Në ditën e 18 të protestës së Partisë Demokratike, Çadrën e Lirisë e ka vizituar senatori italian, Mario Mauro, ish zv.president i Parlamentit Europian dhe ish ministër i Mbrojtjes së Italisë.
Në fjalën e tij ai tha se të gjitha partitë komuniste pas rënies së Bashkimit Sovjetik u kthyen në socialiste dhe bëjnë gjasme sikur e duan Europën.
Mauro u shpreh se asnjë qeveri tjetër përveç asaj të Lulzim Bashës nuk është në gjendje që të luftojë drogën dhe kriminalitetin në vend.
“Pse e them që ju po mbroni demokracinë dhe lirinë? Shteti ka për detyrë të mbrojë lirinë e qytetarëve të vet. Shteti është mbrojtësi i jetës së njerëzve jo padroni i tyre, jo pronari i tyre. Dua të kujtoni diçka. Në 1989 ra sistemi sovjetik, të gjitha partitë komuniste në Europë ndryshuan emrin e tyre. Të gjitha partitë ish komuniste të Europës u bënë socialiste. Janë njëkohësisht të bërë të gjithë gjasme europianistë. Ne jemi këtu për ti thënë njerëzve, çfarë është Europa e vërtetë. Europa e vërtetë është historia dhe dashuria e popullit shqiptar për liri dhe demokraci. Europa ka nevojë për Shqipërinë”, tha Mauro.
Sipas tij “Dua të kujtoni 130 vitet e mëparshme të shkollës së parë shqiptare. Çdo të thotë të arsimohesh? Të arsimohesh do të thotë të bësh dallimin midis të mirës dhe të keqes. Cila është ajo qeveri që nuk arsimon, qeveri që nuk lufton drogën? Cila ajo qeveri që kërkon të ndihmojë arsimin e brezave dhe nuk lufton kriminalitetin? Cila është ajo qeveri që mund të bëjë që Shqipëria të hyjë në Europë dhe nuk është e aftë të mbrojë këto vlera? Ua them unë se kush qeveri është e aftë ti bëjë këto. Qeveria e Lulzim Bashës”.
Nga ana e tij kreu i demokratëve Basha u shpreh se “Republika e re që po ngrihet nga ky shesh ka një premtim, modelin e dijes, sakrificën e 7 marsit, më të mirët në krye të vendit. Ky është modeli i Shqipërisë europiane, perëndimore dhe moderne. Në këtë betejë asgjë nuk është më e rëndësishme se të garantojmë garën e barabartë ku qytetarët të vendosin me votën e tyre të pakërcënuar nga një shtet i bërë njësh me krimin. zgjedhjet e lira dhe të ndershme janë themeli i demokracisë së vërtetë”.
Sipas Bashës “Në këtë shesh janë bashkuar si asnjëherë më parë intelektualë, sindikalistë, të punësuar, të papunë, të djathtë dhe të majtë sepse kjo betejë nuk bëhet që PD të fitojë pushtetin në tavolinë, nuk bëhet për PD-në, për opozitën, por për çdo shqiptar dhe për brezat që do të vijnë. Nuk do pranojmë kurrë pushtet në tavolinë, duam zgjedhje të lira dhe të ndershme përmes një qeverie të palidhur me krimin dhe të palidhur me drogën. Kjo është beteja, kjo është kauza që po merr çdo ditë përkrahjen e atyre që për 27 vite kanë ndihmuar Shqipërinë”.
Komentet