Pas emërimit në detyra të larta qeveritare zv.sekretarja e Përgjithshme e Kryeministrisë, Elira Kokona, i fshehu Inspektoratit të Lartë të Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive dhe Konfliktit të Interesave, ushtrimin e aktivitetit te saj privat si avokate.
Elira Kokona mori detyrën e sekretares së Përgjithshme të Ministrisë së Kulturës më 2013. Në deklaratën fillestare në momentin kur sapo ishte emëruar në detyrat e larta shtetërore ajo ka deklaruar të ardhurat nga profesioni i saj si avokate që kishte realizuar përpara se të futej në zyrat e qeverisë. Por në deklaratën pasardhëse kur tashmë ajo ushtronte detyrën e sekretares së Përgjithshme në ministri në asnjë rresht ajo nuk ka deklaruar punën e saj private dhe as të ardhurat, ndërkohë që vazhdonte pa ndërprerje profesionin e avokatit privat deri në gjykatën e Strasburgut apo nëpër Arbritrazhet ndërkombëtare.
Po ashtu dhe në deklaratat në vazhdim për vitin 2014, 2015 dhe 2016 Elira Kokona e ka mbajtur të fshehur ushtrimin e aktivitetit si avokate private, ashtu siç nuk ka deklaruar mbylljen e licencës në prill të 2014 dhe të ardhurat e përfituara prej saj.
Me standardet e vettingut për gjyqtarët dhe prokurorët që qeveria ka vendosur, Elira Kokona tashmë duhet të ishte shkarkuar me urgjencë nga detyra. Për mosrakordime minimale në deklarimin e të ardhurave gjyqtarë dhe prokurorë janë larguar përfundimisht nga sistemi i drejtësisë, ndërsa për zyrtarët e lartë të qeverisë si në rastin e Elira Kokonës ligji shkelet me të dyja këmbët. Nëse do kishte deklaruar në ILDKPKI ushtrimin e profesionit si avokate ndërkohë që punonte si sekretare e Përgjithshme në ministri Elira Kokona, ndaj saj do kishte filluar hetimi penal.
Sipas dokumenteve zyrtare zëvendës sekretarja e përgjithshme e Kryeministrisë Elira Kokona, pas emërimit në detyra të larta qeveritare në 2013, vazhdoi punën si avokate private, madje në çështje kundër vetë qeverisë.
Në shpërdorim të pastër detyre, Elira Kokona rezulton se ka përfaqësuar si avokate private paditës të ndryshëm në çështje kundër Shqipërisë në Strasburg apo arbitrazhe, ndërkohë që paralelisht ishte emëruar sekretare e përgjithshme në Ministrinë e kulturës.bw