Banka e Shqipërisë raporton se në fund të muajit shtator totali i kredisë për ekonominë zbriti në 546.5 miliardë lekë, afro 4 miliardë lekë më pak krahasuar me gushtin. Kundrejt të njëjtës periudhë të një viti më parë, kredia për ekonominë ka zbritur në rënie me 1.8%, nga 1.2% që ishte rënia nominale e portofolit të kredisë për gushtin. Por muaji gusht shënon një rënie të kreditimit edhe në raport me muajt paraardhës. Sipas të dhënave të BSH, kreditimi ka ardhur në rënie që nga muaji qershor, kur totali i kredisë ishte 552.6 miliardë lekë. Në muajin korrik, totali i kredisë ishte 551.5 miliardë lekë dhe në gusht 550.1 miliardë lekë.
Sejko në rrugën e Fullanit
Rënia e kreditimit është problem madhor për ekonominë e vendit në një këndvështrim të gjerë, por edhe për qytetarët dhe bizneset në një këndvështrim më të ngushtë. Megjithatë, për këta të fundit, kreditimi nuk është shqetësimi i vetëm që kanë me sistemin bankar të tërësi, apo BSH në veçanti. Ish Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Ardian Fullani, duket se ka lënë një pasardhës të denjë në postin nga i cili u largua pas arrestimit për skandalin e vjedhjes së 713 milionë lekëve. Si t’i ishte lënë me amanet, Guvernatori i ri Gent Sejko po ndjek të njëjtën linjë drejtimi si të Fullanit, duke e dërguar sistemin bankar në kaos total. Deri në shtator të vitit 2014, kur Banka e Shqipërisë si institucion nxitës në përmirësimin e kushteve monetare e kredituese drejtohej nga Fullani, qytetarët dhe bizneset vuanin shtrenjtimin vit pas viti të kushteve të kreditimit, uljen e interesave të depozitave, rritje të komisioneve, mungesën e transparencës, mungesën e konkurencës e dhjetra probleme të tjera për të cilat guvernatori bënte një sy qorr dhe një vesh shurdh. Vetë Banka e Shqipërisë kishte instaluar mungesën e transparencës mbi vendimet dhe veprimet e saj. Ndërsa aktiviteti i bankave të nivelit të dytë, karakterizohej nga një rritje e ndjeshme e huave me probleme nga njëra anë, si dhe rritje e fitimeve nga ana tjetër. Pas 6 muajve vakancë, në shkurt të 2015, vendin e Fullanit e zuri Gent Sejko. Megjithëse kanë kaluar më shumë se 8 muaj nga emërimi i tij në këtë post, problemet e qytetarëve dhe bizneseve vijojnë të mbeten po ato, për të mos thënë se janë shtuar.
Banka e Shqipërisë vijon të jetë po aq hermetike mbi shpenzimet dhe të ardhurat e saj po aq sa në kohën e Fullanit, ndërsa bankat e nivelit të dytë vijojnë të rritin fitimet, ndërkohë që kreditë e këqija kanë pësuar një ulje, vetëm falë ristrukturimit të tyre. Mashtrimi i në konferencat mediatike me treguesit ekonomikë apo ata bankarë ishte një ndër cilësitë e Fullanit, të cilën për hir të së vërtetës ai e shfrytëzonte shpesh dhe trashë, për shkak edhe të ndikimit të ish qeverisë “Berisha”, së cilës shpesh nga “pakujdesia”, nuk i përputheshin të dhënat me BSH apo INSTAT. Vetë guvernatori Sejko ngjason aq shumë me ish-in e tij në këtë aspekt. Në konferencën “A i ndryshojnë krizat themelet ekonomike në vendet e Evropës Juglindore?”, organizuar nga BSH në bashkëpunim me Qendrën e Studimeve të Evropës Juglindore të Universitetit të Oksfordit, Sejko do të deklaronte tekstualisht: “Është fakt që kohët e fundit kreditimi në monedhën vendase, ka shënuar rritje pozitive nga një muaj në tjetrin. Ky fenomen, sigurisht që përveç të tjerash është shoqëruar me një efekt pozitiv anësor në një shpejtësi dhe në një intensitet më të lartë në mekanizimin e transmetimit të politikës monetare në ekonomi”. Por çfarë thonë të dhënat zyrtare të institucionit që ai drejton? Sipas të dhënave zyrtare që raportohen nga vetë BSH, kredia në lekë ka pësuar luhatje me ulje-ngritje nga muaji në muaj gjatë vitit 2015. Sipas këtyre të dhënave, në janar kredia në lekë ishte 769 milionë lekë, në shkurt ra 767 milionë lekë, në mars u rrit në 863 milionë lekë, në prill ra në 855 milionë lekë, në maj u rrit në 875 milionë lekë, në qershor u rrit në 879 milionë lekë, në korrik u ul në 867 milionë lekë, në gusht u rrit në 871 milionë lekë dhe në shtator u rrit në 889 milionë lekë.
Komentet