Analisti Neritan Sejamini tha në studion e emisionit “Të Paekspozuarit” në MCN TV, se Yuri Kim e ka shkatërruar karrierën e saj me qëndrimet që ka mbajtur ndaj opozitës shqiptare.
“Qëndrimet e ambasadores janë skandaloze dhe i kanë shkatërruar karrierën, sepse ajo po ikën nga Shqipëria, por nuk ka marrë asnjë lloj emërimi, edhe pse ka një vit që ka aplikuar.
Mandati i saj ka qenë dështim si për SHBA-të, si për Shqipërinë, kryesisht për shkak të qëndrimeve të saj të njëanshme dhe të pazakonta për një diplomate. Këto qëndrime zonja Kim nuk do t’i mbante në asnjë vend tjetër evropian.
Fatkeqësisht, edhe për shkak të këtyre qëndrimeve, marrëdhëniet miqësore që kanë pasur shqiptarët për Amerikën, janë lëkundur, sepse, ndërsa shumë mund të bien dakord për qëndrimet e saj për Berishën dhe qeverisjen e demokratëve, askush nuk bie dakord me qëndrim e saj dashamirës ndaj qeverisë, pa e kritikuar asnjëherë të vetme.
Ajo po mbush katër vite në Shqipëri, në një nga vendet më të korruptuara, me skandale fenomenale, që kanë bërë bujë në të gjithë botën dhe ajo, jo vetëm nuk ka mbajtur një qëndrim minimal kritik, apo të shprehë ndonjë hezitim, por ka treguar një dashamirësi publike, duke bërë një karshillëk publik për marrëdhënien e saj të mirë me njerëzit.
Në fakt ajo është ambasadore e nivelit të ri, sepse bëhet për herë të parë ambasadore, sepse përfaqëson kuotat e minorancës, është grua dhe në politikat e promovimit të Departamentit të Shtetit ajo ka prioritet. Ajo ka demonstruar në këto vite papjekurinë e saj në vendimmarrje. E ka marrë politikën shqiptare lehtësisht, pa kuptuar rolin e kulturës politike, që qëndrimet e saj mund të keqpërdoren dhe u zhyt në një histori nga e cila nuk ka dalë deri më sot”, u shpreh Sejamini.