëjnë me targat dhe dokumentet serbe.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se presidenti serb, Aleksandar Vuçiq dhe drejtori i Zyrës për Kosovën në Qeverinë serbe, Petar Petkoviq, janë përgjegjësit kryesorë për situatën në veri të Kosovës.
Petkoviq, në anën tjetër, ka akuzuar Kurtin për krizën.
“Fajtori i vetëm për situatën aktuale në Kosovë dhe Metohi është Alibin Kurti, i cili me lëvizjet e tij të papërgjegjshme po shkakton krizë të re në territorin e Kosovës dhe Metohisë”, ka thënë Petkoviq në një deklaratë me shkrim.
Policia e Kosovës ka njoftuar se ka mbyllur pikëkalimet kufitare Jarinjë dhe Bërnjak – për qarkullim të udhëtarëve dhe automjeteve – për shkak të bllokadave të vendosura dhe ka njoftuar qytetarët që të përdorin rrugë alternative.
Policia ka thënë se ka siguruar informacione zyrtare se në disa lokacione janë dëgjuar të shtëna me armë zjarri dhe disa prej tyre kanë qenë në drejtim të njësiteve policore, por nuk ka të plagosur.
Policia ka thënë se ka pranuar informacione edhe për disa raste ku janë ndaluar dhe maltretuar qytetarë shqiptarë “duke iu shkaktuar lëndime dhe shkaktim të dëmeve materiale në automjetet e tyre nga ana e personave të dyshuar të cilët dyshohet se janë pjesë e organizimeve të bllokimit të rrugëve”.
Bllokadat tjera
Besim Hoti nga Policia e Kosovës ka konfirmuar për Radion Evropa e Lirë se është vendosur një bllokadë edhe në Rudarë të Zveçanit, përkatësisht në rrugën magjistrale Prishtinë-Rashkë.
Fshati Rudarë gjendet pesë kilometra nga Mitrovica.
Një protestues në Rudarë ka thënë për Radion Evropa e Lirë se këto zhvillime kanë qenë të pritura.
“Dihet se serbët janë mbledhur gjithmonë kur kanë dëgjuar sirenat, sepse kjo gjithmonë ka nënkuptuar përgjigje ndaj ndonjë rreziku. Ishte e papritur, por disi pritej. Jemi mbledhur në protestë kundër vendimeve të Qeverisë Kurti lidhur me letërnjoftimet dhe targat”, ka thënë ai.
Barrikada është larguar përkohësisht për kalimin e udhëheqësve të Listës Serbe – partia dominuese e serbëve të Kosovës – të cilët kanë udhëtuar nga Rashka në Mitrovicë.
Në Rashkë ata janë takuar me drejtorin e Zyrës për Kosovën në Qeverinë serbe, Petar Petkoviq.
Bashkë me zyrtarë të Listës Serbe, edhe disa qytetarë e kanë shfrytëzuar rastin për të hyrë në Kosovë.
Bllokada janë vendosur edhe në fshatin Zupqë, që gjendet në afërsi të magjistrales Bërnjak-Mitrovicë, si dhe në Lagjen e Boshnjakëve në Mitrovicë të Veriut.
Sirenat në Mitrovicë të Veriut janë ndalur pas tri orëve.
Ato rëndom lëshohen kur ka ndonjë organizim.
Çfarë tjetër ka thënë Kurti?
Kryeministri Kurti i është drejtuar publikut pak orë pas nisjes së bllokadave.
“Ende pa filluar lëshimi ynë i dokumenteve të hyrje-daljeve në vendkalimet kufitare me Serbinë, strukturat ilegale serbe në veri filluan me bllokim rrugësh dhe të shtëna armësh. Atyre ju paraprinë deklaratat, takimet dhe mbledhjet e frikës dhe kërcënimit në Beograd dhe në Rashkë. Aty u planifikuan dhe u nxitën këto veprime agresive që po ndodhin sot”, ka thënë Kurti në një postim në Facebook.
Ai u ka bërë thirrje qytetarëve të Kosovës që jenë të vëmendshëm dhe të informohen nga kanalet zyrtare të autoriteteve të Kosovës.
“Orët e ditët e javët në vijim mund të jenë sfiduese e problematike. Po përballemi me nacional-shovinizmin serbomadh që e njohim mirë. Do të punojmë ditë e natë, do të jemi në krye të detyrës, për juve si qytetarë dhe për Republikën tonë demokratike”, ka thënë mes tjerash Kurti.
Petkoviq kritika drejt Kurtit
Sipas Petkoviqit, Vuçiq ka bërë thirrje “për paqe, stabilitet dhe dialog”, si mekanizmi i vetëm për normalizimin e marrëdhënieve dhe zgjidhjen e të gjitha çështjeve të hapura.
“Mesazhi i vetëm i dërguar sot nga Rashka dhe Beogradi, është mesazhi i paqes dhe nevoja për respektimin e Marrëveshjes së Brukselit, si dhe formimin urgjent të Asociacionit të komunave serbe”, ka thënë Petkoviq.
Ai shtoi se “akumulimi i njësive ROSU dhe të forcave speciale me uniformë të plotë, si dhe kërcënimet e hapura ndaj serbëve, nuk janë lëvizje paqeje, por karburant direkt në zjarr dhe këtë e dëshiron Kurti”.
KFOR-i po monitoron situatën
Misioni paqeruajtës i NATO-s në Kosovë (KFOR), ka thënë në një përgjigje për Radion Evropa e Lirë se është duke monitoruar situatën dhe më vonë do të dalë me një reagim për media.
“Tani për tani ne jemi duke e monitoruar situatën, pra jemi duke mbledhur informacione”, është thënë në përgjigjen e KFOR-it për REL-in.
Haradinaj mbështet vendimin e Qeverisë
Ish-kryeministri i Kosovës, njëherësh kryetar i partisë opozitare, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, ka thënë se mbështet vendosjen e reciprocitetit për dokumentet identifikuese për qytetarët serbë që futen në Kosovë.
Përmes një postimi në Facebook, Haradinaj ka thënë se kjo masë është e drejtë dhe e ligjshme “edhe në bazë të ligjeve vendore, por edhe atyre ndërkombëtare”.
“Mbështesim institucionet e vendit, organet e rendit dhe sigurisë, për zbatimin e këtij vendimi të drejtë e të ligjshëm. Bëjmë thirrje që qytetarët serbë në veri të vendit, të përmbahen dhe të ruajnë qetësinë, rendin e ligjin”, ka thënë Haradinaj.
Vendimet për targat dhe dokumentet serbe
Qeveria e Kosovës ka thënë se më 1 gusht do të nisë lëshimi i të ashtuquajturave dokumente për hyrje-dalje për të gjithë shtetasit e Serbisë që hyjnë në Kosovë.
Ky dokument do të lëshohet në të gjitha pikëkalimet tokësore dhe ato ajrore, si dhe do të jetë i vlefshëm për 90 ditë, ashtu sikurse dokumenti që autoritetet serbe lëshojnë për shtetasit e Kosovës kur të hyjnë në Serbi.
Me këtë dokument do të pajisen edhe personat nën 16 vjeç që nuk kanë dokument identifikimi, por që duhet të kenë certifikatë të lindjes.
“Ne nuk do t’iu marrim dokumentet njerëzve që vijnë nga Serbia në Kosovë, ne do t’ua shtojmë një fletë-deklarim. Pra, ata vijnë me dokumente e lëshuara nga Serbia, ne nuk ua marrim ato, por ua lëshojmë një fletë-deklarim, sepse ka 11 vjet që Serbia vepron njësojë me çdo qytetar të Republikës sonë kur e kalon kufirin dhe shkon në Serbi. Pra, nga nesër ata do të kenë një dokument më shumë”, tha më 31 korrik kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.
Po ashtu të hënën pritet të hyjë në fuqi edhe vendimi për riregjistrimin e makinave ma targa me akronime të qyteteve të Kosovës që lëshohen nga Serbia. Vlerësohet se 10.000 makina me targa si KM (Mitrovica e Kosovës), PZ (Prizren) UR (Ferizaj) e të ngjashme, qarkullojnë në komunat në veri të Kosovës, të banuara me shumicë serbe.
Sipas vendimit të marrë më 29 qershor nga Qeveria e Kosovës, afati për riregjistrimin e makinave do të zgjasë deri më 30 shtator.
Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka thënë më 31 korrik, se Kosova po thirret në nenin 3 të Marrëveshjes së lëvizjes së lirë që Prishtina dhe Beogradi kanë arritur në kuadër të dialogut të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian.
Por, sipas tij, ky nen nuk mund të zbatohet për serbët që jetojnë në veri të Kosovës. Ai u ka bërë thirrje serbëve në Kosovë për qetësi, por ka shtuar se ka frikë nga reagimi i tyre, pa elaboruar se për çfarë reagimi bëhet fjalë.
Dy vendimet e Qeverisë së Kosovës nuk janë pritur mirë në Beograd, teksa drejtori i Zyrës për Kosovën në Qeverinë serbe, Petar Petkoviq, ka thënë të shtunën se nëse Prishtina nuk tërhiqet nga këto dy vendime, atëherë zyrtarët serbë në Kosovë do të nisin formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe.
Kosova dhe Serbia më 2013 kanë arritur Marrëveshjen fillestare për Asociacionin, ndërkaq më 2015 palët kanë nënshkruar edhe Marrëveshjen mbi parimet për krijimin e Asociaicionit.
Po atë vit, Gjykata Kushtetuese gjeti se 23 pika të marrëveshjes ishin në kundërshtim me Kushtetutën e Kosovës, që tha se mund të harmonizohen me një akt ligjor të Qeverisë së Kosovës.
Serbia insiston që të zbatohet Marrëveshja për Asociacionin, ndërkaq kryeministri Kurti vazhdimisht është shprehur kundër një asociacioni njëetnik.
Bllokadat për targat
Ndryshe, edhe në të kaluarën, serbët lokalë në veri të Kosovës, kishin bllokuar rrugët në shenjë pakënaqësie me vendimet e autoriteteve të Kosovës.
Herën e fundit kur u bllokuan rrugët në veri të Kosovës, përkatësisht ato që çonin në drejtim të dy pikëkalimeve kufitare që lidhin Kosovën dhe Serbinë, Jarinjë dhe Bërnjak, ishte në shtatorin e vitit 2021.
Atëbotë, serbët lokalë protestuan vendimin e Qeverisë së Kosovës për të kërkuar nga shoferët serbë që të hiqnin targat dhe të pajiseshin me targa të përkohshme me të hyrë në territorin e Kosovës.
Bashkimi Evropian lehtësoi uljen e tensioneve dhe palët u pajtuan që të vendosnin letra ngjitëse mbi simbolet shtetërore në targa. Por, në kuadër të dialogut, Kosova dhe Serbia dështuan që të arrinin një marrëveshje afatgjatë për këtë çështje dhe dy palët vazhdojnë të aplikojnë regjimin me letra ngjitëse.
Komentet