VOAL

VOAL

Sejdiu: Asociacioni i Komunave Serbe shkon përtej Pakos së Ahtisaarit, është antikushtetues

April 6, 2016

Komentet

LVV i drejtohet Supremes për votimin me postë

Një komisioner duke numëruar votat në Qendrën e Numërimit në Prishtinë. Fotografi nga arkivi.

 

Radio Evropa e Lirë

Lëvizja Vetëvendosje ka dorëzuar ankesë në Gjykatën Supreme të Kosovës lidhur me votimin me postë për zgjedhjet e rregullta parlamentare të 9 shkurtit.

“Lëvizja Vetëvendosje edhe njëherë kërkon anulimin e 18.933 votave të LDK-së të ardhura në mënyrë të manipuluar, rivotimin me postë dhe largimin nga lista të kandidatëve që kanë marrë vota në mënyrë të pakrahasueshme më shumë përmes votimit me postë sesa në vendvotime në Kosovë dhe moszëvendësimin e tyre me anëtarë të tjerë të LDK-së”, u tha në një postim të bërë nga parti në rrjetin social, Facebook.

Më 17 mars, LVV-ja i ishte drejtuar Panelit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa, duke kërkuar që të anuloheshin votat me postë që ka marrë Lidhja Demokratike e Kosovës, duke thënë se ato ishin “manipuluar” dhe duke kërkuar rivotim me postë. Por PZAP e hodhi poshtë ankesën e LVV-së.

LVV-ja tha se shpreson që Supremja të “korrektojë vendimin e padrejtë” të Panelit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa lidhur me votimin me postë.

Sipas Ligjit për zgjedhjet e përgjithshme, Gjykata Supreme ka afat prej pesë ditësh nga paraqitja e ankesës, që të vendosë për të.

Më 15 mars, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka shpallur rezultatet përfundimtare për votimet e 9 shkurtit, por vetëm pasi të kenë përfunduar afatet për ankesë në supreme, Komisioni mund të certifikojë rezultatin e zgjedhjeve – duke i hapur rrugë formimit të institucioneve të reja.

Sipas rezultatit përfundimtar, LVV-ja prin me mbi 390.000 vota apo 42.30 për qind.

E dyta ka dalë Partia Demokratike e Kosovës (PDK) me mbi 190.000 vota, apo 20.95 për qind, pasuar nga LDK-ja me mbi 170.000 mijë vota, apo 18.27 për qind.

Në vendin e katërt është koalicioni mes Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) dhe Nismës Socialdemokrate me mbi 66.000 vota apo 7.06 për qind.

Lista Serbe – partia më e madhe e serbëve në Kosovë – ka siguruar mbi 39.000 vota apo 4.26 për qind.

Me këto përqindje, LVV-ja i ka siguruar 48 ulëse në Kuvendin e Kosovës, PDK-ja, 24 sosh, LDK, 20 vende, Lista Serbe nëntë vende dhe koalicioni AAK-Nisma, tetë vende.

Vrasje, dhunime, keqtrajtime – ky është shqiptari që me forcat serbe kreu krime lufte në Gjakovë

Muharrem Ibraj është shqiptari nga fshati Osek Hilë i Gjakovës që kishte kryer krime ndaj shqiptarëve nën uniformën e policisë serbe.

Prokuroria Speciale e Kosovës ka ngritur aktakuzë ndaj të pandehurit Muharrem Ibraj, i nacionalitetit shqiptar, për shkak të dyshimit të bazuar mirë se ka kryer veprën penale: “Krim i luftës kundër popullsisë civile”, e sanksionuar me nenin 142 lidhur me nenin 22 të Ligjit Penal të ish RSFJ-së.

Hetimet kanë vërtetuar se i pandehuri, gjatë periudhës 1998-1999 në fshatin Osek Hylë të Komunës së Gjakovës, duke vepruar në bashkëkryerje me pjesëtarë të forcave policore serbe, ka kryer vrasje, dhunime, arrestime dhe keqtrajtime ndaj popullsisë civile shqiptare që nuk ishin të përfshirë në luftë.

Ibraj në verën e vitit 2005 ishte paraqitur në Hagë, si dëshmitar mbrojtës i kasapit të Ballkanit, Sllobodan Millosheviç, raporton Paparaci. Muharem Ibraj ishte emëruar nga Momçilo Stanojeviç, kryetari i komunës, si shef i “sigurisë lokale”.

Një dëshmitar i prokurorisë dëshmoi se kjo forcë sigurie përbëhej nga shqiptarë besnikë ndaj Serbisë. Megjithatë, Ibraj beson se gjëja e rëndësishme ishte se “kudo që vepronte siguria, as serbët dhe as shqiptarët nuk dëmtoheshin.”

Ai shtoi se në qershor 1999 ishte i detyruar të largohej nga Kosova dhe se pas dislokimit të KFOR-it, gjashtë anëtarë të familjes së tij u rrëmbyen, pasi nuk bashkëpunonin me UÇK-në. Kur një gjyqtar e pyeti pse nuk e mbështeste UÇK-në, Ibraj u përgjigj: “UÇK-ja ishte kundër shtetit.”Dyshohet se Ibraj tani jeton me një pension në Serbi.

Prokuroria Speciale e Kosovës ka propozuar mbajtjen e gjykimit në mungesë, konform dispozitave të KPPK-së, për shkak se i pandehuri gjendet në arrati. Prokuroria Speciale mbetet e përkushtuar në ndjekjen dhe sjelljen para drejtësisë të të gjithë personave përgjegjës për krimet e luftës në Kosovë. bw

‘Organizim kriminal i njerëzve të lidhur me LDK’, ja pse LVV kërkon ripërsëritjen e votimit me postë

Lëvizja Vetëvendosje ka dorëzuar ankesë në Panelin Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa duke kërkuar rinumërim të votimit me postë.

Pasditen e së hënës, pak para se të mbyllej afati, Vetëvendosje dorëzoi ankesë 20 faqe ndaj votimit duke e akuzuar Lidhjen Demokratike të Kosovës se ka organizuar dhe manipuluar me votat me postë.

Përfaqësuesit e Vetëvendosjes thonë se është votuar në emër të personave të tjerë dhe kjo dallohet pasi ngjyra dhe stilolapsi i shfrytëzuar është i njëjtë, ashtu sikurse edhe data e dërgimit të zarfeve.

“Që nga faza e regjistrimit të votuesve ku shumë votues, qindra votues, janë regjistruar vetëm në një numër telefoni deri te plotësimi i fletëvotimeve, dërgimi i tyre ka qenë komplet manipulim, organizim kriminal, i njerëzve të lidhur me LDK-në dhe të angazhuar nga LDK”, tha për A2 CNN, Blerim Sallahu nga Lëvizja Vetëvendosje.

Po ashtu, edhe votat e disa kandidatëve për deputetë të LDK-së të cilët morën mijëra të tilla në votime me postë por më pak në qendrat e votimit në Kosovë dhe në ambasada, u përmenden si arsyetime për manipulim.

“Ne kemi kërkuar nga PZAP fillimisht të anulohen 18 mijë e 933 vota të LDK-së të kontaminuara të ardhura në formë të manipuluar; Kemi kërkuar rivotim të sërishëm të votimit me postë dhe; Kemi kërkuar që kaniddatët të cilët kanë marr vota pakrahasimisht më shumë në postë sesa në vendvotime në Kosovë të largohen nga lista”, shtoi Sallahu.

Përpos Lëvizjes Vetëvendosje, PZAP ka konfirmuar se ankesa ndaj rezultatit përfundimtar ka pranuar edhe nga Partia Demokratike e Kosovës.

PZAP, sipas ligjit, duhet të sjellë një vendim mbi ankesën 96 orë nga parashtrimi i saj. Nëse pala është e pakënaqur atëherë mund ta ankimojë në Gjykatën Supreme. sn

Vizita e parë në Kosovë si emisar, çka u diskutua në takimet e Sorensenit me Osmanin e Kurtin

I ngarkuari i ri i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Peter Sorensen, në vizitën e tij të parë zyrtare në Kosovë që nga marrja e këtij posti, takoi Presidenten e vendit, Vjosa Osmani, kryeministrin Albin Kurti dhe zhvilloi një takim të veçantë me kryenegociatorin e Kosovës, Besnik Bislimi. Ai pati takime edhe me krerët e partive opozitare.

Pa këtyre takimeve Sorensen, ka thënë se qëllimi tij është që të shtyjë përpara procesin e dialogut.

“Ishte një takim prezantues dhe ne biseduam sesi procesi mund të vazhdojë dhe të lëvizim përpara, dhe si i tillë ishte një fillim i mirë. Qëllimi ynë është që procesi të vazhdojë dhe të lëvizim përpara”, tha Sorensen.

Ai nuk iu përgjigj pyetjeve për kompromise të mundshme ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit, por tha se “kjo u takon palëve ta përcaktojnë”. “Dialogu është që të pajtohemi dhe kompromiset do të caktohen nga palët. Ky është dialogu dhe këtë e kemi bërë që nga viti 2011”, tha Sorensen.

Emisari i BE-së u pyet edhe për mbylljen e institucioneve serbe në Kosovë, respektivisht qendrave për punë sociale dhe postës.

Ai tha se duhet punuar që njerëzve tu sigurohet shërbim i mirë. “Duhet të punojmë të sigurohemi që njerëzit të shërbehen në mënyrën më të mirë të mundshme dhe këtë do të përpiqemi ta bëjmë”, u shpreh Sorensen.

Pas takimit nga Presidenca e Kosovës njoftuan se  është diskutuar edhe çështja e Asociacionit të komunave me shumicë serbe, draft-statuti i propozuar për themelimin e të cilit u refuzua të dërgohej në Gjykatën Kushtetuese të vendit për vlerësim.

Osmani, siç njoftoi Presidenca, ia ka shprehur Sørensenit disa vërejtje për këtë draft-statut.

“Në takim me z. Sørensen, Presidentja Osmani paraqiti vërejtjet e saj për Draftstatutin e Asociacionit të propozuar nga BE, vërejtje të cilat duhet të trajtohen me seriozitet në mënyrë që të parandalohet rrezikimi i funksionalitetit të shtetit të Kosovës”, thuhet në një komunikatë të lëshuar pas takimit.

Paraprakisht, Presidenca tha se Osmani ka theksuar “rëndësinë e stabilitetit politik pas zgjedhjeve parlamentare të 9 shkurtit 2025 dhe nevojën konstituimit të institucioneve sa më parë, me qëllim të vazhdimit të reformave kyçe për integrimin evropian të vendit”.

Në lidhje me dialogun me Serbinë, Presidentja Osmani “konfirmoi përkushtimin e Kosovës ndaj procesit të lehtësuar nga BE-ja, duke theksuar rëndësinë e një zbatimi të plotë dhe të balancuar të marrëveshjeve të arritura”, thotë Presidenca.

“Sa i përket integrimit në organizata ndërkombëtare, Presidentja Osmani ritheksoi rëndësinë e anëtarësimit të Kosovës në Këshillin e Evropës si dhe në organizata të tjera ndërkombëtare, përderisa ripotencoi shkeljet e vazhdueshme të Serbisë të marrëveshjeve të arritura në Bruksel, përfshirë shkeljen e nenit 4 të marreveshjes së shkurtit 2023”, thuhet në komunikatën e Presidencës.

Sipas Presidentes Osmani, Kosova është e përkushtuar për reformat e nevojshme. Ajo ka theksuar se, “në kontekstin e dinamikave të reja gjeopolitike, Kosovës duhet t’i jepet statusi i kandidatit dhe procesi i zgjerimit të BE-së në Ballkanin Perëndimor duhet të përshpejtohet, bazuar në parimin e meritokracisë”, siç njoftoi Presidenca.

Ndërkohë në një njoftim nga Kryeministria u bë e ditur se kryeministri Kurti kërkoi nga emisari Sørensen që “BE-ja të heqë menjëherë masat e padrejta kufizuese ndaj Kosovës”, thotë ZKM.

“Ai theksoi kontradiktën e pashëndetshme për BE-në, vlerat themelore të saj dhe për reformat e ndërmarra nga Qeveria e Kosovës me mbështetje të madhe të qytetarëve, që në të njëjtën periudhë kur vendi shënon ngritjen më të madhe demokratike, edhe sipas indekseve ndërkombëtare, të jetë njëkohësisht nën masa kufizuese të BE-së”, u bë e ditur në komunikatë.

“Diskutuan për procesin e dialogut të ndërmjetësuar nga BE dhe për rrugën përpara. Kryeministri theksoi rëndësinë e zbatimit të plotë dhe të pakushtëzuar të Marrëveshjes Bazike dhe Aneksit të Ohrit. Duke rikujtuar sulmin paramilitar në Banjskë në shtator të vitit 2023 dhe sulmin terrorist në Ibër-Lepenc në nëntor të vitit të kaluar, ai gjithashtu nënvizoi rrezikun që kryeterroristi Millan Radoiçiq, bashkë me grupin e tij, vazhdon të paraqes për sigurinë e vendit dhe normalizimin e marrëdhënieve në kuadër të procesit të dialogut për sa kohë që vazhdon të jetë i lirë në Serbi, përkundër pranimit të fajësisë para autoriteteve në Serbi dhe aktakuzës 160 faqëshe nga Prokuroria e Republikës së Kosovës. Andaj, përsëriti thirrjen, që Radoiçiq dhe grupi i tij t’i dorëzohet Kosovës për gjykim”, thuhet në komunikatën e ZKM-së.

Sorensen erdhi për herë të parë në Kosovë në një vizitë zyrtare që prej kur ka marrë postin e të dërguarit të posaçëm të BE-së për dialogun. Ai do ta vizitojë edhe Beogradin, pas së cilës tha se do të ulet dhe të vlerësojë se “ku jemi”. sn

Ndarja nga jeta e Haxhi Thaçit, prek djali i ish-presidentit: Baci i mbylli sytë i qetë pas takimit me babin!

Endrit Thaçi, dali i presidentit Thaçi, ka bërë një reagim për vdekjen e gjyshit të tij Haxhi Thaçi.

Në një postim në Instagram, ai shkruan se gjyshi i tij ishte burim frymëzim për të gjithë familjen ndërsa lutet që të prehet në paqe.

“Baci i mbylli sytë i qetë pas takimit me babin! Ka qenë gjithmonë frymëzim për mua dhe familjen. Vuajtjet nga padrejtësia u bënë të pa përballueshme. Prehu në paqe Bac!”, shkruan ai.

KQZ shpall rezultatet përfundimtare të zgjedhjeve të 9 shkurtit

Radio Evropa e Lirë

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) në Kosovë e ka miratuar të shtunën rezultatin përfundimtar të zgjedhjeve parlamentare të 9 shkurtit, në të cilin prin Lëvizja Vetëvendosje (LVV) me mbi 390.000 vota apo 42.30 për qind.

E dyta ka dalë Partia Demokratike e Kosovës (PDK) me mbi 190.000 vota, apo 20.95 për qind, pasuar nga Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) me mbi 170.000 mijë vota, apo 18.27 për qind.

Në vendin e katërt është koalicioni mes Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) dhe Nismës Social-demokrate me mbi 66.000 vota apo 7.06 për qind.

Lista Serbe – partia më e madhe e serbëve në Kosovë – ka siguruar mbi 39.000 vota apo 4.26 për qind.

Me këto përqindje, LVV-ja i ka siguruar 48 ulëse në Kuvendin e Kosovës, PDK-ja, 24 sosh, LDK, 20 vende, Lista Serbe nëntë vende dhe koalicioni AAK-Nisma, tetë vende.

Si do të duket Kuvendi i ardhshëm i Kosovës?
Infografikë

Si do të duket Kuvendi i ardhshëm i Kosovës?

Të drejtë vote në këtë proces zgjedhor kanë pasur mbi 2 milionë shtetas të Kosovës, ndërsa pjesëmarrja ka qenë 46.54 për qind.

Kryetari i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ) Kreshnik Radoniqi, ka thënë se me Ligjin e ri për Zgjedhjet, subjektet politike mund të ankohen në Panelin Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP) lidhur me këtë rezultat përfundimtar deri në 48 orë nga shpallja e tij.

PZAP-ja, më pas, duhet të marrë vendim brenda 96 orëve nga parashtrimi i ankesës.

Radoniqi ka garantuar se në asnjë moment nuk është cenuar integriteti i votës, ani pse ka pasur vonesa në numërim të votave.

Ai i ka arsyetuar vonesat duke thënë se votat janë numëruar për herë të parë siç e parasheh ligji i ri, që do të thotë se fillimisht janë numëruar votat për subjektet politike, më pas janë numëruar votat për kandidatët për deputetë në 38 qendra të numërimit, bashkë me verifikim të votave për subjekte politike.

Si tjetër arsye për vonesë, ai e ka përmendur edhe platformën elektronike, e cila sipas tij nuk ka funksionuar si duhet, andaj zyrtarët janë detyruar të verifikojnë edhe manualisht çdo shifër, para futjes së rezultateve në sistem.

“Rezultat kanë ndjekur hapat e paraparë sipas Ligjit për zgjedhje dhe janë numëruar në transparencë të plotë”, ka thënë ai, duke u zotuar se KQZ-ja do të organizojë panele të brendshme për të kuptuar ku ka ngecur puna dhe për t’i shmangur problemet eventuale në proceset e ardhshme zgjedhore.

Kryeministri aktual, Albin Kurti, njëherësh kryetar i LVV-së, zotohet se do ta formojë ekzekutivin e ri, por pa treguar saktë se si.

Zëra brenda partisë së tij përmendin mundësinë e një koalicioni me minoritetet joserbe, dhe llogarisin në mbështetjen e ndonjë deputeti të partive të mëdha shqiptare, ani pse ky skenar nuk konsiderohet se do të prodhojë stabilitet.

Partitë e mëdha shqiptare kanë hedhur poshtë mundësinë e bashkëpunimit me Kurtin, madje kanë vendosur kushte edhe për arritjen e ndonjë koalicioni eventual me njëra-tjetrën.

Çka ndodh tash?

Brenda 30 ditëve të certifikimit të rezultateve nga KQZ-ja, presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani duhet të thërrasë mbledhjen konstituive të Kuvendit të Kosovës.

Kjo mbledhje konsiderohet e mbyllur vetëm pasi të jenë zgjedhur kryetari dhe nënkryetarët e Kuvendit.

Në bazë të rezultateve preliminare, kryetari i Kuvendit do t’i takojë Lëvizjes Vetëvendosje (LVV), e cila ka fituar më së shumti vota. Por, nëse kjo parti nuk e propozon dikë për kryetar, procesi do të ngrijë në vend.

Por, nëse kryetari i Kuvendit zgjidhet, atëherë nisin tiktaket e orës për afatet tjera.

Presidentja e vendit obligohet që të nominojë partinë fituese të zgjedhjeve si mandatare për formimin e Qeverisë.

Ndonëse as këtu nuk ekziston një afat i saktë, vendimet në fuqi përcaktojnë që procesi duhet të zhvillohet “sa më parë që të jetë e mundur”.

Kabineti duhet t’i sigurojë votat e 61 deputetëve brenda këtij afati. Por, nëse kjo nuk ndodh, presidentja është e obliguar që brenda 10 ditëve t’i ftojë në konsultim edhe një herë partitë politike, edhe të vendosë, sipas diskrecionit të saj, për mandataren e re, nëse ajo ia dëshmon se i ka numrat për të formuar Qeverinë.

Edhe mandatarja e ardhshme duhet t’i ketë 15 ditë kohë që t’ia paraqesë Kuvendit përbërjen e kabinetit qeveritar.

Nëse Qeveria nuk formohet as pas 40 ditësh, presidentja duhet të shpallë dekretin për zgjedhjet e reja, që duhet të mbahen dyzet ditë prej shpalljes së vendimit.

KQZ pritet t’i shpallë nesër rezultatet përfundimtare të zgjedhjeve të 9 shkurtit

Kuti votimi në një qendër votimi në Prishtinë, për zgjedhjet parlamentare të Kosovës, 9 shkurt.

 

Radio Evropa e Lirë

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) pritet t’i shpallë të shtunën e 15 marsit rezultatet përfundimtare të zgjedhjeve parlamentare të mbajtura në fillim të muajit të kaluar.

Zëdhënësi i KQZ-së, Vlamir Elezi, tha se komisioni pritet ta mbajë një mbledhje të shtunën, ku në rend dite është shpallja e rezultateve përfundimtare të zgjedhjeve të 9 shkurtit për Kuvendin e Kosovës, raporton Koha.

Zvarritja e shpalljes së rezultateve përfundimtare vjen si pasojë e telasheve me të cilat është përballur KQZ-ja gjatë numërimit të votave, si dhe për shkak të rinumërimit të dhjetëra kutive të votimit dhe ankesave.

Shpallja e rezultateve përfundimtare dhe certifikimi i tyre do t’i hapë rrugën formimit të institucioneve të reja të Kosovës.

Me ligjet e Kosovës, brenda 30 ditësh nga certifikimi i rezultateve, presidentja e vendit duhet të thërrasë mbledhjen konstituive të Kuvendit të Kosovës. Nëse zgjidhen kryetari dhe nënkryetarët, atëherë Vjosa Osmani duhet të kërkojë nga partia fituese ta propozojë mandatarin për formimin e Qeverisë.

Lëvizja Vetëvendosje (LVV), e cila udhëhiqet nga kryeministri Albin Kurti, i fitoi zgjedhjet e 9 shkurtit, por nuk arriti ta marrë shumicën e nevojshme prej 61 deputetëve për ta formuar e vetme qeverinë.

Ajo i siguroi 48 ulëse në Parlamentin me 120 sosh, dhe Kurti është zotuar se partia e tij do ta vazhdojë qeverisjen e vendit.

Partia Demokratike e Kosovës (PDK) i fitoi 24 ulëse, Lidhja Demokratike e Kosovës 20 ulëse, Koalicioni Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës – Nisma 8 ulëse, ndërsa Lisa Serbe 9.

Kurti ka thënë se po pret certifikimin e rezultateve, para se anëtarët e partisë së tij të ulen dhe të shikojnë rrugën përpara.

“Nuk ka ndryshuar situata që ne të kemi qëndrime tjera sa u përket kundërshtarëve tanë. Është bërë luftë hibride kundër Qeverisë sonë dhe LVV-së, dhe kemi dalë fitimtarë, dhe fitimtari duhet dhe do ta formojë Qeverinë e re”, tha Kurti për media ditë më parë.

Tri partitë e mëdha opozitare kanë thënë se nuk do të bëjnë koalicion me LVV-në e Kurtit.

Por, lideri i Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj, që është në koalicion me
AAK-në, ka thënë hapur se nuk ka “vija të kuqe” përballë koalicioneve të mundshme, qoftë me LVV-në, qoftë me partitë që aktualisht janë në opozitë.

Analistët politikë besojnë se Kurti llogarit në skenarin e formimit të Qeverisë me minoritetet joserbe, që i kanë 10 vende, si dhe në lëvizjet që mund t’i bëjnë disa deputetë të opozitës aktuale, “për pozita ministrore”.

Ushtria amerikane kreu lëshim ajror të trupave në veri, patrullim rutinor në kufirin me Serbinë

Një grup ushtarësh të aviacionit amerikan, të caktuar në Komandën Rajonale në Lindje të misionit të KFOR-it të udhëhequr nga NATO, kanë realizuar një operacion të lëshimit ajror të trupave të këmbësorisë amerikane në veri të Kosovës.

Ky veprim u krye në mbështetje të një patrullimi rutinë, duke përforcuar prezencën dhe gatishmërinë operacionale të forcave ndërkombëtare në rajon.

Sipas një deklarate të lëshuar nga KFOR-i, ky operacion është pjesë e përpjekjeve të vazhdueshme për të siguruar një ambient të qëndrueshëm dhe të sigurt për të gjitha komunitetet që jetojnë në Kosovë.

Lëshimi ajror u zhvillua si pjesë e trajnimeve dhe operacioneve të planifikuara të forcave të NATO-s, të cilat synojnë të rrisin ndërveprimin mes trupave dhe të demonstrojnë aftësinë për reagim të shpejtë në çdo situatë të mundshme sigurie.

Prania dhe angazhimi i KFOR-it në Kosovë mbetet një element kyç për ruajtjen e stabilitetit në rajon. Me mbi dy dekada prezencë, misioni i KFOR-it vazhdon të operojë nën mandatin e Kombeve të Bashkuara, duke bashkëpunuar ngushtë me institucionet vendase dhe ndërkombëtare për të garantuar lirinë e lëvizjes dhe sigurinë e popullsisë.

Zyrtarë të KFOR-it kanë ritheksuar se aktivitetet e tyre janë të paanshme dhe të fokusuara vetëm në mbajtjen e një mjedisi të sigurt për të gjithë qytetarët, pavarësisht përkatësisë së tyre etnike.

Ky operacion vjen në një periudhë të ndjeshme për sigurinë në veri të Kosovës, ku tensionet mes komuniteteve lokale kanë qenë të pranishme.

Për këtë arsye, KFOR-i vijon të mbetet vigjilent dhe i gatshëm për të ndërmarrë veprimet e nevojshme për të parandaluar çdo përshkallëzim të situatës. sn

Maqedonci: SHBA-ja do të na ndihmojë në ngritjen e kapaciteteve strategjike ushtarake

Radio Evropa e Lirë

Qeveria e Kosovës ka miratuar në parim nismën për lidhjen e një marrëveshjeje kornizë për thellimin e bashkëpunimit në fushën e mbrojtjes mes Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara.

Pas mbledhjes së ekzekutivit, në një konferencë për media ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, tha se marrëveshja përbëhet nga pesë pika: planifikimi dhe qeverisja e mbrojtjes, menaxhimi i resurseve humane dhe të mbrojtjes, ndërtimi i kapaciteteve strategjike ushtarake, bashkëpunimi me qëllim angazhimin rajonal dhe ndërkombëtar dhe qëndrueshmëria strategjike.

Maqedonci tha se SHBA-ja do ta mbështesë Ministrinë e Mbrojtjes për një planifikim profesional të mbrojtjes si dhe të qeverisjes së mbrojtjes me synim rritjen e mbikëqyrjes civile dhe të menaxhimit të burimeve humane dhe të mbrojtjes.

Sa i përket ngritjes së kapaciteteve strategjike ushtarake, Maqedonci tha se këtu bëjnë pjesë mbrojtja ajrore dhe fusha të tjera që do të jenë në kuadër të fazës së tretë të tranzicionit të Forcës së Sigurisë së Kosovës në ushtri.

Kjo fazë, sipas tij, përfshin periudhën nga tani deri më 2028. Transformimi i FSK-së në ushtri ka nisur pasi në fund të vitit 2018, deputetët miratuan ndryshimet e nevojshme ligjore.

“SHBA-ja do të sjellë ekipe që do të bëjnë vlerësimin dhe do të mbështesin Ministrinë e Mbrojtjes në prokurimin të sistemeve të armatimit të nivelit strategjik, siç janë mbrojtja ajrore por edhe mbështetja ajrore”, tha Maqedonci.

Në kuadër të ngritjes së kapaciteteve, Maqedonci tha se marrëveshja adreson edhe çështjen e ndërtimit të flotës së helikopterëve. Ai tha se gjatë një vizite që zhvilloi në janar në SHBA, së bashku me komandantin e FSK-së vizituan fabrikën e prodhimit të helikopterëve Black Hawk.

“Ne kemi mbështetjen e SHBA-së për blerjen e këtyre helikopterëve, siç kemi edhe mbështetjen për blerjen e shumë sistemeve të tjera që do t’i kemi në FSK në kuadër të fazës së tretë të tranzicionit, që parasheh ndërtimin e këtyre kapaciteteve, që nënkupton periudhe nga tani deri më 2028”, tha ai.

Kosova, sipas tij, po ashtu po kryen pagesat për sistemet kundërajrore Javelin, të cilat tha se do të arrijnë në shtet në bazë të parashikimeve. Kërkesën për blerjen e mbi 200 kundërajrorëve të tillë, Kosova ia kishte bërë SHBA-së vitin e kaluar. Blerja e tyre pritet t’i kushtojë Kosovës 75 milionë dollarë.

Sa i përket angazhimit rajonal dhe ndërkombëtar, Maqedonci tha se me SHBA-në do të hartohen plane për anëtarësimin e Kosovës në NATO.

“Përmes kësaj marrëveshjeje, SHBA-ja është zotuar se do të na mbështesë, në aspektin teknik, procedural dhe aspekte të tjera Kosovën drejt anëtarësimit në NATO, por gjithashtu edhe në iniciativat rajonale”, tha ai në konferencën për media pas mbledhjes së Qeverisë.

Element shumë të rëndësishëm të marrëveshjes Maqedonci e cilësoi qëndrueshmërinë strategjike.

“Përveç mbështetjes që SHBA-ja do të japë në ndërtimin e kapaciteteve tona ushtarake, mbrojtjes ajrore, këmbësorisë, artilerisë dhe gjithë elementëve të tjerë ushtarakë, do të ndihmojë vendin tonë që të ndërtojë një qëndrueshmëri kolektive edhe jashtë ushtrisë. Pra, përmes organizimit të qytetarëve dhe përmes organizimit të strukturave të tjera shtetërore. Është në përputhje me mbrojtjen gjithëpërfshirëse si koncept, të cilin e kemi miratuar në Qeveri vitin e kaluar”, tha ai.

Maqedonci tha se për këtë marrëveshje ishte dakorduar me zyrtarët amerikanë gjatë vizitës së tij në SHBA në janar të këtij viti. Ai tha se kjo marrëveshje është e ngjashme me paktin në fushën e mbrojtjes që Kosova ka arritur vitin e kaluar me Turqinë.

Në konferencën për media, Maqedonci u pyet edhe për mundësinë e një reduktimi eventual të pranisë ushtarake të SHBA-së në kuadër të misionit të NATO-s në Kosovë, KFOR.

Maqedonci tha se Kosova vazhdon të ketë konfirmimin që ushtria amerikane do të jetë në kuadër të KFOR-it.

“Përveç prezencës ushtarake amerikane në kuadër të KFOR-it ne jemi të interesuar dhe po vazhdojmë që të diskutojmë me SHBA-në për prezencë ushtarake amerikane edhe jashtë mandatit të KFOR-it, pra në aspektin bilaterial, duke qenë pjesë e aktiviteteve të përbashkëta me FSK-në në Kosovë”, tha ai, duke përmendur këtu trajnime dhe dhënien në shfrytëzim të hapësirave për, siç tha, qëllimet e përbashkëta strategjike.

Çështja e rishqyrtimit të pozicionit të Uashingtonit në Evropë ka nisur të qarkullojë pas deklaratave të bëra nga sekretari amerikan i Mbrojtjes, Pete Hegseth, në shkurt, kur ka thënë se evropianët nuk mund të presin që prezenca ushtarake amerikane në kontinent do të zgjasë përgjithmonë.

Nga afër 100.000 trupa amerikane në Evropë, 600 prej tyre janë në Kosovë në kuadër të KFOR-it, që në total i ka rreth 4.600 pjesëtarë.

Ditë më parë, Departamenti amerikan i Mbrojtjes i ka thënë Radios Evropa e Lirë se tani për tani nuk ka ndonjë ndryshim të planifikuar sa i përket pozicionit të forcave të tyre.

Ndryshe, Shtetet e Bashkuara kanë ofruar mbështetje të vazhdueshme për strukturat e mbrojtjes dhe sigurisë së Kosovës, duke ofruar trajnime për pjesëtarët e strukturave të sigurisë, kanë mbështetur transformimin e Forcës së Sigurisë së Kosovës në ushtri, por edhe kanë dhuruar pajisjeve të ndryshme ushtarake.

Në të kaluarën, Kosova ka arritur marrëveshje me SHBA-në, por edhe me shtete të tjera, për dërgimin e pjesëtarëve të FSK-së në misione paqeruajtëse jashtë vendit.

Mesazhet e rëndësishme të sekretarit të NATO-s gjatë vizitës në Kosovë

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte,  vizitoi sot Kosovën, për herë të parë pasi mori këtë detyrë. Ai sot takoi presidenten Vjosa Osmani, kryeministrin Albin Kurti dhe trupat paqeruajtëse të NATO’s, KFOR. Gjatë kësaj vizite Rutte dha shumë mesazhe të rëndësishme.

Mesazhet kryesore të tij ishin se KFOR mbetet faktor stabiliteti në Kosovë bashkë me SHBA-në dhe që NATO do të vazhdoj të kontribuojë për sigurinë në vend dhe rajon, shkruan gazeta online Reporteri.net.

Rutte tha se aleanca është e gatshme t’i përgjigjet çdo zhvillimi të sigurisë në Kosovë. Por, shefi i NATO-s u kërkoi udhëheqësve që të veprimet që ndërmarrin të mos jenë në kundërshtim të angazhimeve paraprake, teksa kërkoi nga Kosova dhe Serbia fleksibilitet dhe kompromise në dialog.

“KFOR është plotësisht i gatshëm t’i përgjigjet çfarëdo zhvillimit të sigurisë. Në këtë kuptim, presim të vazhdojmë bashkëpunimin mes Prishtinës dhe KFOR-it, në përputhje me angazhimet e dekadave të fundit.”, u shpreh ai gjatë një konference me presidenten Osmani.

Ai po ashtu tha se Shtetet e Bashkuara janë të përkushtuara në aleancë dhe në misionin paqeruajtës në Kosovë, KFOR.

Gjatë një tryeze diskutimi në Prishtinë më 11 mars me gazetarë, pasi zhvilloi takime me krerët shtetërorë, Rutte tha misioni paqeruajtës i NATO-s në Kosovë, ofron siguri dhe stabilitet për të gjitha komunitetet, por shtoi se zgjidhja për paqe afatgjatë është politike.

“SHBA-ja është e përkushtuar tërësisht në KFOR, në NATO. Presidenti [amerikan, Donald] Trump para dy javësh në Zyrën Ovale u takua me presidentin francez dhe kryeministrin britanik dhe u përkushtua për nenin 5 dhe NATO-n. E di që SHBA-ja është e përkushtuar në KFOR”, tha Rutte.

Çështja e rishqyrtimit të pozicionit të Washingtonit në Evropë ka nisur të qarkullojë pas deklaratave të bëra nga sekretari amerikan i Mbrojtjes, Pete Hegseth, në shkurt, kur ka thënë se evropianët nuk mund të presin që prezenca ushtarake amerikane në kontinent do të zgjasë përgjithmonë.

Rutte tha se administrata Trump ka tejkaluar ngërçin sa i përket luftës së Rusisë kundër Ukrainës, duke mbajtur bisedime për përfundimin e luftës me Rusinë dhe Ukrainën. Ai tha se ka mundësi që administrata amerikane të tentojë të kontribuojë në zgjidhjen e ngërçit edhe në rajonin e Ballkanit Perëndimor.

“Le të shohim se çfarë roli mund të luajë SHBA-ja në këtë rajon, që të kemi një zgjidhje afatgjatë në rajon ku do të kishte raporte të mira fqinjësore dhe normalizim të situatës”, tha Rutte.

Para se të takohej me krerët shtetërorë të Kosovës, shefi i NATO-s qëndroi një ditë më parë edhe në Bosnje e Hercegovinë.

Gjatë qëndrimit në Prishtinë, Rutte tha se kërkesa e tij për të gjithë politikanët në Kosovë dhe në rajonin e Ballkanit Perëndimor, është që të veprojnë në mënyrë të parashikueshme.

“E dimë që për momentin në Bosnje e Hercegovinë ka tensione për shkak të rastit gjyqësor ndaj presidentit të Republikës Sërpska, Millorad Dodik. Dhe duke pasur parasysh faktin e tensioneve të vazhdueshme mes Kosovës dhe Serbisë, mendoj se është në interesin e të gjithëve që të ulen tensionet. Mënyra më e mirë për të bërë këtë është që të jeni të parashikueshëm dhe të përmbaheni nga veprimet e njëanshme”, tha shefi i NATO-s.

Rutte foli edhe për marrëveshjen mes Kosovës dhe NATO-s që nuk ia lejon Forcës së Sigurisë së Kosovës që të shkojë në veriun e Kosovës – të banuar me shumicë serbe – pa miratimin e aleancës.

“Për aq kohë sa nuk ka një marrëveshje të re, duhet të respektojmë marrëveshjen ekzistuese. Marrëveshja thotë se nëse FSK-ja dëshiron të dislokohet diku, veçmas në veri, duhet të ketë dakordim paraprak me KFOR-in. Kur bëhet fjalë për Policinë e Kosovës, nëse janë afër kufirit, është e rëndësishme që të paktën ata të njoftojnë në kohë KFOR-in. Duam që kjo të vazhdojë dhe e di që Qeveria është e përkushtuar për këtë”, tha shefi i NATO-s.

“Sigurisht, nuk mund të parashikoni nëse gjërat do të ndryshojnë me kalimin e kohës. Por, nuk ka asgjë të re për të cilën mund t’iu njoftoj tani në këtë drejtim”, shtoi ai.

KFOR-i është reaguesi i tretë i sigurisë në Kosovë, pas Policisë së Kosovës dhe misionit të Bashkimit Evropian për sundim të ligjit, EULEX. Ky mision, veç tjerash, është përgjegjës për sigurinë e vijës kufitare mes Kosovës dhe Serbisë.

Ndërkaq, i pyetur nëse forcat e mundshme paqeruajtëse të udhëhequra nga Evropa në Ukrainë mund të çojnë në ndryshimin e pranisë së KFOR-it në Kosovë ose në garancitë e sigurisë që NATO ofron në Kosovë, Rutte tha se ajo që nevojitet fillimisht në Ukrainë është një marrëveshje paqeje.

“Pastaj duhet të hartohet një mision për garancitë e sigurisë. Aktualisht, francezët dhe britanikët po marrin drejtimin e këtij debati. Më pas, duhet të shohim se çfarë do të thotë kjo për praninë e trupave në krahun lindor, por edhe këtu në Ballkanin Perëndimor. Por, deri atëherë do të kemi kaluar tri hapa përpara dhe nuk dua të flas për ‘çka nëse’”. sn

PZAP-ja ia refuzon Vetëvendosjes kërkesën për përsëritjen e votimit përmes postës

Radio Evropa e Lirë

Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP) ia ka hedhur poshtë si të paafatshme Lëvizjes Vetëvendosje kërkesën për shfuqizimin dhe përsëritjen e votimit përmes postës në mërgatë të zgjedhjeve parlamentare të muajit të kaluar.

Vetëvendosje, e udhëhequr nga kryeministri Albin Kurti, pretendoi në ankesën e saj ditë më parë se ka pasur “manipulim” të procesit të votimit përmes postës.

Në vendimin e saj, PZAP-ja tha se Vetëvendosje e paraqiti ankesën e saj pas afatit ligjor për paraqitjen e ankesave, i cili është 48 orë pas përfundimit të procesit të numërimit të votave.

Vetëvendosje bëri ankesë mbrëmjen e 7 marsit, ndërsa numërimi i votave përmes postës përfundoi pasditen e 4 marsit, sipas vendimit.

Vetëvendosje ka të drejtë të ankohet ndaj këtij vendimi në Gjykatën Supreme brenda 48 orëve.

Ndërkohë, PZAP-ja ia pranoi asaj ankesën lidhur me rinumërimin e 1.631 fletëvotime të shpallura si të pavlefshme në kuadër të votave jashtë vendit, sipas propozimit paraprak të Sekretariatit të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve.

Sekretariati i KQZ-së rekomandoi që të hapeshin për rinumërim 177 kutive të votimit për vlerësim të votave të pavlefshme, teksa në këto përfshiheshin 1.631 fletëvotime të shpallura të pavlefshme.

Pse Vetëvendosje kërkoi përsëritjen e votimit përmes postës?

Vetëvendosje fitoi më së shumti vota nga votimi me postë, 51.57 për qind, apo me mbi 31.000 vota.

Lidhja Demokratike e Kosovës arriti t’i sigurojë 30.55 për qind të votave, Partia Demokratike e Kosovës me 9.48 për qind dhe koalicioni Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës – Nisma me 3.23 për qind.

Mbi 84.000 shtetas të Kosovës në mërgatë kishin zgjedhur të votonin përmes postës për zgjedhjet e 9 shkurtit, sipas Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ).

Në aneksen e saj, Vetëvendosje kishte pretenduar se “ky organizim i tillë i votimit, unik dhe mirë i organizuar në formë manipuluese, nuk ka mundur të ndodhte pa një organizim, koordinim dhe bashkëveprim me deputetët e LDK-së”.

Ndërkohë, Manxhuka shkroi më 8 mars në Facebook se “është evidente skema që është përdorur nga votimi përmes postës në mërgatë. 400% më shumë vota për LDK-në, me vota shabllone për kandidatë të caktuar, ndërkohë që ekstremisht larg nga ky trend janë PDK e parti të tjera opozitare”.

Procesi i numërimit të të gjitha votave përfundoi më 5 mars, rreth një muaj pas mbajtjes së zgjedhjeve parlamentare në vend më 9 shkurt.

Sipas rezultateve përfundimtare, që përfshijnë edhe votat në vendvotimet në Kosovë, ato në përfaqësitë diplomatike, me kusht dhe atyre të personave me nevoja të veçanta, asnjëra parti nuk ka siguruar numër të mjaftueshëm për të qeverisur e vetme.

Për të pasur shumicën, nevojiten së paku 61 deputetë në Kuvendin me 120 ulëse të Kosovës.

Si partia e parë, Vetëvendosje i ka fituar 396.022 vota, apo 42.27 për qind, duke i siguruar 48 ulëse.

Udhëheqësi i saj, kryeministri Albin Kurti, është zotuar se do ta formojë qeverinë në mënyrë të pavarur.

Partitë aktualisht në opozitë, përveç Nismës, e kanë përjashtuar mundësinë e koalicionit me të.

KQZ-ja pritet të bëjë certifikimin e rezultateve në mes të këtij muaji.

Analistët thonë se ka disa opsione të mundshme për formimin e qeverisë së re.

LVV-ja kërkon përsëritjen e votimit përmes postës, për shkak të “manipulimit”

Radio Evropa e Lirë

Lëvizja Vetëvendosje (LVV) ka kërkuar shfuqizimin dhe përsëritjen e votimit përmes postës në mërgatë të zgjedhjeve parlamentare të muajit të kaluar, pasi u ankua në Panelin Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa për “manipulim të fletëvotimeve”, konfirmoi për Radion Evropa e Lirë zëdhënës i kësaj partie, Arlind Manxhuka, të shtunën.

Vetëvendosja, e udhëhequr nga kryeministri Albin Kurti, fitoi më së shumti vota nga votimi me postë, 51.57 për qind, apo me mbi 31.000 vota.

Lidhja Demokratike e Kosovës arriti t’i sigurojë 30.55 për qind të votave, Partia Demokratike e Kosovës me 9.48 për qind dhe koalicioni Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës – Nisma me 3.23 për qind.

Mbi 84.000 shtetas të Kosovës në mërgatë kishin zgjedhur të votonin përmes postës për zgjedhjet e 9 shkurtit, sipas Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ).

Në aneksen e saj, Vetëvendosje tha se “ky organizim i tillë i votimit, unik dhe mirë i organizuar në formë manipuluese, nuk ka mundur të ndodhte pa një organizim, koordinim dhe bashkëveprim me deputetët e LDK-së”.

Ndërkohë, Manxhuka shkroi të shtunën në Facebook se “është evidente skema që është përdorur nga votimi përmes postës në mërgatë. 400% më shumë vota për LDK-në, me vota shabllone për kandidatë të caktuar, ndërkohë që ekstremisht larg nga ky trend janë PDK e parti të tjera opozitare”.

Eugen Cakolli nga Instituti Demokratik i Kosovës tha se, ndonëse dyshimet mbi manipulimet e mundshme të votave duhen trajtuar e hetuar kujdesshëm, përsëritja e votimit përmes postës do të kishte “pasoja të mëdha”.

“Një vendim i tillë jo vetëm që do të shkaktonte vonesa në certifikimin e rezultateve, por mbi të gjitha do të ndëshkonte edhe ata qytetarë që kanë votuar në mënyrë të rregullt”, tha Cakolli në Facebook të shtunën.

Panelit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa i duhen zakonisht 72 orë për të vendosur për ankesat që i pranon.

Procesi i numërimit të të gjitha votave përfundoi më 5 mars, rreth një muaj pas mbajtjes së zgjedhjeve parlamentare në vend më 9 shkurt.

Sipas rezultateve përfundimtare, që përfshijnë edhe votat në vendvotimet në Kosovë, ato në përfaqësitë diplomatike, me kusht dhe atyre të personave me nevoja të veçanta, asnjëra parti nuk ka siguruar numër të mjaftueshëm për të qeverisur e vetme.

Për të pasur shumicën, nevojiten së paku 61 deputetë në Kuvendin me 120 ulëse të Kosovës.

Si partia e parë, Vetëvendosje i ka fituar 396.022 vota, apo 42.27 për qind, duke i siguruar 48 ulëse.

Udhëheqësi i saj, kryeministri Albin Kurti, është zotuar se do ta formojë qeverinë në mënyrë të pavarur.

Partitë aktualisht në opozitë, përveç Nismës, e kanë përjashtuar mundësinë e koalicionit me të.

KQZ-ja pritet të bëjë certifikimin e rezultateve në mes të këtij muaji.

Analistët thonë se ka disa opsione të mundshme për formimin e qeverisë së re.


Send this to a friend