Kryesuesi i Komitetit për Marrëdhënie me Jashtë të Senatit amerikan, Bob Corker, po qëndron për një vizitë në Kosovë, gjatë së cilës është takuar me udhëheqësit më të lartë të institucioneve.
Në një komunikatë të zyrës së presidentes së Kosovës, Atifete Jahjaga, thuhet se aj dhe senatori Corker diskutuan për zhvillimet aktuale në Kosovë dhe rajon, procesin e integrimit evropian dhe euroatlantik të Kosovës, bashkëpunimin rajonal dhe thellimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
Presidentja Jahjaga, thuhet në njoftim, falënderoi senatorin Corker dhe Kongresin amerikan për mbështetjen e vazhdueshme për Kosovën, zhvillimin dhe të ardhmen e saj demokratike. Presidentja Jahjaga theksoi se Kosova po e konsolidon demokracinë e saj të brendshme dhe përfaqësimin e saj ndërkombëtar, dhe mbetet një faktor i paqes, qëndrueshmërisë dhe fqinjësisë së mirë me të gjitha vendet e rajonit.
Presidentja Jahjaga tha se Kosova është një rrëfim i suksesit të përbashkët të institucioneve dhe popullit të saj, si dhe bashkësisë ndërkombëtare, dhe vlerësoi përkushtimin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Kongresit amerikan për Ballkanin dhe për procesin e integrimit euroatlantik të shteteve të këtij rajoni.
Ndërkaq në një njoftim të zyrës së kryemnistrit Isa Mustafa, thuhet se ai e njoftoi senatorin Corker për trendet pozitive të zhvillimeve në të gjitha fushat e jetës në Kosovë, si rezultat i politikave dhe reformave të ndërmarra nga Qeveria e Kosovës.
Kryeministri Mustafa dhe senatori Corker biseduan gjerësisht edhe për zhvillimet politike në Kosovë, me ç’rast kryeministri e njoftoi për përkushtimin e plotë të qeverisë për adresimin me dialog në institucione, të çdo teme të rëndësishme, duke lënë anash format e dhunës të përdorura për kauza të paqëndrueshme politike.
Kryeministri Isa Mustafa, theksoi mirënjohjen e Qeverisë dhe të qytetarëve të Kosovës për përkrahjen e jashtëzakonshme që SHBA-të kanë dhënë dhe po vazhdojnë të japin për Kosovën.
“Qytetarët e Kosovës janë krenarë me miqësinë e shtetit të Kosovës me SHBA-të, pasi që Shtetet e Bashkuara të Amerikës mbesin miqtë dhe përkrahësit më të mëdhenj të Kosovës në botë”, citohet të ketë thënë kryeministri Mustafa, duke shprehur po ashtu përkushtimin e qeverisë për thellimin e bashkëpunimit me SHBA-të si partneri kryesor strategjik i Kosovës.
Komunikata citon senatorin Corker, të ketë vlerësuar përparimin që është arritur në Kosovë gjatë këtyre viteve.
Komentet