Ditën e premte me 14 Prill 2023, poeti dhe shkrimtari i mirënjohur shqiptar Visar Zhiti mbajti një leksion me temë “Le t’i shpëtojmë poezitë”, në një nga auditorët e Universitetit të Michiganit, me ftesë dhe nën drejtimin e profesorit shqiptar të këtij universiteti, Dr. Lisandri Kola.
Universiteti i Michiganit ndodhet në qytetin Ann Arbor, është themeluar në vitin 1817, ka mbi 32 000 studentë. Përqindja e pranimit të aplikimeve është 17%. Në nivel kombëtar, Universiteti i Michiganit renditet në vendin e 25 prej 443 universiteteve ne Amerikë, dhe zë vendin e parë në Michigan për degën e Mjekësisë. Në këtë Universitet, ka një numër të madh studentësh shqiptarë, shumë prej tyre të angazhuar në AASO, Albanian American Stutents Organization.
Lisandri Kola, PhD, është professor, shkrimtar, poet, studiues dhe përkthyes. Ai mëson “Literatura Shqipe e Mërgimit” në Universitetin e Michiganit, në Departamentin e Gjuhës dhe Literaturës Sllave. Po ashtu Lisandri mëson Literaturë Moderne Shqiptare, Historinë e Sonetës Shqiptare, Studime të Përkthimit si dhe Letërsi Krahasuese në Universitetin e Tiranës. Dr. Lisandri Kola është autor i shumë librave, prej tyre: “Mjë poemë dashurie”, “Fluturat vdesin në Maj”, “Sonetë” dhe “Saga e një dite”. Dr. Lisandri Kola ka fituar titullin “At Zef Pëllumbi” në poezi në vitin 2014.
Visar Ziti është shkrimtar, poet, gazetar, politikan, diplomat, përkthyes dhe autor i rreth 30 librave. Vepra e tij është e përkthyer në disa gjuhe të huaja. Zhiti ka marrë tituj dhe çmime kombëtare dhe ndërkombëtare në Shqipëri, Kosovë, Itali, Rumani, Francë. Në mes titujve ka marrë: “Leopardi d’Oro”, “Ada Negri”, ‘Mario Luzi”, “The Grand Prix De Poésie”, medaljen “Mihai Eminescu” dhe shumë të tjerë.
Visar Zhiti ka qenë i burgosur politik i dënuar me 13 vite vurg në vitin 1980 për poezite e tij disidente.
Ligjërata e poetit Visar Zhiti ishte programuar brenda procesit mësimor të dr. Lisandri Kola me studentët e tij, mbas lejes dhe aprovimit nga departamenti akademik përkatës. Për këtë dr. Kola ishte parapregaditur me kohë; në koridoret e ndërtesës së Gjuhëve Moderne ishin vendosur postera të shumtë, po ashtu, lajmi për këtë orë seminari ishte shpallur edhe në programin e aktiviteteve në uebsitin e këtij universiteti.
Mbasi mora këtë lajm, pata kontaktuar dr. Lisandrin, nëse ishte e lejueshme që të organizonim një pjeëmarrje edhe me anëtarë nga komuniteti shqiptar në Michigan. Dr. Lisandri me shumë dashamirësi më qe përgjigjur se do të ishte shume i lumtur nëse në këtë seminar do të merrnin pjesë nga komuniteti shqiptar këtu, megjithëse konfirmoi një numër të kufizuar për arsye të hapësirës dhe vendeve të auditoriumit.
Seminari filloi në orën 3:00 mbasdite, ndërsa ligjërata e Poetit Visar Zhiti u mbajt në orën 4:00. Në auditor ishin rreth 50 studentë, ku në mes tyre edhe studentë shqiptar, anëtarë të AASO.
Salla u përplotësua me një numër rreth 30 pjesëmarrësish të tjerë, intelektualë, përfaqësues të komunitetit dhe kishave shqiptare në Michigan. Nga pjesëmarrësit, vlen të veçohen, famullitari i Kishës Shqiptare “Zoja Pajtore”, Dom Ndue Gjergji, Famullitari i Kishës Shqiptare të Shën Palit, Dom Fred Kalaj, prifti fançeskan mysafir në Michigan, Pater Mikel Pllumbaj, akademiku i pensionuar Dr. Gjeka Gjelaj me bashkëshorten Rita, gazetari Zef Përgega, gazetari i ACTV, Prel Popaj, nga Këshilli i Kishës Shën Palit, Edvin Hoti, nga këshilli i kishës Zoja Pajtore, Gjon Pashki, e të tjerë.
Poeti Visar Zhiti shoqërohej nga bashkëshortja e tij, shkrimtarja dhe studiuesja Edlira Zhiti. Ata kishin ardhur që herët në mëngjesin e së Premtes. Në praninë e një audience prej 80-90 personave, Visar Zhiti e mbajt ligjëratën në mënyrë profesionale në PowerPoint në gjuhën angleze. Në fjalën e tij në formë të një dëshmie nga e kaluara, Visari u “kthye” edhe një herë në burgun e Qafë Barit, bashkë me të edhe të pranishmit, nëpërmjet ndjenjës dhe realitetit të gjallë që përcolli në audiencë.
“Unë jam dënuar me 10 vjet burg për poezitë e mia në Atdheun tim, shumë larg nga këtu, në Europë, më saktë në Ballkan, në gadishullin aq shumë poetik të botës, në një vend të vogël midis Greqisë, që ka nxjerrë Homerin dhe Italisë, që ka nxjerrë Danten, dy poetët e parë dhe ndër më të mëdhenjtë e njerëzimit”.
Ndërsa Visari e mbylli ligjëratën e tij me këto fjalë: “… Ne na vranë me plumba ata që bënë diktaturën, kurse ne edhe pas vdekjes i vrasim me poezi, që të ndërtojmë ëndrrën…Poema më e bukur në botë është ajo e dashurisë”.
Interesi i të pranishmëve ishte i jashtëzakonshëm. Kjo u vu re gjatë seminarit, që zgjati rreth një orë, por edhe mbas tij, ku studentë dhe të tjerë e rrethuan dhe e dyndën me pyetje Visarin, i cili me duresë dhe dashuri iu përgjigj kureshtjes së tyre. Në fund, nuk munguan fotografitë, shtrëngimet e duarve dhe përqafimet, me premtimin për t’u takuar prapë në seminare të tjera të kësaj natyre.
Të nesërmen në mëngjes u mblodhëm në një nga kafetë e shumta në qendër të qytetit studentor në Ann Arbor, për një kafe të ndarjes së përkohshme, ku pata mundësinë të marr disa përshtypje apo komente nga ata që realizuan, përplotësuan dhe nderuan aktivitetin, respektivisht nga: Dr Lisandri Kola, poeti Visar Zhiti, Dom Ndue Gjergji dhe Dr. Gjeka Gjelaj:
Dr. Lisandri Kola, u shpreh:
“Poeti Visar Zhiti erdhi në UM, Ann Arbor si guest speaker me ftesën time në nji orë në leksionet e mia Albanian Literature of Exile, të cilat i ligjëroj prej 2019. Këtë propozim ua përcolla titullarëve të Slavic Languages and Literatures, të cilët e inkuadruen dhe e sponsorizuen si event të këtij departamenti.
Motivi kryesor ishte me prezantue dhe me promovue letërsinë shqipe, atë letërsi e cila asht antiestabilishment dhe e kundërta e realizmit socialist gjatë sundimit komunist në Shqipni. Poeti Zhiti, dhe dorëshkrimet e tij të burgut, janë simbol rezistence e disidence në krejt Europën Lindore dhe renditen ndër atë korpus të randësishëm të letërsisë e cila frymon kah liria edhe pse në totalitarizëm, dhe për ma tepër në privim lirie. Prezenca e Zhitit në eventin ‘Let’s save the Poems’ asht nji ndër përpjekjet e mia të vazhdueshme, individuale për me advokue për letërsinë dhe kulturën shqipe në Shtetet e Bashkueme të Amerikës, e cila mbetë e nënpërfaqsueme, por landa që unë ligjroj për fat asht e vetmja në ShBA që preukopohet për letërsinë shqipe, e aq ma tepër atë të Ekzilit, nji faqe e pashkrueme ende si duhet në studimet shqiptare.”
Poeti Visar Zhiti u shpreh:
“E vleresoj së tepërmi ftesën që më erdhi nga Universiteti i Michigan-it, i pari universitet publik në SHBA, nga Fakulteti i Gjuhëve Moderne, Katedra e Sllavistikës, ku ka punuar poeti nobelist, Josipf Brodsky, ai iku nga Bashkimi Sovjetik, nga burgu dhe erdhi në vendin kampion të lirisë, ndërkaq aty Dr. Lisandri Kola, shkrimtar, studiues dhe përkthyes, kritik arti, jep lëndën e bukur, që e ka krijuar vetë, “Letërsia shqipe e egzilit”, me studentët e tij ishte takimi. Ata janë amerikanë, të kombësive te ndryshme, indianë, aziatikë më shumë, natyrisht dhe shqiptarë. Të prek interesi i tyre për letrat shqipe, për shkrimtaret e ikur nga regjimi diktatorial, për ata që vuajtjen burgjeve dhe u vranë. Është meritë e Dr. Lisandri Kolës, puna e tij e mrekullueshme që ka krijuar një auditor të gjerë me studentë, që nga viti në vit shtohen.
Në takimin tonë kishin ardhur dhe studentë të tjerë, rumunë psh, qytetarë amerikanë, patjetër dhe shqiptarë, një përfaqësi e etërve katolikë, etj.
“Le t’i shpëtojmë poezitë” ishte tema që kishte caktuar për atë orë leksioni Dr. Lisandri Kola, duke patur parasysh librin tim me poezitë e burgut, botim anastatik i “Onufrit” ne Tiranë dhe unë do të dëshmoja dhe në SHBA për gjithë atë letërsi martire. Ndërkaq po kjo shtëpi botuese sapo ka nxjerrë një libër tjetër për këtë libër me autorë Lisandri Kolën dhe mua, është një bisede jona për këtë letërsi e çështje të tjera të mprehta të aktualitet letrar.
Auditori universitar i Lisandri Kolës ishte i shkëlqyer, jo vetëm që dinin të dëgjonin, por dhe dinin të pyesnin, nderkaq kuptova se ata e dinin Shqipërinë tonë dhe studentët e donin letërsinë shqipe, atë të përvuajturën, që kishte sjellë të vërtetën.
Largohem nga universiteti me pershtypjet më të mira, për seriozitetin dhe përkushtimin dhe dhembshurinë, me shpresë dhe me porosinë që jepte Shenjtja Nënë Tereza: “Mesomë të dua”. Duke ditur të duash dheun amë dhe në atdheun e ri, SHBA, do bësh dhe të tjerët të të nderojnë, madje dhe të të duan…”.
Dom Ndue Gjergji u shpreh:
“Ma sparit, asht kënaqësi me u takue me Visar Zhitin, gjithmonë i thjeshtë e i përvuejt si njeri, por i jashtëzakonshëm për nga përmasat e talentit letrar dhe virtyteve si një besimtar devotshëm i fesë së Krishtit, por edhe si një dashamir i gjithhershëm i Kishës tonë Zoja Pajtore e Shqiptarëve.
Visari asht përjetim vlerash të mëdhaja, që sakrifikoi rininë e tij, u shkri në tortura nga një regjim çnjerëzor komunist, regjim i cili vrau dhe persekutoi jo vetëm shkrimtarët dhe poetët disidentë, por vrau edhe shpirtin krijues dhe vlerat ma të mira të shoqnisë shqiptare. Por Visari mbijetoi, u ruajt dhe mbijetoi edhe vepra e tij letrare, që paraqitet sot si një thesar i jashtëzakonshem.
Visar Zhiti asht personfikim dhe përfaqësues i asaj plejade shkrimtarësh, intelektualësh dhe klerikësh që përjetuan burgun, dhanë gjithçka deri edhe jetën e tyre për kombin. Këto shkrime, kujtime dhe ligjërata janë një apostullatë e jashtëzakonshme e kulturës shqiptare, që u transmetohet brezave të rinj shqiptar, por edhe rinisë së kombeve të tjera.
Ligjërata e Visarit dje, vjen si dëshmi e gjallë e asaj periulle të vështirë, e ngjashme me veprat e mëdhaja me vlera historike të klerikëve tanë të nderuem si dom Simon Jubani me veprën “Burgjet e mija”, veprën madhore të At Zef Pëllumbit “Rrno vetëm për me tregue” apo vepra dëshmi e rrallë e At Konrad Gjolajt, “Çinarët”.
Profesori shqiptar i Universitetit te Michiganit, Lisandri Kola, meriton të përgëzohet për realizimin e këtij seminari në një orë mësimore akademike me studenta. Aktiviteti ishte shumë i dobishëm, por unë mendoj që fjala dhe dëshmia e poetit Visar Zhiti kërkon audienca shumë të mëdhaja, jo vetëm për veprën letrare në të kaluemen e mundimshme të tij, por edhe për vetë faktin se Visari sot është figura ma e dallueme letrare, ma e përqyeshme dhe ma e lexueme e kësaj kohe moderne që jetojmë sot”
Dr Gjeka Gjelaj u shpreh:
“Ishte takim domethënës dhe inspirues. Visari është dhe mbetet poeti dhe shkrimtari me erudit dhe origjinal i kohëve tona. është shembull i pamohueshëm i rezistences ndaj brutalitetit të pa shoq komunist shqiptarë. Ne, për hir të së vërtetës, dhe për hir të martirëve që tashmë nuk mund të flasin, kemi me borxh nderimin dhe përkrahjen tonë. Jam krejtsisht i bindur, pa asnjë dyshim, se veprat e Visarit në koncert me veprat tjera të poetëve dhe shkrimtarëve shqiptarë të persekutuar nga paranoia e diktatures komuniste, janë tejet të rëndësishme, kisha me thanë të arta, për historinë dhe të ardhmen e popullit fisnik dhe liridashës shqiptar. Përmes poezive dhe shkrimeve të Visarit, Herkul i duresës dhe i dashurisë universale, ka fituar vlera globale dhe të pashlyeshme. Mbetet diplomat dhe shkrimtar i profilit të lartë boterorë. Valentin, tregoju rinisë premtuese shqiptare, se buka nuk shijohet pa e ngrënë! Visar Zhiti nuk kuptohet e as nuk madhërohet pa e lexuar!! Urime”.
(Shënim i autorit) E gjithë krijimtaria letrare e burgjeve është një thesar i paçmuar autentik shqiptar, është një vepër e skalitur më mundime dhe gjak. Në këtë kontekst, me burgosjen e Visarit për poezitë e tij në liri, disidenca e tij nuk mbaroi por u zhvillua edhe më shumë, tashmë në ilegalitet. Poezia e tij në burg merr një konotacion më të gjerë, mbasi është ndjenjë e ndrydhur, revoltë mendore, morale dhe estetike e shkruar në një vend ku mungonte plotësisht liria. Regjimi komunist me burgosjen dhe vrasjen e klerikëve dhe poetëve, menduan se vranë brenda tyre Zotin dhe poezinë. Po a vriten Krijuesit?! Visari dhe poezia mbajtën gjallë njëri-tjetrin, prandaj mbijetuan. Me të drejtë poezinë e Visar Zhitit, mund ta quaj poezi hyjnore, mbasi bashkë me Zotin, poezia e Visarit u “vra” dhe u ringjall për të triumfuar, rritur dhe zhvilluar në Shqipëri dhe Diasporë, tashmë për t’u përkthyer dhe vlerësuar në gjuhë huaja dhe kombe të botës, për ta ngritur Visar Zhitin në pediestalin e nderit që i takon si nobelisi i ardhshëm shqiptar.
Le të jetë iniciativa e Dr. Lisandrit, si një shembull i mirë për këtë, për seminare dhe leksione edhe ne Universiteti te tjera, që promovojnë dhe prezervojnë gjuhën dhe letërsinë shqipe sidomos letërsinë disidente të burgjeve apo “Burgologjinë”, ku një rol ndihmës shumë të rendësishëm mund të ketë edhe poeti Visar Zhiti.
Si përfundim, aktivitete të tilla janë kaq të domosdoshme sidomos me rininë shqiptare në Diasporë. Tek vepra disidente e Visar Zhitit, rinia shqiptare shikon pasqyrën e historisë kombit të tyre, vepër e cila mbrojti nderin dhe dinjitetin kombëtar. Dëshmi të tilla janë shërbesa më e mirë ndaj brezave për të ruajtur këtë trashëgimi poetike dhe letrare, e cila lulëzoi nga “Ferri i Çarë”, forca e së cilës, sot edukon, bën të vetëdijshëm dhe ndryshon vizionin e kësaj rinie për botën.
Valentin Lumaj, 17 Prill, Michigan