Para pak ditësh Edurard Selami nga “VOA” artikuloi kritika dhe shprehu zhgënjim për kreun demokrat Lulzim Basha, si një lider që nuk ngjall shpresë. Megjithëse edhe zëra të tjerë më aktiv dhe ndoshta më me ndikim në elektoratin e opozitar se Selami, kanë bërë thirrje për një lloj tjetër opozite, por konkluzioni i Eduard Selamit tërhoqi më shumë vëmendje.
Kjo ndoshta edhe për faktin se vetë Eduard Selami shikohet si një politikan jo agresiv si Topalli dhe më i ngjashëm se kushdo tjetër në PD me Lulzim Bashën.
Në momentin e parë kur e dëgjova ju riktheva një hulumtimi të opozitës së Lulzim Bashës. Konkluzioni i parë që më erdhi në mend ishte: “Kur edhe për Eduard Selamin Lulzim Basha nuk ngjall shpresë, shumë më kritike duhet të jetë perceptimi tek militantët që kurrsesi nuk aprovojnë as pasivitetitin e Selamit si opozitar”.
Por në të gjithë këtë “kuiz” nëse Lulzim Basha po bën opozitën e duhur dhe a ngjall shpresë si lider, më shumë më tërhoqi vëmendje reagimi i Bashës për deklaratën e deputetit Selami.
I pyetur mbi zhgënjimin e Selamit, kryetari demokrat u përgjigj thatë dhe shkurt: “Nuk jam unë e keqja e madhe, ai është Edi Rama”.
Kjo është një e vërtetë e madhe, por gjithmonë kështu ka qenë. Qeveria dhe jo opozita ka qenë dhe është e keqja e madhe. Asnjë opozitë në botë sado me defekte të jetë nuk ka shansin të sjellë pasojat që të sjell qeverisja e keqe.
Lulzim Basha më këtë pohim më siguri ka dashur ti kujtojë deputetit të tij pasiv se duhet ti bëjë opozitë Edi Ramës pasi ai është kryeministër, por njëhkosisht ndoshta pa dashur ka zbuluar dhe “sekretin” e rrugës së tij për të ardhur në pushtet.
Cila është kjo rrugë?
Lulzim Basha duket se në mendjen e tij ka vendosur të vij në pushtet si e keqja më e vogël, ose në rastin më të mirë mendon se mjafton që si opozitë të presë dhe të mos bëjë asgjë nga frika se dhe mund të gabojë duke i lodhur militantët para kohe, pasi herët a vonë do ti vijë radha.
Ndoshta e kam lexuar gabim. por ky pohim i kreut demokrat dhe sjellja e opozitës këto dy vjet në këtë konkluzion më shpie.
Edhe protesta e njoftuar me 8 Dhjetor, për vetë faktin që është përzgjedhur në jë ditë simbol të bën të mendosh se më shumë se një vendim për ti shpallur qëndresë frontale në shesh Edi Ramës, është një tubim përkujtimor. Pavarësisht se vetë Basha në “Studio e Hapur” u shpreh se kjo protestë është pakthim dhe nuk do të ndaloj deri ne qeveri teknike.
Ndoshta ky mund të jetë qëllimi i vërtetë, por atmosfera për një gjë të tillë nuk më duket se është fort bindese. Jo se nuk ka revoltë dhe pakënaqësi ndaj Edi Ramës e Ilir Metës, por se opozita deri më sot ka bërë ç’mos ta ç’tensionojë klimën politike në vend me argumentin se me protesta nuk vihet ne pushtet. A do jetë në gjendje Lulzim Basha ta ringrejë temperaturën politike për ti frymëzuar militantët, pse jo edhe t’ia ringjallë shpresën edhe Eduard Selamit? Kjo mbetet për tu parë.
Nuk kam asnjë dyshim se me 8 Dhjetor protesta e opozitës do të jetë masivë. Partitë e mëdha e kanë të lehtë të organizojnë një protestë. Por ajo që nuk jam i bindur është vendosmëria e Lulzim Bashës për të vazhduar më përballje të fortë ndaj revanshit të dyshes përballë.
Edi Rama është një frikacak politik i lindur. Dy nisma që ka ndërmarrë opozita shoqëruar me protesta ka bërë që kryeministri Rama të tërhiqet në panik. E para ka të bëjë me taksën për biznesin e vogël, e dyta me faljen e kamat vonesave për debitorët e energjisë elektrike. Dhe nuk është se kjo nuk dihej. Vetëm 2 (dy) mijë protestues të acaruar përpara kryeministrisë bën që Edi Rama t’i thoshte jo John Kerryt. Madje t’i kërkonte t’ja kalonte në telefon Barakun për ta sqaruar se ai vetë nuk e kuptonte se sa i acaruar ishte Zirkon Dishaj. Ky është Edi Rama. Edhe vetëm për këtë fakt, Lulzim Basha do të duhej të ishte në rrugë me popullin opozitar më shpesh. Qoftë edhe për ta ndaluar në disa nisma ekstreme deri në cenim të lirive më elementare të fituara nga protestat e Dhjetorit të vertetë. Atij të vitit 1990.
Por siç duket Basha e kishte dhe e ka të qartë skemën e tij. Ta lërë mazhorancën të gaboj, me shpresen se shqiptarët do votojnë vetëm kundër të keqës më të madhe, kundër Edi Ramës. Kjo duket se ka qenë strategjia e tij deri më sot. Tashmë po deklaron se ka vendosur ta ndryshojë strategji. Si fillim duhet të shikojmë se sa seriozisht e ka, e pastaj nëse pas opozitës moderuese 3-vjeçare do të jetë në gjendje tu prekë nervin qytetarëve të lodhur e më të pa shpresë së kurrë.
Është fakt se këto janë vitet e eksodit më të madh të shqiptarëve në kohë paqeje. Është afër mendjes se përgjegjësi kryesor për këtë boshatisje të Shqipërisë është e keqja më e madhe (qeveria), por edhe mungesa e shpresës tek e keqja më e vogël (Opozita) duhet thënë se shikohet si një faktor.
A do të jetë në gjendje Lulzim Basha që tashmë të konsiderohet jo e keqja më e vogël por shpresa e shqiptarëve? Kjo mbetët për tu parë.
Por në radhë të parë Lulzim Basha duhet ta bind veten se është në gjendje të ngjall shpresë.
Ne si portal bëmë dy sondazhe. Një për besimin ndaj Edi Ramës dhe Ilir Metës, e një për besimin ndaj opozitës së Lulzim Bashës.
Kanë një të përbashkët të dy sondazhet. Mungesa e shpresës. Tek i pari kishte një mos aprovim total ndaj dyshes Rama-Meta. Tek i dyti duke pas parasysh edhe faktin se ky është një portal jo nën ndikimin e qeverisë, që do të thotë se mund të ketë në shumic lexues kontestues ndaj qeverisë, nuk është se dha ndonjë rezultat shumë optimist për besueshmërinë ndaj opozitës.
Andi Bushati thoshte dikur në emisionin tim se nuk ka rëndësi se sa gabon opozita gjatë tre viteve, rëndësi ka të ngjallë shpresë 6 muajt e fundit. Edi Ramës i funksionoi kjo skemë, ndoshta edhe Lulzim Bashës.
Komentet