Voila të dashur miq. Voilaaaa
Mund të japë opinion për trëndafilat djali i Rexhep Mejdanit, madje mund t’ia marrin të mirëqenë, por unë nuk kam vdekur akoma që aty ku më takon mua analiza, të ndërhyjë dhe Sazan Guri.
Unë si Edmond Tupe di të shpjegoj hollësisht detajet dhe arsyet pse Ilir Meta i dërgoi 42 trëndafila blu Sokol Ballës.
Sokol Balla është alamet çuni në radhë të parë dhe i meriton 42 trëndafila, madje jo vetëm kaq por edhe më shumë trëndafila se Luana dhe Marina Vjollca.
Prit një sekondë, o më falni të dashur miq, tani po e lexoj lajmin, ja paska dërguar Lulzim Bashës.
Më falni, më falni, por kjo do të thotë që Lulzim Basha është Binjakët si shenjë horoskopi. Si i tillë mund të themi pa frikë që ka probleme me Gaforren por shkon mirë me Peshoren dhe Akrepin.
Iliri është vënë në dijeni për preferencat e Binjakëve për suprizat e veçanta dhe është treguar i shkathët për frymë pozitive brenda përbrenda takimit.
Sipas një legjende të lashtë thuhet se trëndafili blu tregon 3 gjëra: Qetësi, dashuri dhe energji pozitive. Me këtë ogur, Iliri ka dashur që Basha ta pranojë reformën, ta votojë me qetësi dhe dashuri duke larguar të gjitha energjitë negative.
Kjo qetësi që Bashës i mungon duhet kërkuar diku tjetër jo tek ai. Kështu herë tjetër Iliri duhet të bëjë gati një buqetë me trëndafila për Berishën dhe një palë tanga për Grida Dumën.
Ndërsa Karl Gustav Jung këtë e shpjegon si një përqasje me dashamirësinë dhe tendencë instiktive ose aftësi për të njohur dëshirat të cilat kënqain egon e çdo personi, i cili dihet se ka një lidhje me një simbolikë të caktuar.
Në këtë rast trëndafili blu nuk simbolizon mungesën e pushtetit sepse kjo gjë është vërtetuar tashmë dhe është budallallëk ta themi. Dhurata ishte e bukur, por provokative do quhej vetëm nëse do kishte fjongo rozë.
Jam i sigurtë që Basha ka medituar rreth asaj dhurate jo për të gjetur teori kospirancioni sepse ajo është detyra e 18 vjeçarëve, por për të gjetur arsye për ta shijuar.
Në këtë mënyrë unë i sugjeroj që të dredhë një teke bar dhe të bisedojë me Lorik Canën që ta mësojë si t’i bjeri me dorë pa dëmtuar trëndafilat mbi tryezën e punës.
Nga ana tjetër i bëj thirrje z.Meta që herë tjetër të bëjë kujdes me këto lloj dhuratash sepse femrat janë nga natyra shumë xheloze dhe ziliqare dhe kjo mund të shtojë dozën e histerizmit tek Sokol Balla, që prej vitesh ëndërron një buqetë trëndafilash nga jarani sevdali, Ilir Meta.
*E-mail i mbërritur në redaksi nga adresa false e z.Edmond Tupe
(HashtagAlbania)
Komentet