Kryetari i Aleancës për Shqiptarët, Zijadin Sela dhe kryetari i Alternativës, Afrim Gashi deklaruan se Qeveria e dakorduar mes Lidhjes Social Demokrate të Maqedonisë (LSDM) dhe koalicionit “Mundemi” dhe Bashkimit Demokratik për Integrim (BDI) nuk ka legjitimitet dhe se kjo parti që nga dita e parë nuk e mbajti premtimin për kryeministrin shqiptar, raporton Anadolu Agency (AA).
Para Kuvendit kryetari i Aleancës për Shqiptarët, Zijadin Sela tha se marrëveshja e djeshme mes LSDM-së dhe BDI-së për formimin e Qeverisë së re “është jolegjitime dhe nuk është shprehje e vullnetit të qytetarëve”.
“Kur jemi te ai legjitimitet, oponenti ynë BDI nuk e ka atë legjitimitet, sepse ata, të gjithë qytetarët janë dëshmitarë, se vullnetin e qytetarëve e kanë keqpërdorur, e vodhën, e blejtën me para dhe e frikësuan”, theksoi Sela.
Mes tjerash, Sela tha se ende presin përgjigje nga Prokuroria për parregullistë zgjedhore në zgjedhjet parlamentare që u mbajtën më 15 korrik të këtij viti.
Kryetari i Alternativës, Afrim Gashi tha se premtimi kryesor i BDI-së para zgjedhjeve ishte kryeministri shqiptar dhe këtë premtim e shkelën që në ditën e parë dhe për këtë shkak këtu nuk mund të ketë legjitimitet.
“Humb çdo legjitimitet sepse kanë mbledhur vota mbi këtë premtim. Nëse nuk e kthejmë këtë komponentë në demokraci do të humb kuptimi i fjalës së dhënë, fjalës së dhënë publike”, tha Gashi.
Liderët e LSDM-së dhe BDI-së, Zoran Zaev dhe Ali Ahmeti, dje mbajtën takim pas të cilit e njoftuan opinionin se kanë arritur marrëveshje koalicionimi për formimin e shumicës parlamentare. Ata paralajmëruan se pjesë e koalicionit qeveritar do të jetë edhe Partia Demokratike Shqiptare (PDSH).
Sipas procedurave, pas marrëveshjes për qeveri të re, kryeparlamentari Talat Xhaferi pritet të caktojë vazhdimin e seancës konstituive në të cilën do të zgjidhet kryetari i Kuvendit. Pastaj, kryeparlamentari duhet të thërrasë një seancë të re në të cilën duhet të zgjidhet qeveria e re.
Kujtojmë se presidenti i Maqedonisë së Veriut, Stevo Pendarovski, më 13 gusht i dorëzoi mandatin për formimin e qeverisë së re kreut të LSDM-së, Zoran Zaev i cili udhëheq koalicionin “Mundemi” që fitoi më shumë vota në zgjedhjet e parakohshme parlamentare të mbajtura më 15 korrik.
Në këto zgjedhje, sipas rezultateve përfundimtare të Komisionit Shtetëror Zgjedhor (KSHZ), koalicioni “Mundemi” fitoi 46 deputetë, VMRO-DPMNE-je 44 deputetë, BDI-ja 15 deputetë, koalicioni Aleanca për Shqiptarët dhe Alternativa 12 deptuetë, E Majta 2 deputetë dhe Partia Demoratike Shqiptare (PDSH) 1 deputet.
Komentet