Duhet të ishte një ditë e shënuar, e mirëpritur nga shqiptarët, një ditë e nderuar dhe historike. Dhe unë, ndryshe nga shumë të tjerë, jam njëri nga ithtarët e kësaj mënyrë dhe qasje që ne duhet të kemi për t’i pritur dhe nderuar miqtë tanë më të mëdhenj.
Nuk besoj se Amerika dhe imazhi i saj është ulur dhe zvetënuar në vizionin e shqiptarëve, ashtu siç besoj se shumica e atyre që po i drejtohen dhe i shkruajnë Blinkenit për një vizitë të tillë, i drejtohen Amerikës në vetvete, apo asaj çka ajo përfaqëson për botën dhe veçanërisht për ne Shqiptarët: një superfuqi dhe miken më madhe të Shqipërisë.
Dua t’i ndaj që në fillim këto dy koncepte, sepse kështu perceptimi bëhet më i qartë dhe më i fokusuar.
Dua të besoj se këto fjalë po ia drejtoj thjesht sekretarit të shtetit të një administrate legjislative 4 vjeçare, që shpejt do të kalojë dhe nuk mund të mishërojë në kohëzgjatje dhe në histori, gjithë atë çka administrat amerikane kanë bërë për ne. Sigurisht që kjo vizitë nuk mjafton për ta shënuar dhe ravijëzuar Blinken në gjithë dimensionin dhe përmasën që ka si nr 2 i Amerikës, po përse vallë kaq shumë gazetarë, analistë, dhe ajo çka është më kryesorja, pse vallë kaq shumë shqiptarë të thjeshtë e të ndershëm, pro-amerikanë në thelb, nuk po e pëlqejnë dhe po rrudhin buzët për të?
Duhet të ketë një shpjegim, ndoshta për Blinken personalisht ose ndoshta dhe për administratën e tij. Së pari, ajo që gjithkush po e quan të pashije dhe si shpëlarjen e rëndomtë të një qoke, është ndihma që ai po i jep kryeministrit, në ditën e tij më të zezë.
Një ditë kjo që duhet të duket shumë më e zezë, dhe gati një humnerë, nëse shikohet nga sytë e DASH apo drejtësisë Amerikane, që Mcgonigalin po e dënon pikërisht në këtë ditë, dhe që sot e rëndoi akoma dhe më shumë (duke ia rritur pretencën nga 6 në 16 vjet) në lidhje me korruptimin në dëm të opozitës shqiptare. Të gjithë e dinë se këtu ka gisht Edi Rama, por edhe sikur të mos ishte kështu, zoti Blinken, a nuk duhet vallë që t’i kërkojë falje opozitës shqiptare, që zyrtari më i lartë i këtij segmenti të administratës, ka shkatëruar të ardhmen dhe gjithë rrjedhën e saj politike të gjithë këtyre viteve dhe ka arritur të mbajë në pushtet një autokrat të korruptuar si Edi Rama.
Le të kujtojmë pak se çfarë efekti domino solli për opozitën e Bashës, dënimi i tij për lobing me para ruse.
Ishte koha e çadrës, kur kryeministri i kishte duar e këmbë të lidhura nga rezistenca e pashëmbullt dhe masive popullore për muaj me rradhë. Ai shpëtoi dhe mbajti pushtetin vetëm falë Mcgonigal dhe korruptimit të tij.
Paskësaj nisi kalvari i madh i gabimeve të Bashës, që për të shpëtuar nga dënimi u zhyt akoma dhe më shumë në kaos dhe dalje jashtë sistemit: njëherë duke djegur mandatet në parlament dhe njëherë tjetër duke mos marrë pjesë në zgjedhje, nuk duam të themi se amerikanët nuk ndërhynë dhe nuk na parajamëruan për të mirë, por të tregojmë pasojat e tmerrshme që i solli opozitës dhe shqiptarëve korruptimi i shefit të FBI.
Që nga ajo ditë, kur ishtë buzë humnerës, Rama falë këtij korruptimi filloi të ngjitej përditë drejt pushtetit absolut, anti-demokratik, anti-opozitar e të fillonte agjendën e tij katastrofike të shpopullimit.
Nëse falja do t’i bënte nder ndershmërisë suaj intelektuale, një tjetër veprim do të bënte figurë historike për shqiptarët.
Zoti Blinken, ka një përmendore të pandërtuar në shpirt të shqiptarëve që vuajnë, tek e cila ju mund të ndaloni dhe të bëni patjetër homazhe në vizitën tuaj : është përmendorja e fatit të hidhur në mërgim të detyruar të atyre 1,3 milionë shqiptarëve, që janë larguar për vetëm 10 vjet nga ky vend prej pushtetit represiv të çezarit që ju do shtërngoni duart në Tiranë, hakmarrës mizor si ai ndaj kundërshtarëve të tij politikë dhe që ka arritur ta ngrejë në piedestal luftën e dikurshme të klasave të kohës komuniste me tërë ata pushtetarët që ju sot po u bëni një nder që nuk e meritojnë.
Ne tragjikish, si popull, nuk jemi shumë, madje jemi më pak se hebrenjtë, por dijeni se falë këtij shpopullimi biblik, jemi shumë më tepër të rrezikuar se miqtë tanë hebrenj.
Ndaj, zoti Blinken, ndërgjegjia juaj institucionale dhe njerëzore, nuk duhet t’ia dhuronte këtë nder sot zotit Rama në kurriz të popullit shqiptar.
Duhet t’ia dhuroje opozitës, e cila nuk shijon dot as demokracinë e parlamentit , sepse kryeministri , i cili e ka kthyer tempullin e demokracisë në një burg me çelës që e mban vet në dorë ku deputetët e opozitës detyrohen të futen nga dritaret.
Unë, si dhe shumica e shqiptarëve, i ndajmë gjërat midis Amerikës mike të shqiptarëve dhe kësaj administrate “kalimtare” që sipas mendimit tim opozitën e ka dëmtuar shumë, ndajini dhe ju gjërat midis Edi Ramës, armikut të opozitës dhe autorit të shpopullimit, dhe shqiptarëve opozitarë, por pro-amrikanë të thekur.
Ky do të ishte të paktën “nderi” që do të mund t’u bëhej shqiptarëve në këtë vizitë. Ata e meritojnë për gjithçka që janë e do të jenë për Amerikën. Edi Rama jo, nuk e meriton, për “turpin” që i ngarkoi Amerikës me rasatin “McGonigal” dhe rregjimin që ka arritur të instalojë!
Por edhe për atë të vërtet të hidhur që në raportin e Komitetit Mbikëqyrës të Kongresmenit Raskin (Demokrat-Maryland) gjëndja e qeverisjes së Edi Ramës sot përshkruhet qartë si “korrupsion i përhapur në të gjitha degët e qeverisë dhe institucionet bashkiake”.