- Shqipëria dhe bankat shqiptare me kapital grek nuk preken nga efekti që përcjell Greqia në rast falimenti
- Guvernatori i BSH-së, Gent Sejko sqaron se pse kriza në vendin fqinj nuk na rrezikon
Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko, duke iu referuar situatës që po përjeton shteti helen, tregon se sistemi bankar shqiptar tashmë është imun, falë masave administrative që janë marrë këto 5 vitet e fundit dhe si rezultat, Shqipëria nuk cenohet. Në një intervistë të dhënë për “Top Channel”, Guvernatori sqaron se bankat shqiptare me kapital grek nuk janë degë të bankave greke, por filiale dhe si të tilla, ato kanë pavarësi. Ai shton se mund të ndihet një ulje e remitancave dhe shkëmbimeve tregtare, por këto fenomene kanë ekzistuar edhe më parë.
A kanë arsye qytetarët shqiptarë të jenë të shqetësuar? A do të ketë efekt negativ në ekonominë shqiptare skenari grek?
Ndikimet janë dhënë këto 5 vite dhe ndikimi kryesor është në aktivitetin e import-eksporteve dhe në rënien e mëtejshme të remitancave që do të ishte e papërfillshme, pasi kryesisht ato kanë rënë. Dua të theksoj që sistemi bankar shqiptar është i imunizuar, pasi Banka e Shqipërisë prej disa vitesh ka marrë disa masa rregullative dhe mbikëqyrëse që nga nisja e krizës greke për të krijuar një funksionim sa më normal të bankave greke në vend. Bankat shqiptare me kapital grek janë filiale, nuk janë degë të bankave greke. Kemi marrë masa që nga pikëpamja ligjore dhe organizimi i tyre, të kenë një pavarësi nga bankat greke. Bankat shqiptare me kapital grek në Shqipëri janë me tepricë likuiditeti dhe me tepricë kapitali. Pra, janë të mirëkapitalizuara. Raporti i kapitalit për bankat greke është mbi mesataren.
Është rreth 17 për qind, kundrejt 12 për qind që ne e kemi si kërkesë rregullatore. Gjithashtu, bankat greke e kryejnë operimin e tyre pothuajse me 100 për qind depozita të shqiptarëve. Duhet theksuar se një situatë mosbesimi nga ana e depozituesve është e pranishme, por ne kemi marrë masa që të jemi me tepricë likuiditeti dhe nuk parashikojmë asnjë problematikë. Mund të ketë dhe zhvillime pozitive në ekonominë shqiptare, pasi kthimet e emigrantëve do të shoqërohen edhe me flukse kapitali. Kemi vënë re që në fillimet e krizës greke ka pasur hyrje të kapitaleve nga Greqia, pasi emigrantët i kanë tërhequr kursimet e tyre nga bankat greke duke i sjellë në ato shqiptare. Ky fenomen po vihet re edhe gjatë këtyre ditëve. Ka rritje të depozitave në bankat shqiptare nga situata e mosbesimit në Greqi.
Po Greqia, a ka shanse për një zgjidhje të shpejtë?
Politika dhe populli grek po ballafaqohen me dy opsione. Një opsion është pranimi i ofertës së kreditorëve me planin e masave që kanë të bëjnë me pensionet dhe taksat. Opsioni i dytë është mospranimi i planit të masave dhe kjo do ta çonte Greqinë në një kolaps politik dhe ekonomik.
Sa është masa e kredive të këqija dhe çfarë efekti po japin ato në ekonominë shqiptare?
Kreditë e këqija janë pengesë për rritjen e kreditimit. Përfaqësojnë një pjesë të portofolit të bankave, e cila është e konsiderueshme. Janë 22.8 për qind e totalit të gjendjes së kredive në sistemin bankar. Janë mjaftueshëm që të krijojnë një gjendje pesimizmi në funksion të kreditimit dhe rritjes ekonomike.
Ekspozimi i ekonomisë greke ndaj asaj shqiptare në shifra
Bankat me kapital grek
17 për qind të totalit të aktiveve
16 për qind të depozitave, ose 1.2 miliardë euro
17 për qind të stokut të kredisë
Raporti kredi depozita 62 për qind
Tregtia e jashtme
3.6 % të eksporteve për 4-mujorin 2015, partneri i pestë tregtar, grupi më i eksportuar tekstile dhe këpucë me 41 % të totalit
8.3 % e importeve, partneri i tretë tregtar, grupi më i importuar ushqim, pije duhan me 32% të totalit
Investimet e huaja
E para, me një stok të investimeve të huaja prej 1.07 miliardë eurosh në fund të vitit 2013
Komentet