Kancelari gjerman, Olaf Scholz me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti.
RFE/RL
Kancelari gjerman, Olaf Scholz, tha se dialogu mes Kosovës dhe Serbisë, i ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian, duhet të zgjidhë çështjen e njohjes së Kosovës.
Në konferencën e përbashkët për media me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, Scholz tha se për dialogun duhet qëndrim konstruktiv, duke thënë se një marrëveshje përfundimtare do të kontribuonte në stabilitetin e rajonit të Ballkanit Perëndimor.
“E qartë është që marrëveshja në fund duhet të zgjidhë edhe çështjen e njohjes së Kosovës, sepse është e paimagjinueshme që dy vende, të cilat nuk e njohin njëra-tjetrën të bëhen anëtare të BE-së. “, tha Scholz.
Kancelari gjerman tha se në kohën kur po vazhdon pushtimi rus i Ukrainës, zgjidhja e çështjes së Kosovës dhe Serbisë bëhet edhe më e rëndësishme.
“Me rëndësi për Kosovën është që dialogu i ndërmjetësuar nga BE midis Kosovës dhe Serbisë të çohet përpara. Në kohëra si kjo, vlera e sigurisë dhe lirisë na bëhen më të qarta… është një arsye edhe më e shumë dhe më e rëndësishme që Kosova dhe Serbia përmes një marrëveshjeje përfshirëse dhe të qëndrueshme të gjejnë një zgjidhje politike e cila kontribuon në stabilitetin rajonal”, tha Scholz.
“Dialogu është rruga që i hap Kosovës perspektivën e mëtejme evropiane. Një qëndrim konstruktiv në këtë dialog është në interes të të gjithë qytetarëve në Kosovë. Një marrëveshje politike midis dy vendeve është një kusht i rëndësishëm për investime, për vende pune dhe me këtë edhe për perspektivën e të rinjve në Kosovë”, shtoi ai.
Ndërkaq, i pyetur për procesin e liberalizimit të vizave për Kosovën nëse kanë ndërmarrë diçka që t’i bindin shtetet skeptike, kancelari Scholz ka thënë:
“Ne angazhohemi që liberalizimi i vizave të vijë sa më shpejt, pasi kushtet janë plotësuar dhe për këtë flasim me partnerët tanë që edhe ata të binden siç jemi bindur ne”.
Scholz tha se Qeveria gjermane e ka vendosur prioritet ndihmën për shtetet e Ballkanit Perëndimor që të përafrohen me Bashkimin Evropian. Kjo tha se do të bëhet përmes Procesit të Berlinit, që Gjermania ka nisur më 2014.
“Dëshiroj që së bashku me partnerët tanë, në kuadër të Procesit të Berlinit ta rijetësoj atë këtë vit dhe në vjeshtë do të thërras një konferencë në Berlin. Rajoni duhet të përparojë referuar krijimit të një tregu të përbashkët rajonal dhe katër marrëveshjet e rëndësishme për lëvizjen e lirë, të njerëzve, për njohjen e diplomave profesionale duhet të lidhen shpejt”, theksoi ai.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha se Procesi i Berlinit do të përshpejtojë reformat dhe do të sjellë gjashtë shtetet e Ballkanit më pranë bllokut evropian.
Scholz, po ashtu, tha se me kryeministrin Kurti është biseduar për pozicionimin e qartë të Kosovës lidhur me sulmet ruse në Ukrainë.
“Lufta e agresionit rus kërkon një qëndrim të qartë dhe një përgjigje të prerë ku z. Kurti dhe Qeveria e Kosovës nëpërmjet mbështetjes së të gjitha masave dhe sanksioneve, ka treguar se Kosova, si partnere e besueshme, qëndron në anën tonë dhe në anën e bashkësisë evropiane dhe ndërkombëtare”, theksoi ai.
Vizita në Kosovë e kancelarit të Gjermanisë, Olaf Scholz, është pjesë e turit të tij në Ballkan.
Scholz në Kosovë, po ashtu, pritet të vizitojë edhe trupat gjermane që shërbejnë në kuadër të KFOR-it.
Fokusi i udhëtimit është perspektiva e anëtarësimit të Ballkanit Perëndimor në BE, si dhe kontributi i Gjermanisë në përmirësimin e bashkëpunimit rajonal.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, më 4 maj ishte në Gjermani për një vizitë zyrtare me ftesë të kancelarit gjerman, Olaf Scholz.
Ky ishte takimi i parë i kryeministrit Kurti me kancelarin Scholz. Në një konferencë të përbashkët për media pas një takimi që kishin realizuar të dy liderët pa praninë e mediave, Scholz kishte theksuar se çështjet e hapura mes Kosovës dhe Serbisë duhet të zgjidhen hap pas hapi me idenë që të kulmojë në paqen dhe stabilitetin rajonal.
Mes tjerash Scholz pati theksuar rëndësinë e bashkëpunimit dhe krijimit të një tregu të përbashkët rajonal brenda Procesit të Berlinit.
Po ditën e sotme kancelari gjerman, Olaf Scholz, do të udhëtojë për në Beograd, ndërsa të shtunën ai viziton Maqedoninë e Veriut dhe Bullgarinë, në kuadër të turneut të tij në Ballkanin Perëndimor.
Ndërkohë, Policia e Kosovës ka bërë të ditur se me rastin e vizitës së kancelarit gjerman, Olaf Scholz, sot do të ketë ndërprerje të përkohshme në intervale të shkurta kohore të qarkullimit të trafikut në disa segmenteve rrugore ku pritet të kalojë eskorta.
Në njoftim thuhet se policia do të kujdeset për ofrimin e sigurisë dhe mirëmbajtjen e rendit e qetësisë publike, gjatë kohës së lëvizjes së eskortës dhe qëndrimit të delegacionit shtetëror gjerman në Kosovë.
Komentet